Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Për Kosovën e shkretë a mendon dikush?

| E merkure, 14.06.2023, 06:55 PM |


Blerim Latifi:

Kurti nuk po do me ecë ma tutje me punën e Asociacionit, sepse ka frikë se do të përfundojë në histori si shqiptari që e nënshkroi autonominë e serbëve.

Pra, parasëgjithash, po mendon për veten.

Vjosa Osmani po heshtë dhe përmes heshtjes po na tregon se nuk e ka ndërmend të luaj ndryshe prej Kurtit, sepse e di se pa Kurtin karriera e saj politike merr fund.

Pra, parasëgjithash, edhe ajo po mendon për veten.

Liderët e opozitës, Avdixhiku e Krasniqi, nuk po bëjnë asgjë konkrete përtej deklaratave dhe statuseve të kota në facebook. Ata realisht po presin që Kurti të thyej qafën nga ballafaqimi me ndërkombëtarët dhe më pas të vijnë në pushtet.

Pra, parasëgjithash, edhe ata po mendojnë për veten.

Limaj dhe Haradinaj po flasin ashpër, por pafuqia politike ua bën të parëndësishme thirrjet. Duke qenë se janë shqiptarë, kemi plot arsye të gjykojmë se edhe ata, parasëgjithash, po mendojnë për veten.

Molliqaj, si Kurti, thotë se nuk duhet pranuar Asociacioni, por kjo, për të, duhet bërë pasi të heqim qafe Kurtin.

Pra, parasëgjithash, edhe ky e ka mendjen te mllefi personal që ka me Kurtin.

E Rama?

Rama ka frikë se rreshtimi pro Kurtit mund t'i shkaktojë telashe atij dhe Shqipërisë.

Pra, parasëgjithash, edhe ai po mendon për veten.

E për Kosovën e shkretë a mendon dikush parasëgjithash?

Përgjegjen po e jap përmes një tregimi popullor që kallxohet në Drenicë qysh moti.

Një udhëtar, i lodhur nga rruga, troket në derën e një shpie.

Del një plakë dhe udhëtari e pyet:   - Oj loke, a janë burrat në shpi?

Plaka i përgjigjet: - S'ka burra ktu. Burrat janë n'vorre...