E enjte, 24.09.2020, 01:32 PM (GMT+1)

Plus » Historia

Ernest Koliqi: Si e gdhendi Fan Noli veprën e Gurakuqit e Bajram Currit

E enjte, 01.01.2009, 06:13 PM


Luigj Gurakuqi - Fan Noli - Bajram Curri
Luigj Gurakuqi - Fan Noli - Bajram Curri

 

Ernest Koliqi
Ernest Koliqi

"Gabimet ase në datsh të thuesh fajet që Fan Noli ka mujt me ba, nuk ja zbresin vlerën tri veprave të pashoqe që ai kreu: Autoqefalinë e Kishës, fletoren "Dielli" dhe futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve"

"Si e gdhendi Fan Noli veprën e Gurakuqit e Bajram Currit"

Përgatiti Dashnor Kaloçi

Ernest Koliqi u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1897. Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ai mbajti për disa kohë postin e Ministrit të Arsimit e Kulturës. Në vitin 1944 ai u arratis nga Shqipëria e u vendos në Itali ku për shumë vjet ishte Drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit të Romës. Po kështu Koliqi drejtoi edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë atij Universiteti. Gjatë asaj periudhe, për afro 20-vjet me rradhë ai drejtoi edhe revistën letraro-politike "Shenjzat", ku botuan shkrimet e tyre shumë nga personalitetet më të njohura të diasporës shqiptare në Perëndim. Ernest Koliqi vdiq në mesin e viteve 1970 në Romë. Nga krijimtaria e tij ne zgjodhëm shkrimin që botohet më poshtë në formë studimi, i cili bën fjalë për vëndin që zënë në veprën e Fan Nolit, Skënderbeu, Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi, ku dy prej tyre Gurakuqin e Currin, Koliqi i pat njohur nga afër kur ai shërbeu në administratën e Qeverisë së Nolit në vitin 1924.

Nga Ernest Koliqi

Stefan Stiljan Noli, një ndër pesonalitetet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet posi një fytyrë poliedrike, d.m.th. e shumëanëshme, e cila gja lodhë menden e kujtodo kur vjen momenti me dhanë një gjykim synthetik mbi rrolin që ai lujti në botën shqiptare.

Kush jeton si i ndodhi atij ma se tetëdhet vjet dhe në një periudhë historike ma të stuhishmet qi njofti njerzimi, lehtaz bahet objek kritikash sepse një jetë kaq e gjatë rrethohet me fazat e ndryshme të saj, me dritat e me hije të cilat ndoshta shkaktohen nga rrethinat, nëpër të cilat u përshkue, ma se një vullnet i prem dhe i paravendosun m' u sjell ashtu si u suell. Si të gjithë njerzit me një vlerë të veçantë edhe Fan Noli nderohet e përçmohet me ngulmim qi shpesh herë arrin në parosizëm ndër lëvduesa e prozhmuesa të tij.

Tri veprat e pavdekshme të Nolit

E vërteta asht se veprimtarija e një njeriu që, qi gjatë tetëdhet vjetëve rresht gjallese në kët shekull u dha me mish e me shpirt mbas sendërtimit të një ideali, i cili synthetizonte ne vete qëllime fetare e kombtare, shoqnore e kulturore, duhet vu në një kandar të drejtë. Gabimet ase në datsh të thuesh fajet e qi Fan Noli ka mujt me ba, nuk ia zbresin vlerën tri veprave të pashoqe që ai kreu, pasojat e mira të të cilave edhe sot ndihen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi më 1909 i fletores "Dielli", praleludim i themelimit të Shoqatës pan-shqiptare "Vatra" në Boston., më 1912 në bashkëpunim me Faik Konicën, pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve me 17 dhetuer 1920 e krijimi i Kishës orthodokse autoqefale shqiptare shqiptare. Edhe po të pranojmë se për hypotezë se Fan Noli pat njolla, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë. Natyrisht këtyne meritave kombtare e patriotike u shtohen ato shum shum të mëdhja asi shkrimtar qi i a skalisin emnin me shkrola arit në historinë e letërsis shqipe. Por këtu duem të vëm në dukje shkurtazi burimin e frymëzimit të tij ndër shprehje ma të nalta lyrike qi ai na dhuroi dhe me theksue se si at burim frymëzuese e gjet në jetën reale të Shqipnis, në burimin njerzor shqiptar qi ai hetoi e njofti n' ato tepër të pakta vjetë ndejes në dheun e zanafillës. Edhe Fan Noli asht bir i diasporës: u lind e u rrit jashta vëndit të të Parëve. Kjo gja reflektohet mbi të gjithë veprimatrin e tij letrare. Ndër tetëdhetë vjetët e jetës së tij, vetëm tri a katër i kaloi në dheun shqiptar. E se ai kuptonte e ndiente nevojën sidomos si poet e krijues bukurije letrare me thithë në vënd frymën e tokës shqiptare na dyshmon myti i Anteut përmëndë në lyrikën kushtue Bajram Currit: "As je vrar' e as po vritesh, / Legjendar Ante po rritesh". Kush ishte Anteu e ç' përfaqsonte në mythologjinë klasike të Heladës? Anteu bir i Tokës (Gjea), vigan i madh e i stërfortë mirte fuqin qi kurkush nuk mujte të mposhte, tue prekun tokën (vëndin e vet) me shputa të këmbëve. Herakli nuk gjet mënyrë tjetër për t'a kënirrë, d.m.th. për t'ia marrë frymën e mbytë, veç tue mbajt pezull me një dorë pa e lanë me prek dhen me kambë. Vështrimi symbolik i mytit t'Anteut asht i qartë: dheu i lindjes, d.m.th. vendi ku gjallnon njerzia prej një gjaku e prej nji gjuhe, i ep njeriut forcën morale, pertrin në në të herë mbas herit fuqit shpirtit. Fan Noli prirjen e rrallë krijuese, zotsin e jashtzakonshme shprehse e shkrini në përkthime (të cilat jesin shembullore në fushën e letrave t'ona) ma tepër se në krijimet origjinale në poezi e në gjini tregimtare. Nuk e njifte sa duhet jetën e popullit shqiptar. Përvojën e tij ndër rrethet e ndryshme shqiptare të diasporës nuk e njehi, tue marrë parasysh fuqit e veta krijuese, aq të mjaftueshme sa me ia hy njaj vepre origjinale, poem a rromanx, ku të dilte pasqyrë jeta e gjindjes, prej gjakut shqiptar përshkue nëpër dritën e bokuptimit të tij. Dy vjershat epiko-lyrike, kushtue Luigj Gurakuqit e Bajram Currit, ku ai gdhen mjeshtrisht, me vija të përflakta, përshtypjet qi i lanë këta burra, takue e njoftë gjatë banesës së tij të shkurtër n'atdheun shqiptar, dishmojnë se sa të çmueshme do të kishin qenë veprat e tija letrare, po të kishte dhanë fati mundësi me depërtue ma mirë e ma thellë në palc të jetës së popullit tonë.

Vështrim mbi dy vjersha të Nolit

T'i analizojmë shkurtazi në përmbajtje këto dy vjersha qi në Parnaz shqiptar arrijn majat ma vezuullore të lumnis poetike. Në katundin shqiptar të Thrakjes, Ibrik Tepe, ku ai lindi qysh në moshën ma të mitun, Fan Noli tregoi aftësin e hollë vëzhguese me të cilën kishte pajisë natyra. Lëshonte shikimet e veta rreth e rrotull dhe përpiqej të kuptonte mbrendin e shfaqjeve të jetës qi zhvillohej përpara. Sidomos tue u rritun përpiqej me i a spjegue vetes shkaset e përmbrendshme qi shkaktojn sjelljen e mirë të veseve njerzore, do të shfaqet thekunisht ma vonë në satyrat që na la. Asokohe me siguri nji pyetje vizatohej në mënden e njomë të kalamnait veshtak: "Pse flasim na një gjuhë tjetër e pse jemi ndryshej nga banorët e katundeve fqinje?" Të cillën pyetje, sa marrin mënd e shqise, i a sjellin vetes edhe Arbreshët e Italis: "Jemi shqiptarë! Po ç'ashtë Shqipnia". Ç'farë vetish e lejojnë Shqiptarin me pohue, tue u mburrë, se asht bir i një kombi fisnik? Fytyra që në kohën e fmijnis la mbresa të pashlyeshme në kujtim të Fan Nolit, qe Gjergj Kapedani, komandar mbas Nol Kapidanit, gjyshit të tij, i repartit ushtarak qi delte Sulltanit n'ushtri në rasa lufte. Gjergj Kapidani tregonte trimnit e veta dhe të Shqiptarëve ndër luftime përkrah ushtrisë osmane. Edhe i jati i Fan Nolit, Stiljani, ushqente bashkë me pasionin e muzikës kishtare, atë të kultit të heronjve. Admironte pa masë, i jati i Napoljon Bonapartin e Skandërvbegun. Admirimi i t'et Stiljan për Gjergj Kastrijotin kaloi të birin Stefan, qi ma vonë, bani kërkesa ndër arkive e biblijoteka më dokumente gjansisht e imtisht mbi te dhe mbi kohën e tij për të mëshiruar burrnin shqiptare në Kryetrimin e Krujës n' at vepër të madhe historike qi të gjith njofim. Në një djalosh mendesquet e zemërndieshëm, të prirun kah analyza e shkaseve të ndryshme qi burojnë nga thellësytë e shpirtit të vet e të tjerëve edhe nga valvitja misterioze e gjakut që sejcilit i rreh ndër dej, asht i natyrshëm të dij psehin e rrethanave qi cilsojn kushtet e tij njerzore të veçanta. Gjergj Kapidani i flitte për trimni shqiptare, i ati, Stiljan Noli, çonte në qiell veprimet e Kastrjotit. Ç'themel në të vërtetë kishin ato lavde ato mburrje? Ç'farë tharmesh leviteshin në gjak shqiptar? Cilat ishin vetit e veçanta njerzore të Shqiptarit? Fan Noli në zhvillimet e jetës së tij endacake e plot peripetina si ato të Odiseut homerik, njofti burra shqiptarë që i a vërtetojshin pohimet e Gjergj Kapetanit dhe të t'et mbi fisnikin shqiptare. Me 1903 fati e hodhi n' Egjypt e ndër tri vjet kalue aty pat mardhanije me burra të vlefshëm si Spiro Dinen, Nikolla Naçon, Thanas Tashkon e Jani Vruhon. Preku me dorëthjeshtësinë e natyrës idealistike të këtyne pishtarve të Rilindjes s'onë, por mund të mendonte se ata ishin përjashtime. Paisej vërtet Kombi shqiptar me vetinat e andrrueme prej patriotave? Përgjigjien kësaj pyetje e kërkoi, si thamë, në historinë e qindresës shqiptare të pesqind vjet në epopenë e Gjergj Kastriotit. E fletët e historis i a vërtetuan pohimet e t' et dhe të Gjergj Kapedanit. Ligjnuen enthujzazmin me të cilin patriotët përmëndshin emnin mbrekullbas, plot frymzim rilindës, të Skanderbegut. Por, qi vetit e lulëzueme mrekusllisht në Skandërbegun, vlojshin prap se prap në zëmrën e madhe të kombit shqiptar, ay e pa me sy kur më 1921 erdh në dheun e të Parëvet dhe qindroi aty deri më 1924. Brumi njerzuer prej të cilit doli Skanderbegu dhe breznija e çelnikët qi atë e ndoq ndër luftime për liri, vrumuliste ende i gjallë e gjithënji i aftë me shprehë vetje t'adimirueshme për dobi të kombit.

Frymëzimi për Gurakuqin e Bajram Currin

Në Luigj Gurakuqin e në Bajram Currin hetoi esencën e fisniknis shqitare, burrnin, e cila asht nji shkrimje e trimnis me urti, d.m.th. syntheza e nji hovi guximtar plot vetmohim bashkue me nji përftim a koncepcjon të jetës që ka shtyllë themelore nderin dhe shprehet me një matuni fjalësh e sjelljesh e cila mbështetet në ndiesi të së drejtës e të njerzis së ndërgjegjëshme. Trimnija ka vlerë kur përdoret me vënd e me kohë për të nxjerrë soje frytet e dobishme. Thotë Fishta: "Por i urti kurr nuk ngutet / prej burrnis e jo prej tutet". Në Luigj Gurakuqin, Fan Noli njofti burrnin që rrjedh nga vetit shqiptare trashigue nga të Parët dhe të zdrituna shkëlqimisht në rrezet e nji kulture së gjanë. Në Bajram Currin njofti e përlavdoi instiktet e shëndosha burrnore qi me gjarpënim vetimash e shungllim bubullimash shfaqen papritmas në përpjekje për ideal, pa dalë nga vijat e urtis dhe pa u shkoq nga trashigimi stërgjyshnuer i nderit e i drejtësis. Këta dy burra të paharrueshëm i a frymzuen Fan Nolit vjershat e pavdekshme ku ai naltsoi me një hov lyrik flatër-vervitës burrnin, veti qensore e jetsore kryekkrejet e fisit arbnuer. Ju kujtohen vargjet e thekshme kushtue Luigjit? "…Nëno moj, mbaj zi për vllan, / Me tre plumba na i ran…/ …Se të deshte kur s' të deshnin, / Se të qante kur të qeshnin / Se të veshte kur të çveshnin. / Nëno moj të ra dëshmor…/ Nëno moj ç'është përpjekur, / Gojë mjalt' e zëmër- hekur, / Syrgjyn gjall' e syrgjyn-vdekur, / Ky vigan liberator". E ato për Bajram Currin? "…O Bajram bajrak i gjallë, / More nam me gjak në ballë, / Te një shpell' e Dragobis. / Yll i rrall' i burrëris…/ Me zjarr Shenjt u ndrit kjo shpell, / Gjer në qiell u ngrit Kështjell / Për çlirimin e Shqipëris / Katakomb i Dragobis". Le të vëhet re fati i mjerë i njajtë i tre heronjve këndue nga Fan Noli: Skandërbegu, Luigj Gurakuqi, e Bajram Curri, të tre shkrinë jetën për ideal dhe mbaruen pa i pa realizimete e dishrueme. Poeti qan me lot burrnin orzezë shqiptare. Unë i kam njoftë dy Burrat, këndue nga Noli, të dy nderë e Kombit, shtylla të ndritshme t' idealit dje, sot e n'ardhëmëni ma të largët edhe kam pasë fatin me qenë në mardhënie të ngushta me ta. Luigji më nxiti m'u marrë me letërsi dhe më hodhi në fushën politike më 1923, Bajrami qi banoi me familje në një shtëpi t'onë në Shkodër mirsisht bisedoi shpesh me mue mbi çashtje kombtare. Si nëpunës i vogël por besnik, edhe unë kjesh pjestar në Qeverinë e kryesume prej Fan Nolit më 1924 dhe, kur ajo Qeveri u përmbys, nëpër rrethina të njoftuna, si fanolist mora udhat e mërgimit e ndeja pesë vjet larg atdheut. Prandaj në përkujtim të dy burrave të mëdhenj, që jesin në vënd të parë në Olymp të heronjve të Kombit dhe të Poetit qi u a përlevdoi vetit e pashoqe arbnore e ndiej, për arsye dhe vetjake. Detyrën të përuli kryet në shënj të një nderimi të pamasë"

Fan Noli

Syrgjyn Vdekur

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran' e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s'të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t'a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m'a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s'i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç'është përpjekur
Gojë-mjalt' e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Shpell'e Dragobise

(Elegji per Bajram Currin)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur' i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab' e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s'tronditej nga tërrmeti.
Div drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell' e Dragobisë,
Yll i rrall' i burrërisë.

Thon' u shtri e thon' u vrà,
Po ti s'vdiqe, or Baba,
As te shkëmb' i Dragobisë,
As te zëmr' e Djalërisë.

As je vrar' e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u ngrit Kështjellë
Për çlirimn' e Shqipërisë
Katakomb' e Dragobisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora