| E marte, 13.06.2023, 07:59 PM |
Hajredini
Nga
Edison Ypi
Ka
varur veten Hajredini.
Gjysma
në emigracion gjysma në fshat, gjysma në fushë gjysma në kodër, katundi i
Hajredinit duket si në këngën e famshme katundi i emigrantit italian: Disteso
come un vecchio addormentato.
Të
pyesësh si e qysh, nuk të përgjigjen, të pyesin.
Cilin
të pyesësh ?
"Budallai
i Katundit" është bërë kryetar lokal i një partie, lere zgjeben.
"Inteligjenti
i Katundit", mund ta pyesësh, por s'ka nge' të përgjigjet, merret me
biznes. Ua mbledh prodhimet bujqësore bashkëfshatarëve të tij të dashur me
çmime afër zeros. Që vetëm furgoni i tij të vej-e-vijë nëpër ca shtigje që i di
vetëm ai, s'lë gur pa lëvizur që rruga e katundit të mos bëhet kurrë.
"I
mesmi", ai qurrja që nuk bën dot as biznes as politikë, ai llapaqeni që
rri gjith' ditën në kafene, prej tij s'merr dot përgjigje të saktë se gjithçka
e sheh nga interesi personal imediat.
Mjediset
njerëzore shqiptare kanë gjithmonë dikend që nuk ngjan me asnjë. Është ai i
heshturi, i urti, puntori, ai që nuk ja zë rrugën kurrkujt. Ai që vetëm punon,
mendon, vëren, i kupton të gjitha, dëshpërohet, e zë gjumi me vështirësi, duron
dhe hesht. Ai, të cilin nuk e kap kurrë asnjë gazetar, asnjë gazetë, asnjë
radio, asnjë televizion. Ai duhet gjetur, ai duhet pyetur. Po ku ta gjesh ?!
Diell,
dritë, fusha të mbjella, kodra të jeshilta, përrenj, ullishta të mbushura,
vreshta të rrushta, serra të bardha, shtëpia të reja, motorra, traktora, pompa,
Benza, furgona, ngrohësa diellorë etj. etj.
-
Sa vjeç je ?
-Trembëdhjetë.
-Të
kujt i ke këto lopë ?
-Ama
pyetje. Të miat i kam. Kam edhe dy të tjera. Kam edhe shtatëdhjetë dele.
-
Po ti ?
-
Unë jam nëntëmbëdhjetë vjeç. Kam tre lopë dhe tridhjetedy gjela deti. Kam edhe
tokë.
-
Po ti tjetri ?
-
Unë kam serra. Ja te i kam atje poshtë në fushë.
Pesë
lokale të mirë të mëdhenj për dasma dhe sebepe.
Gjashtëdhjetë
makina.
Njëzet
a tridhjetë furgona.
Rreth
njëzet traktorë.
Servis
makinash.
Dy
pika furnizimi me karburant.
Kryesisht
bujqësi. Shumë serra. Vështirë të numërohen. Serrat kanë te gjitha puse. Uji i
puseve nuk është i pijshëm. Përdoret për serrat dhe për të vaditur ullinjtë.
Uji i pijshëm është problem.
Dy
ujësjellësa. Që të dy shkallmuar nga vetë banorët kur ndanë tokën.
Ka
armë të fshehura, ka krim, ka hajdutllëk.
Vjedhin
bagëtitë e njëri-tjetrit, shtëpitë dyqanet. Të thonë: Vidhet aty ku ka për të
vjedhur.
-
Ndonjë Cannabis më ndonjë qoshe ?
-
Më parë diçka, tani jo. Është forcuar kontrolli.
-
A del ndonjëherë këtej pari Deputeti ?!
-
Ka dalë nja dy herë, po ç'e do aman edhe ti.
-
Ka fukarenj këtu ?
-
Po.
-
Hajredini ?
-
Hajredini ishte i urtë, i butë, në pun' të vet, në hall të vet. Babai ulok, e
përplasi makina pas një muri. Një vëlla u gjet i vrarë në Durrës. Një motër
infermiere në Gjermani. Hajredini punonte sa mundëte, por mbeti fukara i
shkreti, nuk u kap dot, nuk bëri dot prokopi. E deshte gjithçka me djersën e
ballit. Ndoshta aty gaboi. Ku të çon mushka sot pa dallavere ? Nuk duroi dot.
Shkoi u var në degë të ullirit, ja atje n'faqe t'kodrës. La një djalë nëntë
vjeç dhe dy çupa, njëra dhjetë, tjetra pesëmbëdhjetë.
Dikush
thotë se për shkak të vështirësive të transportit ndodh që prodhimet bujqësore
flaken.
Furrtari
kryen një shërbim që nuk bën vaki' as në Zvicër: I dërgon bukët derë më derë me
Benz. Nuk pranon t'ja fotografoj shërbimin e rrallë. I squt furrxhiu. Kërkon të
paguhet për fotografinë.
"Shërbim
Funeral". Tabela mbi shtyllë me numur celulari me adresë me të gjitha.
Hajredinit
nuk iu desh ky shërbim. I mjaftoi një degë ulliri, një litar, pak sapun.
Ndoshta litarin dhe sapunin i bleu në dyqanin e katundit me veresie që nuk do
ta shlyej kurrë. Degën e ullirit jo. Dega e ullirit aty ka qënë aty do jetë,
falas për cilindo që dëshiron të bëjë si bëri Hajredini.
Dielli
i muzgut të fund-korrikut rreth i zjarrtë i kuq mes reve para se të bjerë i
vdekur në horizont derdh lumenj gjaku mbi Manastirin e Ardenicës.