Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Hajredini

| E marte, 13.06.2023, 07:59 PM |


Hajredini

Nga Edison Ypi

Ka varur veten Hajredini.

Gjysma në emigracion gjysma në fshat, gjysma në fushë gjysma në kodër, katundi i Hajredinit duket si në këngën e famshme katundi i emigrantit italian: Disteso come un vecchio addormentato.

Të pyesësh si e qysh, nuk të përgjigjen, të pyesin.

Cilin të pyesësh ?

"Budallai i Katundit" është bërë kryetar lokal i një partie, lere zgjeben.

"Inteligjenti i Katundit", mund ta pyesësh, por s'ka nge' të përgjigjet, merret me biznes. Ua mbledh prodhimet bujqësore bashkëfshatarëve të tij të dashur me çmime afër zeros. Që vetëm furgoni i tij të vej-e-vijë nëpër ca shtigje që i di vetëm ai, s'lë gur pa lëvizur që rruga e katundit të mos bëhet kurrë.

"I mesmi", ai qurrja që nuk bën dot as biznes as politikë, ai llapaqeni që rri gjith' ditën në kafene, prej tij s'merr dot përgjigje të saktë se gjithçka e sheh nga interesi personal imediat.

Mjediset njerëzore shqiptare kanë gjithmonë dikend që nuk ngjan me asnjë. Është ai i heshturi, i urti, puntori, ai që nuk ja zë rrugën kurrkujt. Ai që vetëm punon, mendon, vëren, i kupton të gjitha, dëshpërohet, e zë gjumi me vështirësi, duron dhe hesht. Ai, të cilin nuk e kap kurrë asnjë gazetar, asnjë gazetë, asnjë radio, asnjë televizion. Ai duhet gjetur, ai duhet pyetur. Po ku ta gjesh ?!

Diell, dritë, fusha të mbjella, kodra të jeshilta, përrenj, ullishta të mbushura, vreshta të rrushta, serra të bardha, shtëpia të reja, motorra, traktora, pompa, Benza, furgona, ngrohësa diellorë etj. etj.

- Sa vjeç je ?

-Trembëdhjetë.

-Të kujt i ke këto lopë ?

-Ama pyetje. Të miat i kam. Kam edhe dy të tjera. Kam edhe shtatëdhjetë dele.

- Po ti ?

- Unë jam nëntëmbëdhjetë vjeç. Kam tre lopë dhe tridhjetedy gjela deti. Kam edhe tokë.

- Po ti tjetri ?

- Unë kam serra. Ja te i kam atje poshtë në fushë.

Pesë lokale të mirë të mëdhenj për dasma dhe sebepe.

Gjashtëdhjetë makina.

Njëzet a tridhjetë furgona.

Rreth njëzet traktorë.

Servis makinash.

Dy pika furnizimi me karburant.

Kryesisht bujqësi. Shumë serra. Vështirë të numërohen. Serrat kanë te gjitha puse. Uji i puseve nuk është i pijshëm. Përdoret për serrat dhe për të vaditur ullinjtë. Uji i pijshëm është problem.

Dy ujësjellësa. Që të dy shkallmuar nga vetë banorët kur ndanë tokën.

Ka armë të fshehura, ka krim, ka hajdutllëk.

Vjedhin bagëtitë e njëri-tjetrit, shtëpitë dyqanet. Të thonë: Vidhet aty ku ka për të vjedhur.

- Ndonjë Cannabis më ndonjë qoshe ?

- Më parë diçka, tani jo. Është forcuar kontrolli.

- A del ndonjëherë këtej pari Deputeti ?!

- Ka dalë nja dy herë, po ç'e do aman edhe ti.

- Ka fukarenj këtu ?

- Po.

- Hajredini ?

- Hajredini ishte i urtë, i butë, në pun' të vet, në hall të vet. Babai ulok, e përplasi makina pas një muri. Një vëlla u gjet i vrarë në Durrës. Një motër infermiere në Gjermani. Hajredini punonte sa mundëte, por mbeti fukara i shkreti, nuk u kap dot, nuk bëri dot prokopi. E deshte gjithçka me djersën e ballit. Ndoshta aty gaboi. Ku të çon mushka sot pa dallavere ? Nuk duroi dot. Shkoi u var në degë të ullirit, ja atje n'faqe t'kodrës. La një djalë nëntë vjeç dhe dy çupa, njëra dhjetë, tjetra pesëmbëdhjetë.

Dikush thotë se për shkak të vështirësive të transportit ndodh që prodhimet bujqësore flaken.

Furrtari kryen një shërbim që nuk bën vaki' as në Zvicër: I dërgon bukët derë më derë me Benz. Nuk pranon t'ja fotografoj shërbimin e rrallë. I squt furrxhiu. Kërkon të paguhet për fotografinë.

"Shërbim Funeral". Tabela mbi shtyllë me numur celulari me adresë me të gjitha.

Hajredinit nuk iu desh ky shërbim. I mjaftoi një degë ulliri, një litar, pak sapun. Ndoshta litarin dhe sapunin i bleu në dyqanin e katundit me veresie që nuk do ta shlyej kurrë. Degën e ullirit jo. Dega e ullirit aty ka qënë aty do jetë, falas për cilindo që dëshiron të bëjë si bëri Hajredini.

Dielli i muzgut të fund-korrikut rreth i zjarrtë i kuq mes reve para se të bjerë i vdekur në horizont derdh lumenj gjaku mbi Manastirin e Ardenicës.