Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Sot kjo, a duhet me u besue?

| E hene, 12.06.2023, 06:56 PM |


Nga Fritz RADOVANI:

SOT KJO, A DUHET

ME  U  BESUE ?

”Tu njatjeta o burr burrash,

Njatjeta o Princ Radovani,

Lum Shkodra per Ty,or mik,

E lum per Ju, krejt vatani...”

Lexuesi L; Zeqir LUSHAJ (ZSh 2013)

SOT, vetem e verteta historike e ngjarjeve në Qytetin Martir të Shkodres, kryesisht mbas vitit 1944, na banë me besue até që Bota e qytetnueme e quen Mbrekulli e Dorës së Zotit.

Mbas vitit 1944, kur erdhën në pushtet komunistët, për pak vite ata nuk e zbuluen fytyrën e tyne të vërtetë ateiste e kryesisht ate antikatolike, kjoftë shoveniste sllave apo anadollake. Madje, në ditët e para të Janarit 1945, kur ka ardhë në Shkodër vetë terroristi Mehmet Shehu dhe ka shkue me vizitue Gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve në Gjuhadol, aty ai u ka folë studentëve për vlerat e mëdha Atdhetare dhe kulturore të Asaj shkolle që nga themelimi i Saj në vitin 1875.

Brez mbas brezi ajo shkollë i dha Shkodres së vjeter Françeskanët e Mëdhaj dhe të papersëritshem per Fe, kulturë dhe perparim! Në zemrat e Tyne të pasterta si biluri Ju vlonte Liria!

Në Shqipni erdhi pa u kuptue një kohë që shumica e njerëzve na dukeshin se nuk besonin ma në Zotin.

Nuk asht aspak me u çuditë. Në vitin 1967, kur Enver Hoxha me Ramiz Alinë kishin nxjerrë nga kllefi shpatat e tyne të përgjakuna në luftë kundër Zotit, Fesë, Klerit Katolik dhe simbas tyne edhe kundër disa “zakoneve prapanike”, ose ma sakt kunder At Shtjefen Gjeçovit, i vramë nga serbët... At vit në letrën që At Pjetër Mëshkalla, i ka drejtue me 5 Prill 1967, terroristit të Spanjës, “shokut” të sa e sa kriminelëve dhe të “armëve” të “Revolucionit Kultural”, Mehmet Shehut, që ishte asokohe kryeministër, Ai i shkruen: “...Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 Mars, unë u ankova Juve, Shkelqesë, se kishem ndigjue prej komunistave fjalët: ‘Këte Kishë do ta bajmë kinema’; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as armiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit...”.

Me datën 15 Nandor 1946 Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit u kthye në burg. Të gjithë klerikët që u ndodhën aty u konsideruen të arrestuem si “armiqë të popullit”. Pra, pa pasë kalue as dy vjet, Ata profesorë që kishin edukue Atdhetarët prangohen në hekura si “armiqë të Popullit vet”!

Me datën 16 në darkë dhe në të zbardhun të datës 17 Nandor 1946, rreth orës 02.00 të mengjezit, forcat e Sigurimit të Shtetit, të drejtueme nga shefi i sigurimit të Shkodres, kasapi Zoji Themeli, me Pjerin Kçirën, Hulusi Hakon, Dilaver Sadikunn, Gjovalin Mazrrekun, Lin Çollakun etj., fusin në Kishën Françeskane pranë kuvendit “Burg”, arkë municioni, armë të vjetra, mitraloza etj., i mëshehin nën Elterë të Shna Ndout e të Zemrës së Krishtit.

Armë u futën edhe nën Statujën e Shna Ndout. Atë ditë drejtues të organizatave të grues, rinisë, frontit etj., vizitojnë Kishën e shpërthyeme nga Sigurimi naten, që Populli i Shkodrës me pa me sytë e vet rolin reaksionar të Klerit Katolik, që donte me përmbysë Pushtetin “me armë”. Në darkë, operatorët jugosllavë xhiruen film me Klerikët pranë Elterëve ku “u gjetën” armët e vume nga vetë ata me spijunët tonë të Sigurimit në sherbim të shovenistëve serbë. Proceset e Fretënve të akuzuem për futjen e këtyne armëve vazhduen gati dy vjet. Askush nuk ndigjoi një nga gjyqet e zhvillueme të kësaj ngjarje. Me 11 Mars 1948 u pushkatuen: Imz. Frano Gjini, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Don Nikollë Deda, të akuzuem për këte vepër. U dënuen shumë të tjerë si: At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Dodaj etj., me shumë vite burg të randë mbi 20 vjet.

Kishte shumë nga ata që nuk u besonin komunistëve, po kishte edhe të tjerë që i besonin dhe i sherbenin. Në vitin 1967, të lidhun si mishi me thonin e kalbun me “vëllaznit” kinez, në Shqipni, u zhvillue “Revolucioni Ideologjik Kultural”. Shqipnia u shpall “Shteti i parë ateist në botë”.

Ata që e kujtojnë atë kohë, besoj se nuk mund të harrojnë ankthin e një Populli: “Çka po ndodhë me mue sonte?!..” Lufta e pamëshirshme u ba kundër Kishës, Klerit, Popullit Katolik e Musliman të Shkodrës dhe kujtdo që mund të dyshohej nga komunistët dhe terroristët e Sigurimit të Shtetit “i pakënaqun”, madje edhe mbrenda radhëve të vetë partisë e spijunëve të saj.

Ma në fund u mbyllën të gjitha Kishat e Xhamijat. Shumë klerikë Katolikë shkuen edhe njëherë ndër burgje.

Shumë Kisha e kuvende u kthyen në stalla, magazina, vatra kulture kooperativash, etj. Katedralja e Shkodrës u kthye në pallat sporti.

Kisha e Motrave Stigmatine “Sallë gjyqi klerikësh” (Klubi i Rinisë), Kisha e Fretënve u ba “Kino Klub Punëtori”. Të gjitha, pa përjashtim, u vodhën, tue fillue nga  parmakët e mermerit, gurët e kompanjelave, kumbonët, sahatat, shalldanat e deri tek unazat e Ipeshkvijve ndër vorrezat e Atyne Kishave. Kisha e Zojës, tek Kalaja, Kisha e Rusit, dhe Ajo e Vaut të Dejës e shek. XIII, mbas zhgatrrimit me dinamit, u rrafshuen fare sikur nuk kanë kenë.

Këtë fat pat edhe Xhamija e Parrucës, ku qylymat e saxhadet u vodhën nga komunistët, spijunët veteranë.

Me porosi të Ramiz Alisë, u projektue “Muzeu Ateist” mu në qendër të Shkodrës. Flitej se aty janë vendosë shumë objekte nga ata të Kishave e Xhamive, shoqnue me karikatura dhe fotografi të ndryshme kundër Fesë dhe besimeve. Unë nuk e kam vizitue kurrë, prandej edhe nuk di saktësisht çka përmbante ky muze... Aty u vendos dhe statuja e Shna Ndout e marrun në Kishe e Gjuhadolit në Shkoder. Koha eci ma shpejt se mendonim na.

Dikund, aty nga Moska, hagrepët e sahatit të madh të Kremlinit, filluen me ra mbi kumbonët e ndryshkuna pa e kuptue njeri se dishka po ngjiste!..

Shtëpia e Bardhë mori pamjen e një tempulli ku Presidenti Reagan dukej sikur një Përmendore Shenjte...

Në horizontin e Vatikanit doli ylberi!..

Muri i Berlinit ra!...1989.

Edhe pse e djegun dhe e zharitun, ngrihej Aty në mes të atyne selvijave në Rrëmaji, mes vorresh e gropash pa Shenj tek kryet t’ Atyne Martirëve të Fesë e t’Atdheut, na dukej e zhdukej nga frika, ankthi e mosbesimi, hija e Skenderbeut, me mjekerr të bardhë e të thinjun si biluri dhe murrlani e merrte me vete tue u naltue drejt një kupole të shembun, me dorën nalt.

Ai sillte sa andej këndej një pelhurë me vija bojëqielli të një Nanës së Madhe Shqiptare, që Bota mbarë përulej para Saj.

Ishte pikërisht ajo, Shpresa jonë e humbun.., që u Ringjall persëri!..

Liria e Fesë - Liria e Atdheut – Liria e Njeriut të robnuem per një gjysë shekulli! E pabesueshme!

Ja pra, binomi gati i harruem prej nesh “Fé e Atdhé”, i Françeskanëve Martirë Shqiptarë!

U riparue Kisha Katedrale, që edhe pse e shihnim me sy, s’ na besohej se ishte mes nesh madhështia e Atij Burri, po, e Atij që komunizmin e shembi me kulm e temel, Polaku Trim Vojtila, për të cilin u flijue një Kler Katolik, jo vetëm, tue mos i ra mohit po edhe tue dhanë jetën për Té.

Ai brohoriste në Zallin e Kirit: “Rrnoftë Papa e Rrnofshin Katolikët në Botë...E zani u fikej tue thirë Rrnoftë Shqipnia e Lirë!”

U riparue edhe Kisha Françeskane në Gjuhadol.

Kur hyna herën e parë, them të drejtën m’u mbushën sytë me lot...

Ishte krejt e pastër dhe e dritëshme, po mue m’u duk shumë e vorfën.

M’u kujtuen Klerikët që dikur fëmijë i ndihmonim në Meshë, por që s’ ishin ma asnjë. Eltërët ku gjyjzoheshim dhe me kemtarët ndër durtë e njoma tonat tymosej Ai vend krejt ndryshej ...

As lampadari i bukur që varej në mes të Kishës nuk ishte ma...

Asnjeri nuk kishte as tek vendi i korit që dikur ushtonin zanet e rinisë shkodrane... Aty këndoi i Madhi Luk Kaçaj e kompozoi Prenk Jakova... Aty mësoi At Gjoka e bash nder ata korridore sot kishte ra heshtja...

Të gjitha figurat dhe veprat e artit nuk ishin ma! As parmakët e mermerit nuk ishin ma aty... Ishin zhgulë! Asnjë zhgun nuk ishte ma aty!

As Udha e Kryqit, aq e bukur me bazorelievet e Saj artistike s’ishte ma!

Nuk ishin as suazat me dhurata e At Gjergj Fishtes...Edhe ata u vodhën...

Nuk ishin ma as statujat e Shejtënve, as Elterët e Tyne....Të gjitha janë thye e zhdukë nga dora e barbarit komunist...

***

Erdhi viti 1992. Filloi rindertimi i mbrendshem i Kishës... Shkova njëditë!

Aty ishte  Elteri i Shna Ndout, ku çdo të marte shpërndahej “Buka e Tij”...

Mendova.., me vete: Kur në të gjithë Shqipninë asht zhdukë e prishë gjithëshka fetare, si ka mujtë me mbetë pa u thye nga ai rrebesh komunist vetëm statuja e Shna Ndout!?..

Aty ishte vetëm Ajo statujë e dikurshme e Shejtit Shna Ndue!

I kishe ngulë sytë e nuk më bahej me i besue vetes!

As gjenocidi 50 vjeçar komunist nuk kishte arrijtë me e zhdukë Até!

Ishte pra, Ajo statujë, që shumë vite ma parë unë ishe përulë me aq respekt para Saj... E sa djelm’ e vajza si unë?

Ishte pikërisht Ai Shna Ndue, pranë të cilit, predikoi ajka e Klerit Katolik Shqiptar, Etnit Fishta, Harapi, Prennushët, Palaj, Rrota, Kurti, Prela, Sirdani, Nika, Shllaku, Llupi, Gjolaj, Targaj, Tracki, Koda, Kiri, Baqli etj.

Ishte pikërisht  Ai Shna Ndue, nën zhgunin e të cilit Sigurimi komunist futi armët e veta! Ky ishte sigurimi i shtetit batall i Enverit dhe i Ramizit!

Ishte pra, Një Mbrekulli, pikrisht aty ku unë po shihshe gjithshka me sy!

Shna Ndou i Kishës së Françeskane të Gjuhadolit, Ai Shna Ndue i vitit 1946 dhe 1967, Ai, vazhdonte me kenë mbi Tokën Shqiptare dhe ishte po n’ Atë Elter ku ishte dhunue, Ai Shenjt.., per zhgunin e të cilit nuk u kursye dhuna ma barbare e mizore komuniste e Shekullit XX...!

Ai asht Shna Ndou i Mbrekullive të Shkodrës!

Kush nuk  beson të shkojë e t’a shohi, e kush nuk u beson syve, t’a prekë me dorë At Shenjt të Madh në Shkoder!

Unë i besoj Mbrekullisë së Tij të Madhe që kam pa me sytë e mij!

Shna Ndou i Kishës së Gjuhadolit asht kenë dhe do të jetë përgjithmonë në Atë Shkodër Martire aq të salvueme i Pathyeshem dhe Fitimtar!

Sot Ai Shna Ndue na dhuron ma shumë se “Buken e Tij”...

13 Qershori asht i pafund në Shkoder e në Laç të Kurbinit… Se t’ jenë jeta!

Ai do të festohet nder Shekuj në të  vjetrin Gjuhadol të Shkodres Heroike!!

Melbourne, 12 Qershor 2023.