| E diele, 11.06.2023, 07:58 PM |
TRAJTIMI TEORIK I ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SË PAKICAVE KOMBËTARE
NGA
NIKË GASHAJ
Në
botën bashkëkohore, që nga Perëndimi deri në Lindje, një numër i madh
shkencëtarësh dhe ekspertësh të çështjes së pakicave kombëtare dhe të
marrëdhënieve ndëretnike, kritikojnë ashpër konceptin e pastër të shtetit
nacional, por gjithashtu dhe konceptin ekskluziv të shtetit qytetar(civil) në
shoqëritë multietnike. Per shembull: Alpen Filips, drejtor i Organizatës
joqeveritare ndërkombëtare MRG nga Londra, duke folur mbi të drejtat etnike të
Evropës Juglindore, ndër të tjera, thekson:” Një problem i përgjithshëm, me të
cilin ballafaqohet rajoni i Evropës Juglindore, është koncepti i shtetit
nacional, apo i shtetit, në shoqëritë multietnike, i cili ekskluzivisht i takon
një grupi etnik. Në raste të shumta kjo çon deri te mohimi, përkatësisht
anulimi i pluralizmit etnik dhe trajtimi i pjesëtarëve të pakicave si qytetarë
të rendit të dytë. E tërë ajo në rrethana të caktuara ka kaluar dhe kalon në
konflikte dhe përleshje me pasoja negative tejet të rënda”.
Dr.
Vuçina Vasoviq, profesor i sistemeve politike bashkëkohore, thekson: “Modeli i
shtetit nacional në shoqërinë multietnike i acaron marrëshëniet ndërmjet kombit
shumicë dhe pakicave kombëtare. Shteti i tillë dhe më tepër nëpërmjet një
mobilizim të gjerë nacional, ngushton edhe më shumë hapësirën e veprimtarisë jo
vetëm të pakicave të caktuara etnonacionale, por edhe për zhvillimin e
shoqërisë civile, si dhe për një bashkëjetesë në paqe dhe liri të grupeve të
ndryshme etnonacionale.
Kështu, ajo mund të jetë shkaku themelor i
konflikteve dhe pengesë në zhvillimin e shoqërisë në tërësi. Mu për këtë arsye,
shteti nacional në një formë ekskluzive nuk mund të jetë mbrojtës përkatës dhe
promotor as i popullit të shumicës etnike”.
Dr.
Negjo Miliqeviq, profesor i Fakultetit Juridik
të Sarajevës dhe drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e Pakicave, tregon se
shteti nacional në shoqërinë multietnike është formë institucionale e
nacionalizmit të shumicës etnike.
Antropologu
amerikan, Robert Hajdën, i ka vlerësuar disa dukuri në hapësirën e
ish-Jugosllavisë si “nacionalizëm kushtetues”. Fjala është për ato republika të
ish-Jugosllavisë së Titos, të cilat me kushtetuta të veta janë të definuara si
shtete të popullit shumicë.
Në
lidhje me këtë model duhet të themi se, shikuar në tërësi, formimi i shteteve
nacionale ka shkuar rrugës së centralizmit dhe absolutizmit. Në këtë mënyrë, ky
koncept i ka ngushtuar rreptësisht të drejtat e popullatës për vetëqeverisje
lokale dhe njëkosisht të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare.
Në
anën tjetër, ithtarët e konceptit të shtetit ekskluzivisht qytetar, që
nënkupton mospërfilljen e prejardhjes etnike, të përkatësisë nacionale dhe
konfesionale të qytetarëve, por të gjithëve duke iu dhënë të drejtat e liritë e
barabarta, në të vërtetë theksojnë konceptin uniformë në të gjitha situatat. Në
lidhje me këtë, prof. dr. Zorica Radoviq , shprehet:” Zbatimi uniform i
rregullave dhe i statusve, të cilat i nënkupton dhe i paraqet ky parim,
rrezikon të çojë deri te mosnjohja dhe mospranimi i njëmendësisë specifike, e
cila meriton njohje dhe mbrojtje, përkatësisht ajo çon te diskriminimi i
partikularizmit dhe i cilësive veçuese”.
Pikërisht
për këtë arsye, pikëpamjet bashkëkohore teorike vënë në dijeni se shteti duhet
të marrë një rol aktiv dhe nëpërmjet masave të ndrryshme të krijojë kushte për
promovimin e pakicave si kolektivitete, në ato situata në të cilat të drejtat individuale të
pjesëtarëve të pakicave mund të realizohen vetëm përmes emancipimit kolektiv të
grupit.
Filozofi
hungarez, prof. Dr. Alpar Losoncza, thekson:” Ne qoftë se të drejtat kolektive
injorohen ose mohohen në praktikën politike, ekonomike dhe kulturore, atëherë
vazhdimisht do të triumfojë parimi i shumicës, i cili automatikisht siguron
monopol dhe privilegje për shumicën etnike. Nëse parimi i shumicës zbatohet pa
korrektues në raport me pakica kombëtare, atëherë ka të bëjë me funksionimin e
pastër dhe ekskluziv të parimeve të shtetit nacional, që i rrezikon pakicat
nacionale”.
Në
lidhje me konceptin e shtetit qytetar(civil), akademiku i njohur, Vojisllav
Stanovçiq, profesor i teorive politike, tërheq vëmendjen se “parimi i pushtetit
të shumicës, i cili është themel i idesë së të ashtuquajturit shtet
qytetar(civil), nuk mund të zbatohet në shtete shumënacionale, pa krijuar
tensione dhe acarim të marrëdhënieve dhe konflikte serioze interetnike.
Prandaj, ky parim i shtetit civil(qytetar) duhet patjetër të korrigjohet me
zgjidhje kushtetuese, duke u mbështetur në forma të ndryshme të autonomive të
grupeve nacionale, si dhe në disa të drejta të tyre kolektive”.
Përndryshe,
një problem i madh që e përcjell demokracinë, është ai i cili është shqyrtuar
shumë herë, që nga Aristoteli deri te Xhon Stjuart Milli, e ka të bëjë me të
ashtuquajturën tirani të shumicës. Franc Nojmani ka vërejtur se zëri i shumicës
të keqen nuk mund ta bëjë të mirë, por e keqja, kur përkrahet nga shumica,
bëhet vetëm një e keqe edhe më e madhe. Me këtë dua të them se demokracia e
shikuar nga prizmi i shumicës etnike nuk mund të sigurojë dhe të mbrojë të
drejtat e pakicave kombëtare.
Sipas
njohjeve të shkencave politike, mësojmë se është e mundshme të dallohen të
paktën katër strategji të përgjithshme të zhvillimit shoqëror: 1)
Individuale-liberale; 2) Komunitare-etnonacionale; 3)Komunitare-liberale; 4)
Liberale-komunitare.
Disa
ekspertë preferojnë se strategjia e fundit, liberalo-komunitare është koncepti
më i përshtatshëm dhe më përkatës për shoqëritë pluraliste, heterogjene,
multietnike dhe multikulturore, sikurse është Mali i Zi.
Prandaj,
jam i mendimit se modeli i sistemit politik, i ashtuquajtur liberal-komunitar,
është në të mirë të zgjidhjes demokratike dhe të drejtë të çështjes së
shqiptarëve në Mal të Zi, meqenëse sistemi i tillë bazohet dhe mbështetet në
filozofinë politike civile të plotësuar me parimet dhe mekanizmat përkatës të
artikulimt të lirë të interesave, si dhe të mbrojtjes së të drejtave kolektive
të pakicave, çka do të thotë se respekton dhe mundëson realizimin e plotë dhe
konsekuent të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Mal të
Zi.
Dhe,
më në fund, thelbi i zgjidhjes së drejtë të çështjes së pakicave dhe njëherësh
të statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, qëndron në atë drejtim dhe pikëpamje,
që askush të mos ndiejë presion nga më i madhi dhe më i fuqishmi, por çdo
popull, pavarësisht nga madhësia numerike e tij, duhet ta ndiejë veten të
barabartë dhe të lirë, sepse, siç do të thoshte Gandi: “Qytetërimi ynë do të
gjykohet sipas asaj se çfarë trajtimi u ka bë pakicave”.
(Autori është antar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të
Diokles)