Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Hiçi
E diele, 29.01.2023, 07:55 PM
Hiçi
Nga
Edison Ypi
Zoti
Kadare,
Jam
një Hiç nga ata që u ka mbetur ora te Gazeta Drita, te Gazeta Rinia, Revista
Nëntori, Lidhja e Shkrimtarëve, mbledhjet, plenumet, kritikat e sinqerta,
autokritikat e thella, te Dritëroi i lavdishëm i cili nuk na lejonte të ishim
një nga të dyja, vetëm shkrimtarë ose vetëm spiuna, por na deshte të ishim të
dyja, edhe shkrimtarë edhe spiuna, shkrimtarë-spiuna, centaurë, trupi
shkrimtar, koka spiun.
Un'
Hiçi kam një lutje për ty që je gjithçka.
Më
lejo të shpif, të intrigoj, të përgojoj, të shaj ty.
Pak,
fare pak.
Aq
i madh sa je ti, s'të prish asnjë punë, s'të kushton asgjë.
Ji
ti Univers, s'ka problem, e pranoj, ama prano që unë të jem një grimcë.
Ji
ti elefant, vetëm mos refuzo që unë të jem milingonë.
Ji
ti Mur Kinez, por mos kundërshto që unë të jem një tullë.
Ji
ti Sfinks, le të jem unë një kokrrizë rëre shkretëtire.
Ji
ti cunam, mos u mërzit që unë të jem puhizë.
Ji
ti Histori, lemë mua të jem episod.
Sa
lart je ti, sa poshtë jam unë, bëj sikur s'kupton.
Sa
gjenial je ti, sa budalla jam unë, bëj sikur s'e di.
S’ka
rëndësi, si e sa, vetëm prano që edhe unë isha, edhe unë frymova, edhe unë
ekzistova. Pranë teje, afër teje, rrotull teje, s’ka rëndësi kur, s’ka rëndësi
ku, s'ka rëndësi sa. Vetëm më prano kështu si jam, kaq sa jam. Sado i vogël,
sado i papërfillshëm, sado i parëndësishëm. Si mizë, si insekt, si pafundësisht
i vogël, si pambarimisht i papërfillshëm, si bajgë lope, si shurrë qeni, si
copë muti, si kakë kalamani, më lejo o Zoti Kadare që duke u marrë me ty, duke
shpifur për ty, duke intrigu për ty, unë hiçi të dukem diçka.