E shtune, 20.04.2024, 04:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vrasja e Mussolinit, një histori për t'u rishkruar

E marte, 30.12.2008, 03:45 PM


Diktatori Benito Mussolini
Si vdiq diktatori italian Benito Mussolini? Një hipotezë e re hedh poshtë gjithçka

"Kjo është një histori që askush nuk do ta tregojë, por që na përket të gjithëve ne. Është një histori që prej tri brezave: atë të 20-vjeçarëve i cili shtiret se e di, atë të 40 vjeçarëve që shtiret sikur e kujton dhe atë të 60 vjeçarëve që shtiret se e ka harruar". Historia që tregon Alberto Bertotto, "një provokim i arsyeshëm i kushtuar atij që e pëlqen misterin e së vërtetës", nuk është e lehtë për t'u besuar. Benito Mussolini ka vrarë veten duke përtypur një kapsulë cianuri. Atë ia dorëzoi personalisht Adolf Hitleri pak orë pas atentatit në Rastenburg. Në mbrëmjen e atij 20 korriku të vitit 1944, i frikësuar nga Führer, kreu i fashizmit ishte detyruar që ta ngulte në një dhëmb falls nëpërmjet dorës së një mjeku gjerman. Skepticizmi rritet kur zbulohet se ky zbulim u bë më shumë se tridhjetë vjet më parë një sensitivi gjenovez, të quajtur Athos Agostini, nga ana e fantazmës së Duçes, i cili më 10 korrik të vitit 2007 e ka hedhur të zezën mbi të bardhë dhe e ka depozituar pranë një noteri. Por megjithatë Bertotto ka gjetur shumë elemente që e mbështesin, duke filluar nga dëshmia e 86-vjeçares Elena Curti, vajzë natyrale e Mussolinit, e cila jeton në Acquapendente (Viterbo) dhe që më 27 prill të vitit 1945, gjatë ikjes drejt Valtellina ulej në krah të babait në autoblindën e ndaluar nga partizanët në brigjet e Liqenit të Como. Alberto Bertotto, 63-vjeçar, historian për nga pasioni, është një pediatër në pension, me origjinë nga Biella, i cili ka vënë në kërkimet e tij të njëjtën rigorozitet të përdorur për një 30-vjeçar në kurimin e pacientëve të vegjël në spital. Profesor universitar i Klinikës Pediatrike deri në vitin 2002, fillimisht në Pavia dhe më pas në Perugia, ku edhe banon deri më tani, ka në aktiv mbi 250 botime shkencore, por për të do të flitet shumë për këtë vëllim prej 287 faqesh, të titulluar "Vdekja e Mussolinit, një histori për t'u rishkruar", e cila mbërrin tani nëpër libraritë për llogari të shtëpisë botuese Paoletti D'Isidori Capponi nga Ascoli Piceno. Më përpara kishte shkruar "Mussolini ekstrem" dhe vitin tjetër do të dalë "Odisea e Mussolinit", në të cilin rindërton 50 ditët e vitit 1943 që shkuan nga rënia e fashizmit deri në çlirimin e Duçes në Gran Sasso.

Nostalgjik?

Jam një agnostik i politikës. Nuk shkoj as të votoj

Atëhere pse ky interes për Mussolinin?

Është një interes intelektual i pastër, prej shkrimtari librash të verdhë. Asnjë njeri i pajisur me nonsens nuk mund ta marrë për të saktë vulgatën, për të përdorur një definicion të profesor Renzo De Felice, me të cilin Partia Komuniste italiane donte të na bënte të besonim se Mussolini dhe e dashura e tij Claretta Petacci qenë vrarë në orën 16 e 20 minuta të 28 prillit të vitit 1945, përpara derës së jashtme të Vilës Belmonte në Giulino di Mezzegra, nga komunisti Walter Audisio, alias koloneli Valerio, i shoqëruar nga Michele Moretti i thirrur Pietro dhe Aldo Lampredi i thirrur Guido. Tashmë një gjë është e qartë: koloneli Valerio pushkatoi dy kufoma të vdekura prej disa orësh.

Si e mendoni që i thoni të tilla fjalë?

Nuk e them unë. Përveç De Felice, e dyshojnë historianë si Franco Bandini, Luciano Garibaldi, Giorgio Pisanò, Alessandro Zanella, Sergio Bertoldi. Ky Audisio ishte një njeri i varfër, bile një mjeran, që nëpër vite dha katër versione të ndryshme të asaj çka kish ndodhur, duke bërë përshtatjet e nevojshme dora dorës që gjëra të ndryshme hidheshin poshtë.

Cilat janë pikat e dobta?

Audisio thotë në librat e tij se e uli Mussoli dhe Petacci në një stol të gurtë në hyrje të Vilës Belmonte: ai stol nuk ekziston. Audisio thotë se Duçja, përpara ekzekutimit, pëshpëriti duke u dridhur: "O, o, ... zoti Kolonel...". Nga mund ta dinte i dënuari gradën e partizanit të xhelatit të tij? Audisio thotë: "Pastaj qe radha e Petacci, e cila plandos përtokë mbi barin e lagët". Përpara derës së Vilës Belmonte kishte vetëm asfalt. Lampredi deklaron për gazetën "Unita" në vitin 1966 se Mussolini zbërtheu kapotën dhe bërtiti: "Qëllomë në zemër!". Moretti në vitin 1995 i tregon gazetarit Giorgio Cavalleri që fjalët e fundit të Duçes qenë: "Rroftë Italia!".

Kush e vendosi ekzekutimin?

Pushkatimi i menjëhershëm u vendos nga CNLAI-t, Komitetit të Çlirimit të Italisë së Sipërme, domethënë nga Luigi Longo për Partinë Komuniste, nga Sandro Pertini (ish President i Italisë, shënimi im.) për Partinë Socialiste dhe nga Leo Valiani për Partinë e Aksionit. Nga ana tjetër, vetë Palmiro Togliatti kish deklaruar për radion se nuk ishte i nevojshëm kurrfarë procesi, mjaftonte vetëm identifikimi. U morën në pyetje partizanët më karizmatikë, por të gjithë e refuzuan detyrën e mallkuar: Italo Pietra, që në periudhën e Pasluftës do të bëhet drejtor i "Giorno", ishte njëri prej tyre. Zgjedhja për të vrarë Mussolini, të dashurën e tij dhe hierarkë të tjera fashistë në fund ra mbi Audision, i cili si përfaqësues i policisë ushtarake të CNLAI-t nuk mund të tërhiqej nga detyra.

Duke pasur parasysh "vulgatën", si rodhën faktet?

Mussolini është kapur në Dongo në orën 15 e 30 minuta nga brigata e 52-të Garibaldi. Komandanti Pier Luigi Bellini delle Stelle, i thirrur Pedro, monarkist, në marrëveshje me Gjeneralin Raffaele Cadorna Jr., djali i babait të shquar dhe komandant i Vullnetarëve të Lirisë, donte që t'ua dorëzonte aleatëve. Por natën vjen kundërurdhëri cinik i vetë Cadorna, i cili i ishte nënshtruar vendimit të komunistëve: "Qërojeni atë dhe bukuroshen e tij". Duçja dhe Petacci dërgohen në Bonzanigo, në shtëpinë e fshatarëve Giacomo e Lia De Maria. Dy partizanë qëndruan si roje. Në orën 14 të datës 28 prill nga Milano vjen Audisio, i cili në orën 16 e 20 minuta procedon me ekzekutimin në mungesë të dëshmitarëve. Mospërputhja e parë: pse 15 hierarkët e tjerë u vunë në rresht në bregun e liqenit të Dongos dhe u pushkatuan me kurriz përpara turmës? Nuk e meritonte diktatori më shumë se ata publikun përqeshës? Audisio e përshkruan atë të çiftit De Maria si "një shtëpizë e ndrydhur midis maleve". Absurde: ishte ndërtesa më e madhe e Bonzanigo, shumë mirë e dukshme nga larg dhe ngatërron rrugët në ngjitje me ato në zbritje. Konkluzioni: atje nuk ka qenë asnjëherë dhe bile i ka përshkruar keq vet.

Cila është hipoteza juaj?

Jam nisur nga rrobat që Duçja vishte në çastin e pushkatimit: këmishë e zezë, uniformë prej rreshteri nderi të Milicisë pa grada, brrucë gri në të gjelbër. Kështu shikohet edhe në filmin "Mussolini, akti i fundit" i regjisorit Carlo Lizzani. Regjisori përdori konsulencën e partizanëve komunistë, kështu që më duhet t'i besoj. Mirëpo kufoma e shkarkuar në Milano, në Piazzale Loreto, kishte në fakt një xhaketë mode civile me mëngë reglan. Mungonte xhaketa e Milicisë; pse? Jo vetëm kaq: pantallona, këmishë dhe xhaketë në fakt qenë të paprekura, të privuara nga vrimat e plumbave, në ndryshim nga bluza e poshtme dhe mbathjet fanellate, të përgjakura dhe me vrima. Një gjë e pakuptimtë.

Nga se e kini deduktuar mungesën e vrimave?

Nga fotografitë e bëra në Piazzale Loreto dhe në morg, Profesor Giovanni Pierucci, Profesor i Mjekësisë Ligjorë në Pavia, i ka analizuar me teknikën e dixhitalizuar të pasurimit të imazhit. Kjo çon që të konkludohet se Mussolini është vrarë në shtëpinë e çiftit De Maria, ndërsa ishte me rroba gjumi, me goditje të qëlluara nga jo më shumë 30-40 centimetra largësi. Kjo gjë bën të besueshme dëshminë e Dorina Mazzola.

Kush është Dorina Mazzola?

Një zonjë, e cila sot ka ndërruar jetë, e cila banonte 300 metra larg nga shtëpia De Maria. Në epokën e ngjarjeve ajo ishte 19 vjeç. Giorgio Pisanò, i cili e rrëmoi në vitin 1996, ajo i tregoi se mëngjesin e 28 prillit dëgjoi Lia De Maria të ulërinte: "Nuk bëhen këto gjëra në shtëpinë time!". Dëgjoi dy të shtëna. Pastaj pa një njeri tullac të tërhequr nga dy partizanë, të cilët e mbanin nga shpatullat dhe një grua që kërkonte ta mbante nga këmbët, duke qarë: "Çfarë të kanë bërë! Si të kanë katandisur!...". Përpara se ta hiqnin qafe edhe atë vetë, e varfra arriti që t'i hiqte çizmen e djathtë. Mazzola nuk mund ta dinte se bëhej fjalë për Mussolini dhe Petacci. Deduktoj se Duçe u vra me bluze e me mbathje. Dy - tri orë nga një vdekje e dhunshme pason një ngurtësi katalektike, një "lignea statuarietà", shkruajti doktori Aldo Alessiani, ekspert mjeko-ligjor i Gjykatës së Romës, domethënë kufoma bëhet e ngurtë si bakalaro dhe mbetet e tillë për 24 deri 36 orë. Ja pse u rivesh me një xhaketë me mëngë reglan, shumë të gjera, e cila mund të menaxhohej me lehtësi edhe nga kush nuk kishte familjaritet me veshjet e kufomave. Xhaketa e uniformës me mëngë tub ishte më e vështirë për t'u veshur.

Le ta marrim për të mirë versionin e Audisios.

Sikur Mussolini të ishte pushkatuar në orën 16 e 20 minuta të 28 prillit, deri në pasditen vonë të ditës së nesërme kufoma do të dukej e ngurtësuar. Kurse Alessiani vërejti se ishte jo e ngurtë dhe argumentoi se diktatori duhej të kish vdekur rreth orës 5 e 30 minuta dhe u ndal në mënyrë të veçantë mbi "kapjen e ndyrë për krahu: në orën 14 e 30 minuta të 29 prillit u bë në morg një fotografi, në të cilën partizanët kapën së bashku krahun e majtë të Petaccit me krahun e djathtë të Duçes, sikur të dy kufomat të rrinin duke ecur krah për krah. Kokat e viktimave lëkundeshin, aq sa duhej të mbaheshin. Një vënie në skenë e ndyrë e papajtueshme me rigor mortis.

Po sensitivi Athos Agostini ku qëndron në gjithë këtë histori?

Parasëgjithash, nuk bëhet fjalë për një medium, por për një tregtar të nderuar. Nuk thërret shpirtërat: i jeton këto përvoja kundër vullnetit të vet. Më ka kërkuar pasi ka lexuar një artikull timin në të përmuajshmen 'Storia del Novecento'. Nuk ia kish treguar asnjëherë ndonjë njeriu atë që i kish ndodhur. Një natë shtatori të vitit 1975 apo të vitit 1976, ndërsa ishte me pushime me të shoqen dhe të bijën në Hotelin 'Du Lac' të Varenna, në Liqenin e Como, ju shfaq në dhomë një njeri me tiparet e Mussolinit. Kjo figurë e mjegullt i tregoi se çfarë ngjau mëngjesin e 28 prillit të vitit 1945. Claretta, me zakone, u largua për të shkuar në një banjë fshati në oborrin e shtëpisë De Maria. Hoqi mbathjet e ndotura me gjak, gjë që do ta justifikonte mungesën e veshjeve intime në kufomën e masakruar në Piazzale Loreto. Duçja përfitoi nga ai moment për të nxjerrë nga dhëmbi kapsulën e cianurit dhe për ta thyer midis nofullave, por helmi nuk e dha në çast efektin e shpresuar. Kur u kthye në dhomë, duke parë Mussolinin me shkumë në gojë dhe në gjendje konvulsive, tipare të zakonshme të acidit cinahidrik, Claretta filloi të ulërasë. Arriti njëri nga partizanët roje, Giuseppe Frangi, i thirrur Lino, i cili i qëlloi njeriut që po jepte shpirt.

Do ta pranoni se shpirtrat nuk mund të futen në historiografi?

E pranoj që çke me të. Por zoti Agostini thekson që të ketë parë në vitin 1999, 2000 apo 2001, në kanalin televiziv 'Rai Tre', në mbrëmje vonë, një dokumentar në të cilin një mjek amerikan fliste për gjurmë cianuri të gjetura në trurin e Duçes. Sot nuk e kujton emrin e programit. Në atë kohë Agostini i shkruan RAI-t për të siguruar videokasetën, e cila nuk ju dha asnjëherë. Atëhere ngarkoi avokatin Riccardo Dellepiane që ta përsëriste kërkesën: asnjë rezultat sërish. Pasi që kopja e vetme e kësaj letre ju dorëzua nga avokati klientit të tij, i cili e ka humbur gjatë një ndërrimi shtëpie, jam autorizuar nga të dy që ta marr nga RAI origjinalen, në mënyrë që të shkoja tek titulli i emisionit. Francesca Gandin e shërbimit 'Teche' ka dhënë përgjigjen se letrat e privatëve nuk protokollohen dhe përfundojnë në arkivin e letrave të Pomezia: 600 metra katrore kutia. E pamundur për t'u gjetur.

Në vitin 1999 Profesori Pier Gildo Bianchi, anatomopatologu që shqyrtoi trurin e Mussolinit, më tha se nuk gjeti asgjë të veçantë: "Ishte turi tejet normal i një 60-vjeçari" dhe filmat relativë u hodhën gabimisht në plehra nga një varrmihës i morgut.

Po, por është edhe e vërtetë se Doktor Calvin Drayer, mjek dhe konsulent psikiatër, kërkoi në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Shëndetësisë të ushtrisë amerikane një kampion të cipës celerale të Duçes. Dy copa truri u dërguan në Washington: njëra Doktorit Winfred Overholser, Drejtor i spitalit psikiatrik Saint Elisabet dhe tjetra Doktorit Webb Haymaker të Institutit Patologjik të Ushtrisë, sot Walter Reed Army Medical Center. Relacioni zyrtar i shqyrtimit të parë nuk është bërë i njohur asnjëherë; ai i dyti u shpërnda vetëm në vitin 1966 për të saktësuar se nuk kishte gjurmë sëmundjesh që të shpjegonin se "pse Mussolini u soll në një mënyrë të caktuar diktatoriale", domethënë gjurmë sifilizi, ishte kjo ajo për të cilën dyshonin amerikanët. I kam konsultuar të dy institutet: i pari më ka thënë se nuk e gjetën prova intoksikimi akut me aci cianhidrik; i dyti ka mohuar që në arkivat e tij të ketë gjurmë hetimesh autoptike lidhur me trurin e Duçes. Interesante apo jo?.

Pse çifti De Maria, me kalimin e viteve, nuk duhej ta tregonte të vërtetën lidhur me atë që ndodhi në shtëpinë e tyre në Bonzanigo?

Është e njëjta pyetje që i kam bërë dy muaj më parë vejushës së Giovanni De Maria, i fundit i fëmijëve të çiftit. Më është përgjigjur: 'Shikoni, profesor, gjatë gjithë këtyre viteve martesë Giovanni im nuk më ka thënë gjë as mua'. Sikur të ishte kërcënuar.

Ju keni folur edhe me Elena Curti, vajza natyrale e Duçes.

Një plakë shumë e kulluar. Nëna e saj, Angela Cucciati Curti, e pati nga Mussolini pas ndarjes me të shoqin. Gjatë Republikës Sociale, Elena ishte vënë nga i jati që punonte në sekretarinë e Alessandro Pavolini (Sekretar i Partisë Fashiste në atë kohë, shënimi im.). Më ka thënë: 'Mëngjesin e datës 28 u dërgova në kazermën e karabinierëve në Dongo. Hyri partizani Osvaldo Gobbetti, i cili më sulmoi në këtë mënyrë: "Të kemi vrarë Duçen tënd. Kish kërkuar që të vriste veten, por ne e kemi nxjerrë jashtë dhe e kemi pushkatuar". Curti më ka referuar edhe që babai i saj ishte i terrorizuar nga ideja e të rënit të gjallë në duart e angloamerikanëve. Kishte frikë se mos e ekspozonin brenda një kafazi në Madison Square, njëlloj sikur të ishte kafshë. Kjo demonstron se qe zot i jetës së tij deri në fund. Një version që nga këndvështrimi i së djathtës do të konfirmonte madhështinë e Mussolinit.


Madhështi? Mua më duket vetëvrasja një akt frikacakllëku.

Jam dakord. Qe një gjest egoizmi që shkon kundër Mussolinit. Në këtë mënyrë dinte se dënonte me vdekje Petacci. Kurrë dhe kurrë partizanët nuk do ta kishin lënë gjallë dëshmitarin e një ngjarjeje kaq të pakëndshme.


Përgatiti

ARMIN TIRANA - RD
 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora