Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Bytyçi: Bota serbe kundër Kosovës, Edi Rama me Serbinë!

| E premte, 09.06.2023, 08:55 PM |


Bota serbe kundër Kosovës, Edi Rama me Serbinë!

Nga Enver Bytyçi

Republika Srpska e Bosnjë-Hercegovinës ka miratuar një rezolutë me të cilën u kërkon vendeve anëtare të OKB-së të tërheqin njohjen e Republikës së Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, organizoi për ditë me radhë një dhunë të orkestruar kundër sovranitetit të Kosovës në veri të vendit. Dhunë, përdorim i armëve të zjarrit, kërcënime, shantazhe, gjithçka pamë gjatë atyre ditëve.

Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë e sheh si kërcënim kryeministrin e Kosovës dhe institucionet e saj. Shkoi në Bratislavë gjatë atyre ditëve dhe takoi Aleksandër Vuçiç, por nuk e takoi, as për t’ia mbyllur sytë nga pas, Albin Kurtin. Mesa duket kur i mbyllte sytë Albinit ishte në tentativë që ta korruptojë për llogari të Serbisë atë! Shkoi në Moldavi dhe u bashkëshoqërua me Aleksandër Vuçiç gjatë gjithë kohës, por “nuk gjeti mundësinë” të bënte një foto me Vjosa Osmanin.

Simbolika ishte dhe mbetet e qartë: - Jam me Serbinë kundër Kosovës. Dje Milorad Dodik shpalli kërkesën e tij ndaj botës së qytetaruar që të zhbëhet njohja e Kosovës. Po dje Edi Rama paraqiti një projekt të panjohur për publikun për Asosacionin serb në Kosovë. Dy gëzime në një ditë për Serbinë, e cila rri në heshtje dhe numëron sukseset e saj që ia jep lideri i serbëve të Bosnjës dhe lideri i ekzekutivit të Shqipërisë. Simbolika vazhdon më tej: - Jam kundër lidershipit të Kosovës. Pra, kryeministri i Shqipërisë së shqiptarëve është kundër presidentes dhe kryeministrit të Kosovës së shqiptarëve dhe bashkëpunon me presidentin e Serbisë së serbëve, armikut të shpallur të Kosovës.

Ndërkohë, krahas planit Rama të asosacionit, po dje zoti Bislimi i qeverisë së Kosovës publikoi një projekt të Akademisë së Shkencave të Serbisë për Asosacionin serb në Kosovë. Në fakt ai ishte projekt i “Botës serbe”, në modelin e projektit të Putinit për “Botës ruse”! Por ne nuk e dimë përmbajtjen e projektit të Ramës, sa i ngjan ai projektit të Akademisë serbe. A i ngjan? Nëse kemi parasysh faktin që përmenda më lart, se Rama bashkëpunon me Serbinë kundër Kosovës, në besimin tim, projekti i tij është prodhim serb. Dhe si i tillë është i ngjajshëm ose i përafërt me projektin e Akademisë së Shkencave të Serbisë. Kur ta njohim, do ta shohim! Por iluzioni i disave se Rama po e bën këtë për të mirën e Kosovës, është futur me djallëzi te në shqiptarët!

Mendoj se Projekti Rama i Asosacionit serb në Kosovë është shkruar në një pjesë të tij me frymën pro-Kosovës, ndërkohë që kjo frymë në disa pjesë të tij shërben për të kamufluar djallin serb Brenda atij projekti! Eshtë e vetmja punë që di ta bëjë shumë mirë kryeministri i Shqipërisë!