E marte, 16.04.2024, 04:45 PM (GMT+1)

Mendime

Sali Berisha: 2008, viti i shqiptarëve

E enjte, 01.01.2009, 02:39 PM


Kryeministri Berisha
Kryeministri Berisha

2008, viti i shqiptarëve

Nga Sali Berisha

Së pari, ju përshëndes. Së dyti, dua t'ju jap një lajm të gëzuar. Para takimit me ju përgatita një fjalim të gjatë, por në fund më erdhi ndërmend se ky është viti që flet vetë dhe në këtë kontekst, e lashë mënjanë fjalimin.

Viti 2008 është viti i shqiptarëve. E vërteta më e madhe e këtij viti është se ai ishte viti i pavarësisë së Kosovës, si kurorëzim i një përpjekjeje mbinjerëzore, si një kryevepër e qëndresës së gjithanshme të shqiptarëve të Kosovës dhe kombit në tërësi, i cili, duhet ta pranoj, në një kuadër ligjor ndërkombëtar tmerrësisht të salduar dhe të konsoliduar, ia doli të shpallë pavarësinë. Me këtë akt, shqiptarët fituan dinjitetin që e kishin të përgjysmuar, gjersa gjysma e tyre nuk ishte e lirë.

Viti 2008 është viti i shqiptarëve, një vit ndër më të mëdhenjtë në historinë e kombit. Ky vit është viti kur Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit në NATO. Kjo ftesë ka rëndësi të shumëfishtë, por dy janë më kryesoret. Shqiptarët do të kenë mundësi si komb i lirë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të shkëputen nga historia e tyre e mbijetesës dhe të hyjnë në historinë e ndërtimit të lirisë. Së dyti, ky është gjithashtu një moment i madh, sepse pas disa shekujsh pushtimesh, copëtimesh e diktature, vendi kthehet në familjen e kombeve të lira perëndimore. Nuk ka mëdyshje se ftesa e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimi i saj në NATO përbën, pas betejave të Skënderbeut dhe faqeve të ndritura që ai shkroi në histori, momentin më të rëndësishëm në rikthimin e kombit dhe të vendit në familjen e kombeve që ai i përket.

Konsensusi ndërpartiak, konsolidoi institucionet

Viti 2008 është viti i reformave të mëdha e të gjithanshme. Juve ju pëlqejnë konsensuset dhe ajo që mund të them është se si asnjë vit tjetër, ky vit nisi me konsensus për ligjin e votuar për sistemin e drejtësisë dhe u mbyll sërish me konsensus për Kodin Zgjedhor që u votua sot, ligji për Prokurorinë dhe një serë ligjesh të tjera të rëndësishme, pjesë e Kodit të Procedurës Penale dhe Civile etj. Këto reforma kanë konsoliduar institucionet e vendit, kanë shkëputur Shqipërinë nga "Dushku", kanë hedhur bazën ligjore për një sistem të lirë e të ndershëm zgjedhor. Këto reforma kanë konsoliduar parlamentarizmin në Shqipëri, kanë thelluar karakterin parlamentar të Republikës, pra, janë një fitore e republikanizmit.

Reformat kanë qenë shumë të rëndësishme për sistemin e drejtësisë. Faktikisht, ky sistem, në tërësi, funksionon mbi një bazë të re ligjore të standardeve ndërkombëtare. Reformës iu nënshtrua Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili doli jashtë konfliktit të interesit, sistemi gjyqësor dhe tani së fundi, sistemi i institucionit të akuzës.

Reformat kanë qenë "perpetum mobile" në të gjitha fushat e tjera si atë fiskale, ekonomike, në fushën e arsimit etj..

Viti i reformave të mëdha

Ky ka qenë viti i reformave të mëdha, por edhe viti i rezultateve të mëdha të këtyre reformave. Këtë vit, Shqipëria ia doli të renditet e dyta në botë për sa i përket suksesit të reformave për klimën e biznesit.

Këtë vit, Shqipëria, në një turravrap të madh, la mbrapa 51 vende të botës në këtë reformë. Këtë vit, Shqipëria u rendit në 10 vendet më të suksesshme në botë për luftën kundër korrupsionit, një kancer i vërtetë që duhet luftuar çdo orë, çdo ditë, çdo javë për të zvogëluar e parandaluar pasojat e tij.

Këtë vit, Shqipëria u rendit e para në Ballkan për luftën kundër korrupsionit.

Rezultatet më spektakolare të këtyre reformave besoj se janë rritja ekonomike dyshifrore në tre tremujorët e parë të këtij viti. Shqipëria në orbitën e rritjes dyshifrore, është mesazhi më i mirë, më i fuqishëm dhe më pozitiv që vendi mund t'i dërgojë dhe i dërgon komunitetit ndërkombëtar të biznesit.

Shqipëria një vend tërheqës për investimet e huaja. Në muajin dhjetor të këtij viti ju jeni dëshmitarë se janë firmosur koncesione në fushën e energjisë dhe fusha të tjera me vlerë prej 3.5 miliard euro.

Ky vit ishte viti i privatizimeve të mëdha, ARMO-s, TELEKOM-it, INSIG-ut.

Viti i mbajtjes së premtimeve të mëdha

Pra, është viti i mbajtjes së premtimeve të mëdha.

Natyrisht, viti 2008 ishte viti, në të cilin një aksident tragjik shumë i rëndë ndodhi në Gërdec. Qeveria bëri ndërhyrjen më energjike për rikuperimin e pasojave të këtij aksidenti dhe për rindërtimin e zonës. Një proces hetimor është në zhvillim, i cili shpresoj dhe uroj të vendosë para ligjit të gjithë përgjegjësit e tij.

Jam i bindur se ky ka qenë viti kur shqiptarët janë ndjerë më të lirë se kurrë. Liritë e të drejtat e tyre kanë njohur dimensione të reja. Liria e medias është respektuar e do të respektohet tërësisht. Nuk mund të them se nuk ka pasur akte agresioni ndaj gazetarëve, çka nuk e dëshiroj. Këto akte i kam dënuar dhe i dënoj me ashpërsinë më të madhe. Një prej tyre është kryer nga një zyrtar dhe është në turpin e atyre që nuk e vendosën para ligjit. Por ju siguroj se qeveria nuk do të heshtë. Ne nuk pranojmë qe kundërshtitë me Shqipërinë zyrtare, që ju keni dhe janë jetike për funksionimin e demokracisë, të shndërrohen, në asnjë rast apo rrethanë, në akte agresioni, intimidimi ndaj jush. Ju garantoj se kjo qeveri qëndron e do të qëndrojë me forcën më të madhe ndaj çdo cënimi që do t'ju bëhet juve. E theksoj sërish se ju përfaqësoni parlamentarët e fjalës së lirë. Raste të tjera nuk kanë munguar, por janë vendosur dhe do të vendosen rigorozisht para ligjit. Liria e shtypit është kusht vendimtar që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë e tyre.

Rritje pagash e pensionesh për 800 mijë familje

Ky vit, ka qenë për 800 mijë familje shqiptare një vit në të cilin janë shpërblyer në masë si asnjëherë tjetër në historinë e tyre. Kështu, pagat e 104 mijë punonjësve të administratës pësuan një rritje mesatare, në një rezultante trevjeçare, me 54 përqind, të arsimtarëve me 75 përqind, punonjësve të shëndetësisë me 81 përqind, me 75 përqind u rritën pensionet në fshat, me 45 deri në 70 përqind pensionet në qytet. Në këtë proces, Shqipëria ndërmori rritje më të mëdha pagash e pensionesh se çdo vend tjetër në këtë kontinent. Dua të garantoj shqiptarët se kam qenë e mbetem i palëkundur në politikën time të rritjesh së pagave e pensioneve, se këtë komponent të Kejsit e konsideroj gjeniale, sikundër konsideroj gjeniale lirinë fiskale e taksën e ulët të Hajekut. Ndaj unë do të vazhdoj të lëviz në këto dy drejtime me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Në këtë drejtim, këtë vit ne kemi lënë mbrapa jo vetëm vende të rajonit, por edhe vende të Bashkimit Europian. Sërish, këtë garë ne do ta vazhdojmë, sado e vështirë që është, në mënyrë që shqiptarët të mund të kenë një jetë më të begatë.

Por nëse më pyesni se çfarë i mbetet borxh vitit që shkoi, do të thosha se që të gjitha do t'ia laj gjatët vitit që vjen. Jam përpjekur të mos i mbetem, por kjo është e pamundur, gjithsesi vitin që vjen e kam përpara. Zotimi im është se do të bëj çdo përpjekje për zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është detyrimi më madhor. Unë do të bëj çdo gjë që shqiptarët në këto zgjedhje të votojnë njësoj si qytetarët e tjerë europiane. Ju garantoj se ky është qëllimi im më i parë për këto zgjedhje. Së dyti, të respektoj me vendosmërinë më të madhe verdiktin e tyre.

Zgjedhjet e ndershme, objektivi më madhor i qeverisë

Duke i shpallur zgjedhjet e ndershme si objektivin më madhor të qeverisë, ju siguroj se reformat, sërish, do të mbeten "perpetum mobile". Ne do të bëjmë çdo përpjekje për lehtësimin e klimës së biznesit, në mënyrë që kriza që po troket derë pas dere në vende të tjera kësaj herë të na kursejë e të mos ndjehet. Dhe jam shumë optimist, sepse kemi vendosur një kuadër ligjor shumë të favorshëm. Jam optimist, sepse me një politikë të re të zbatuar i është dhënë përgjigje problemit të energjisë. Ju jeni dëshmitarë se premtimi im se, nga fundi i vitit 2007 e tutje nuk do të ketë ndërprerje, është realitet. Nuk mund të them se është realitet për shkak të burimeve të reja, por është realitet për shkak të zbatimit të politikës që përcakton çmimin më të lartë të energjisë, mungesën e saj, çka do të thotë, import maksimal energjie dhe jo ndërprerje të saj dhe kjo politikë ka dhënë rezultat. Përveç ndërprerjeve për defekte e riparime dhe në ndonjë rast edhe për papërgjegjshmëri, pasi zyrtarë e nëpunës të pandërgjegjshëm, të cilët ne po përpiqemi t'i identifikojmë, për të raportuar humbje më të ulëta, mund edhe ta kenë bërë këtë, në vitin 2007 politika e qeverisë ka qenë zero ndërprerje të energjisë. Këtë vit ne shkojmë drejt një sigurie më të madhe, sepse shtohen burime të reja, Vlora dhe ecim drejt burimeve të tjera të reja. Kështu që, mund të them se, përveç ndonjë situate tejet të jashtëzakonshme, shqiptarët shkëputen nga një politikë e shkuar, një politikë që për të pasur deficencë KESH-i, konsistonte në pasjen e një, dy, tre, katër opsione dhe një nga opsionet zyrtare ishte ndërprerja e energjisë dhe dënimi kolektiv i popullatës. Kjo nuk ndodh më dhe nuk do të ndodhë.

Vitin e ardhshëm, rritje e shpejtë ekonomike

Pra, janë të gjitha shanset e mundësitë që vitin që vjen të ketë një rritje të shpejtë ekonomike. Sa do të jetë shkalla e ndikimit të krizës globale nuk mund të parashikoj, veçse parashikoj se do të bëjmë çdo përpjekje që ajo të jetë minimale. Nuk besoj që kjo krizë të jetë kaq e qëndrueshme. Shpresoj se 20 janari shënon një datë kthese. Inaugurimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Barack Obama, përbën një moment entuziazmi të madh jo vetëm politik, por edhe për tregjet e SHBA-së, ekonomia e së cilës udhëheq ekonominë botërore.

Gjithashtu, do të bëjmë çdo përpjekje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në samitin e prillit. Deri tani, procesi ka ecur me shpejtësi të madhe. Protokolli i Anëtarësimit është ratifikuar nga shumica e vendeve anëtare dhe është në proces ratifikimi në rreth 7 vende të tjera.

Muajt e parë të vitit të ardhshëm, siç e kemi deklaruar, Shqipëria do të paraqesë kërkesën zyrtare për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Shpresoj të gjejmë mirëkuptim, sikundër jemi të vendosur të bëjmë të gjitha reformat dhe të plotësojmë çdo kërkesë të domosdoshme për statusin e kandidatit.

Në mbyllje, dua ta ritheksoj se kemi pasur një vit të papërsëritshëm në histori, por parashikoj një vit sërish të madh, një vit siç do ta donim ne të gjithë.

***

Fundi si fillim

Në këto orë të fundit të 2008, gjithkush bën bilancin e 12 muajve që e kanë shoqëruar. Më pesimistët mundohen të gjejnë pikët e errëta të tij, më optimistët të shohin ngjarjet në kahjen pozitive, ndërsa realistët mundohen të venë në peshoren e tyre dy të parat. Ajo që mund të thuhet me saktësi në këtë fundviti është se, për fatalistët ka shumë pak hapësirë, të cilën mund ta kultivojnë vetëm me të shkuarën e tyre.

Shqipëria në këto 12 muaj ka arritur të paraqesë kartolinën më të mirë të saj, në të gjithë këtë periudhë të pasrënies së diktaturës, duke i dhënë përgjigje shumë dilemave. Treguesit janë ata që flasin dhe jo demagogjia, shifrat të bindin, ndërsa aluçinacionet të çorodisin. Dy kulminacionet e këtij viti janë padyshim, marrja e ftesës për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut dhe fitorja e pavarësisë së Kosovës.

Janë dy ngjarje, për të cilat shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë sakrifikuar lirinë për t'i pasur pronë të tyre dhe ne u bëmë dëshmitarë këtë vit që shqiptarët arritën të kapërcenin të gjitha barrierat dhe të bëjnë historinë, duke siguruar si NATO-n, ashtu edhe pavarësinë e Kosovës. Prej dekadash shqiptarët e Kosovës kanë luftuar dhe janë përpjekur për të siguruar lirinë dhe pavarësinë dhe ajo u bë realitet vetëm këtë vit. Kjo pavarësi nuk erdhi vetvetiu, por në sajë të një qëndrese historike, të një përballje sfiduese dhe të një këmbëngulje të madhe të këtij kombi për vlerat e lirisë dhe të drejtat e njeriut, për të cilat nuk u bë kurrë kompromis. Pavarësia e Kosovës gjatë këtij viti ishte fundi i një sage të gjatë vuajtjesh dhe sakrificash të shqiptarëve, ku një komb, pa ushtri dhe armatime, por vetëm me besim arriti të thyejë një nga diktatorët më gjakatarë që ka njohur historia e Europës gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Natyrisht, një mirënjohje e madhe për këtë shkon për Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha ato vende që ju gjenden në krah në ato ditë të vështira Kosovës dhe shqiptarëve. Kosova vetëm gjatë këtij viti është njohur nga shtetet më të fuqishme të globit, duke u bërë kështu shteti më i ri i botës dhe aleati i Perëndimit.

Një arritje po kaq historike për të gjithë shqiptarët është marrja e ftesës për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ky moment është një pikë kulmore në historinë e këtij vendi, për mijëra e mijëra shqiptarë që sakrifikuan veten dhe liritë e tyre për ato vlera që sot janë boshti i demokracive perëndimore. Ky është një moment mjaft kulmor edhe për ata qindra studentë të dhjetorit që shembën diktaturën më mizore komuniste të Europës, me fjalët "E duam Shqipërinë si Europa, Amerika". Sot Shqipëria është pjesë e kësaj familjeje të Aleancës së Atlantikut dhe ministri i Jashtëm shqiptar ulet në krah të Sekretares amerikane të Shtetit, në krah të ministrit të Jashtëm britanik, gjerman e francez, ndërsa trupat ushtarake kontribuojnë në misione ushtarake në ato vende ku e kërkon detyra e Aleancës.

Shqipëria është transformuar rrënjësisht. Nga vendi i telave me gjemba dhe bunkerëve sovjetikë, nga vendi i trafiqeve, krimit dhe korrupsionit, Shqipëria është shndërruar në partneren e Perëndimit që prodhon paqe dhe eksporton stabilitet e siguri jo vetëm për veten e saj, por për të gjithë rajonin. Është kthyer në parajsën e investimeve të huaja, duke thithur edhe në këtë periudhë të një krize globale, miliarda euro investime strategjike. Ekonomia shqiptare renditet nga raportet e organizmave ndërkombëtare si një ndër ekonomitë më të shëndetshme që, si asnjë vend tjetër i rajonit, po njeh rritjen ekonomike dyshifrore.

Ky është vërtet fundi i 2008-ës, por nuk është fundi i rezultateve historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Fundi i këtij viti është një fillim i mbarë për vitin e ri, ku sfida dhe ngjarje të tjera historike e presin vendin, duke siguruar një vijimësi të garantuar. Vetëm pak javë më pas, Shqipëria pritet që të aplikojë për vendin kandidat për statusin e anëtarit të Bashkimit Europian, duke hyrë në listën e atyre vendeve që pret zyrtarizimin për të qenë pjesë jo vetëm natyrale, por edhe organike e familjes europiane. Në këto 12 muaj, u arrit që Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit të nënshkruhet nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ndërsa Greqia pritet ta hedhë një hap të tillë gjatë ditëve të ardhshme. Kjo ishte një kohë rekord e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, krahasuar me shumë vende të tjera, të cilat kanë shpenzuar shumë më tepër kohë për të arritur në këtë finale.

Në samitin e pak muajve më parë Shqipëria pritet të jetë zyrtarisht anëtare e NATO-s, pasi ka arritur në këto pak javë të marrë rezultate befasuese në ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO nga pjesa më e madhe e vendeve të Aleancës. Viti i ardhshëm pritet të jetë njëkohësisht viti i liberalizimit të plotë të procesit të vizave me BE, një premtim i dhënë nga shumë zyrtarë të lartë të Brukselit

Viti i ri do të jetë viti i përfundimit të Korridorit të shqiptarëve, i rrugës Durrës-Kukës që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën në një kohë mjaft të shkurtër. Një projekt gjigant, që u lind dhe u materializua brenda një kohe rekord dhe që i bën shqiptarët të ndjehen shumë më pranë njeri -tjetrit, ndërsa Shqipërinë një treg të konsoliduar ku mundësitë e zhvillimit ekonomik shumëfishohen, duke i shndërruar rrugët e portet e saj në ura të pazëvendësueshme të lidhjes me Perëndimin.

Mirënjohja më e madhe për këto rezultate i takon në radhë të parë të gjithë atyre shqiptarëve që, me votën e 3 korrikut të tre viteve më parë votuan për ndryshimin e madh të historisë së këtij vendi dhe të historisë së tyre. Dhe sikurse po e provon realiteti, ata sot janë krenarë për votën e tyre dhe nuk kanë arsye përse të ndjehen të zhgënjyer. Natyrisht, në këtë rrugë të mbushur me sfida dhe barriera, ka vend për përmirësime, por nëse kthejmë kokën pas e kemi më të lehtë të kuptojmë se ku kemi arritur.

Mirënjohja për këtë Shqipëri ndryshe i shkon qeverisë "Berisha" dhe kësaj mazhorance që, me vullnetin e saj të hekurt për të ecur përpara, i shpalli luftë, krimit të organizuar që kishte mbërthyer këtë vend deri tre vite më parë, i shpalli luftë të gjitha llojeve të trafiqeve që lulëzonin, i shpalli luftë luftë korrupsionit, këtij virusi që ishte shndërruar në një edukatë të punës për të gjitha institucionet dhe drejtuesit e tyre. Mes kartolinës së një viti më parë dhe kartolinës së këtij viti, bilanci është i qartë. Shqipëria ka ndryshuar si kurrë më parë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora