Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Buletini

| E shtune, 03.06.2023, 07:55 PM |


B U L E T I N I

(Fragment nga romani në proces “Klasiku i Pestë”)

NGA NDUE DEDAJ

Se qe jeta, të moçmit e atyre anëve kishin shqiptuar urtinë: “Kurrë mos i dalsh tërmales në krye” (se pastaj vjen teposhtja), krejt si ata filozofët e lashtë, me të vetmin ndryshim, se këta të fundit i shkruanin në papiruse filozofitë e tyre. Mirëpo askush nuk ua vinte veshin burrave të dheut, sidomos komisarët e rinj të pushtetit popullor, duke e marrë atë thënie si një lojë fjalësh; e besonin vetëm nëse e sillte rasti ta provonin vetë në kurriz.

Shoku Sefer, sekretari i partisë i Minierës, fill pas vizitës së Udhëheqësit, qe folur se do të shkonte me ngritje, shef i sektorit të statutit në Komitet dhe ishte vetëm punë ditësh që të fillonte atje. Por, në kulmin e ngazëllimit, plasi bomba! Jo bombë e gjë, por me u dridh të gjallë e të dekun. Kishte ndodhur gjëma. O Zot! Kishte humbur Buletini!... Buletiiiiini... Sekreti i Madh. Me i frikshmi i të gjithë sekreteve.

Po tash si i bëhej? Ku të mbytej i shkreti njeri! Nuk kishte hurdhë a pus që ta zinte! Mund të humbje veten, një krah, një këmbë, pse jo dhe kryet, por jo Buletinin. Buletini ishte zemreku i gjithçkaje. Kudo tani flitej vetëm për këtë humbje të madhe, të pashembullt, eskiliane, megjithëse të paktë ishin ata që e dinin fiks se çfarë ishte ky Buletini. Zu të ftillohej pak nga pak enigma e zezë. Buletini na qenkësh një libërth sa një fletore, por me shuuumë rëndësi, me shuuumë peshë, mbasi në të qenë shkruar fjalimet sekrete të Klasikut V, ato që nuk duhej t’i merrte vesh populli, - shshshshsht! - po vetëm organizata - bazë e partisë, si e vetmja e besuar ndër ata gjind. Buletini ishte një gjë jo fort e shpeshtë, si ai breshëri kokërrmadh që binte njëherë në tre-katër vjet e shkorriste çdo gjeth, pra vetëm kur partia sulej për të shpartalluar ndonjë grup puçist ia behte më parë Buletini. Si një qenie fantazmagorike që shtegtonte natën, fshehurazi, dorë më dorë... ndër komunistët. Ai ishte gjyqi i fundit, përtej tij nuk kishte fjalë. As falje. Aty ishte akt-akuza, pretenca, vendimi i formës së prerë për shkelësit e vijës së partisë, puçistët, renegatët, ku e ku më të zinj se vetë Ballaban Pasha. Kështu Buletini shndërrohej në një përbindësh pa krye e pa këmbë. Shkonte vetëm duke u rrokullisur si ortek...

Buleteni i humbur, që kishte ardhur të parathoshte një zezonë të re në kupolë, aty ku në kokat e nxehta e mendjet e travluara ziente papushim luftë ndërveti, shkaktoi habi te njerëzit, por dhe njëfarë lëkundjeje. Si ishte e mundur që partia na i fshihka neve fjalimet që mban Udhëheqësi në Tiranë? Pse Ai atëherë bën be në kryet tonë?... E ne i falim Atij ditë nga jeta jonë?... E bajmë dekën si me le për Të!... Por ato ishin ca “pse” që feksnin në tru vetëm sa dritëza e xixëllonjës se pastaj shuheshin menjëherë.

Zu të shtohej kurreshtja se çfarë kishte qenë Buletini i fundit, që i kishte lidhur këmbë e duar shokut Sefer, duke bërë që ai jo vetëm të humbte karrierën që e priste, por të mbyllej pas hekurave si ata caristat e Kampit. Nuk ishte më problemi se sekretari i Partisë ishte shpallur sakaq armik me damkë, pasi partia kështu vetëm sa forcohej (!), por duhej ngritur në këmbë i madh e i vogël për të gjetur Buletinin, ngaqë ky mund të përfundonte në duart e imperialistave amerikanë dhe revizionistave sovjetikë, që mbanin veshët ngrehur. Ishin ngritur tri skuadra me të të rinj këmbëlehtë, që do të kërkonin dhe në vrimë të miut për ta gjetur, gjallë a dek, Buletinin. Kërkuesit, që venin gjithandej si të ndërkryer, ishin betuar: “O do ta gjejmë Boletinin (kështu e shqiptonin ata), o s’ka” dhe po grisnin këpucët shkrep më shkrep, a thua se po kërkonin dhitë e humbura në shpat e jo një libër të vockël, që nuk e dinin mirë se ç’ishte, pasi nuk e kishin parë kurrrë, le më ta preknin me dorë e shfletonin, përpos një rrethi të ngushtë që ishin partia aty. Do ta dallonin vetëm nga shënimi “Tepër Sekret” në krye të kapakut prej kartoni të bardhë.

Sekretari i parë i Rajonit nuk e kishte humbur shpresën, ose bënte ashtu për të mbajtur lart moralin e turmës, që si e shushatur tymoste duhan magjar. Ishte mbledhur krejt populli i Dyfandorës në shesh dhe priste lajme nga katundet dhe qendrat e punës, nëse i ishte rënë për gjurme Buletinit. Armiku Sefer Buzi ishte sjellë nga paraburgimi me duar të lidhura e lënë aty përpara turmës, që lëshonte sharje dhe jarg në drejtim të tij: “E ke bërë me qëllim, i poshtër”. “Je skile e vjetër, por të erdhi dita”. “E ke shitur shpirtin te Tito”. “Si u humbëka kështu Buletini, si të ishte levere”. “Të kanë zënë namët e punëtorisë”. “Më mirë të kishe vdekur vetë, se të kishe humbur shokun Buletin!...” (Kishte dhe nga ata që e mendonin Buletinin, njeri!) Dikush kishte dashur ta pështynte në surrat, por nuk e kishin lejuar dy policët që i rrinin anash vulëhumburit, Seferit të mbledhur sa një grusht. Kishte pështjellim, marramendje, pagjumësi, dhimbtë kreje, nga qëndrimi i njerëzisë ashtu si në ngujim, vetëm me ujë, bukë kallamoqi e dhallë. Në farmaci nuk kishte mbetur më asnjë kokërr aspirinë. Më e tmerrshmja qe kur dikush hodhi dyshimin: po sikur Buletini të kishte rënë në ujë e të ishte fshirë ajo që qe shkruar në të? A mund të bëhej ujë fjala e Komandantit? Ajo mund të bëhej gurë, por jo ujë, jo ajër, pra asesi një gjë e zhdukshme…

Mbas tri ditë e tri netësh mbledhur aty, si në ndonjë lazaret ku kishte rënë murtaja, në sheshin e kalldrëmtë të Pirustit, u pa një njeri që po nxitonte të mbërrinte një dekik e më parë si një maratonamak i cfilitur. Ai nuk mbante në duar ndonjë pishtar, por... bash atë, Buletinin, që e tundte si trofe! Të gjithë vështronin andej. Cili ishte ai hero që kishte bërë gjetjen e shekullit? Ahhh! Ishte Baçi, një burrë i mefshët, që më shumë e njihnin nga e shoqja sesa nga vetja. Bile e thërrisnin në emrin e gruas. Baçi i Bules... Si kishte rënë ai në gjurmë të Buletinit? Baçi erdhi turravrap, e plasi Buletinin në duart e ministrit të Brendshëm dhe mezi priti të ulej në stol. Qeveritari i lartë e përmbajti gëzimin që i lexohej në sy, kurse njerëzia shpërtheu në brohoritje:

- “Bu-le-ti-ni”! Bu-le-ti-ni! Bu-le-ti-ni! Si të kishte qenë Franz Beckenbauer që atë çast kishte tundur rrjetën e kundërshtarit. I vetmi që nuk u gëzua ishte ai që duhej të lumturohej, shoku Sefer!... Atij i kishte rënë hija e dekës.

- Ku e gjete? - pyeti ministri “maratonamakun” që i ishin skuqur dhe veshët nga vrapi.

- Rastësisht, kur vajza ime e vogël po nxirrte librat nga çanta, - tha ai.

Turma pshërëtiu “Oooouuu!...”

- Çfarë donte Buletini në çantën e shkollës të vajzës tuaj?! Domethënë në shtëpinë tuaj?...

- Ku ta di unë!? S’do ta kisha kuptuar, por në kapak ishte shkruar: “Tepër Sekret”. Kështu qe porosia, të kqyrnim çdo libër, se mos kishte këto dy fjalë, që të rrënqethin trupin.

Për publikun ishte gjithçka e qartë. Përflitej prej kohësh lidhja intime e shokut Sefer me shoqen Bule, që ishte gjithashtu anëtare partie.

Seferi, me shpresën që tash që u gjet Buletini do të lirohej nga prangat, tregoi fill e për pe se si atë mbrëmje kishte trokitur në derë të Bules.

- Shkova, si t’ju thëm, për punë partie, - foli ai duke iu marrë goja. - Shoqja Bule nuk kishte qenë në mbledhjen e organizatës, kur qe punuar Buletini, kështu që duhej të njihej me të para se ta dorëzonim të nesërmen, - shtoi ai.

- Dhe ti e harrove Buletinin aty?

- Tash që po këthjellohem, po!... Kur nuk e kam kërkuar këto tri ditë.

Në Komitet gjërat u sqaruan me imtësi...

Baçi i Bules çdo mbasdite, në të errur, shkonte roje në turnin e dytë te kantieri i NNI-së dhe kthehej të nesërmen në mëngjes. Shoku Sefer e dinte këtë dhe shpesh mbrëmjeve ia mësynte drejt e në shtëpinë e shoqes Bule për “punë partie”, dhe atë natë ashtu kishte ndodhur. Fëmijët e Bules bënin detyrat në njërën dhomë, kurse në dhomën tjetër ata të dy punonin mbi letrat e partisë, duke i qendisur ato për merak. Fundja zyra e partisë në popull ishte, aty ku ajo i kishte rrënjët dhe merrte forcë si Anteu. Pa shumë burokracira, ata të dy shkruanin aty raportet e organizatës, projekt-vendimet, karakteristikat etj.

Aty nga mesnata, teksa fëmijët e Bules i kishte zënë gjumi e po shihnin ëndrra duke u ndeshur me dragojt, shoku Sefer, kur po dilte për të shkuar në shtëpinë e tij, kishte harruar ta fuste në çantë Buletinin, se dhe e pati hedhur ndonjë gotë. Djalli ta marrë, lodhej burri i botës gjithë ditën e ditës në punët e partisë dhe vetëm në darkë i zinte shpirti rehat... Bulja, e dërmuar dhe ajo, kishte rënë një copet në shtrat, pa i hedhur sytë nga komedina ku qe Buletini, që do të trazonte shtetin nga Pirusti në Tiranë.

Të nesërmen në mëngjes vajza e vogël e shtëpisë, që mësonte në klasën e gjashtë, në nxitim e sipër për në shkollë, e kishte rrasur Buletin-ziun në çantën e saj bashkë me librat e tjerë, duke e kujtuar si ndonjë nga ato hartat e saj memece.

Për humbjen e vigjilencës revolucionare, shoku Sefer u përjashtua nga partia dhe u dënua me gjashtë muaj punë korrektuese, por ama kishte shpëtuar nderi i partisë. Ndërsa nderi i shoqes Bule as që u vu në dyshim, asaj s’i hyri ferrë në këmbë. Tjetër se gojëliqt atë punë kishin, ta humbnin nderin dhe po të ishe vetë Katerina Blumi…