Kulturë
Gjekë Gjonaj: Folklori burimor dhe arti i bukur dramatik i anamalasve
E diele, 22.01.2023, 07:58 PM
Folklori
burimor dhe arti i bukur dramatik i anamalasve
Nga
Gjekë Gjonaj
Ana e Malit është zonë
e vlerave kombëtare e cila zë
vendin e duhur në botën e kulturës shqiptare. Që ta njohësh folklorin e kësaj
zone duhet të hysh në jetën e banorëve anamalas, të përjetosh
nga afër realitetin e saj. Kjo trevë në
tërësi ka krijuar dhe vazhdon të ruaj vlera të trashëgimisë etno-kulturore të zonave autoktone shqiptare. Ana e Malit
paraqet një venbdbanim me interes nga
pikëpamja kulturore. Në këtë aspekt ajo
është shumë e pasur. Ka një thesar të pasur popullor. Brenda gjithë atij thesari ka shumë
trashëgimi. Këngët, instrumentet muzikore,
vallet popullore, kostumet me ngjyra,
që rrezatojnë shpirtin e anamalasve,
janë dëshmi e pasurisë
shpirtërore te kësaj zone. Këto vlera kombëtare
anamalasit i kanë ruajtur me
fanatizëm nëpër shekuj, pavarësisht
rrethanave jo të favorshme
historike dhe trysnive të
vazhdueshme politike , maltretimeve
e diskriminimeve që i bëheshin kësaj
popullate. Për ta forcuar identitetin e tyre kombëtar dashamirët vullnetarë të folklorit të kësaj zone , siç shkruan
njohësi i mirë i trashëgimisë folklorike
të kësaj trevë Haxhi Zeneli, në librin e tij “ Me këngë
nga vendlindja në Amerikë” organizimet
e para kulturore - artistike i nisën
pas Luftës së Dytë Botërore në Shkollën Fillore “ Bedri Elezaga” në
Katërkollë, ku drejtor i asaj kohe ishte Jonuz Divani , i cili nga
banorët e kësaj zone vlerësohet si njeriu me kontribute dhe me merita
më të mëdha në edukimin,
arsimimin dhe emancipimin e tyre . Këto aktivitete me nxënës
të drejtuesve dhe mësimdhënësve
të kësaj shkollë i paraprinë një
fillimi të mbarë të organizimit
të jetës kulturore në Anë të Malit.
Shoqëria Kulturore - Artistike “ Buna”, pioniere e
kulturës folklorike në Anë të Malit
Këtë vit kalendarik
do të mbushen 54 vjet nga krijimi
( formimi) i Shoqërisë Kulturore-Artistike “ Buna” ( sipas emrit të Lumit Buna) , institucioni i parë amator kulturor i ngritur me nismën e disa veprimtarive dhe adhuruesve
të shquar të asaj kohe të trashëgimisë kulturore, artistike të përcjellë ndër breza,
të cilët dolën nga shkolla fillore e Katërkollës. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje mendojmë se ka
një rëndësi shumë të madhe për kulturën folklorike të anamalasve , sepse ky
ansambël folklorik i vuri themelet e zhvillimit të jetës kulturore
artistike në këtë trevë dhe bëri të
mundur ruajtjen, kultivimin dhe
promovimin e folklorit anamalas përmes
koncerteve e festivaleve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Pavarësisht nga kushtet
shoqërore-historike në të cilat jetonin popullata e Anës së Malit në
regjimin komunist - titist , i cili nuk i shihte me sy të mirë organizimet e
këtilla kulturore të shqiptarëve në ish-Jugollavi, ky ansambël folklorik lindi si një nevojë jetike e organizuar vullnetarisht nga vetë
anamalasit që bën çmos që të
ruajnë vlerat folklorike kombëtare. Sipas Haxhi Zenelit SHKA “ BUNA “ u themelua në Katërkollë
në vitin
1969 , kryetar i së cilës u zgjodh
Elez Muça. “ Kjo shoqëri ishte e para
në Anë të Malit, ku pasi punoi për disa vite rrethanat e asaj kohe bënë që të pushojë, deri në riaktivizimin e
saj në janar të vitit 1978 me shfaqjen e
një koncerti në hollin e Shkollës
Fillore “ Bedri Elezaga “ në
Katërkollë. Kjo shoqëri ka dhënë disa koncerte nëpër qendra të tjera gjatë kësaj kohe”, shkruan Zeneli.
Shoqëria
Kulturore Artistike “ Lipoja”
Me një lule nuk çelë pranvera,
thotë një fjalë e urtë popullore
. Prandaj gjashtë vite më pas u formua Shoqëria-Kulturore – Artistike “ Lipoja” në
vitin 1975 , në fshatin Krythë. Ajo e mori emrin e malit të lartë Lipoja në Anë të Malit. Punën e saj,
siç pohon Zeneli, e
udhëhoqën Musa Pali, arsimtar i
gjuhës shqipe dhe Ramazan Bërkani ( aktor i teatrit të Gjakovës).
Artdashësit e tubuar në këtë
ansambël më punën e tyre vullnetare dëshmuan
vlerat e çmuara të trevës në fushën e artit folklorik dhe kulturës
sonë kombëtare, bukurinë dhe larminë dhe e kostumeve popullore,
simfoninë e instrumenteve popullore , që dëshmojnë lashtësinë e shpirtit artistik
të anamalasve.
Shoqëria
Kulturore Artistike “ Zgjimi”
Tri vite pas themelimit
të shoqërisë së dytë kulturore -
artistike në Anë të Malit fillon
punën edhe një shoqëri e re për ruajtjen
e trashëgimisë folklorike. Në verën e vitit 1978, disa studentë që studionin në
Universitetin e Prishtinës u organizuan
dhe në dhjetor të atij viti
themeluan SHKA “ Zgjimi”. Kryetar i
kësaj shoqate u zgjodh Zija Kraja,
nënkryetar Faik Avdiu dhe sekretar
Junuz Ujkashi . Siç mësuam nga
njëri prej bartësve të veprimtarisë dhe
aktiviteteve të kësaj shoqërie Gjlaver Avdiu, këta të rinj entuziastč, plot vullnet e energji, pas shumë
provave çdo pasdite në mjediset e shkollës fillore në
vitin 1978 shfaqën koncertin e
parë për banorët e Bashkësisë Lokale të
Sukubinës. se “ SHKA “ Zgjimi” , e
përbërë nga grupi i djemve dhe vajzave shfaqi me sukses koncerte në të gjitha trevat shqiptare në Mal
të Zi, si në Sukubinë, Katërkollë, Ostros, Tuz e Ulqin, pastaj në Festivalin Republikan Folklorik, në
Festivalin Ballkanik të Folklorit në
Ohër etj. Ajo i befasoi edhe
përfaqësuesit e strukturave udhëheqëse
komunale dhe republikane, të cilat dolën me vlerësime se veprimtaria e saj nuk përkonte me
frymën e vëllazërim-bashkimit jugosllav
dhe si e tillë duhej hetuar nga Administrata e Sigurimit Shtetëror të UDB-ës
jugosllave, e cila filloi t’i thërrasë
në biseda informative themeluesit dhe anëtarët e kësaj shoqërie, gjoja për të
gjetur armiqtë e vërtetë të cilët ishin
të indoktrinuar nga irendentistët
kosovarë”, shkruan Avdiu në librin e tij “ Pishtarët e lirisë”.
Teatri për
fëmijë “ Zgjimi”, ringjalli artin skenik
Në kuadër të SHKA “ Zgjimi” nga Sukubina, nga viti 1996 -2000 , me mjaft sukses ka vepruar edhe Teatri për fëmijë, i pari dhe i vetmi
këtij lloji në trevat shqiptare në Mal të Zi. Falë vullnetit dhe entuziazmit të Shefqet
Lucës , regjisor i këtij teatri dhe
aktor shumëvjeçar amator në trupat
teatrore “ Sandër Prosi” dhe “Aleksandër Moisiu” të Mitrovicës , me rreth 50
fëmijë të moshës 5-13 vjeçare, ringjalli
artin skenik jo vetëm në këtë
lokalitet kufitar, por edhe në Komunën e Ulqinit. Gjatë punës së
vet, siç na njoftoi regjisori dhe aktori Luca, ky teatër
ka vënë në skenë tri shfaqje
premierë: “ Me Lizën në pritje të Vitit të Ri” ( dhjetor 1996), “ Një zemër e
humbur” ( maj 1997) dhe “ Klasa e çapkënëve” ( prill 1998) me të cilat është prezantuar para publikut
vendas dhe mbarëshqiptarë.
Këto tri shoqëri
kulturore-artistike në atë kohë patën
një veprimtari të dendur artistike. Koncertet e shfaqura në të gjitha trevat
shqiptare në Mal të Zi u pritën shumë mirë nga shikuesit. Mirëpo pas vitit 1985 filloi rënia ose një pasivitet i
këtyre shoqërive. Në pasivitetin e tyre ndikuan
demonstratat e vitit 1981 në
Kosovë , pas të cilave edhe në Anë të Malit filluan të ashtuquajturat
“diferencime” politike, nga e cila valë
e pësuan edhe disa nga anëtarët e këtyre shoqërive, kurse disa të tjerë
u detyruan të pezullojnë ose ta pakësojnë veprimtarinë e vet.
Shtojmë se aktualisht në Anë të Malit në mënyrë aktive nuk vepron asnjë shoqëri
kulturore-artistike. Tri ansamblet e para f0lklorike bashkë me tetarin për
fëmijë janë shuar, kurse dy shoqatat e fundit kulturore-artistike “ Tradita”
dhe “ Ana e Malit “ figurojnë vetëm
në letër. Për ringjalljen e tyre
duhet një mbështetje e
qëndrueshme financiare.
Teatri për fëmijë “ Zgjimi nga Sukubina''