Faleminderit
Dorian Koçi: Feniksi që ringjalli lirinë e Kosovës përmes paqes
E shtune, 21.01.2023, 08:59 PM
Feniksi që ringjalli lirinë e Kosovës përmes paqes
Nga
Dorian Koçi
Qëndrimet
e brendshme dhe të jashtme të Kosovës në prag të shembjes së komunizmit dhe
deri në vitet e para të shekullit
XXI i përcaktoi në masë të
konsiderueshme vizioni historik i Ibrahim Rugovës. Autoriteti moral i Rugovës
në politikën e Kosovës në periudhën e 1999-2006
buronte nga udhëheqja e suksesshme që ai i kishte bërë betejës politike
paqësore dhe ndërtimit të shtetit paralel gjatë shkatërrimit të autonomisë së
Kosovës dhe shtypjes brutale të Drejtave dhe Lirive të Njeriut gjatë periudhës
1989-1999, për të arritur ringjalljen e Kosovës së pavarur. Deklarata e
Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i
Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe
sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, zgjedhjet e
para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në
Republikën e Kosovës më 24 maj 1992, ishin kredencialet e para të demokracisë
liberale të shtetit të Kosovës. Më vonë, si kreu i shtetit gjatë viteve të para
të pasluftës 2000-2006, me anë të tentativave intelektuale dhe paqësore ai u
përpoq të përvijonte për shtetin e rithemeluar kufijtë e Kosovës dhe
respektimin e minoriteteve, pra, si rrjedhim duke ndihmuar diplomacinë botërore
të formulonte Pakon Ahtisari që i dha pavarësinë e plotë Kosovës. Ky program
parashikonte strukturë kushtetuese që respektonte multikulturalitetin dhe
kombësitë e tjera në Kosovë dhe në të njëjtën kohë ndërtimin e një Republike të
Kosovës, të pavarur dhe jo domosdoshmërisht të bashkuar me Shqipërinë. Rugova
ishte një sovranist i lindur, i cili respektonte identitetin si shumëllojshmëri
identitetesh duke mos lejuar asnjë indentitet të mbivendosej mbi të tjerët. Në të njëjtën kohë një nga parimet kryesore
të politikës së jashtme të tij në këtë kohë ishte dhe mos përzierja në grindjet
e partive politike në Shqipëri , Maqedoni dhe Mal të Zi, por mbështetje e plotë
për kauzën kombëtare shqiptare. Gjithësesi edhe në këtë drejtim Rugova e
modernizoi patriotizmin shqiptar , duke e kthyer nga një patriotizëm folklorik
i shekullit të XIX në një patriotizëm evropian të shekullit të XXI.Në thelb të
këtij patriotizmi kushtetues evropian sipas filozofit social Habermas qëndrojnë
respektimi i të drejtave dhe liritë e njeriut dhe ndërtimi i një demokracie funksionale.
Politika e tij pacifiste nuk u kuptua nga shumica e shqiptarëve por në fakt ajo
rezultoi të ishte një sfida morale përballë së cilës, nacionalizmi agresiv serb
u zhvlerësua në arenën ndërkombëtare . Misioni i tij politik i përngjau misionit të fundit
politik të Pjetër Bogdanit, (që Rugova rizbuloi kulturualisht për shqiptarët në
fund të viteve 80' të shekullit të kaluar), çlirimi i Kosovës nëpërmjet në
aleance të ngushtë me Perëndimin. Për Rugovën orientimi perëndimor i Kosovës
ishte dhe mbeti e vetmja barkë shpëtimi për lirinë e kombit të vet.