E enjte, 25.04.2024, 11:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Sadik Bejko: Psalmi 137, Bogdani dhe temat biblike në poezinë shqipe

E enjte, 01.06.2023, 07:50 PM


PSALMI 137, BOGDANI DHE TEMAT  BIBLIKE NË POEZINË SHQIPE

Nga Sadik Bejko

1.

Kjo sprovë, e nisur nga shënime të mbajtura mbi leximet e mia kohë pas kohe të Psalmit 137, mori një drejtim tjetër nga reagimet që erdhën në shtyp me rastin e botimit në Antologjinë e Rudolf Markut të poezisë së Bogdanit “Veshunë me diell, mbathunë me hanë”.

Shkrimet e shtypit që morën shkas nga botimi në një Antologji të sotme i një poezie gati 500-vjeçare, nga cilësimi i saj si kryevepër e poezisë shqipe, veç të tjerash, mund të nxitnin vështrime mbi raportin, mbi pikëtakimet e shkrimtarëve, në këtë rast mbi përkimet e poezisë shqipe, me tema, subjekte, vizione të mitologjisë biblike, të mitologjisë së ardhur nga burimet judeo-kristiane ose edhe më gjerë.

Por nuk ndodhi kështu.

Disa nga reagimet mbi botimin e kësaj poezie gati 500-vjeçare të Pjetër Bogdanit ishin tepër lënduese. Pse ndodh sot kjo?

Ne vijmë nga epoka e komunizmit, nga një kohë kur letërsia e vendit apo dhe ajo e huaj, në shpërndarjen e saj në letër të shkruar, të shtypur, në përkthimin, studimin, në botimin në gazeta a në botime të nivelit akademik, në gjithëçka, ishte monopol shtetëror. Pa lejen e shtetit nuk publikohej asgjë. Redaktorët në shtyp ishin dhe censorë, ndonëse të pashpallur si të tillë.

Pa dhënë shumë shpjegime, po shënoj se ne studentët e atëhershëm të letërsisë nuk e dinim që disa nga profesorët tanë, profesorë titullarë të letërsisë shqipe apo të asaj botërore,  ishin njëherësh dhe ekspertë letrarë të Sigurimit të Shtetit, madje disa nga shefat e katedrave a të departamentit të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës ishin njëherëshdhe graduatë të lartë të Sigurimit të Shtetit. Kjo tashmë është e dokumentuar.

Nga këto ditët e sotme, nga kjo kohë e lirisë, ne po gjykojmë një letërsi që u studiua në paliri, në panjohje. Mbase nga kjo situatë letrare reagimet e sotme mund të jenë lënduese.

Më bëri përshtypje në mënyrë të veçantë kërcitja përpjetë, si të futësh duart në zjarr e disa prej reaguesve të sotëm. Ishin të revoltuar ndaj Bogdanit. Gati sa nuk e akuzonin se ai nuk paska bërë poezi. Paska cituar paturpësisht një pasazh nga një tekst biblik i njohur, e ka vënë në rima dhe na e paraqet si krjim të tij.

I ndieri Bogdani mbase nuk e kishte marrë me mend se mbas një gjysmë mijëvjeçari, stërnipërit do ta akuzonin si plagjiat.

Kjo ishte e tepërt. Më çonte në ato kohë kur të bëje letërsi, të gjykoje mbi libra, të studioje letërsinë, ishte monopol i shtetit. Kishte autorë të trashëgimisë që ishin të përjashtuar si të padenjë për kohën. Duhet të të zgjidhte shteti në ishe apo nuk ishe i denjë për t’u studiuar, për t’u publikuar… “për masat”, për lexuesin e gjerë të komunitetit të quajtur punonjës i atdheut socialist. E natyrisht Bogdani si klerik, madje si peshkop, klerik i hiearkisë së lartë ishte i ndaluar, i anatemuar… nga ajo kohë.

Por si duket, edhe për sot qenka sakrilegj guximi krijues i një shkrimtari gati mesjetar, citimi prej tij gati fjalë për fjalë i një teksti biblik, shndërrimi i këtij teksti në poezi. Ky sakrilegj, të vjelësh lëndën biblike si pemët në kopështin tënd, vjen nga guximi, nga trilli vetëm i atij, apo ka ndodhur dhe me autorë të tjerë përpara dhe pas tij? Nëse ky ravgim i poetëve në territoret biblike ka ndohur, është i njohur, pse u deshën mbi 500 vjet që Bogdanit t’i vënë gishtin si plagjiat?

Mos ende vazhdon për inerci monopoli shtetëror mbi publikimin e autorëve dikur të ndaluar për masat… për masat punonjëse shumëmilionëshe?

Dhe në e përjashtojmë variantin e monopolit shtetëror mbi gjykimin e shkrimtarëve, gjithësesi mbetet diçka që duhet sqaruar. Pse së paku, ishte irritues botimi i poezisë së Bogdanit, gjykimi i saj si një kryevepër, vënia e një vargu të saj në titullin e një antologjie?

Më poshtë do të them diçka tërthoraz, jo drejtpërdrejt, si apologjet i Bogdanit, i letërsisë me motive biblike.

2.

Vërtet, ne vijmë nga komunizmi, por si studentë të letërsisë në Universitetin e Tiranës, nuk na ishin ndaluar as Danteja, as Gëteja, as Hygoi. As letërsia klasike greko-romake me Homerin, Eskilin, Virgjilin. Letërsi që në moraltetin e vet ishte thellësisht fetare dhe kur nuk referohej drejtpërdrejt në tema a në mite religjonesh. E dinim që shkrimtarët si Hygoi, Tolstoi, Dostojevski përfshinin në romanet e tyre ide, koncepsione themelore të kristianizmit. “Zytrarisht”, pranonim artin, mjeshtërinë e tyre të cilësuar artistike, por mohonim kristianizmin e tyre, i quanim ”kufizime ideore” referimet e tyre te profetët, te mësimet bibike.

Çajupi ynë në poezinë “Zolejka” sjell një fragment nga historia e njërit prej personazheve më të njohur biblikë, të Jozefit/ Josifit, birit të Abrahamit të shitur si skllav në Egjipt. Çajupi e ka trajtuar lëndën biblike si në një baladë, pa asnjë nëntekst fetar.

Në ciklin me poezi të quajtura biblike të Fan Nolit, në poezi, si: Shën Pjetri mbi mangall, Moisiu në mal, Kirenari, Marshi i Barabait vijnë figura të spikatura të literaturës judeo-kristiane. Në leksionet kohës së komunizmit për sfondin historik të këtyre poezive të Nolit jepeshin shpjegime të përcipta. Kishte raste kur as vetë profesorët ngjarje të tilla, si historia ungjillore e Krishtit dhe e pasuesve të tij, nuk i njihnin. Fjalën “Galile” të një poezie të Nolit, fjalë që emërtonte një krahinë hebraike, një studiues i kohës e shpjegonte me emrin e Galileo Galileit, astronomit e filozofit italian. Domosdo, pa njohje krijohej konfuzion. Pa njohur historinë biblike, pa njohur kontekstin, sfondin e këtyre ngjarjeve të lashtësisë, interpretimin, kumtin që kishte dhënë Noli nëpërmjet këtyre subjekteve, do ta merrje në mënyrë të cunguar.

Për atë që donte të dinte ca më shumë, duhet të gjente literaturën e nevojshme biblike… por një literaturë rreptësisht  e ndaluar.

3.

Po vij atje tek doja të filloja, te Psalmi 137.

Psalmi 137 përmendej që në hyrjen e botimit të poezive të Fan Nolit “Mall dhe brengë”, (1943), përgatitur prej Mitrush Kutelit.

Në kohën e komunizmit nuk e gjeje sheshit këtë psalm, cili ishte ai?

P S A L M I 137

Atje pranë lumenjve të Babilonisë

rrinim ulur dhe qanim duke kujtuar Sionin;

mbi shelgjet e asaj toke kishim varur qestet tona.

Atje ata që na kishin vënë në robëri,

na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin,

na kërkonin këngë gëzimi, duke thënë:

“Na këndoni një këngë të Sionit”.

Si, si mund t’i këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?

Në të harrofsha ty, o Jerusalem,

M’u thaftë dora ime e djathtë për çdo mjeshtëri,

M’u lidhtë gjuha pas qiellzës, nëse Jerusalemin nuk e vë

Përmbi çdo gëzim timin, sado të madh.

Mbaji ndër mend, o Zot, bijtë e Edomit: ditën e Jerusalemit

Ata thërrisnin: “Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelet”.

O bijë e Babilonisë që duhet të shkatërrohesh,

Lum ai që do ta lajë të keqen që na kanë bërë!

Lum ai që foshnjat e tua i merr dhe i përplas pas shkëmbit!

............

Psalmi më lart quhet dhe “Baladë mërgimi” në përkthimin e Dom Simon Filipajt. Atë e gjen në çdo përmbledhje të psalmeve biblike, të quajtura Psalme të Davidit. Kristoforidhi është i pari që e ka sjellë në shqip përmbledhjen e plotë të këtij koleksioni psalmesh, përkthyer në të dy dialektet. Tani përkthimi i K. Kristoforidhit është ribotuar, i transkriptuar, i sjellë në alfabetin e sotëm nga profesor Xhevat Lloshi. Veç të tjerash, përkthimi në gjuhët kombëtare i këtyre psalmeve ka luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin estetik me poezi të lartë të shumë brezave njerëzorë në tërë botën.

I nxjerrë nga librat poetikë të Biblës, botuar në libra laikë dhe në shtypin e shkruar, Psalmi 137 mbase  renditet ndër psalmet më të famshme nga gjithë letërsia biblike. Në disa vende, në Itali e gjetkë, ky Psalm përfshihet në një antologji të rreth 100 poezive më fatlume të botës, të quajtura “poezi që kanë shpëtuar njerëzimin”.

Pa pasur shumë informacion mbi publikimet apo për ndikimin e tij në literaturë, Psalmin 137, pas viteve ‘90 e kam mësuar përmendësh.

Në universitet kur mbaja leksione të lëndës “Histori e qytetërimeve”, në orët e seminareve këtë Psalm e recitoja para studentëve të mi. Me miqtë e mi poetë, kur binte fjala për poezi të bukura, e recitoja, pasi kishim kthyer nga një gotë në kafenetë e varfëra të Tiranës (sigurisht… kafene të pasura me free alcoohol).

Komentet e para në kulturën shqiptare për psalmin 137 i ka sjellë Mitrush Kuteli. Kur ka folur për poezinë “Anës lumenjve të Babilonisë” të Fan Nolit, ai i është referuar drejtpërsëdrejti Biblës. Në një vend si ky i yni, me tradita dhe të krishtera, dhe islame, në një kohë kur librat e shenjtë ndalohej t'i përmendje, Mitrush Kuteli shpjegonte rrethanat krijuese të poezisë së Nolit, me referenca të qarta nga bibla, nga Psalmi 137 dhe historia e shpërnguljes tragjike të hebrenjve në Babiloni.

Noli në poezinë  “Anës lumenjve’ përmend çifte lumenjsh si “anës Elbës anës Sprees”, “anës Rihnit anës Tunës” (si i dëbuar nga Shqipëria, ai atëherë jetonte në Gjermani; përmend dhe Vjosën e Bunën, Semanin dhe Drinin, si referim te lumenjtë Tigër dhe Eufrat të Mesopotamisë ku të shpie lënda biblike e Psalmit 137.

Me kohë, mësova se këtij Psalmi ia gjeje gjurmët dhe në shumë kryevepra botërore të shkrimtarëve, të piktorëve dhe të muzikantëve.

Mendohet se ka frymëzuar korin e skllevërve hebrenj 'Va, pensiero' te opera “Nabuko” e Xhusepe Verdit.

Një varg si “Buzë lumit Leman rrinim e qanim” e gjen te poema “Toka e shkretë” e Tomas Eliotit.

“E si mund të këndonim ne…”, një varg me frymëzim të drejtpërdrejtë nga Psalmi 137 e gjen te  Salvatore Quasimodo në një poezi për të vdekurit në sheshet e qyteteve italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore…

Mbase këtij Psalmi i referohen dhe shumë vepra të tjera botërore, të cilat nuk i njoh….

4.

Kjo rrugë e frymëzimit nga konstrukte, tema, subjekte biblike është në vazhdën e gjithë letërsisë botërore, përshkon gjithë historinë e saj.

Në kryeveprën e Gëtes, “Fausti”, gjen lëndë mitologjke aq të pasur sa të duket sikur do të hysh të gërrmosh në një minierë me lëndë mitologjike të përjetshme e të pasosshme nga lashtësia klasike e deri te ajo biblike.

"Prologu në qiell" që i prin tragjedisë "Faust" sjell vizionin e pandërprerë të lëvizjes kozmike nëpër qiell, bazuar mbi harmoninë e rruzujve qiellorë, një koncept Pitagorian. Mandej vjen basti i Zotit me Mefistofelin për Faustin. Mefisto, shpirti i errësirës, vë bast që Faustin ta bëjë bir të perandorisë së Ferrit. Zoti vë bast që Fausti është dhe do të mbetet besniku i tij përjetë.

Një bast të tillë të Zotit me Satanin e gjen që në rreshtat e para të librit biblik të Jobit. Gëtja e ka rimarrë këtë pikëpyetje, pikëpamjen mbi njeriun: Njeriu është bir i djallit a apo pjellë e bir i zotit. “Fausti” i Gëtes jep një përgjigje për një pyetje kaq fundamentale. Edhe libri biblik i Jobit jep një përgjigje tronditëse brenda logjikës religjoze të besimit pa kushte.

Tragjedinë e Gëtes e lexojmë si tekst letrar. Referencat e tij nga filozofia e Pitagorës, apo ato të rimarrjes nga Bibla të bastit të Zotit me Satanin, i lexojmë si gjetje të bukura letrare në funksion të synimeve artistike të tragjedisë.

Bogdani ynë duke marrë nga Apokalipsi i Gjonit imazhin aq të mrekullueshëm të Shën Marisë me kurorën e yjeve ngjeshur në kokë, me diell veshun e mbathun me hanë, me kërthiun Jezus në grykë në dorë, e ka shndërruar këtë vizion biblik në një poezi të lartë. Poezi që mund të lexohet edhe e shkëputur nga parateksti biblik. Bogdani madje e ka ndryshuar pak tekstin biblik, nga “me hënën nën këmbë”… e ka shkruar “mbathunë me hanë”.

Këtë poezi të Bogdanit … edhe nëse nuk e njohim burimin ku autori është mbështetur, e lexojmë si tekst letrar dhe mahnitemi.

Ashtu siç të mahnisin koncepsionet pitagoriane apo ato biblike te Gëtja…

Te Gëtja, te shkrimtari gjerman që në kohë vjen mbi një shekull pas Bogdanit.

5.

Burimet biblike nga Çajupi janë përdorur në një funksion tjetër. Çajupi hyn ndër ata autorë që për herë të parë në letërsinë shqipe lëndën biblike e mori për ta profanuar. Ai me konceptet e sotme ishte një çmitizues. Më lart solla poezinë Zolejka, ku stigmatizohet gruaja e pabesë: gruaja që në vend të burrit të saj zyrtar të lartë të shtetit të Egjiptit, pëlqen shërbetorin e ri dhe të fuqishëm në shërbim të saj, skllavin Jozef \ Josifin. Muhamet Kuçuku dhe Hafiz Ali Korça këtë histori të Jozefit biblik e sjellin në variantin mysliman, si Isufi e Zelihaja. Ky subjekt vjen dhe në penën e poetit persian Firdusit, dhe në romanin e kohëve moderne të Tomas Manit, “Jozefi dhe vëllezërit e tij”.

Në Ungjillin sipas Mateut, përkthyer dhe nga Dom Simon Filipaj, në fragmentin Mateu 18: 8,9, Jezu Krishtit u jep këto porosi besimtarëve: “nëse dora të çon në mëkat, preje, hidhe...nëse syri të çon në mëkat, nxirre e flake tutje”.

Këto thënie mos na kujtojnë Adhamudhin, personazhin e komedisë “Pas vdekjes” të Çajupit? Doktor Adhamudhi thotë: në të dhemb njëri sy, kërreje të shpëtosh tjetrin. Në të dhemb dora e djathtë, preje, të shpëtosh të majtën. Sigurisht, Çajupi si autor me frymëzim satirik e përdor lëndën biblike në të kundërtën e porosive religjoze, madje lë të kuptohet se ato porosi nuk duhet t’i marrim seriozisht, mund dhe të tallemi me to. Të tallesh ashtu si me Adhamudhin, me një mjek shalatan që gjymtimin e pacientit e rekomandon si shërim, ose që merr pamjen groteske prej patrioti, si autor i një abetareje me shkronja latine për t’u bërë qejfin të krishterëve, por me drejtimin e shkrimit në të kundërt, nga e majta në të djathtë, që t’u bëjë qejfin myslimanëve.

Te poema e tij mbetur në dorëshkrim “Baba Musa Lakuriq” Çajupi ndërmori një nga veprimet më të guximshme në letrat shqipe. Është i pari autor shqiptar që parodizoi lëndën biblike. Ngjarje, episode, profetë, personazhe biblike ai i solli në një optikë groteske e satirike duke i pranëvënë dhe në kontekste me veset e cenet e bashkëpatriotëve të tij.

6.

Ajo që ka ndodhur me mua në njohjen e lëndës nga mitologjia judeo-kristiane, lëndë ku ishte mbështetur letësia shqipe apo ajo botërore, është si të shohësh një film mbrapsht, ta nisësh atë nga sekuencat e fundit.

Kur lexova Psalmin 137, ai më kujtoi operan Nabuko të Verdit dhe koralen e famshme të skllevërve. Gjithëçka shkonte si me kokë poshtë. Psalmi më ngjante sikur e kisha lexuar më parë. E lexoja dhe më kujtonte Quasimodon (E si mund t’i këndonim këngët e zotit në dhe të huaj?); më kujtonte (“Buzë lumit Leman qanim") “Tokën e shkretë” të Tomas Eliotit.

Duhet të kish ndodhur e kundërta. Të kisha njohur Psalmin në fillim, pastaj krijimtarinë që ishte ndërtuar mbi motivet e tij.

Kur lexova Librit biblik të Jobit, kështu më ndodhi. Ah, mendoja, një bast të tillë të Zotit me Satanain e kam hasur më parë, e kam lexuar te Prologu në qiell i tragjedisë “Faust” të Gëtes. Ndryshe mund të kish ndodhur: së pari ose njëherësh mund t’i kisha lexuar dhe biblën dhe  tragjedinë “Faust”.

Thëniet e Krishtit nga Mateu 18: 8,9, i njoha së pari të transformuara në gojën e Adhamudhit prej Çajupit, jo nga leximet prej burimit, prej ungjillit.

Ky ishte udhëtimi im ngjashëm me një kthim, një si udhëtim së prapi nëpër historinë e letërsisë botërore. Si të shkosh nga e bija te e ëma. Se jo librat biblikë ishte frymëzuar nga poetët e shkrimtarët, por e kundërta, shkrimtarët kishin përfituar nga lënda biblike për të ndërtuar konstruktet e veprave të tyre.

Por unë vij nga komunizmi.  Ndaj në rrugë  të kundërt, nga letërsia shkova te lënda biblike. Profesorët tanë nuk na kishin thënë gjë për një dukuri të tillë. Ata e fshihnin faktin që bibla kishte frymëzuar shkrimtarët e shquar.

Kur ia recitoja Psalmin 137 mikut tim poetit Qazim Sh., ai më kënaqej, por njëherësh shante nëpër dhembë Salvatore Quazimodon. Kujtonte vargjet e tij: “E si mund të këndonim ne?\ Të vdekurit tanë në sheshet e qyteteve.\ Në shelgje ishin varur kitarat tona…” … Quasimodo e paska vjedhur poezinë, më thoshte

Jo, i thosha, po ta marrësh kështu, do gjesh shumë vjedhës në emrat e poetëve të botës. Këto referime biblike ose dhe referimet te temat e subjektet e autorëve të hershëm e bëjnë letërsinë shprehëse të një qytetërimi të përbashkët, e bëjnë atë një lëndë universale të jetës, të historisë sonë si njerëz në këtë botë. Ka ngjarje, personazhe situata arketipale që përsëriten e përsëriten. Letërsia e mëpasshme domosdo referohet tek të parët e saj.

Por poeti Qazim. Sh. e kishte gati batutën: mos na helmatizo me teorira, si bënin profesorët tanë dikur.

Ky dialog me poetin Qazim Sh, më kujtoi disa nga shkrimet që u shkruan kohët e fundit mbi poezinë e famëshme të Bogdanit :Veshunë me diell, mbathunë me hanë.” Gati sa nuk thoshin që Bogdani është një plagjiat, ka vjelë deri fjalë për fjalë një fragment nga Apokalipsi i Shën Gjonit… siç kanë bërë pas tij Gëtja, Savatore Quasimodo, Tomas Elioti etj etj.

Tiranë, maj, 2023



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora