Speciale » Alia
Lutfi Alia: Duka Gjoni II Kastrioti (1)
E premte, 20.01.2023, 09:00 PM
DUKA
GJONI II KASTRIOTI
(PJESA
I)
Nga
Lutfi ALIA, Siena - Itali
Gjergj Kastrioti
në moshën 46 vjeç, u martua me Andronika Arianitin 23 vjeçare, vajza e madhe e Gjergj Arianitit.
Skënderbeu dërgoi mbles Gjin Muzakën, kunatin e Gjerjgj Arianitit. Dasma
filloi në Kaninë dhe zgjati tre ditë (21 – 23 prill 1451). Skënderbeu shkoi i
shoqëruar me 500 krushq [Barleci, Gjon Muzaka, Biemmi, Noli, Gega]. Ҫifti Gjergji dhe Andronika e morën
bekimin ungjillor në kishën e Kaninës, në Qishë-Bardhë. Pas Kaninës,
aktivitetet vazhduan në kishën Fjetja e Shen Maries në Manastirin e Ardenicës,
ku më 26 prill 1451, ipeshkëvi Feliks e celebroi martesën me ritin ortodoks.
Kurorzimin e martesës në kishën Fjetja e Shen Maries në Ardenicë e konfirmon
Lorenzoni, i cili tregon: “Në një nga kodikët në bibliotekën e Manastirit të
Ardenicës, lexova aktin e kurorëzimit të Skenderbeut.” [Giovanni Lorenzoni,
Il volto e l’anima dell’Albania, Secondo
il diario di un viaggiatore 1929 – 1939.
Istituto Geograf. Milit. Firenze, 1940].
Pas ceremonive në
Kaninë dhe në Ardenicë, çifti arrijti në Krujë, ku u prit me entusiazëm nga
populli. Fan Noli thekson se ipeshkëvi Pal Engjelli e kurorëzoi martesën e
Gjergjit me Andronika më 26 prill 1451 me ritin katolik në Katedralen e Krujës.
[F.S. Noli. Storia di Scanderbeg. Lecce 1993, p.100].
Ditlindja dhe pagëzimi i Gjonit II Kastrioti.
Gjergji dhe
Andronika patën vetëm një djalë Gjonin II. Për datën e lindjes të Gjonit II
janë disa versione. Disa autorë bazuar në letrën e Senatit Venecian të 20 gushtit
1463, në përgjigjie të kërkesës të Gjergj Kastriotit për të pranuar Gjonin II
tetë vjeçar anëtar i Këshillit të Madh të Serenissima dhe nga diploma e
firmosur nga Dozha Kristofor Moro më 25 shtator 1463, i cili e cilëson se Gjoni
ishte rreth 8 vjeçar, kanë sugjeruar se ishte lindur në vititn 1455. [Giuseppe
Valentini. Acta Albaniae Veneta, Seculorum XIV – XV, Tomus XVII. Annos 1463].
[Ljubić (ed.), Monumenta vol. X pp. 275s]. [Gennaro Maria Monti. Il
Privilegio di nobiltà veneziana a Giovanni Castriota Scanderbeg. Palaver 4 n.s.
2015. p. 181 – 182].
Një grup tjetër
historianësh bazuar te M. Barleci, mendojnë se Gjoni II ishte lindur në vitin
1456, vit që përkon me tradhëtinë e Hamzait, i cili me lindjen e Gjonit, e
humbte të drejtën e trashëgimit të Principatës të Kastriotëve. [Marin
Barleti. Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis. Roma 1522]
[F.S. Noli Storia di Scanderbeg], [A. Gegaj, L’Albanie
p.114], [Vallone G. Aspetti p. 43 nt. 26. 195] [P. Petta,
Despoti d’Epiro e principi di Macedonia, Lecce, Argo, 2000, pp. 30, 49].
Shumica e
historianëve theksojnë se Gjon Kastrioti ishte lindur në prill të vitit 1454.
Historiani Xhiankarlo Vallone, në studimin “Andronica e Giovanni Scanderbeg in
Italia” [Studia Albanica, Nr. 1, 2018, f. 49 – 60], tregon se Mbreti
Alfonso V, në qershor të vitit 1454, kishte ngarkuar Raymondo D’Ortosa të
shkonte në Krujë për pagëzimin e Gjonit II Kastrioti (procuram factam Raymondo
D’Ortosa ad baptizandum filium Scandaribech). Këtë informacion G. Vallone e ka
marrë nga N. Barone, Le cedole di Tesoreria dell’Archivio di Stato di Napoli
dell’anno 1460 al 1504, nt.7, pp. 607-608. Viti 1454 i pagëzimit të Gjonit
është prezantuar dhe nga Capasso në Magno Sigillo, fol. 91, i cili thotë
se kumbari i Gjonit II Kastrioti nuk ishte mbreti Afonso V si mund të mendohej,
por i biri Ferrante I. [Capasso, Le fonti p. 215, nt.3].
Duke analizuar
këto variante të vitit të lindjes të Gjonit II Kastrioti, është bindës fakti se
ishte lindur në prill të vitit 1454, përderisa ceremonia e pagëzimit u zhvillua
në qershorë 1454, periudhë kur Raymondo D’Ortosa ndodhej në Krujë. Pagëzimi
duhet të jetë zhvilluar më 24 qershor 1454, ditë që përkon me festën e Shen
Gjon Pagëzorit. Raymondo D’Ortosa ishte person i besuar i mbretit Alfonso V, i
cili pas traktatit të Gaeta e kishte ngarkuar me funksione diplomatike,
shtetërore dhe ushtarake në Albania. [L. Volpicella, Regis Ferdinandi primi
Instructionum liber, Napoli, Società Nap. di Storia Patria, 1916].
Në traktatin e Gaeta
më 26 mars 1451, firmosur nga noteri i mbretit Arnaldo Fonolleda dhe nga
ambasadorët e Skenderbeut, Stefani ipeshkëvi ortodoks i Krujës dhe domenikani
Nikolla Berguçi ipeshkëvi katolik i dioqe-zës së Krujës, Albania ishte vasale e
mbretërisë së Napolit. Në zbatim të këtij traktati mbreti Alfonso V emëroi
ushtarakun katalan Raymondo D’Ortosa, i deleguar i mbretit në zotërimet e
Kastriotëve. [F. S. Noli Scanderbeg p. 100], [A. Cutolo,
Scanderbeg p. 116.] Me dekretin e 31 majit 1451, mbreti Alfonso V, dërgoi
komisar special në Albania Bernart Vaquer komandant i 100 ushtarëve në mbrojtje
të kështjellës të Krujës. [Jann Tibbets, 50
Great Military Leaders of all time. Vij Books India Private limited, 2016,
pp 571] [Athanas
Gegaj. L’Albanie
et l’invasion turque au XV-e siecle. Bureaux du Recueill, Bibliotèque de
l’Universitè, 1937, pp. 88]
Nga prilli deri në
shtator 1452, Raymondo D’Ortosa ishte guvernatori i Krujës dhe nga shtatori
deri në fund të vitit 1452 i emëruar zevendës mbreti i Albania, pra me rol
parësor në marrëdhëniet e oborrit mbretëror me Albania. Gjatë vitit 1453
Raymondo D’Ortosa ishte kthyer në Napoli, por u rikthye në Krujë, ku qëndroi
deri ne fund të muajit qershor 1454, si kuptohet deri pas pagëzimit të Gjonit
II. [C. Marinesco, Alphonse V, roi d’ Aragon et de Naples, et l’ Albanie de
Scanderbeg in Mélanges de l’ École roumaine en France I, Paris, Gamber, 1923,
pp. 1-135.]
Gjoni II Kastrioti, anëtar i Këshillit të Lartë
të Bujarëve Venedikas.
Jeta
bashkëshortore e Gjergjit me Andronikën dhe me djalin Gjoni II, kaloi mes shumë
peripecishë dhe vështirësishë të krijuara nga luftat e vazhdueshme kundër
dyndjeve të ushtrisë osmane, që e detyruan Donikën së bashku me djalin të
jetonin në malet e Arbërisë, larg rreziqeve, të mirëpritur, të nderuar dhe të
mbrojtur nga familjet malësore. Gjoni II kaloi një fëmijëri të vështirë. Në ato
rrethana të ndërlikuara edhe pse ende fëmijë, Gjoni II nderohej nga oborri
Aragonez i Napolit, që kishte organizuar dhe ceremoninë e pagëzimit, ashtu si
nderohej nga Vatikani dhe Venediku. Familja Kastrioti kishte raporte të vjetra
miqësie me Venedikun. Princi Gjon Kastrioti, ishte
aleati i Venecias dhe kishte nënshkruar marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi me
Serenissimën. Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha princit
Gjoni II Kastrioti titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i
Veneto”, titull që e gëzonin dhe djemtë e tij. Sudiuesja Dorit Raines
thekson se në vitin 1416, familja Kastrioti ishte në listën e patricëve
të Venecias. Më 28 maj 1438, Senati i Venedikut i rinjeh Princit Gjon
Kastrioti dhe djemëve të drejtat dhe privilegjet e patricit venecian. Për
kontributet e shquara në rezistencën dhe luftimet kundër dyndjeve osmane, në
vitin 1445 Senati i Serenissima, e shpalli Gjergj Kastriotin “Qytetar Nderi i
Veneto”. Në librin e Artë të patricëve të Serenissima të vitit 1463
“Le famiglie ammesse al Maggior Consiglio a titolo onorifico”, rezulton e
regjistruar familja Castriotto - Kastrioti. [Dorit Raines. Storia di
Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior Consiglio: le case del
patriziato veneziano, 1297 – 1797. In Storia di Venezia, I, 2003, pp. 3 -8]
Më 20
gusht 1463, Gjergj Kastrioti i u drejtua me një letërkërkesë Senatit të
Venedikut, për t’i njohjur djalit Gjoni II Kastrioti, të drejtat e fisnikërisë
Veneciane. Në shtator 1463, Gjoni II Kastrioti i shoqëruar nga ipeshkëvi
imzot Pal Engjëlli shkuan në Venecia, ku u prezantuan para Senatit të
Serenissima.
Më 25
shtator 1463, Senati e shpalli tetë vjeçarin Gjoni II Kastrioti, anëtar të
Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas, me diplomën e dhënë nga Dozha
Kristoforo Moro. Sanudo tregon:“A dì 25 settembrio 1463 fo preso parte
in Gran Conseio che il magnifico e potente Juan Scandarbeg, fiol del signor
Zorzi signore in l’Albania et sui eredi siano fatti del Mazor Conseio” - “Ditën
e 25 shtatorit 1463, mori pjesë në Këshillin e Madh i madhërishmi dhe i
fuqishmi Gjon Kastrioti, i biri i të madhërishmit dhe i të fuqishmit Gjergj
Kastriotit, Zoti i Albanisë, dhe si trashëgimtar i tij u bë anëtar i Këshillit
të Madh dhe komandant i kontigjentit prej 1000 ushtarësh, nën komandën e
Skendebeut (fiat et sit
nobilis de nostro Maiori Consilio, e creandolo capitaneus del contingente
richiesto di mille militi, sotto il comando di Scanderbeg).[Marin Sanudo il Giovane. Vitae dei Dogi 1423 – 1473.
Venezia 1999, Tom. 1. pp.183].
Diploma origjinale
e Dozhës Kristofor Moro, që shpalli Gjonin II Kastrioti anëtar i Këshillit të
Madh të Serenissima është ruajtur nga Markezi i Auletta (D. Antonio Kastrioti
Skenderbeg), një ndër pasardhësit e dinastisë Kastrioti në Napoli. Kjo diplomë
është publikuar nga Cutolo, më pas nga Ljubić dhe nga Monti [Monti G. M, La
spedizione pp. 319-320. Per il Ljubić, cfr. Petta Despoti p. 49 nt. 7; qui,
sempre dal Ljubić, il 28.IV.1466 la sua nomina a «capitano delle truppe
veneziane». L’arma della casada di Scanderbeg, per l’ammissione al Maggior
Consiglio, è ora riprodotta in Nadin Venezia e Albania pp. 6, 8.]
Cristophorus Mauro
Dei Gratia Dux Venetiarum etc.
Universis et singulis tam amicis quam fidelibus et tam presentibus quam
futuris presens privilegium inspecturis salutem et sincere dilectionis
affectum. Ducalis excellentia nostra (assuetis) operibus (solita celeberrime)
conversari tanto amplius personas magnificas et dignitatis honore conspicuas
prevenire studet honoribus et dotalibus ampliare favoribus quanto Ducatui
nostro amicabiliores operibus se ostendunt. Unde cum magnificus et potens
Dominus Zuanus Castrioti filius magnifici et potentis Domini Georgij Castrioti
nobilis civis veneti de nostro maiori Consilio Capitaneus expeditionis in
partibus Albanie contra Turcos semper fuerit et sit dilectissimus et
perfectissimus amicus nostris dominij sicut per laudabiles et notabiles
affectus ostendit. Notum fieri volumus (unicuique qui omne) juris consiliorum
et ordinamentorum nostrorum necessaria solemnitate servata prefatum magnificum
Dominimi Zuanum Castrioti cum eius filijs et heredibus legitime ab eo descendentibus
ad numerum et de numero nobilium nostri maioris Consilij recepimus atque
recipimus et de nostro maiori Consilio fecimus et facimus atque pro nobile et
de numero nobilium nostri maioris Consilij in Venetijs et extra ubilibet esse
volumus et tractari. Ipsum sincere benivolentie brachijs amplexantes et
firmiter statuentes quod eisdem libertatibus beneficijs honoribus et
immunitatibus quibus alij cives nobiles nostri de nostro Maiori Consilio
gaudent et perfrui dignoscuntur prefatus magnificus Dominus Zuanus et sui filij
et heredes predicti in Venetiis et extra ubique locorum plenissime gaudeant
perpetuo et utantur. In quorum omnium fidem et evidentiam pleniorem presens
privilegium fieri jussimus et bulla nostra aurea pendente muniri. Datum in
nostro ducali palatio anno doniinice Incarnationis millesimo quadringentesimo
sexagesimo tertio mensis septembris die vigesimo quinto indictione XII.
Die 25, mensis septembris 1463.
Në
këtë diplomë theksohet se Gjoni II Kastrioti gëzonte të drejtat dhe privilegjet
si patric venecian.
Më 13
dhjetor 1463, ambasadori i Albanisë në Venecia Pal Gazulli, firmosi
marrëveshjen me Këshillin e të Mençurve të Senatit Venecian, sipas të cilës, në
rast se Albania pushtohej nga turqit e në se Gjergji, Andronika Gjoni II dhe
pjestarët e tjerë të familjes detyroheshin të braktisnin atdheun, Serenissima i
vinte në dispozicion tre anije që do të ishin në gadishmëri në portin e
Durrësit dhe iu garantonte pension vjetor prej 500 dukate, mbrojtjen dhe
jetesën e lirë në trojet e Venedikut, me të drejtë të zgjidhnin banimin në një
nga ishujt, ose në një vend tjetër që dëshironin. [Giuseppe Bettinelli:
Dizionario storico – portatile di tutte le venette patrizie famiglie. Venezia,
1780, f. 48] [P. Petta, Despoti d’Epiro e principi di Macedonia, Lecce, Argo 2000] [J. Pisko, Skanderbeg.
Historische Studie, Wien, W. Frick, 1894].
Situatat e
vështira që kalonte Albania në ato vite, me sulmet e pandërprera të hordhive
osmane, përbënin rrezik për familjen Kastrioti. Në këto rrethana Gjergj
Kastrioti gjatë vitit 1467 i dërgoi Andronikën dhe Gjonin II në Itali, të
jetonin në feudet e tyre në Monte Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo, të
cilat më 14 prill 1464 mbreti Ferrante I, ia dhuroi Gjergj Kastriotit në
mirënjohje për ndihmën në mbrotjen e shtetit të Napolit në vitet 1460 – 1462
nga armiqtë e mbretërisë. Në vendimin e dhurimit të këtyre feudeve, Mbreti
Ferrante I i më 29 prill 1464 i drejtohet “shumë i shkëlqyeri Gjergj Kastrioti,
Zot i Albanisë dhe i trojeve të Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo,
këshilltari, besniku dhe shumë i dashuri si baba”. Më 12 prill 1464, mbreti
Ferrante I i akordoi Gjergj Kastriotit pensionin vjetor me 1200 dukate. [Gennaro
Maria Monte, La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i feudi
pugliesi suoi della vedova e del figlio. Palaver 4, ns, 2015 pp. 148 -151].
Në vazhdim po
prezantoj një fragment të dekretit të mbretit Ferrante I, për dhurimin Gjergj
Kastriotit të feudeve Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo: “Illustris Dominus
Georgius Castrioti dictus Scanderbech Albanie Dominus ac factus novus dominus
terrarum Montis Sancti Angeli et Sancti Joannis Rotundi personaliter prestitit
in manibus domini Regis in forma sollemnj et consueta ligium homagium et
fidelitatis debite servande sacramentum jn castello Novo civitatis Neapolis die
XIIII aprilis MCCCCLXIIII. presentibus magnifico Joanne Cayni jllustrissimi
domini Ducis Mediolanj Oratore. Roberto de Ursinis Comite Tagliacocij Albeque.
Broccardo de Persico Comite Sablonete et alijs compluribus in numero oportuno.
[Arch. Stato Napoli, Quinternioni, vol. 4, cc. fol. 196 a-200] [Gennaro
Maria Monte, La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i feudi
pugliesi suoi della vedova e del figlio. Palaver 4, ns, 2015 pp. 148 -151].
[Trinchera, Cod. Aragonese, I, p.33.] [F. Nardella, Memorie storiche di San Giovanni
Rotondo... (1894), Brescia, Tip. Artigianelli, 1961.]
Gjatë vitit 1467,
Andronika me Gjonin banuan në Monte Sant Angelo. Aty Gjoni 13 vjeçar ndoqi
shkollën në kishën e Shen Mikele, ku studioi dhe përvetësoi italishten dhe
latinishten. Në feudet e Kastriotëve, shumica e banorëve ishin arbër, familjet
e 2500 ushtarëve të cilët në vitet 1461 – 1462 luftuan në mbrojtje të
mbretërisë së Napolit dhe në përfundim të luftës nuk u kthyen në atdhe, por u
stabilzuan në Monte Sant Angelo dhe San Giovanni Rotondo, pra dhe Gjoni jetoi
në këtë mjedis arbëror. Gjoni gëzonte nderime nga familja mbretërore Aragoneze
e Napolit, nga Vatikani, nga duka i Milanos dhe i Urbinos dhe nga Venediku.
Në një dokument të
26 tetorit 1467, rezulton se Senati Venecian i dërgoi Gjonit II një dhuratë të
veçantë (missus a parte ad presentiam nostram), një mantel me qendisje ari, çka
dëshmon se dhe në moshë adoleshente, Gjoni gëzonte nderimet dhe privilegjet e
Republikës të San Marko. [Schmitt O. J. Actes inédits pp. 291. Parrebbe noto
ai Monumenta di S. Ljubić, cfr. Petta Despoti pp. 28, 49 nt. 8.]
Në janar 1468,
Gjergj Kastrioti shkoi në Lezhë, që ishte në zotërim të Venedikut dhe aty u
prek nga malarja. Kur gjendja shëndetësore u përkeqësua nga ethet, i kërkoi
proveditorit të Lezhës të merrnin Andronikën dhe Gjonin e t’i sillnin në Lezhë.
Princi Gjergj Kastrioti, Zoti i Albanisë vdiq me 17 janar 1468. Vdekja e
Gjergjit e tronditi Andronikën me Gjonin, të afërmit, tërë Arbërinë dhe miqtë e
shumtë, si mbretin Ferrante I i Napolit, Vatikanin, Venedikun, dukën e Milano
etj.
Vazhdon në numërin e ardhshëm