Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bono

| E enjte, 07.07.2005, 10:12 PM |


Gjysëm Shënjtor dhe Gjysëm Rok-Star

Më i madhi yll i rokut të sotëm është njëkohësisht edhe avokati më i madh i problemit Afrikan

Paul Hewson është i lindur më 10 Maj 1960 në Dublin Irlandë. I ati Bobby ishte punonjës poste dhe i përkiste besimit katolik. E ëma Iris shtëpiake, protestante. Kështu i zhytur thellë përbrenda dyzimit të krishterë lindi Bono që më tej gjer në ditët tona do të ngelet një ikonë roku, rrebelues, poet, këngëautor, aktivist shembullor në trajtimin e problemeve ndërkombëtare, besimtar dhe humanist i njohur.
Në moshën katërmbëdhjet vjeçare mori goditjen e parë nga jeta me vdekjen e nënës së tij. Kthetra e fatit jetësor krijoi shqyerje evidente në shpirt të djalit adoleshent i cili shndërohet në punk  dhe fillon jetën e rrugëve të Dublinit por njëkohësisht fillon të mësojë se si të shkruajë e sidomos në vargje që më tej do të bëheshin edhe platforma e këngëve të grupit U2. Por sot të dashur lexues do ju rrëfejmë një anë tjetër të medaljes.

Gjithçka filloi në vitin e largët 1984  kur U2 morën pjesë aktivisht në Band Aid dhe Live Aid ( ideator dhe inisiator i të cilave ngelet legjendari Bob Geldof ) dhe prej aty me plot sukses filluan ta shndërojnë makinën e industrisë muzikore në një arëm në funksion të humanizmit dhe problemeve që ka bota. Menjëherë pas këtyre koncerteve (1984) Bono dhe gruaja e tij Alison Stewart ( aktiviste dhe feministe e njohur me të cilën janë të martuar që prej vitit 1982 dhe kanë katër fëmijë ) shkojnë në Etiopi ku dhe me formacionet e kryqit të kuq punojnë vullnetarisht për gjashtë javë resht në trajtimin dhe ndihmesën e foshnjave të atjeshme të rrezikuara nga vdekja e sëmundjeve, urisë, skamjes dhe mjerimit. Nga kjo përvojë Bono do të kujtoj : ... Ndërsa ecën jashtë tende nëpër kamp është i tmershëm numri i fëmijëve të vdekur dhe të braktisur. Akoma më keq kur babai i fëmijës afrohet dhe përpiqet të të japi fëmijën e vet nën fjalët ... " Mere, mere fëmijën tim sepse po të jetë i yti ka për t'i shpëtuar vdekjes"   !
Që nga ky moment figura e Bono-s do të jetë e pranishme gjithandej në vijën e parë të artistëve më progresiv. 1983 - kënga "Sunday Blody Sunday" denoncon problemin Irlandez. 1984 - del në qarkullim disku "Sun City" i Artistëve të Bashkuar në turne boteror kundra regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut, ku U2 janë në rreshtat e parë me këngën "Silver and Gold"  totalisht një demaskim i shfrytëzimit të skllavëris së kohës. 1984- kënga "Pride" (in the name of love) i përkushtohet Martin Luther King , i vrarë në atentat të tipit racist për hir të bindjeve të veta liberale në raport me të drejtat humane. 1987 - të tjera shpërthime politike-sociale në muzikë me këngët "Bullet The Blue Skye"  dhe " Mothers Of The Disappeared"  protesta kundrejt regjimit të Reganit ne raport me politikën e shfrytëzimit në Salvador dhe Nikaragua. Këtu lindi edhe grupimi tjetër i Artistëve të Bashkuar për çështjen e Amnesty International së bashku me Sting, Lou Reed, Peter Gabriel, Bob Dylan, Bob Geldof, etj. Grupim ky për të cilin Bono do shprehej : ... Diçka e tillë si Amnestia Ndërkombëtare është vërtetësisht një organizim nga e djathta në të majtë, nga drita në hije e filozofisë së politikës, është gjithçka në raport me të vërtetën dhe vetëm të vërtetën , në nivelet më të larta. Nocioni i faktit se ekzistonë ende edhe sot (viti 1987) një masë njerëzish që torturohen në mënyrë naziste, është eventualisht një e vërtetë për të cilën po luftojmë. 1989- 1995 - janë vite të demaskimit të shoqerisë së konsumit dhe boshllëkut të shoqerisë të pashpirt të tregut , vite të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike në hartën e Europës me rrëzimin e Murit të Berlinit e më tej me ngjarjet e Ballkanit tonë të mundimshëm me luftën e ish Jugosllavisë. Bono erdhi në Ballkan dhe duke vizituar në 31 dhjetor 1995 bibliotekën e djegur të Bosnias. Aty lindi ideja e dhënies së një koncerti për të ndaluar gjakderdhjen dhe ndihmuar popullsinë civile por fatkeqsisht lufta ishte në kulmin e saj dhe një ide e tillë ishte e pa mundur. U desh të vinte viti 1997 ndërsa e bukura Mis-Sarajevo Inela Nogiç i dërgon një ftesë me fax Bono-s ku e fton të rivijë në Bosnia.
Shtatori i vitit 1997 në Kosovo Stadium të Sarajevos shënon një nga pikat më nevralgjike ku muzika ndërthuret si asnjëherë më parë me elemente politike, luftën, klithjet humane për liri dhe barazi. Dhjet mijë trupa të Kombeve të Bashkuara mbronin të rrethuar stadiumin nga ndonjë bombardim i mundëshëm serb ! Ky koncert nuk ka ngelur vetëm në historinë e rokut por është i vetmi dhe me plot gojë momenti më i spikatur në historine e Ballkanit. Dy-tre vjetë më vonë ndërsa shpërtheu lufta e Kosovës sekuencat e videos së këngës " Miss Sarajevo" ( kompozuar nga bashkpunimi me një nga figurat më madhore të mbas-skenës produktive të U2 , Brian Eno ) dhe duetit me Luciano Pavarotin, do të ngelet edhe sotë një himn kushtuar paqes dhe bukurisë humane nën komentin e tyre ... Kjo këngë ka në vetvete elemente më tepër surealistë ( si vet lufta)se sa në të vërtetë ne jemi përpjekur të bëjmë në këtë kohë në realitet. Ata (popullsia e Bosnjes) e bënë festimin e Miss-it të tyre në bunker ! Ata e ruajtën bukurinë humane në zemër të konfliktit gjakderdhës duke i treguar indiferencës së botës gishtin e mezit me nënteksin "Ndoshta Ju Na Keni Harruar , Por Ne Jemi Ende në Jetë , Në Paradën Tonë të Bukurisë që Mbijeton" !

1998 - Bono-n me shokët e vet e gjejmë në Santiago të KiIit teksa ringreh edhe njëhere problemin e familjeve të personave të zhdukur nga diktatura e Pinoçetit. 1998 - përsëri në qendër të diskutimit të konfliktit Irlandezo-Verior në Belfast. 1999- takohet me shkëlqesinë e tij Papa Gjon Palin ku diskutojnë problemin e ndihmave humanitare për botën e tretë. Jubileu i vitit 2000 e gjen Bono-n në tryezën e bisedave politike për shlyerjen e borxheve të botës së trete si dhe rihapjen e problemit Afrikan. Ish presidenti Bill Clinton do të kujtojë ... Asnjëherë nuk kam për ta haruar kur sekretari (Lawrenc) erdhi në zyrën time dhe më tha "Zoti President a e njihni një person të çuditëshëm të veshur me bluxhins dhe bluzë rokeri, që m'u prezantua me një emër të vetëm (Bono), që kishte në kokë ide interesante. A dini diçka për të?" ...

Ndërsa Paul O'Neill ish sekretari i thesarit të shtetit do të kujtojë ... Refuzova të takohem me të në fillim. Mendova se do të ishte një pop-star që donte të shfrytëzonte pozitën time. Por mbas nëntëdhjet minutash diskutim kuptova se kam të bëjë me një njeri serioz. Dikë që thellësisht është i proekupuar kundrejt angazhimeve të veta sociale. Dhe e dini çfarë ? Bono është jashtzakonisht i përgatitur dhe i vendosur për këtë problem" ...

Vet Bono shprehet ... Poezia nuk mundet të bëjë asgjë. Jam i lodhur duke ëndëruar. Kështu po e jetoj momentin. Përngjan e gjitha kjo me faktin e të paturit sukses dhe të rendësh më tej pas tij. Gjithçka që mundet të them për U2 është fakti se ata janë në kërkim të të pamundurës me këngët e tyre. Politika është arti i së mundëshmes. Janë dy gjëra tepër të ndryshme dhe jam i kacavier në mes të të dyjave tashti. Shndëroj në muzikë gjëra të cilat nuk më lënë të bie në gjumin e lirisë time personale. Mësova për Amerikën e Jugut nga këngët e grupit punk-rock the Clach . Aktualitetin e të qenit aktual e mësova nga grupi the Sex Pistols. Por kjo është një kohë tepër e largët nga ditët tona ku jam duke negociuar me Kongresin Amerikan dhe partnerë Evropiano Perëndimorë si dhe vendet e tjera të zhvilluara për problemet e botës së tretë dhe Afrikës. Nuk është e thjeshtë. Muzika nga njëra anë ka rolin e saj sepse ngre emocionalisht njerëzit rreth e qark. Por shpesh nuk është e mjaftueshme. Bota shndërohet me forcën e mëndjes e më tej me atë të zemrës...

Dhe kështu ende edhe sotë historia e legjendës vazhdonë në ditët tona me faktin që Bono është i pari dhe i vetmi rok-star i rekomanduar për çmimin Nobel të Paqes ! Një kontraditë por edhe përputhje perfektshmërisht evidente kjo me vargjet e këngës së tij "Peace on Hearth"  :

I sëmurë nga lutjet
Jam i sëmurë nga dhimbja
I sëmurë duke dëgjuar përsëri,  përsëri
Që një ditë Paqja mbi Tokë do të vij...

Flurans Ilia