E premte, 24.03.2023, 10:30 PM (GMT)

Kulturë

Sibora Goga: Mihai Eminesku

E merkure, 18.01.2023, 08:16 PM


Mihai Eminesku

Nga Sibora Goga

Mihai Eminesku lindi më 15 janar 1850 dhe jetoi një jetë të shkurtër, e megjithatë të mjaftueshme për të gdhendur emrin e tij lavdishëm në trungun shekullor të letërsisë europiane deri në ditën e vdekjes së tij më 15 qershor 1889. Ishte një poet romantik rumun nga Moldavia, romancier dhe gazetar, i konsideruar përgjithësisht si poeti rumun më i famshëm dhe me ndikim.Edhe pse i konsideruar si një romantik i vonë në një Europë ku gradualisht po fuste kindat modernizi me poetë si Sharl Bodler dhe Stefan Mallarme, Eminesku arriti t’i këndonte romantizmit odenë e fundit.

Romantizmi është një periudhë letrare jo më pak komplekse se personazhi i autorit të njohur, ndaj dhe ai është biri i fundit i një periudhe letrare të vrullshme.

Eminesku është një prej atyre personazheve karizmatike që i shmanget zbulimit, thua se kjo do ia shterojë poezinë brenda tij e kjo enigëm e tij lidhet drejt për së drejti me lidhjen e parë të çdo individi me realitetin e ekzistencës. Nuk flas për asgjë më shumë se për aludimet rreth ditëlindjes së vërtetë të autorit rumun. Qarkulluan disa versione. Si adoleshent, Eminesku kishte shënuar 20 dhjetorin 1849 si datëlindjen e tij në të dhënat e Junimea, një shoqëri letrare me bazë në Iasi. Arkivat e shkollës së mesme Cernăuţi, që pati pas ndjekur Eminesku, shënojnë 14 dhjetorin 1849 si datëlindjen e tij. Kritiku letrar rumun Titu Maiorescu, themeluesi i Junimea-s, ka paraqitur datën 15 janar 1850, duke përdorur kërkimin historik të N. D. Giurescu, i cili përfshinte një dosje me datat e pagëzimit të një kishe në Botoshani, vendlindja e Emineskut. Motra më e madhe e Emineskut, Aglae Drogli, gjithashtu konfirmoi datën. Sidoqoftë nuk do të doja kurrsesi që t’ia zbulonim Emineskut këtë trill prej romantiku, një artisti të këtyre përmsave i intereson më fort ti ndjehet jehona e të tilla vogëlsira si dita e lindjes dyshoj se do e shqetësonte.

Si shumë prej gjenive letrarë, që ka njohur letërsia ndër shekuj edhe Eminesku ka lulëzuar herët. Poezinë e parë e botoi kur ishte 16 vjeç. Poema De-as avea (Po të kisha) u shfaq më 25 shkurt 1866 në revistën Familia (Familja). Studimet e tij me në fokus historinë, politikën, ligjin e sidomos filozofisë patën mjaft ndikim në drejtimin e krijimtarisë së tij. Prirja filozofike në poezinë e Emineskut mbart në mënyrë të pagabueshme linja lidhese me dy prej filozofëve më me peshë europian, Artur Shopenhauer dhe Emanuel Kant, të cilët ,siç e ka cilësuar dhe kritika, kanë luajtur rolin e shtigjeve filozofike drejt një romantizmi të pjekur dhe me ndikim të pamatshëm.

Ambicioz dhe iniciator në pikëpamjet e tij Eminesku kreu një sërë punësh të ndryshme gjatë jetës së tij. Në vitin 1867 u punësua pranë një kompanie teatrore. Midis 1877 dhe 1883 ai punoi si gazetar për të përditshmen Timpul, gazeta e Partisë Konservatore. Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i gazetës midis viteve 1880 dhe 1881. Ai kontribuoi me artikuj në disa gazeta dhe revista të tjera të kohës, mes tyre Albina, Familia, Federațiunea, Convorbiri literare dhe Curierul de Iași. Në gusht 1874 ai u emërua drejtor i Bibliotekës Qendrore të Universitetit në Iasi. Ai punoi gjithashtu si mësues ekzaminues dhe inspektor shkolle për qarqet Iasi dhe Vaslui. Një CV mjaft e pasur për një poet shumëdimensional të shekullit të XIX.

Poezitë e Emineskut trajtojnë tema të tilla si natyra, dashuria, nostalgjia, por gjithashtu përfshijnë komente sociale. Një nga veprat e tij më të shquara poetike është Luceafărul (përkthyer në mënyra të ndryshme si Vesper/Ylli i mbrëmjes/Luciferi/Ylli i ditës). Konsiderohet kryevepra e tij dhe një arritje unike në letërsinë rumune. Vepra të tjera të njohura përfshijnë Odă în metru antic (Ode në Metrin e Lashtë) dhe Pesë Letrat (Letra/Satire). Këto janë edhe veprat që studiohen gjerësisht në shkollat rumune për risitë dhe vlerat që i kanë shtuar artit letrar. Vepra e tij letrare përfshin edhe prozën. Ai shkroi fragmente të një romani (Geniu Pustiu) dhe novelat Sărmanul Dionis, La aniversară, Cezara dhe Făt-Frumos din lacrimă.

Kur flet për një poet, e sidomos për një poet romantik si Eminesku i prirur drejt ndjenjave të larta të kësaj bote, nuk ka se si të shpëtojë pa u përmendur jeta sentimentale e tij. Lidhja e dashurisë së Emineskut me poeten rumune Veronika Micle ishte më e rëndësishmja e tij dhe zgjati që kur u takuan, në 1872 në Vjenë, gjatë gjithë jetës së tyre. Ajo që nisi si miqësi, pasi Veronika ishte e martuar kur u takua për herë të parë me Emineskun, u shndërrua në një lidhje të trazuar. Në pamundësi për të përballuar vdekjen e Emineskut në moshën 39 vjeçare, Veronika kreu vetëvrasje vetëm dy muaj pas vdekjes së të dashurit të zemrës.

Ironikisht, si në lindje, dhe në vdekje Eminesku refuzon të jetë diçka tjetër veçse enigmatik. Se çfarë e shkaktoi vdekjen e tij është e paqartë dhe disa versione qarkulluan në atë kohë, duke filluar nga një sulmues i shqetësuar ose një infeksion e deri te një gabim mjekësor ose helmim me mërkur. Gjatë gjithë jetës së tij, ai vuajti nga episode depresive dhe disa burime flasin për një diagnozë të sifilizit. Ndërroi jetë në Bukuresht. Ai është varrosur në varrezat Bellu, ku prehen shumë personalitete të tjera të rëndësishme rumune.

Dorëshkrimet e Emineskut janë përmbledhur në 46 vëllime. Kritiku Titu Maiorescu ia besoi Akademisë Rumune në fillim të vitit 1902. Përkthimet e veprës së tij janë të disponueshme në disa gjuhë, mes tyre anglisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, italisht, hindu, arabisht dhe hungarisht.

Për një autor, një letrar vdekja nuk është kurrë tragjedi, por asgjë më shumë se një ndenjëse e përjetshme në tribunën e historisë, e cila si plakë e vjetër e patundur që është kurrë nuk ia dorëzon bijtë e saj errësirës së harrimit. I trazuar paqësisht, Mihai Eminesku, fle në gjirin e kujtesës artistike letrare si jo shumëkush. Gjuha e poezisë së tij do të vazhdojë të tundi themelet e ndjeshmërisë humane për shumë breza të tjerë, që do të kenë mundësinë e paçmuar për ta njohur.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora