Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefqet Xh. Hysa: Dashuria e Tanës

| E shtune, 27.05.2023, 07:56 PM |


DASHURIA E TANËS

NGA SHEFQET XH. HYSA

Të gjithë barinjtë, që ruanin e barisnin bagëtitë, dinin t‘i binin fyellit. Qeni, krraba dhe fyelli ishin shokë të pandarë për bariun. Ata, që në fillim, kur mësonin fyellin i njihnin katër “avazet” (meloditë e tij) dhe secili përpiqej t‘i lozte sa më bukur ato. Avazi i madh i fyellit është një melodi e shtruar në formën e një kabaje. Avazi i kambanave është imitimi i këmbanave (kumborave) që bariu krijon me tigujt e fyellit tij. Lahija është avazi më kumbues i fyllit, ku bariu shpreh gjithë kënaqësinë e tij për jetën, bukurinë e kopesë, natyrën e gjithçka që e rrethonte. Por melodia që luhej më me pasion ishte “Avazi i Tanës. Ata, kur mësonin fyllin, mësonin edhe historinë e ardhur nga lashtësia ndër breza, për dashurinë e Tanës me bariun.

Tana, një vajzë e re, eshtë dashuruar marrëzisht me bariun e punësuar nga babai i vet, aq shumë saqë çdo melodi që lozte bariu në fyell, ajo arriti t’i përkthente në fjalë, sikur bashkëbisedonin. Ai, me fyell, e lajmëronte gjithmonë vajzën në takim. Një natë në mbrëmje, bariut i shkojnë hajdutët në stan. Vrasin qenin, lidhin djalin pas lisit dhe kapin dashin që udhëhiqte kopenë. E therin dashin dhe e vënë në hell. Bariu iu lut hajdutëve ta lironin sa t‘i binte pak fyellit, pastaj t‘i bënin ç’të donin. Meqë s'kishte nga shkonte, ata e lirojnë. Bariu merr fyellin, ngjitet lart në lis dhe i bën thirrje vajzës:

“Tanë, Tanë, e mira Tanë,

Zgjoje nënën dhe babanë,

Se hajdutët në stan m’kanë ardhë;

Mua lidhur në lis më kanë.

Qenin kërpic (i zi) të parin vranë,

Dashin ogiç në hellë e kanë.

Tanë moj, e mjera Tanë,

Zgjoje nënën me babanë! “

Vajza, sapo dëgjoi fyellin, menjëherë zgjon nënën dhe babanë; u tregon ç’ka ndodhur në stan dhe nisen menjëherë për te bariu. Djalin e gjejnë lidhur pas lisit, qenin të vrarë, ndërsa hajdutët sapo ishin larguar…

Babai më në fund e marton vajzën me bariun e punësuar, që e bëri si djalë të tij. Kjo ishte historia e Avazit të Tanës, që çdo bari e kishte mësuar dhe mundohej ta luante sa më bukur me fyellin e tij. Që nga ajo kohë historia e Tanës mbeti jo vetëm melodi për fyellin, por edhe këngë, që këndohet edhe sot nga të rinjtë jo vetëm në Dumre, por edhe në krahina të tjera.

Një histori e tillë, disi e çuditshme (apo një histori dashurie si e Romeos dhe Xhulietës) ka ndodhur edhe në Belsh, disa breza më parë. Çdo familje kopetë e bagëtive asaj kohe i mbante në stane. Djemtë që ruanin kopetë, atje kalonin më të shumtën e kohës edhe ushqimi shpeshherë u dërgohej nga familjarët. Bariu, për të cilin tregojnë, ishte nga dera e Hysajve. Stanin e kishte në tokën e tij në kodër dhe Monrenë, tokë e papunuar (djerrë) që lihej për kullotë të dhenve në ditë shiu e dimri. Ajo kufizohej me një familje të lagjes tjetër.

Bariu çdo ditë lëshonte tufën e dhenve nga Varoshi, deri në mbrëmje kur i sillte në vathë. Pasi rregullonte bagëtinë, ndiznte zjarrin bubullak (kur ishte ftohtë) merrte fyellin e gjithë kënaqësi i numëronte avazet e tij. Sido që i binin fyellit shokët e tij, ky ishte bërë mjeshtër në interpretimin e melodive baritore. Ndodhte shpesh që kalimtarët ndalonin në vend për ta dëgjuar fyellin e tij. Tana (kështu po e quajmë vajzën e lagjes tjetër) kishte shtëpinë në kodër përkarshi stanit të bariut dhe gardhi i ndante me Monrën e tij aty afër. Ajo kishte kohë, por sa vinte e më shpesh, donte t’i dëgjonte meloditë e fyellit tij.

Një natë bariu po lozte për qejfin e vet, melodinë e Tanës. Vajza në dhomë flinte me motrën e saj më të vogël. E përgjumur, sapo dëgjon fyellin, çohet me kujdes e hap lehtë dritaren. Vështron andej nga kodra përballë, ku stani dukej si në pëllëmbë të dorës nga ndriçimi i hënës (plot pesëmbëdhjetë) asaj nate Vjeshte. Sa bukur kumbonte kjo melodi! E dëgjoi deri në fund fyellin e bariut, që ushtonte atyre grykave. U shtri për të fjetur, por gjumi iu largua. Po mendonte ta takonte djalin dhe t’i lutej për ta dëgjuar nga afër atë melodi.

Të nesërmen ajo merr motrën e vogël dhe shkojnë për lëmishte (degëza të thata, shkarpa) për të ndezur zjarrin. Ky qe shkaku që të merrte leje nga shtëpia. Merr motrën e vogël, shkojnë nga Varoshi dhe i afrohen vendit ku bariu kulloste kopenë. Vajza filloi të mbledhë lëmishte, duke hedhur vështrimin shpesh nga djali, por nuk guxonte ti fliste. Bariu, djalë i ri, i shëndetshëm, shtatlartë, që i shndriste fytyra, e vuri re vështrimin e vajzës, u afrohet afër tyre dhe u flet:

-Ç'po bëni aty moj goca?

–Po mbledhim lëmishte,- përgjigjet njëra nga ato, duke e vështruar rrëmbimthi drejt në sy djalin dhe uli kokën. Fytyra iu ndez prush. Seç ndjeu një drithërimë që i përshkoi gjithë trupin, saqë nuk i kishte ndodhur ndonjëherë një gjë e tillë.

Djali qëndroi më këmbë për pak kohë, mbështetur në krrabë, duke vështruar herë tufën e dhenve e herë vajzën, që ulej e ngrihej lehtë - lehtë si flutër, duke mbledhur degëza të thata. Dhentë, duke kullotur, po largoheshin. Bariu u thotë vajzave mirupafshim dhe largohet pas tufës. Vajza e ndoqi me sy nga pas, deri përtej. Mbushi krahët me shkarpa, më pak motrës së vogël dhe nisen për në shtëpi.

Nga larg të dy ishin parë dhe herë të tjera por, kaq afër saqë t’i flisnin njeri-tjetrit ishte e para herë. Vajza kishte dëshirë ta zgjaste bisedën, por ishte motra e vogël, që mund të tregonte në shtëpi. Edhe djali kishte ndrojtje të zgjaste bisedën, se mos i zemëronte vajzat, sepse ishte turp të bisedoje me vajza.

Në mbrëmje mori bagëtitë nga kullota, i dërgoi në stan dhe, pasi i mbylli në vathë, shkoi në kasollen e vet. U shtri të çlodhet, por nuk i shqitej nga mendja vajza. Me atë trup të harlisur, veshur bukur me linjë të bardhë, bokshen me vija të bardha e bojëqielli, mëngët e qendisura me rruaza dhe gufësin (jeleku me krahë), që ia hijeshonte gjoksin e gufosur, me trupin e drejtë si selvi dhe në napën e bardhë borë në kokë, që i mbulonte flokët (por jo fytyrën e rrumbullaktë) që rrezatonte gjithë nurin e bukurisë.

U shtri për të fjetur, por nuk ndjehej i qetë, se mendjen e kishte diku larg. Ajo vajzë e kishte rrëzuar që në shikimin e parë dhe i kish plagosur zemrën. Çohet merr fyellin, dhe me gjithë dufin e gjoksit, fillon me avazin e Tanës. Edhe vajzës iu largua gjumi. Sapo dëgjoi fyellin, ajo çohet menjëherë dhe hap dritaren, duke dëgjuar deri në fund melodinë që i pëlqente më shumë. Bariut i lindi dëshira për ta parë e takuar më shpesh vajzën. Filloi t’i kullosë dhentë gjysmë dite andej nga Varoshi, e gjysmën tjetër i sillte në Monrën me bar, që ishte afër shtëpisë së vajzës, gardhi i ndante e cila gjente rastin më të lehtë të takoheshin më shpesh.

Një ditë vajza i kërkon djalit të luajë në fyell melodinë që pëlqente më shumë. Filloi ai me Avazin e kambanave (kumborat). Jo, i thotë vajza, një tjetër.

Djali e kuptoi dhe filloi Avazin e Tanës, me gjithë mjeshtrinë e tij.

Pasi e dëgjon vajza deri në fund, i thotë:

-Kjo melodi më pëlqen më shumë.

–Kjo është një melodi e hershme, e cila quhet Avazi Tanës, i shpjegoi djali.

– Po kush është Tana?, - Pyet vajza gjithë kureshtje.

Djali fillon e tregon tërë historinë e dashurisë të Tanës me bariun.

–Eh! Lumë ata që i paska dashur Zoti.

-Edhe ne na do,- ja kthen djali.

–Ti mirë e ke, por mua më ka fejuar babai që e vogël dhe nuk di, cili është dhe si është djali. Po ti je fejuar?, - pyet vajza djalin

-Jo, - përgjegjet ai, -nuk më ka dalë fati.

Bisedonin e hidhnin vështrimin njeri-tjetrit dhe, sa herë shikoheshin në sy, u ndizej fytyra flakë. Vajzës sa më shumë ditë vinin, i shtohej sevdaja për djalin dhe zilia për Tanën. Meloditë e Tanës sa herë i dëgjonte, i dukej sikur e ftonte djali në takim.

Kur i krijohesh mundësia për t’u takuar, ajo lante shaminë e bardhë dhe e vinte për t’u tharë në një pemë në oborr, për t’i thënë djalit  “dua të të takoj”. Kjo ishte shenja që e kuptonte djali…

Erdhi Pranvera, moti u ngroh, pylli u gjelbërua dhe kodrat e lëndinat u mbushën plot me bar e trendelinë.

Gjatë ditës bariu dhentë i kulloste në Varosh, që kishte bar me bollëk dhe në mbrëmje i kthente tek Monra, ku kishte ngritur vathën e re. Kështu vepronin të gjithë barinjtë; ngrinin vathët gjatë Verës në tokat djerrë, për t’i plehëruar, që të kishin bar më shumë në dimër. Edhe kushuriri i vet e kishte ngritur vathën jo larg prej tij. Vajzës tani iu shtua mundësia për të krijuar raste takimi me djalin edhe për një arsye tjetër. Rikat (pulat e detit) i kishin nxjerrë zogjtë e tyre (kishin dy-tre javë) dhe për pak ditë ata do të delnin në Varosh për kullotë. Kjo punë për rritjen e gjelave të Detit iu besohej vajzave.

U mëkëmbën zogjtë dhe vajza “Tana” (kështu i pëlqente ta quante veten), i nxori për kullotë. Ata hanin bar të njomë dhe vraponin nëpër lëndinë për karkaleca, që i kishin aq shumë qejf. Tana gjithë gëzim u këndonte këngën e tyre:

“Tuj, tuj, tuj ju Gjela Deti,

nga t’ju çoj unë e shkreta?!

Në ato fusha e shkurreta

Të hani bar e karkaleca.“

Vazhdonte:

“Të keqen dada ju mor' gjela,

Ju ka dada si harabela...!“

Dhe më pas trembte hutin -Huu-hu...!

Sa e lumtur ndjehej vajza kur zogjtë vraponin nëpër fushë me cicërimat e tyre dhe bariu më tej ia thoshte me fyll avazit të Tanës, sikur e ftonte “Dua të të takoj”. Vajza  merrte me vete edhe punëdore, të pregatiste pajën e saj.  E kishte mësuar nëna, të qendiste me rruaza e temina, të qepte gjergjef e mushabak , apo të thurte tantellë. Kishte mësuar të punonte edhe në tezgjah, pëlhurë për linja, bokshe e lëvere, me fije të hollë pambuku e liri. Të dy Të rinjtë po takoheshin më shpesh tani ( jo vetëm ditën, por edhe në mbrëmje) kur bariu mbyllte tufën në vathë, afër shtëpisë së vajzës. Ata asnjëherë nuk i thanë me gojë njeri-tjetrit “të dua”, por zemra ua dridhëronte gjoksin dhe fytyra u flakërohej, kur shikoheshin në sy, edhe pse porositë e nënave për të rinjtë, (veçanërisht për vajzat) ishin që të ruhen nga sevdaja (dashuria) sepse është turp për to. Dashuria vjen pas martese.

Por vajza nuk donte t‘ia dinte; ajo mendonte vetëm për bariun. Ata u dashuruan marrëzisht. Ajo ndonjëherë, kur gjente rastin në mbrëmje pas darke, linte motrën e vogël në gjumë, largohej me kujdes, kalonte shtegun dhe shkonte në kasollen e bariut, qëndronte pak kohë dhe largohej pa u diktuar. Bariu, sa herë vinte vajza në kasolle, i dhuronte një dorë me lule trëndeline plot aromë kundërmuese, që i mblidhte gjatë ditës enkas për vajzën. Të dy bashkë bisedonin me mall për  dashurinë e  lumturinë e tyre, (herë-herë të përqafuar). Një natë, ashtu të përqafuar, i ze gjumi. Një fshatar (pa zbardhur mirë dita) kalon aty afër dhe i shikon të dy në kasolle. Vajza, sapo zgjohet, largohet me të shpejtë, futet në dhomë pa u ndjerë dhe shtrihet. Motra ishte në gjumë. Asnjeri se vuri re lëvizjen e saj. Fshatari që i pa nuk e mbajti të fshehtën e të rinjëve, por e bisedoi andej-këndej, deri sa i ra në vesh babait të vajzës. Bariu, me që u hapën fjalët, iu lut në shtëpi vëllait të tij më të madh (babain nuk e kishin) që të dërgonte njerëz ta kërkonin vajzën për martesë. I vëllai dërgon njeriun e duhur (lajmësin) për ta kërkuar vajzën, por babai i vajzës nuk pranoi. Ndërhyjnë edhe miqtë e vllazëria për të mos e prishur këte dashuri. Ai nuk pranoi. E kishte të pamundur të thyente zakonin. Vajzën e kishte të fejuar prej vitesh në një fshat tjetër dhe nuk mund ta prishte miqësinë për sevdanë e vajzës. I dërgon lajmin mikut që për tri javë të marrte nusen, ose do ta martonte në vend tjetër. Krushku u gëzua shumë dhe filloi përgatitjen për dasmën e djalit.

Ai e kishte kërkuar edhe më parë ta bënte dasmën, por merrte përgjigjen nga krushku se: Nuk jemi bërë gati. Kështu vajzës iu ‘pre dita dhe, kur caktohej dita e dasmës, zakoni nuk lejonte, që ajo të delte jashtë për asnjë arsye. Të dy të rinjtë u pikëlluan, por më shumë bariu, të cilit nuk i hiqej nga mendja vajza, që vuri sevda për herë të parë. U ndërprenë në mes ëndrrat e bukura Të rinjve që kishin thurur për lumturinë e jetës së tyre. Nuk kishin asnjë mundësi takimi e veprimi. Familja e djalit u vu në lëvizje me miqtë e saj, për ta fejuar sa më parë djalin, sepse po e shikonin shumë të shqetësuar. Për dy javë u gjet vajza në një lagje tjetër afër, në Belsh. Shpallën fejesën dhe u bisedua që për dy muaj të bënin dasmën. Vajzën e mbyllën pa pritmas në konakun e saj dhe vetëm qante: jo aq për të afërmit e saj, me të cilët do ndahej, sesa për djalin që deshi dhe e dashuroi, që kur e takoi herën e parë.

Afroi dita e dasmës. Vajzën e bënë gati, i sistemuan pajën në arkë dhe i vunë kënanë. Ditën e dasmës e rregulluan, e bënë nuse, gati për ta marrë krushqit. Erdhën krushqit me kuajt e tyre dhe u pritën sipas zakonit jashtë në fushën afër shtëpisë, shtruar me hasra, (rrogoza) për t‘u ulur miqtë. Pasi bëjnë urimet me nga një gotë raki, marrin edhe nga një valle; në fillim ata të shtëpisë, pastaj krushqit. Ndërkaq gratë e bëjnë gati vajzën, i vënë duvakun e kuq mbi kokë, të zbukuruar me lule e degëza ulliri dhe e nxjerrin në oborr, duke qarë me ngashërim. Pastaj e hipën në kalin e bardhë të zbukuruar enkas për nusen me rruza e shami. E përcjellin familjarët, duke e mbajtur për krahu, siç e do zakoni,  deri në kufirin e fshatit...

Djali, i pikëlluar, kishte dy javë që nuk ndjehej mirë. Me zor po ndiqte kopenë e tij në kullotë. Nuk i hahej e nuk i flihej, veç mendohej gjithë kohën. Nuk i hiqet nga mendja vajza me atë shtat të bukur gjithë nur e hijeshi. Edhe pse e fejuan, ai nuk u gëzua fare. Sa ditë kalonin, ai dobësohej. I flisnin shokët (kushuriri i qëndronte afër) duke i thënë që të mos e mbante mendjen më te vajza, ta hiqe sevdanë prej saj.

Ajo u martua, shkoi te fati i vet dhe ti do të martohesh me fatin tënd. Asnjë fjalë nuk i bënte dobi  bariut, por vetëm tretej e ligështohej më shumë.

Një ditë në mëngjes kushuriri hapi vathën dhe lëshoi kopenë e tij për kullotë. Po dilte dielli dhe tufa e djalit ishte ende në vathë, duke blegërirë për të dalë në kullotë. I thërret tri-katër herë, por ai nuk u përgjigj. E la kopenë dhe shkon të shohë çka ndodhur. Bariun e gjen pa ndjenja që po digjej nga temperatura e lartë. Lajmëron familjen dhe ata e marrin me vigë e dërgojnë në shtëpi. Ndihmë mjeksore nuk kishte dhe nuk dinin çtë bënin. Për pak ditë bariu ndërroi jetë, me marakun në shpirt për vajzën që e deshi aq shumë. Disa thanë vdiq nga tifo, të tjerë thanë nga sevdaja për vajzën. Pas një jave të martesës, sipas zakonit, vajzat kthehet te prindërit për tri ditë (ose pesë) sa të caktonte familja e burrit. Ajo po e priste këtë ditë me padurim për t’u takuar edhe një herë me bariun që e deshi shumë; të këmbenin dy fjalë e të çmalleshin. U ndanë papritur e pa u takuar dhe ishte në merak se nuk dinte asgjë për të. Sapo erdhi atë ditë, u fut në dhomën e saj. Motra e vogël pa pritur të ulej i tregoi menjëherë se bariu vdiq. Vajzës iu errësuan sytë; po i merreshin mend, me zor gjeti forcë që u ul në minder. I tha motrës të dilte pak jashtë sa të hiqte rrobat. Mbylli derën nga brenda dhe shpërtheu në lot me dënesë, për të nxjerrë atë maraz, që iu mblodh si lëmsh në gjoks. Nuk pushonte së gulçuari nga dhimbja që i pushtoi gjithë trupin atë çast. Gati e përhumbur, kur nëna trokiti në derë për t’u takuar e çmallur me gocën e vet, fshiu lotët mblodhi veten, për të mos i rënë në sy nënës, u çua dhe hapi derën...

Në Dumre edhe më parë kishin ndodhur ngjarje të rralla dhe të veçanta, por zakonet ishin më të forta se dashuria. Ishte turp dhe mëkat i madh dy Të rinjëve që të martohen me dashuri.

Për këto zakone këndohej edhe një këngë:

“Naze, Naze vetull kaleshe,

djalin e parë pse se deshe?!

Unë e desha po s'ma dhanë,

s'ma dha nëna me babanë”.

Ndërsa barinjtë krijuan këngën me fyell për shokun e tyre, si me avazin e Tanës:

“Moj sevda, sevdajë shkretë,

fute djalin tretur në dhetë"...

*Ngjarja është e vërtetë me personazhe realë.

Kur u tregova disa të rinjve këtë histori, ata më thanë:

-S‘është e mundur. Nuk vdes njeri nga dashuria.

-Po, - u thashë, keni shumë të drejtë, por që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra në jetë. Sot vërtetë nuk vdes njeri nga dashuria sepse, ka vdekur dashuria nga njeriu. Dashuria është kthyer në lodër. Për atë kohë martesat, edhe pse me ndërmjetës (lajmës), dashuria ishte e vërtetë, e shenjtë në familje; me besa-besë dhe askush nuk i ndante të rinjtë, veç vdekjes.