Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Midis shpërthimit të Vllaznisë dhe mpakjes së Partizanit…

| E marte, 30.12.2008, 12:52 PM |


Vllaznia
Midis shpërthimit të Vllaznisë dhe mpakjes së Partizanit…

Nga Besnik Dizdari

1.

Kampionati 70-të Kombëtar i futbollit, i themeluar më 1930 sidomos falë skuadrës së Shkodrës, në gjysmë të rrugës së tij ka marrë drejtimin për te Qyteti i Futbollit, lart në Veri. Antipodi i këtij udhëtimi është Partizani, dikur i Ushtrisë Popullore, i cili me shumë lojtarë shkodranë ka arshivuar në një histori mrekulluese të tij 15 tituj të Kampionit të Shqipërisë. I futur mbrenda këtyre dy kufijve të kaheve të ndryshme, Kampionati i 70-të të cilit në 10 vjetët e fundit (1999-2008) kryeqyteti i ka rrëmbyer 8 nga 10 titujt e rradhës (SK Tirana 6 + Dinamo 2) në ftohtësinëe ecurisë së tij të ngadalshme të Shekullit XXI, duket se kërkon të ndërmarrë një rrugëtim tjetër. Dhe me dy vendime të pamshirshme: me titullin e Kampionit drejt Shkodrës dhe me përjashtimin e rreptë prej shoqërisë së tij të vjetër, të 15 herë kampiones me emrin Partizani.

Po për hir të së vërtetës, të guxosh të përcaktosh apo parashikosh kësisoji 16 javë para mbarimit të tij, edhe pse shkodranët kryesojnë për 5 javë rresht dhe se Partizani është në fund po tash 5 javë rresht - e kësisoji në vendosjen e tyre në këto skaje të largët midis vedi i bashkon dita e 29 nëntorit 2008 - prap të duket tejet e guximshme.

I përshkuar prej rënies së SK Tiranës, kryesuese e pandërprerë nga Java 4 deri te e 12-ta, për të mbërritur te hovi i Teutës, te zgjimi i Flamurtarit të ri prej Edmond Liçajt, apo te uljengritjet e Besës dhe përparimi i Flamurtarit e deri te paraqitja disi enigmatike e KS Elbasanit dhe te rënia e butë e Dinamos, Kampionati i 70-të, megjithate, mbetet ende i padeshifruar plotësisht.

Eshtë një Kampionat me numrin më të paktë të golave, diçka rreth 1.80 për ndeshje më e ulta e 34 vjetëve të fundit (më 1973-74 ishte 1.67 gola për ndeshje). Dhe vështroni për një çast: vetëm 6 skuadra kanë shënuar 1 gol për ndeshje. Ndërsa 6 të tjerat janë nën 1!

Eshtë një Kampionat me numrin më të pakët të spektatorëve në histori, as 2000 për ndeshje, një Kampionat me shkarkime të vazhdueshme trajnerësh, deri tash 21 trajnerë të ndërruar! Një Kampionat ende me shfaqje të papranueshme etike në stadiumet, dhe në fund të fundit, një Kampionat me një promovim të nivelit të ulët kulturor, ai asesi nuk ngjan si një Kampionat jubilar. Me ahistori e harresë të paraardhësve të tij, me një nxitje uniform në TV, në radio e gazeta, nuk mund të themi se ky Kampionat ka një rritje sado të vogël në krahasim me të të tjerët e viteve të fundit. I fryrë deri në skaj me bumin e skuadrave të forta si SK Tirana apo dhe Dinamo, që aq shpejt u shua - një shuarje ende e paspjegueshme - i çrregullt në financat e tij herë të ngritura në qiell e herë të rëna për tokë, Kampionati i 70-të, nuk po sjell diçka të veçantë që të të bindë se futbolli mbrenda tokës arbnore ecën në kahun evropian.

E megjithate Vllaznia. E vetmja risi e tij. Një risi befasuese, të cilën trajneri i saj Agim Canaj, i cili vjen prej një kulture futbolli të Vlorës dhe sidomos të Dinamos, dy “krahina” shqiptare të sportit tonë nobël, që asnjëherë nuk i kanë shërbyer Vllaznisë së Shkodrës, hap mbas hapi ka sendërtuar një rrugë për te një titull i mundshëm për Shkodrën sportive. Siç kemi titulluar diku, në fund të fundit, Vllaznia vetëm shpalos titullin. Sepse me gjithë epërsinë në pikë, ende është tepër larg për të paracaktuar ne, Kampionen e Kampionatit të 70-të jubilar të Shqipërisë. Janë përpara edhe plot 16 javë për t’u luajtur. Logjika dhe alogjika e Kampionatit, ka dhënë gjatë këtyre 17 javëve një shembull kuptimplotë përmes rastit të Sportklub Tiranës: në fillim u paracaktua si një e pa rival teksa në Javën 8, më 25 tetor 2008, ndodhej 6 pikë mbi Vllazninë, po e cila tash është Kampione e Dimrit 2008-09! Madje në epërsi joshëse mbi mëtuesin më të afërt që është mu Sportklubi i mësipërm.

2.

Ajo ishte dhe është një Vllazni e cila në 8 ndeshjet e fundit kishte marrë 7 fitore dhe vetëm 1 barazim, dhe e cila mbrenda këtyre 50 ditëve ka përmbysë gjithë parashikimet kampionale, edhe pse të nxitura tejet sidomos prej një shtypi sportiv më tepër i afërt me qarqet e Tiranës.

Nuk është e lehtë të spjegohet se si u bë e mundur që drejtimi i Kampionatit të kalojë në duart e Vllaznisë, kur përveç të tjerave, dihet se ajo hodhi në treg tre lojtarët më të mirë të saj: Teli, Lika, Sukaj, të cilët tash janë pjesë e Kampionatit të Turqisë! Kësisoji, nuk na duket se është kaq e lehtë të gjejmë sekretin e këtij ndryshimi befasues të Skuadrës së Veriut. Nuk ka dyshim se rënia e SK Tiranës, po aq befasuese në kahun tjetër, futbolli papritmas disi i lodhur i saj, u bë një “armë” jo e drejtpërdrejt në duart e Vllaznisë. Skuadrës shkodrane, e cila mbasi eliminoi Nënkampionen e Sllovenisë, NK Koper, ia arriti të sillte në Shqipëri, Napolin e Italisë, të cilit iu dorëzua në mënyrën më të arësyeshme të mundshme, padyshim që edhe kjo pjesëmarrje i ka shërbyer jo pak.

Ndërkaq, nuk mund të themi se Kampionati i Shqipërisë është diçka e prerë me thikë sa për t‘iu trembur dikuj. Vllaznia nga ana e saj është bindur se një skuadër që ka titullarë të saj një Elvin Beqiri apo një Grimë, një Lici apo një Belishë, një Osja apo një Dhëmbi, e mbi të gjitha një Sinan, nuk ka pse të tutet. Ndoshta nuk ia arrijmë të spjegojmë, se si ndodhi që mbas humbjes në Kavajë, asaj të 25 tetorit 2008, gjithçka të ndryshojë kaq fort për mirë.

Dyshja Sinani – Dhëmbi në bashkimin e saj në sulm qe me sa duket, lëvizja që ngatërroi gjithë skuadrat, teksa Vllaznia e shndërroi ate në një dyshe sulmuese, edhe pse Dhëmbi, korçari i cili në gjithë këto vite ka ndërruar plot 4 skuadra - Skenderbeu, Partizani, Dinamo, Vllaznia - me gjithë aftësinë e tij për të shënuar befasisht në çaste qetësie, nuk është një sulmues mirëfilli. Rikthimi i Elvin Beqirit të Kombëtares në “tokën nanë”, mundet që të jetë shkaku i dytë i kthesës shkodrane. Në një kohë që shkëmbimi Tiranë – Stamboll që solli në Shkodër lojtarin e Gençerbirligi nga Gana, James Boadu, për fat i një stili tradicional të Vllaznisë - teknikë, futboll sulmues, krijues - duket se krijoj një baraspeshë të vërtetë teknike në lojën e skuadrës shkodrane. Pa harruar ndërkohë, rininë e saj: Smajli 23 vjeç, Basic 24, vetë Boadu 23, Guri 21, madje deri edhe te dy 17-18 vjeçarë si Rraboshta dhe Bala.

Ajo është një Vllazni, që përveç të tjerave, mbas kaq vitesh ka hyrë në psikologjinë e vlerësimit deri në skaj të ndeshjeve me “të vegjlit” e Kampionatit. Rasti i fitores 4-1 në Lushnje dhe asaj 2-1 në Fier, te një Apoloni gjithsesi rinore tek e cila Vllaznia shkoi pa E.Beqirin, pa Dhëmbim, pa Nallbanin, pa Belishën, pa Kaçin po e po, e provojnë argumentin tonë. E Fierit ishte e 5-ta fitore në 6 ndeshje. Qe dukë si një fitore e rradhës. Nuk është mu kështu. Ishte një fitore e qëndrueshmërisë së madhe, që rriti tejet besimin te skuadra e Shkodrës.

Tashmâ ajo po paraqiste një baraspeshë teknike dhe fizike të të gjithë atyre javëve që sot mund të themi se të gjitha së bashku mishërojnë një Vllazni mëtuese e titullit. Dhe në ndryshim nga gjithë të tjerët formacioni shkodran përbën skuadrën më “vendase” të Kampionatit. Eshtë e vetmja skuadër që në 90 përqind përbëhet nga lojtarë të dalë nga farishtja e saj e pashterrshme e futbollit, çka ia ruan besnikërisht stilin dhe traditën e saj, një dukuri që thuajse ka humbur te të gjitha skuadrat e tjera shqiptare, të cilat kërkojnë jashtë mase të rrëmbejnë “kultura” të tjera futbolli, pa patur aftësinë për t’i përftuar ato, duke prishur jo pak “kulturën”e tyre tradicionale.

Emblema shkodrane duket qartë se është Vioresin Sinani, 31 vjeçari, i cili mbërrin në kuotën e 187 golave në 318 ndeshjet e tij në Kampionate – rekordmen ende në fushën e lojës, sepse Fortuzi me 169 gola në 282 ndeshje ka mbetur mbas. Mjafton të vështrosh ritmikën e këtij shënuesi për kah shifrat, për të kuptuar se ai iu rri pranë më të mëdhenjve të Shqipërisë në këte zhanër: Lushta, Resmja, Jareci, Pano, Jashari, Pernaska, Kola, Fortuzi - sa për të përmendur kryeshënuesit më tipikë të më shumë se 1 here në Kampionatin Shqiptar. Ecuria e shënimve të tij në 6 kampionatet e fundit është spektakolare:

2002/03 SINANI - Vllaznia * 18 gola!
2003/04 SINANI - Vllaznia * 36 gola!
2004/05 SINANI - Vllaznia * 15 gola!
2005/06 SINANI - Vllaznia * 13 gola!
2006/07 SINANI - SK Tirana * 23 gola!
2007/08 SINANI - Vllaznia * 20 gola!

Në një vështrim tjetër, Vllaznia, mbetet nën “kontrollin” e punës stërvitore dhe drejtuese të trajnerit Agim Canaj, i pari trajner nga Vlora për Shkodrën, i cili ka mbështetjen e drejtimit të klubit shkodran me në krye presidentin Valter Fushaj, prej mendimeve të të cilit gjithnjë del një vrull i tanë optimizmi.

Kështu ecën logjika e ndryshimit, qoftë dhe përkohësisht, të kahut të rrugëtimit të gjatë për te titulli i 70-të i futbollit në Shqipëri. Në lojë janë edhe plot 16 javë dhe mund të përmbyset gjithçka. Tash Vllaznia do të ketë një gjendje shpirtërore krejt tjetër, sepse nga ndjekëse ajo është shndërruar në udhëheqëse, e, psikologjikisht kjo është më e vështira. Do t’i sulen të gjithë. Dhe kur kujton se Shkodrës gjithmonë i janë sulë, do t’i sulen disi edhe me “egërsi”, pa mëshirë me skena e mbrapaskena. Si përherë…

3.

Duke iu kthyer paksa historisë, mësojmë ndërkaq, se është hera e parë që Vllaznia kryeson Kampionatin e Shqipërisë mbas Javës 14, sa për të marrë një shembull tipik. Për herë të fundit ajo ka qenë kryesuese e mbas Javës 14, para 17 vjetëve: 15 dhjetor 1991. Java 14 e Kampionatit 1991-1992. Nuk pat zbritur më deri më 17 maj 1992, kur mbas fitores dëfryese 5-2 në Fier, është bërë Kampionia e parë e Shqipërisë Demokratike. A.Dani, H.Dedja, A.Noga, Z.Shpuza, A.Gruda, B.Gruda, A.Lika, E.Bilali, R.Bisha; por dhe A.Premçi, D.Nako, G.Filipi, A.Halili, V.Gjuzi, B.Bizi, I.Keçi. Trajner Astrit Hafizi së bashku me Esat Rakiqin dhe Paulin Ndojën. Këta janë emrat që shpejt stili i sotëm gazetaresk shqiptar i ka harruar. Me 20 gola të asaj stine, në Edmir Bilalin ajo kishte edhe kryeshënuesin e Kampionatit. Dhe qysh atë vit, Vllaznia nuk ka mundur të fitojë më shumë se edhe dy herë titullin e Kampionit, për të fundit herë më 2001. Ishte për të 9-tën here. Tash ëndërron titullin Nr. 10 në Kampionatin e 70-të jubilar…

Eshtë ajo që thotë Koliqi: “Ândrra âsht e bukur e s’dishroj me u zgjue…”.

Do ta zgjojë vetë realiteti i Kampionatit, një realitet që do ta ndjekë pa mëshirë javë për javë, kryesuesen e re nga Shkodra. Dhe mund të ndodhë që fjalën ta marrë forca e historisë, që mund të mbërrijë mu prej atij, skajit të fundit të Kampionatit, 15 herë kampionit Partizani, i cili është mu në fund, skuadër e famshme shqiptare, e cila një herë, më 2001, ka pa edhe kategorinë e dytë dhe që është bërë gati ta shohë për herë të dytë mbrenda kësaj dekade të parë të Shekullit XXI. E ndjen, e kupton se ky nuk është shekulli i tij. I tij ishte ai tjetri, Shekulli XX, shekulli i Partizanit të Ushtrisë Popullore: 15 herë i pari, 19 herë i dyti, 8 herë i treti – shifra këto që nënkuptojnë se në 70 Kampionate të Shqipërisë ai ka qenë plot 42 herë në podiumin e medaljeve të arta, të argjenta dhe të bronzta, çka kurr deri më sot FSHF-ja jonë e datura më 1930 edeh ajo, nuk ia arriti t’i ligjronte e t’i shpërndante për hir të nderit të futbollit!

Do të mund të kemi kësisoji, një Kampionat që mund të shpërbëjë kreun prej një trysnije që mund të vijë nga fundi?

Situata duket dramatike. Partizani do të kërkojë të shpëtojë lavdinë e mbi 815 ndeshjeve të fituara në 62 vjet jetë të tij në Kampionatin Kombëtar, prej të cilave 1 (një) e vetme i përket Kampionatit të 70-të në plot 17 Javë – rekord absolut i tij për një gjysmë Kampionati, si dhe plot 8 herë i fundit në Renditje, gjithashtu një rekord më vete i tij!

Kështu, duke iu sulur atyre që shpirti ia thotë se mund ta shpëtojnë përpara se t’i sulet KS Lushnjes, Apolonisë apo Bylisit, me një fjalë, më të fortëve, do t’i duket vetja si dikur, si gjithmonë i fortë midis të fortëve. Aty është toka e Anteut pëpr te.

Ndonëse nuk duket kështu megjithate, ndonëse Partizani, mund të luajë një rol. Dhe rolet kah fundi, si ai figuranti që papritmas shfaqet në epilogun e dramës duke bartë mbi supe një verdikt befasues, shpesh janë vendimtare edhe në futboll. Dhe si në kundërshtim të rreptë, le të jemi të pamshirshëm të paktën një herë: është e vështirë që Kampionati të mund të pëfitojë diçka prej dramës partizanase. Aq më tepër kur merret me mend se ajo që quhet periudha (faza) e dytë e Kampionatit, do të sundohet kryesisht prej interpretimeve të reja të të tjerëve. Kjo do të thotë se mund të ndodhemi në pritje të këtyre dukurive apo ndodhive:

Kthesa e Sportklub Tiranës.

Shpërthimi Dinamos.

Ambicjet e reja të Besës.

Plani “i fshehtë’ i Teutës.

“Euforia” e Flamurtarit të ri.

Forca e fushës së pamposhtur të Peqinit.

Sulmi i KS Elbasanit.

Siguria e Bylisit

Dhe në fund dueli Fier –Lushnje, me ose pa pjesëmarrjen e Partizanit.

Mandej do të shohim nëse do t’i rikthehet apo jo, Kampionatit të tij të 70-të publiku braktisës shqiptar…

G. Tema