E enjte, 28.03.2024, 09:40 PM (GMT)

Kulturë

Faik Smajli: Përshtypje nga libri me tregime “Kohëpërfytje” i Prof. Hazir Mehmetit

E marte, 23.05.2023, 07:29 PM


Hazir Mehmeti me Faik Smajlin, Bedri Tahirin dhe Kreshnikun te Ura e Gurit Vicianë

Përshtypje nga libri me tregime “KOHËPËRFYTJE” i Prof. Hazir Mehmetit

(Vështrim i përgjithshëm, pa iu futur në hollësi tregimeve veç e veç)

Nga Faik SMAJLI

Nëse do t’i afroheshim një lloj definicioni të tregimeve të shkurtëra, ato janë shumë të shkurtra në të cilat trajtohet një temë e vetme. Në përgjithësi, ato nuk kanë kufizime në temën e duhur dhe variojnë nga histori të trilluara deri tek tekste të një natyre sugjestionuese ose të pazakontë. Mikro-historitë pothuajse gjithmonë anojnë nga çështjet e mbinatyrshme ose përshkrimet e një realiteti mbresëlënës.

Sido që të jetë, dy elementët themelorë brenda kësaj nëngjinie letrare janë origjinaliteti dhe konkretizimi. Në këtë mënyrë, historia e shkurtër do të ketë aftësinë të befasojë ose të pushtojë lexuesin (dhe nuk do të jetë një rrëfim "i harruar lehtësisht"). Kjo do të thotë se autori duhet të ketë aftësinë të fiksojë lexuesit e tij nga fjalia e parë deri në fjalinë e fundit.

Një histori e shkurtër nuk ka të njëjtën hapësirë për të zhvilluar përshkrime të mjedisit krahasuar me zhanret e tjera letrare (të tilla si romani, për shembull), rrjedhimisht, nuk ka vend për të prezantuar personazhet në thellësi dhe nuk ka kohë për të reflektuar në motivimet e thella të tyre. Dhe në përputhje me rrethanat, zhvillimi i tregimit është shumë i ngjeshur. Pra, tregimtari (Autori) zbret nga makro (romani) në mikro (tregim), qofte tregim më i gjatë apo më i shkurtër, dhe bënë një përmbledhje të thukët.

Së pari, tregimet e Prof. Hazir Mehmetit të përmbledhura nën titullin epik; “KOHËPËRFYTJE” na dëshmojnë se janë autentike, njerëzore, të përjetuara, në kohë dhe hapsirë reale. Autori është brenda konturave të tregimit, që u cekën më lartë, të cilat tregime kanë edhe hyrjen, zhvillimin dhe denoncimin, ose përfundimin.

Së dyti, tregimet janë të shkruara me një gjuhë të pasur dhe të pastër, me një gjuhë letrare dhe artistike të admirueshme, me një stil të veçantë, gjë që na dëshmon se autori ka kulturë dhe njohuri të gjërë e mbreslënëse rreth letrave shqipe, dhe në këtë mënyrë na dhuron tregime të rrjedhshme, të kuptueshme, me narrativë të duhur, të qartë dhe tërheqëse që të mbesin gjatë në kujtesë.

Vetëm tutilli i librit “Kohëpërfytje” (pa hyrë në tregime veç e veç) na kumton një dramë, një luftë e përpjekje epike për qëndresë, mbijetesë – instinkti parësor i njeriut. Pastaj, kur futemi në brendësi të tregimeve na shfaqen tablotë e plota të dramave, të ngjarjeve, të përsonazheve, të heronjve autentikë, e që janë njerëzor, të butë e të dashur dhe në të njejtën kohë të ashpër, qëndrestarë e të paepur deri në fund, ashtu siç e kërkon koha.

Fat të tillë kanë ata popuj dhe ata njerëz që me dhunë të egër gjenden nën pushtim, në robëri, pa pasur mundësi normale për një jetë të lirë, pa brenga e pa drama të mëdha dhe janë të detyruar të përfytën me kohën zezonë, me dhunën e varfërinë, deri tek kafshata e gojës. Eshtë vetë tregimtari (autori) që i përket këtij populli, popullit të tij të robëruar dhe gjithë kjo dramë i përplaset mbi kurriz. Në fakt, në përgjithësi, vetë tregimtari është Heroi qëndror (Petriti) që edhe në rastet kur duket se nuk është në qendër të betejës ai është aty, është pjesëmarrës e dëshmitar i tyre, sepse janë familjarët, të afëmit, shokët e miqtë e tij në këto beteja, dhe ai jep kontributin e tij në këtë kohëpërfytje.

Tregimet kanë vijimësi dhe pashmangshëm lidhen me njëra - tjetrën, sepse ato përmbajnë edhe një lloj biografie të vetë tregimtarit që na e shpërfaqë atë që nga fëmijëria e deri në ditët tona e që është gati një jetë e tërë. Aty janë pashmangshëm përsonazhet e familjarëve, e gjyshërve, prindërve, axhallarëve, kushurinjëve, farefisit më të gjërë, bashkëfshatarëve, shokëve të fëmijërisë, miqve e bashkëpunëtorëve. Tregimet e ngjarjeve që zhvillohen në fshatin e tij e që tregimtari e quan me emër madheshtor “Tokëlartë” na shpërfaqin autoktoninë tonë të lashtë në trojet tona, lidhjen e pazgjidhshme me truallin, me tokën e të parëve. Përmes dialogjeve të përsonazheve na shfaqen elemente baladash, këngët e vallet, tregime të moçme shqiptare, besime e bestytni shumë të vjetra, na shfaqen festa e veshje, kode e tradita te trasheguara në shekuj etj. Gjithçka frymon shqip, që nga emrat e njerëzve, mjeteve të punës, botës bimore e shtazore e deri tek toponimet e trevave tona.

Po ashtu, trajtohet emigrimi, dëbimi i njerëzve me dhunë (kjo plagë e madhe e jona nëpër shekuj), ikja dhe kthimi, qoftë i përkohshëm (Stamboll, Detroid, Sarajevë, Kanada a Austri etj.), por edhe lidhja e pandashme shpirtërore me atdheun, malli për tokën e të parëve. Na shfaqet gjithë filozofia e një populli të lashtë e që historia nuk ishte aspak bujare me të, por që nuk ia shuajti dot qëndresën, luftërat, krenarinë dhe nuk e zboi dot nga toka e tij e shenjt.

S’kishte si të mungonte as lufta e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa dhe heroizmi deri në sakrifica sublime, siç janë tregimet “Bali Met” e “Postieri”, që janë tregime reale, pa trillime e ekzagjerime e që mbeten dëshmi e referenca autentike historike të një kohëpërfytjeje.

Gjithë kjo gamë përplasjesh e përfytjesh të një kohe të shkuar, jo edhe shumë të largët, na shfaqet si në një film a dokumentar, si në një pikturë të madhe a shumë piktura sëbashku dhe si të thuash përmblidhet në një arkivë të vogël si referencë historike për kohët dhe gjeneratat e ardhshme. Lexuesi i ri ka mundësinë të mësojë shumëçka për ato kohëra nëpër të cilat ka kaluar një popull, populli ynë.

Edhe tregimet që janë të shkëputura nga vendlindja dhe të vendosura në një atdhe të dyte, në Austri, qoftë edhe ato pas periudhës së luftës, nuk e shkëpusin as një herë lidhjen shpirtërore e fizike me tokën e truallin e të parëve – Kosovën. Edhe pse i detyruar të emigrojë si shumë bashkatdhetarë tjerë jep kontributin e tij të çmuar nga larg e nga afër për njerëzit dhe atdheun e tij dhe jo vetëm. Përsonazhet e këtyre tregimeve janë të mirëintegruar në shoqërine evropiane dhe nuk janë më përsonazhe të ndonjë province të varfër e të harruar, por janë të krahasuar dhe japin kontribut të çmuar kudo në shoqëritë e zhvilluara e të përparuara evropiane e më gjërë, deri në fjalën e fundit të shkencës, siç është tregimi “Bija e dijes”.

Në tregimin “Miku” shohim dashurinë dhe respektin për mikun, dashamirësin e ndihmësin e kauzës sonë (shkrimtarin e njohur austriak Prof. Peter Paul Wiplinger, por edhe për misionaren e njohur bamirëse, zonjushën Gerdtrude që ka shërbyer me vite në Shqipëri) e që është një ndjenjë humane, njerëzore e falenderuese, për mikëpritësin e mikëpritës të tjerë, sikurse është rasti edhe tek tregimi “Shportë miqësie” me Kristinën që i gjenden pranë në kohë të vështira, duke e ndihmuar kur ajo ka nevojë.

Në tregimet e Prof. Hazir Mehmetit hasim edhe ndjenjën e dashurisë së pastër që kurorëzohet me dasmën e martesës së Erës dhe Edit, tek tregimi “Era dhe Edi”. Jeta vazhdon me gjithë peripecitë dhe gëzimet e sukseset e saj… Po ashtu, kemi edhe çaste humori, ironie e sarkazme (figura e mjete këto të letërsisë artistike) në tregimin “Kokërdhia”.

Libri, që nga fillimi e deri në fund të mbërthen me epikë e lirikë sëbashku, ashtu siç është edhe vetë jeta, nëpër kohë furtunash e nëpër kohë më të qeta, dhe nuk të lëshon pa i shkuar deri në fund.

Tashmë mund të themi me gojën plotë se Prof. Hazir Mehmeti zë vend të merituar në prozën e shkurtër shqipe. Ky është libri i tij i dytë dhe presim edhe prurje tjera me vlera artistike dhe estetike në të ardhmen.

Londër, Maj – 2023



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora