E marte, 23.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Kulturë

10 protestat më të çuditshme

E hene, 29.12.2008, 05:56 PM


Mes një morie listash që revista prestigjioze u ka servirur lexuesve të saj gjatë këtij fundviti, ndoshta më shumë interes nga të tëra shkakton ajo e dhjetë protestave më të çuditshme, të cilën nuk kish se si ta kryesonte ndonjë rast tjetër veç atij që së fundmi zuri ekranet e rrjeteve televizive të së gjithë botës, kur një gazetar irakian lëshoi drejt kokës së Presidentit amerikan që të dyja këpucët e tij. Në këtë listë janë disa shtetarë të bërë pre të protestave sa origjinale po aq edhe të çuditshme. Por ato nuk i rezervohen vetëm këtij rangu individësh; në kohë është protestuar në forma të çuditshme ndaj ligjeve, ndaj autoriteteve shtetërore, ndaj artistëve madje edhe ndaj biznesmenëve. Më poshtë, po ju rendisim ato dhjetë protesta që sipas revistës amerikane "Time" janë edhe më të çuditshmet:

1. Protesta e gazetarit irakian

Gazetari televiziv Muntadhar al-Zeidi, që në mes të një konference shtypi, tashmë të famshme, hoqi të dyja këpucët, duke goditur me to Presidentin amerikan Xhorxh Bush. Ishin reflekset e jashtëzakonshme të Presidentit ato që i hoqën mundësinë gazetarit irakian të godiste në shënjestër, duke qenë se u kishte dhënë edhe trajektoren e duhur.

2 Protestat për zgjerimin e aeroportit Heathrow të Londrës

Thuajse menjëherë pas publikimit të planeve për zgjerimin e aeroportit Heathrow të Londrës, grupet ambientaliste u hakërryen, pasi për ta kjo do të thoshte më shumë ndotje e ngrohje globale. Gjithsesi, protestat nuk arritën ta ndalnin zgjerimin e aeroportit, por me hapjen e një terminali të ri në vitin 2008, disa qindra protestues hynë në aeroport për të treguar mospëlqimin e tyre në mënyrë shumë origjinale.

3 Jo kodit të veshjeve në aeroporte

Administrata Federale e Aviacionit Amerikan vendosi këtë vit ndalimin e veshjeve joserioze nga ana e punonjësve të saj. Kështu, u ndaluan takat e larta, minifundet, xhinset etj. Kjo gjë nuk u pëlqeu aspak 15 punonjësve. Në shenjë proteste, një prej punonjësve shkoi në punë me pantallona jeshile, me xhaketë kafe të shkëlqyeshme e me flokët të lyer ngjyrë blu. Disa punonjës të tjerë meshkuj zgjodhën një mënyrë edhe më kreative proteste: u veshën si femra.

4 Protesta për mirëmbajtjen e rrugëve

Kur banorëve të qytetit të vogël amerikan Saskaçuan u erdhi në majë të hundës që autoritetet lokale nuk tregonin vëmendje për mirëmbajtjen e rrugëve, vendosën të protestonin, duke u zhveshur tërësisht. Rezultati ishte një kalendar i krijuar me foto të banorëve të qytetit teksa pozonin nudo anës rrugëve. Protesta duket se dha rezultate, pasi gjatë këtij viti, autoritetet vendosën të lëvronin fonde për mirëmbajtjen e rrugëve.

5 Protesta e baballarëve të divorcuar

Në tetor të vitit 2003, dy baballarë britanikë vunë në shënjestër tarracën e Gjykatës Mbretërore për të protestuar kundër keqtrajtimit të meshkujve gjatë gjyqeve të divorceve. Që të dy burrat, pjesë e shoqatës "Baballarët për drejtësi", morën masat për këtë veprim, duke marrë me vete ushqime e ujë për një javë. Megjithëse asnjë nga burrat nuk pati pasoja ligjore prej veprimit, shoqata thuajse u shpërbë në vitin 2006, kur u mësua se disa pjesëtarë të saj kishin bërë plan të merrnin peng birin e Toni Bler.

6 Protesta kundër Presidentit Alberto Fuxhimori

Për të protestuar kundër fushatës për rizgjedhjen e Presidentit Alberto Fuxhimori, gratë peruane grumbulloheshin rregullisht në sheshin kryesor të Limës për "të larë" flamurin e vendit "të ndotur" nga politika e pistë e shtetarëve të tij. Falë një prove të pakundërshtueshme, Fuxhimori u largua drejt Japonisë, nga ku dha edhe dorëheqjen. Por u ekstradua për në Peru, pasi shkoi në Kili në vitin 2005. Sot, gjendet në burg i dënuar për abuzim me pushtetin, ndërkohë që po përballet edhe me akuza që e lidhin me skuadrat e vdekjes.

7 Sulmi me tortë ndaj Bill Geits

Megjithëse nuk është njeriu i vetëm i goditur publikisht me tortë, sulmi ndaj biznesmenit Bill Geits mbetet gjithsesi ndër më të famshmit. Incidenti ndodhi në vitin 1998 në Bruksel, para se Geits të takohej me disa liderë të tjerë të rëndësishëm të biznesit botëror. I tronditur, po pa asnjë lloj dëmtimi fizik, Bill Geits nuk kërkoi ndjekjen personale të njeriut që e sulmoi.

8 Shuplaka në fytyrën e Gorbaçovit

Ndërsa rënia e Bashkimit Sovjetit u prit me brohoritje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropën Perëndimore, shumë njerëz në Rusi u zemëruan thellësisht me liderin që e çoi shtetin drejt demokracisë dhe kapitalizmit. Ish-presidenti vendosi të kandidonte për kreun e shtetit edhe në vitin 1996. Por kjo ambicie nuk u prit fort mirë. Në një prej vizitave në Omsk, në fushatë e sipër, një 29-vjeçar i papunë arriti t‘i afrohej aq shumë Gorbaçovit sa edhe i dha një shuplakë në fytyrë. Ai i tha policisë se kishte vendosur ta kryente atë akt pasi mendonte se reformat e Gorbaçovit i kishin bërë dëm Rusisë.

9 Përqeshja e Maorit ndaj mbretërorëve britanikë

Zyrtarët amerikanë janë familjarizuar tashmë me Dun Mihakën, nga Zelanda e Re, aktivist për të drejtat e njeriut dhe pjesëtar i etnisë Maori. Ai e prezantoi veten për herë të parë në vitin 1981, duke përqeshur princin Karl dhe princeshën Diana gjatë një vizite në Zelandën e Re. U përpoq t‘i afrohej edhe kolonës së makinave që shoqëronin pesë vite më pas mbretëreshën Elisabetë, por furgoni i tij, i zbukuruar me fytyra që përqeshnin, nuk mund të kalonte pa u vënë re nga policia, e cila e ndali me shpejtësi. Megjithatë, mbretëresha nuk mundi t‘i shpëtonte një sulmi me vezë gjatë po atij udhëtimi.

10 Incidenti gjatë ceremonisë së çmimeve "Oskar"

Pavarësisht se punësohen komikët më të famshëm, ndonjëherë ceremonia e ndarjes së çmimeve "Oskar" është me të vërtetë e mërzitshme. Por nuk rezultoi e tillë në vitin 1974, kur një 33-vjeçar hyri krejt lakuriq në sallë, tamam në çastin kur aktori Deivid Niven po prezantonte Çmimin Filmi më i Mirë. Në sallë, ai kishte hyrë falë një distinktivi fals si gazetar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora