E premte, 19.04.2024, 12:12 PM (GMT+1)

Mendime

Gjergj Marku: Nënë Ferideja dhe Ndueja që qepi gojën

E marte, 30.12.2008, 01:48 PM


Nënë Ferideja dhe Ndueja që qepi gojën

Nga Gjergj Marku

“DREJTËSIA” TEK TË VARFRIT

Nënë Ferideja është akuza më e rëndë që i bëhet mënyrës sesi funksionojnë ingranazhet e shtetit shqiptar. Fjalët mëshirë dhe drejtësi, prej vitesh nuk kanë më kuptimin e tyre njerëzor tek ne. Dhe, nënë Ferideja është vetëm një prej viktimave. Ka mijëra të tjerë jashtë vëmendjes së medias dhe politikës, të rënë në grackën e varfërisë që u ka gatitur shteti i tyre. Detyrohen të mbijetojnë në një mënyrë a tjetër. Kavie eksperimentale të barkngimurve në udhëheqësinë e këtij vendi.

Barkngimur që nënat, gjyshet, familjarët, miqtë e tyre nuk i kanë si nënë Ferideja. Miqtë e tyre janë tjetërsoj. Bën vaki, mes tyre ka edhe nga ata që pikërisht në saj të drogës, posedojnë pasuri marramendëse, pa u hyrë ndonjëherë gjemb në këmbë për paligjshmërinë.

Në familjet si ajo e nënë Feridesë, mëson shumë. Mëson se ka qindra të varfër pa mbrojtje, të cilët qëndrojnë në burgje vetëm se nuk kanë pasur asnjë mundësi të blejnë “ligjin” dhe njerëzit e vendosur tek porta e tij.

Një nga këto raste e kemi publikuar dhe në gazetë. Bëhet fjalë për një të burgosur në burgun e Shënkollit, i cili në privim të të drejtave të tij, realizoi grevën e urisë më të rrallë në burgjet shqiptare, duke kaluar me gjilpërë qepëse nëpër buzë një fije peri. Nuk kaloi nga goja për disa ditë as ushqim, e as ujë.

Para pak ditësh na ka drejtuar dhe një letër të gjatë, ku tregon arsyet e qepjes së buzëve, dhe arsyet e kalljes në burg. Quhet Ndue. Ka zbritur nga fshati Fan i Mirditës për në Linëz të Tiranës, ku bleu një shtëpi dhe 5 dynym tokë me paratë e bëra në emigracion. Gjithçka me dokumente të hipotekuar, të paraqitura në komunën Dajt.

Por, pas 11 vitesh, tokës i “del një pronar tjetër”. Ia zaptojnë truallin e blerë, duke i ndërtuar dhe një shtëpi në oborr. Njofton në policinë e Tiranës dhe policinë ndërtimore. Merret fillimisht vendimi për prishjen e ndërtimit të uzurpuesit, por më pas askush nuk e zbaton këtë urdhër. Mungesa e zbatimit të ligjit, shteti që nuk vepron, sjell dramën e mëpasme.

Më 6 korrik 2002, Ndues pa mbrojtje shteti, i shkojnë në shtëpi me armë, i prishin murin rrethues. Me armën e agresorëve Ndueja plagos ata për vetëmbrojtje. Për këtë vepër penale dënohet me 10 vjet burg. Në shtëpi i ndodh pak më pas edhe diçka tjetër. Djali 13 vjeç zhduket. Figuron i zhdukur, edhe sot e kësaj dite.

Në vetminë e qelisë, ky qytetar vendos të mbyllë gojën me pe. Nuk është e vështirë të kuptosh se dhe Ndueja është viktimë e mosfunksionimit të shtetit, institucioneve të pronësisë e më tej. Një njeri që me mund e djersë i kishte vënë punët për vijë si shtetas i lirë i këtij vendi, pikërisht nga prezenca e shtetit të korruptuar deri në palcë, e paguan shtrenjtë, në vend t’i gëzohej këtij mundi dhjetravjeçar. Ashtu si në rastin e Feridesë, qepja e buzëve me pe e këtij të burgosuri, është akuza që thërret për të bërë një katarsis të plotë. Duhet marrë në mbrojtje qytetari!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora