Kulturë
Resmi Osmani: Jerina Dushmani
E shtune, 07.01.2023, 08:15 PM
JERINA
DUSHMANI
Novelë nga Resmi Osmani
Prolog
-A ta ka sjell’ hera m’e pa
kund varzën e Lek Dushman zadrimorit?
-Jo,bre, as kam uzdajë me e
pa. Por pse pvet?
-Njashtu sa për t’u gjend
n’llaf.
-Thon se asht shum,
shum e bukur.
- Heu!Ma e bukur se Mara,
cuca e princit tonë Pal Dukagjinit?
-Mara asht m’e bukra e
Ulpianës dhe Dardanisë, Jerinës si gjendet kund shoqja as në faqe t’dheut!
-Ç’ka je tu thanë bre
dashamir?
-Ajo i thotë hanës dil të
dal, ftyra e saj shndrit si drita e dillit, shtati i saj si çetinë zabeli, floku i saj si fije arit,qafa e giat
si suta e malit,buza kuq si shega, syni si ngjyra e qillit,qerpiku si krah
dallndyshe, zani si gurgullima e gurrës.
Thuj se s’e ka lind nana , por zana.
- I ka ardh koha m’u martue?
- I ka mbush tetmbdhet
prandverat. E lakmojn princa e fisnik buljarë. Jerina Dushmani ka katër të
mira: princeshë, ma e bukra në faqe të dheut, fëmijë i vetëm dhe trashëgimtare
e principatës së Dushmanëve, Zadrimës
dhe Pultit.
-Pse s’thue, kush njaj
fatbardh ven kunorë me Jerinën, merr nji thesar!
-Qashtu qe besa, po mos
thuj, që bukuria se ka sherrin mbas vedi!
Nga biseda e dy malësorëve
dukagjinas.
Sardenjë,
kuvendi i Motrave Karmelitane, pranverë, 1468
Për ju që s’më njihni, e më
shihni në këtë kuvend të shenjtë, veshur me zhgun të zi, rubë të bardhë mbi kye
e sandale në këmbë e zbathura, Jam princesha Jerina Dushmani, bija e vetme e
Lek Dushmanit princ i Zadrimës dhe
Pultit në Arbëri.Këtu më thërresin motër Irena.
Bëni durim, të dëgjoni , ato
ngjarje që dua t’u rrëfej, e t’i ndaj me ju.
Mëngjes
pranvere.
U zgjova. Mëngjesi më kumton
se ka ardhur dita e re me: një rreze dielli që hyn nga dritarja e qelës, dhe me këngën e zogjve që e kanë ndenjjen në
qiparisat e anësavllisë së kuvendit. Që larg vjen zhaurima e suvalave të detit,
zhaurima e mbretërisë së ujit, e vjetër sa bota që, s’na ndahet as ditë as
natë. Ditë e re. Ditë si gjithë ditët që vijnë e ikin. Stinë pas stine e vit pas viti. Të përhinjta, të përvuajtura,
të zymta, si të një bote tjetër, që e bëjmë të duken ndryshe , rituali i
përditshëm i lutjeve të përshpirtshme drejtuar Hyjit, pjesë e murgjërisë sonë.
Ditë pa asgjë të veçantë, asnjë çast fluturak gëzimi, veç thinjave që mi
shtojnë flokëve dhe rrudhëzave që po më
ravijëzohen ballit e fytyrës. E gjithë bota ime dhe e simotrave murgesha
karmelitane, që i jemi blatuar Zotit, gdhihet e ngryset e mbyllur brenda mureve
të ftohta, të këtij kuvendi të shënjtë.
Qëndrova edhe pak në
ngrohtësinë e shtresave, pastaj u çova. Trupi më është rënduar, eshtrat më
therin, duket se po troket pleqëria. Qela është e ftohtë dhe më fut të
dridhurat.
E zgjodha vetë këtë jetë.
Hoqa dorë nga dëshirat dhe gëzimet vajzërore që më prisnin dhe trashëgimia
atërore, kur ma përgjakën dhe vranë dashurinë time. E neverita atë botë makute,
të mbushur me luftëra, padrejtësi, mëkate, ligësi, cmirë e hakmarje. Dhe nuk
jam penduar.
U bënë njëzet e tre vjet, që
jam dorzuar murgeshë në këtë manastir, dhe kam veshur në trup zhgunin e
zi, mbi krye rubën e badhë, në këmbë
sandalet. E gjitha kjo që të gjej paqen, qetësinë shpirtërore, zemra të gjejë
prehje, t’i lutem pafundësisht hyjnisë dhe të jetoj me mëshirën e Zotit. Fuqia,
shpresa ngushëllimi dhe pendesa që të kemi mëshirën e Zotit, janë lutjet tona.
Këtu e ndaj dhimbjen dhe përvojën jetësore me simotrat murgesha
karmelitane,lutemi që mbi ne ,të dashurit tanë dhe gjithe njerëzinë,të vdekur e
të gjallë, të zbresë fryma e shenjtë. Lutemi përditë, orë e orë të tëra, pa
pra, i drejtohemi qiellit, aq sa na duket se shkëputemi nga toka dhe bota.
Nëpërmjet lutjes, vështrimit thellë në shpirtin tonë me sytë e besimit dhe
soditjes së shenjtorëve dhe hyjit, na duket sikur takohemi me Zotin dhe Hyji,
na ka dhënë dashurinë dhe mirësinë për njera-tjetrën.
Tash që u zgjova, hala kam
një tronditje nga makthi i ëndërrs së natës. Isha ulur në breg të detit, te ai
vendi që rri shpesh. Mu shfaq shën Gabrieli, ëngjëlli i vdekjes. U frikësova,
desha të largohem, por këmbët ishin plumb të rënda. Më tha të mos frikësohem.
Më rrëmbeu, në duar, hapi të dy krahët puplabardhë dhe të dy fluturuam në kaltërsinë e ndritur
të qiellit. Më uli në një lëndinë , plot zambakë të bardhë , burime uji dhe
kerubinë. Ishte paradisi. Para meje u gjend ai që ishte dashuria e pafat e
jetës sime, i ri dhe i bukur, por me trupin plot plagë të përgjakura. U nisa
për te ai, por befas na ndau një mjegull e bardhë, e përndritur nga rreze
dielli. Ecja pa mundur ta arrij, shquaja vetëm dorën e tij që më thërriste,
teksa më largohej. U zgjova. Eh, vuajtja e dashurisë nuk harrohet kurrë. Qava.Heshtur, pa zë. Ende jam e tronditur.
Qëndrova para ikonës së Shën Marisë me Jezusin foshnje në pëqi dhe fillov të
lutem. Lutem që mërzia e ditëve të kthehet në trishtim dhe vetmia të mbushet me
kujtime të gëzueshme. Thashë tri herë lutjen “Ave Maria” dhe Nanës së Shenjtë
iu luta që të kthejë paqe e prehje në shpirtin tim. Lutjen e fundit e thashë në
arbërisht:
Të falem
Mari, hirplotë, Zoti është me ty,
E bekuar
je mbi të gjitha gratë dhe i bekuem fryti i barkut tand, Jezusi,
Maria e
shenjtë, nana e Hyjit,
Lutu për
ne mëkatarët,
Tani dhe
në orën e vdekjes sonë.
Amen-ashtu
u baftë.
Thonë që Zoti i di dhe
kupton gjithë gjuhët e lutësve të tij. U luta edhe për Lekën, dashurinë e jetës
sime, që të ketë mëshirën e Zotit dhe të prehet në paqe në parajsën e lumnueme.
U ndjeva më e lehtësuar. Nana e Shënjtë, më sheh nga ikona me atë vështrim
shënjtërisht të hijshëm të mëshirshëm e përdëllyes. Besoj që e dëgjoi
lutjen time dhe ktheu paqen në shpirtin tim.
Nga koridoret e shumtë të
kuvendit vjen jehona e zërave dhe gjurmët e këmbëve. Motrat murgesha ishin
zgjuar. Në ajër, kumbuan tingujt e kristaltë të
kambanave në kishën e kuvendit që na thërrisnin për meshën e mëngjesit
të së dielës.
U vesha dhe dola.
Jam ulur
në breg të detit dhe kam qarë.
Mesditë. Dita është e bukur.
Dielli ngroh dhe drita mi lbyr sytë. Jam ulur në breg të detit. Nuk e kemi
larg, as dyqind hapa nga kuvendi. E dua detin. Edhe kur është i qetë dhe me
suvalat shkumëbardha puth bregun, edhe kur është i tallazitur dhe godet me shuplakat e ujshme brigjet. I ngjajmë
në shumë gjëra njeri-tjetrit, për trazimin dhe hovet e shpirtit. Bisedoj me të,
më sjell lajme, me zhaurimën e pafund të suvalave dhe m’i dëgjon fjalët, për ti shpënë përtej
brigjeve. Por i fsheh prej meje misteret
mbase dhe brengat që ndryn në thellëinë e vet.
Larg e larg në lindje,
përtej detit është Arbëria ime. E pa shlyer, e paharruar. Unë jam e saja dhe
ajo është e imja. Jetoj e dyzuar: natën shpirti im shtegton, kalon dy dete dhe
shkon në Arbëri, në Zadrimën e bukur, në Danjë e Shkodër, në male e fusha,
çmallet, pastaj kthehet, më sjell lajme
të përzishme. Prej andej vjen tymi dhe amza e shkrumbit, rënkimet dhe lebetija
e të masakruarve, kuja e nënëve për bijtë, e nuseve për burrat , vaji i trimave
për shokët e vrarë….. Kryetrimi, Gjergji i Kastriotëve iku në amshim, në
janarin e këtij moti fatzi. Qeni turk, vrau dogji, shkretoi dhe burrat arbërorë
i lidhi me vargonjtë e skllavërisë.Thonë që Andronika, e veja e Kastriotit me
të birin, Gjonin, gjetën strehë në Mbretërin e Napolit. Arbërorët, me mijëra
kanë marrë rrugët e detit për në brigjet italike, dalmate e veneciane.Ata që
kanë mbetur, janë ngjitur maleve dhe vazhdojnë luftën. Arbërorët se pranojnë robërinë. Të mitë, tata Lekë dhe gjith fisi i Dushmanëve,
brakisën gjithëçka dhe gjetën strehë në
Korfuz, që është nën zotrim të Serenisimas.
Ajme, arbëria në robëri ,
gjaku i arbërit u shprish. Zot,mëshiroji
e mos i braktis besnikët e tu!
Ditë pranvere. Jam ulur në
breg të detit, pranë një ulliri të moçëm. Vë re se në shullërin rrëzë një
krepi, kanë çelur aguliçet dhe vjollcat, lajmëtaret e pranverës, që më kujtojnë
pranverat e vendlindjes sime, Zadrimës. Pranverë në natyrë, dimër në zemrën
time.
Pranvera hukat frymën e saj
të ngrohtë dhe dielli ndrin bujarisht. Mallëngjehem, më kap një ngashërim,
mendohem dhe përlotem. Lotët rrjedhin çurk. Ndjej ngrohtësinë e tyre në faqe
dhe i le të rrjedhin. Të rrjedhin sa të
bëhen rrëke e të derdhen në det, që
dhimbja dhe brengat e mia të treten në pafundësinë e tij dhe të mos kthehen
më.
Sido mundohem që të mos ndodhë, nuk ia dal dot. Më shfaqen
me sytë e mëndjes, mjerimet dhe gëzimet e jetës sime. Shumë dëshpërim e pak
gëzim. Jetë me lumturi të munguar.
Hedh sytë nga deti: në molin
e vogël, zbardhin velat e anijeve të peshkatarëve. Sipër tyre sillen fluturim
duke ciatur pulëbardhat. I kam zili pulëbardhat, janë si shpirtëra të lirë. E
tyre është qielli dhe deti. Prej andej vjen jehu i tingujve të kitarës dhe një
këngë. Detarët këndojnë, duket që peshkimi u ka shkuar mbarë. Mbaj vesh: është
një këngë malli, këngë dashurie. Gjer te mua vijnë fjalët që këngëtari i
shqipton me ashk: ”U deshëm që në shikimin e parë!”
Eh, dashuri me shikim të
parë! Fjalët e këngës më duken si të veshura me dritë dielli, aromë pranvere
dhe rrahje zemre. Vijnë e ulen pranë meje që të më bëjnë shoqëri. Magjia e
këtyre fjalëve më shpie në motet e
shkuar të vajzërisë sime…….
Nga
Zadrima në Shas
Gjashtë
Janar 1445
Pas kremtimit të
kërshëndellave, me gëzim e hare, urimet dhe shkëmbimit të dhuratave, në të
dymbëdhjetën ditë pas tyre, më gjashtë
janar, binte Epifania, dita e ujit të bekuar. Axha, imzot Pal Dushmani,
rrëfyesi dhe mësuesi im,ipeshkv i Shasit, na ftoi të shkonim në Shas,për të
kremtuar. Tata e pëlqeu dhe na tha të gatiteshim për udhë.
U nisëm në katër të janarit.
Karvani ynë, me shpurën e vogël të kalorësve shoqërues, mbrriti në trojet e
Shkodër mbrëmanet. Ajri ishte i lagësht. Kishte rënë mjegull. Mu duk vetja
sikur vozisja midis reve. Mërdhiva dhe u pështolla me pelerinën e leshtë.
Kalaja e Rozafës dhe Taraboshi dukeshin sikur dridheshin nga të ftohtët. E
hodhëm Buenën me trap. Të pritur bujarisht, bujtëm në banesën e proveditorit
venedikas që, tata e kishte mik.
Të nesërmen, kalëruam për në Shas. Shasi, në veri të Shkodrës dhe
nja treqind stade në lindje të Ulqinit, mba nja tri orë. Mua që s’jam mësur të
kalëroj gjatë, udha më lodhi. Dita ishte me mot të paqëndrueshëm . Na zuri një
shi i imët, pastaj qielli u çel dhe në veri rrëzë maleve u shfaq harku i
ylberit. Dukej aq afër sa mund ta zije me dorë. Mu kujtua gojdhana se po të
kapërceje ylberin plotësoheshin gjithë dëshirat dhe, po të ishe vajzë
shndrroheshe në djalë! Por që ta kapërceja duhet të kisha krahë të fluturoja,
që s’i kisha. Në drekëherë, në largësi u duk qyteti me kështjellën dhe
kambanaret e kishave. Mbrritëm në Shas.
Hym nga porta perndimore. Rojat, kur panë flamurin me stemën e Dushmanëve, na
hapën portën.
Na priti Axha Pal dhe për
ndenjje e bujtje na vendoi në konakët e ipeshkvisë.
Pasi u shlodhëm dhe drekuam,
bashkë me Dilën, dadën time, dolëm të shihmim qytetin. I ngritur mbi një kodër
vogëlane si të bërë me dorë, në lëndinë
mbi liqen. Jashtë qytetit, një fushë e begatë e gjelbëruar, deri rrëzë maleve
ku shquheshin shtëpi të vogla të bardha. Qyteti ishte i madh i rrethuar me mure
dhe kulla mbrojtëse. Veç madhësisë dhe
shtrirjes, e veçanta ishin kishat dhe liqeni. Thoshin se dikur ishin 360 kisha,
nga një për çdo ditë të vitit! Në ditët tona ishin pesëmbëdhjetë, më e madhja
dhe më e bukura në krye të kodrës, katedralja e Shën Gjonit, kambanarja e
saj me kryqin në krye, lartohej si të
donte të arrinte qiellin. Në katedrale
meshonte axha, imzot Pali, pas saj ajo françeskane e Shën Marisë. Të
gjitha: qyteti dhe fshatrat e fushës ishin në zotërim të Lek Zaharias, princit të Danjës. Bashkë me
Dilën zbritëm buzë liqenit. I bukur ky liqen, një mrekulli ujore si sy i
kaltër, i qetë,i paqtë e i pastër që
vështronte dhe pasqyronte qiellin, rrethuar nga brigje të ulta mbushur me
kallamishte shelgje dhe gjelbërim. Në skelën e vogël ishin varkat e peshkatarëve. Afër bregut vozisnin
shpendët e ujit, rosa, pata, më larg bajza e kredharakë. Tej, në horizont
mjegulla e bardhë. Pamje e bukur që s’nginjesha së pari.
Kur zbritëm në breg, pashë,
që para nesh, aty kishin ardhur dy burra. Njeri shtathedhur, shpatullgjerë,
veshur me të purprtën e gardës krutane, në brez ngjeshur shpatën e shkurtër.
Tjetri më i pakët, por edhe ai me të njëjtën veshje. U shquaja vetëm shtatin
nga prapa, se me fytyrë ishin nga liqeni. Ata ndjenë hapat tona dhe u kthyen
nga ne. Pashë që purpuranti u step, shkundi kokën, fërkoi sytë dhe në fytrë iu
shfaq një buzëqeshje e pavullnetshme. U duk se deshi diç të thoshte por nuk
mundi, buzët i mbetën hapur.(Më von më tha
që u step , se iu duk që nga qielli zbriti e bukura e dheut!) Nuk mi
shqiste sytë, aq sa u ndjeva në zor. Para meje ishte një djalosh i hijshëm, me
pamje burrërore, me sy që çuditërisht
kishin ngjyrën e ujit të liqenit. Jashtë beretës, dukeshin flokët korb
të zeza dhe krela krela. Nuk mbante mjekër. Çudi: bukuri femrore në fytyrë
burrërore! Pashë që e mblodhi veten, dhe si i zënë në faj, me një përkulje të
hijshme të kokës, më ktheu përshëndetjen si duke belbëzuar dhe, me ca çape të
vegjël e të pasigurtë mu afrua:
-O bukuri, të falem! Mirëse
të pru Zoti në Shas. Para teje qëndron Lek Dushmani, princi i Danjës. Moj
fisnike, as po më thua se cila je?
Më çuditi guximi i shprehjes
së tij.
- Një kalimtare që i ra udha
këndej pari.
- Kaq e bukur sa ti, thonë
se është vetëm një princeshë, Jerina Dushmani e Zadrimës, që si gjendet shoqja
në faqe të dheut! Mos më thuaj që nuk je ajo!
U habita sa shpejt i iku
hutimi dhe droja. Ani, më erdhi mirë nga ato që tha. E kush është ajo vajzë që
nuk do miklohej kur i lëvdojnë bukurinë? Por se bëra veten. Ai priste
përgjigje.
- Kështu u thua të gjitha
vajzave që takon? Dhe po të isha?- Thashë, gjoja si pa gajle,e me shpoti, po
zëri më tradhtonte.
Ai e vonoi përgjigjen. Duket
që zgjidhte fjalët.
- Them që jam fatlum. Vjen
të ulemi bashkë dhe sodisim bukurinë e liqenit?
Pa pritur pëlqimin tim bëri
para. Pa ngurruar, nga një tërheqje e pavullnetshme, e ndoqa pas dhe shkuam në
një ulëse me drrasa që ishte për shplodhje.
Dada Dila dhe shoqëruesi i
princit , u larguan në heshtje dhe na lanë vetëm.
Ndenjëm duke soditur liqenin
dhe heshtëm gjat. Ishte heshtje e sikletshme. Pastaj ai foli për betejen e
Torviollit, ku komandonte si kapiten një repart të gardës. Për trimërinë e arbërorëve,
mençurinë dhe trimërinë e Kastriotit, por asgjë për vete. Thjesht, pa asnjë
mburrje. Më rrëfeu edhe për kuvendin e Lezhës, ku ishte pjesmarrës dhe i kishte
dhënë besën Kastriotit për të qënë bashkluftëtar në luftën e shenjtë. Aty
kishte njohur edhe Tatën tim. Edhe pse
ai e kuptoi kush isha iu shfaqa dhe i fola pak për vete. Që kishim ardhur për
të kremtuar Epifaninë.
Pastaj heshtje.
Dita po thyhej, moti u
freskua. Rregullova shallin e leshtë rreth qafës dhe mbulova kryet me kapuçin e
pelerinës. Leka u avit që të ishte më pranë. Mu kujtua një këngë e moçme që
këndonin cucat zadrimore:
Pranë meje mos u ul,
Mos u ul të rrish me mua.
Se pastaj na shohin bota
Dhe do thonë që më do,
Që më do dhe rri me mua.
Nuk jam vajzë dosido,
Jam nga fis e nga pari
Të shquar për trimëri!
Këtu s’kishte kush na shihte
veç liqenit dhe unë u ndjeva mirë që ai ishte bri meje. Guxoi dhe mori në të
vetën dorën time dhe, vështrimi i syve të tij të kaltër si ujët e liqenit, u
zhyt në sytë e mi. Ah ç’vështrim, i tillë që zbret thellë në shpirt. E dija,
pas një vështrimi të tillë nuk kishte rrena dhe hile, veç ndershmëri e
dashuri.Ndjeva ngrohtësinë e dorës së tij dhe u drithërova, rrahjet e zemrës mu
shpeshtuan si të donte të shkallmonte gjoksin. Ç’po ndodhte me mua? E lirova
dorën. E lëshoi butësisht. Pastaj heshtje. Nga ato heshtje që flasin sa mijëra
fjalë. Ne heshtnim ,si ta mendonim se do të kishim kohë, të flisnim për tërë
jetën!
Më përcolli dhe më tha se do
shiheshim të nesërmen.
Një natë e pagjumë, e
kapluar nga mendime dhe ca ndjenja që s’i kisha përjetuar tjetër herë pas
takimit me ndonjë trim. Dashuri me shikim të parë? Ani, pse kisha dëgjuar, nuk
e kisha besuar. Tani po më ndodhte mua. Ishte kaq i mirë: i hijshëm, fisnik, i
qetë e i përmbajtur,i mençur, fjalëmbël, tërheqës e i dashur.Të tillë e kisha
menduar princin e ëndrrave të mija. Po ai, ç’mendim kishte vallë për mua? Atë që s’ia thoshte goja, ja
thoshin sytë. Zemra ime, e ndjente, se zemrat e ndjejnë njera - tjetrën.
Von më zuri gjumi por u
zgjova disa herë natën. Mendja më rrinte
te ai.
Gjashtë
janar 1445, kremtimi i Ujit të Bekuar.
Gjashtë janar. Dita e
shenjtë e ujit të bekuar, kur Gjon
pagëzori pagëzoi me ujin e shenjtëruar të lumit Jordan Jezusin dhe mbi të
zbriti në formën e një pëllumbi shpirti i shenjtë. Kremtimi do të bëhesh në
ujët e liqenit dhe mesha e shënjtë në katedralen e shën Gjonit.
Nuk po më durohej sa të
dilnim. Dila më ndihmoi të vishesha e stolisesha: xhubletën e bardhë me qenarë
të kuq, brezin me pafta argjendi he xhufka, vathë të gjatë me perla, rubën e
mëndafshtë ngjyrë vjollcë që më mbulonte edhe shpatullat.Doja të bëhesha e
bukur për të.
Buzujit, mizëri ng qyteti
dhe katundet e fushës deri rrëzë maleve. Axha Pali, me veshje ipeshkvnore dhe
mitrën e artë dhe skeptrin, kishte pamje të madhërishme. Bashkë me ndihmsat e
vet u afrua te altari fushor,ngritur buzujit. Nga temjanica ngrihej tymi
kaltërosh e erëmirë i temjanit. Do të bëhet bekimi i madh i ujit. Bashkë me
Tatën, Dilën dhe shpurën e kalorësve shoqërues, zumë vend pranë altarit. Princi
Lek zaharia kishte ardhur para nesh. Dukej që po na priste. Kur më pa, i
shndriti fytyra , i qeshën sytë dhe më përshëndeti me një perulje të hijshme të
kokës. U afrua.
-E di si dukesh e veshur me xhubletë?- tha.
-Jo. –Thashë-pres ta dëgjoj.
-Si lule e zambakut të
bardhë. Nga ata zambakët e bardhë të ujit që çelin në pranverë e gjithë verën,
në ujrat e brigjeve të liqenit. Nuk mund
ta mendosh sesa bukur duken.
Pa shih! Nuk i ktheva
përgjigje. Kishte filluar kremtimi. Ajri u drodh nga kumbimi I kambanave të
gjithë kishave që thërrisnin besimtarët, për lavdinë e hyjit. Kori i fëmijëve
po këndonte hymne nga psalmet, ndërsa axha Pali duke tundur temjanicën nisi
liturgjinë:
“O krisht,
perëndi,që u shfaqe dhe ndriçove botën, lavdi më Ty. Drita jote ndriçoftë mbi
ne sot. “ Thirri shpirtin e shënjtë
që të vinte mbi ujin e liqenit dhe mbi gjithë gjindjen që merrte pjesë në këtë
bekim. Pastaj pim nga një gllënjkë ujë dhe spërkatëm teshat. Ishim liruar nga
mëkatet! Në gjithë sa po ndodhte nuk e kisha mëndjen. Sytë dhe mëndja ime ishin
mbi princin bri meje. Edhe ai s’ma ndante vështrimin dhe atë buzëqeshjen
robëruese.
Mesha u mbajt në katedralen
e Shën Gjonit. Të dy, unë dhe princ Leka u ulëm bashkë në bangon e rreshtit të
parë tok me Tatën dhe parinë e Shasit. Drita e mugët e qirinjve, tymi I
temjamit dhe vështrimi përdëllyes i shënjtorëve nga muralet dhe
ikonat,shungullimi i kambanave që dridhte ajrin, më dukej se edhe në shpirtin
tonë zbriti bekimin dhe shpirtin e shenjytë. Uji për bekim, ishte vendosur në
një enë argjendi, rrethuar me lule dhe qirinj. Njeri nga fretërit e
temjanosi. Pastaj mesha që pruri midis
nesh shenjtërinë dhe mrekullinë e pagëzimit dhe zbritjen te jezusi të shpirtit
të shenjtë. E drejtoi Axha Pal. Lexoi nga ungjilli pagëzimin e Jezusit nga shën
Gjon Pagëzori në lumin Jordan.
Pas kremtimeve, princ Leka,
si zot shtëpie, shtroi në kullën e vet, një drekë me gjithë të mirat. Në tryezë
isha ulur kundrejt tij. Nuk po fillonim. Pritej të vinte axha Pali që të bënte
lutjen e ushqimit. U ul në krye të vendit dhe tha lutjen:”Na e jep o Zot,
bekimin tënd, neve dhe këtij ushqimi, që po e marrim prej bujarisë sate. Nëpër
krishtin. Zotin tonë. Amen” dhe bëri kryqin. Trokitëm gotat dhe pim pak verë. Mua që
s’isha mësuar me të pirë më turbulloj pak. Shihja Lekën në dritë të syrit dhe
mbase ai më dukej edhe më i mirë edhe më i dashur ngasa ishte.
Kisha rënë në dashuri!
Kur u kthyem në banesë,
prita me padurim që princi të vinte dhe t’i kërkonte Tatës dorën time . Por ai
nuk erdhi. Më pushtoi brenga. Nuk i
kisha pëlqyer? Nuk vendoste dot, i mungonte guximi? Nuk di ta them.
Një natë me gjumë të
trazuar.
Të nesërmen kalëruam për t’u
kthyer. Princi Lek Zaharia me të vetët, udhëtoi me ne. Ca buzëqeshje dhe vështrime përdëllyese, asgjë më shumë, si t’i
kishte lënë peng fjalët në Shas. Kur kapërcyem Buenën, udhët tona u ndanë. Ai
mori për në Danjë, ne për Zadrimë. Ikte dhe koka i mbeti e kthyer pas. Ishte
ndarje pa lamtumirë.
Erdhën ditët e zymta dimërore,me shi ,të ftohtë e mjegull.
Mërzi. Netët më të gjata të vitit. Ishte
dashuria, ajo ndjesi e çuditshme brenda meje, ajo dritë e mistershme, që
ndriçonte netët e territ me gjithë ngjyresat e saj. Erdhi e mu krijua një
gendje e padurueshme. Gjumi u arratis, mu pre oreksi, isha si e përhanshme. Të
biesh në dashuri! Pse thuhet të “Biesh”? të biesh është si të gremisesh në një
hon, ku janë tok: gëzimi, shpresa, ngazëllimi i shpirtit, lumturia, por edhe
sfilitja dhe makthe e shgënjime. E nga ky hon zor të dilet. Ndjeva nevojën që
dikujt t’i hapesha,se ndryshe do të fikesha.Shkova dhe u rrëfeva te famullitari
ynë, frat Ejlli. I thashë se kam rënë në dashuri. Plaku i mirë, me zërin e
qetë si balsam, më tha se dashuria nuk
është mëkat, por një bekim. Se Zoti është dashuri, dhe të dashurosh me devocion
dhe shpirt, është të kërkosh lumturinë e munguar. Nuk më pyeti se me cilin isha
dashuruar, por më tha që për qetësim të hoveve të shpirtit t’i lutesha Nanës së Zotit .
Dhe unë u luta.
Dasma në
Muzakinë.
Njëzet e gjashtë janar 1445.
Tata më tha se ishim të
ftuar në dasmë. Në fund të janarit, në s’gabohem, më njëzet e gjashtë, bëhej
kurorëzimi i martesës së Muzak Topisë me Marie Kastriotin, motrën e vogël të
Gjergj Kastriotit që shkuart e quanin Mamicë, në qytezën e Muzakinës. Ishin
ftuar gjithë krerët e shquar të Arbërisë.Me këtë martesë Kastrioti synonte
forcimin e aleancave në luftë kundër turkut. Tata,më tha se flitej që kjo
martesë ishte sajesë e Kastriotit. Muzak Topia, u shkurorëzua nga e shoqja,
Zanfina, motër e Gjin Muzakës, pa pyetur as për fëmijët, që të martohej me
zonjën Mamicë. Por ne s’kish ç’na duhej. Do të shkonim në dasmë dhe , dha
porosi të bëhej kanisku: një veshje e plotë venecine për zonja të sërës së
lartë, mëndafsh i ngrirë në ar dhe argjend, për nusen e re.
U gjallërova. E prisja me
padurim ditën e nisjes, me shpresë se atje do të shihesha me princ Lekë Zahari
Altisiferin. Dada Dila, u kujdes e më stolisi si për dasmë. Kur përfundoi së
veshuri , më vendosi stolitë, u largua pak, më hetoi dhe tha:- fale zot gjithë
këtë bukuri! Lum ai që do t’a gëzojë! Ti moj bijë, je për një bir mbreti! Dada
Dila, i jepte gojës me mua pa droje. Nuk i ktheva përgjigje. E kisha si në vend
të nanës. Më kishte rritur.
U nisëm në mëngjes heret.
Karvanit i printe kalorësi me flamurin e stemës së Dushmanëve. Ishte një karvan
gazmor, se vetë fjala dasmë e ka brenda vetes gëzimin. Muzakina ishte në
perndim të fushës së Tiranës, kundruall Krujës dhe Petralbës.Ne hym nga
rruga e shtruar me kalldrëm që ishte në
pjesën jugore. Kreu i kodrës ishte i rrafshët, si i prerë me thikë, rrethuar me
mure të lartë dhe kulla vrojtimi. Shpati lindor, i pjerrët ishte i mbushur me
ullinj shekullorë. Prej aty shihej si në pëllëmbë të dorës fusha e Tiranës. Në
verilindje Kruja, vargmalet, në lindje Petralba, në perëndim deti dhe Durrësi.
Të gjitha, veç Durrësit, zotërime të Muzak Topisë.
Shërbenjësit u kujdesën për
kuajt tanë dhe na prinë për në banesën ku do të pushonim dhe bujtnim.
Tryezat, me gjithë të mirat,
ishin shtruar për dasmorët në sheshin e madh. Në një bango të gjatë, mbuluar me
rubë të kuqe, vendoseshin kanisket.Të gjitha të pasura e të vlera, siç e donte
sëra e çiftit që do të kurorëzohej. Bashkë me Tatën na bënë vend krah princërve
të tjerë. Befas të gjithë vështrimet u drejtua mbi mua. Burrat me admirim, zonjat me cmirë. E dija pse dhe u
ndjeva në zor. Pashë se princ Lek Zahari Altisiferi ishte dy tryeza larg nesh.
Më pa. E pashë. U ngrit dhe erdhi tek ne. U përshëndet me Tatën e pastaj me
mua. Buzëqeshja e tij rrëzëllitëse më ra në fund të shpirtit si gëzim, e
ngazëllim. Ndjesitë e trazuara të
dëshirave u ringjallën. Oh sa e kisha pritur atë çast! Ai gjeti kohë të më
thoshte sa e bukur dukesha, më e bukura e të gjithave dhe, se më kishte pritur
me padurim që të vija.
Kurorëzimi u bë në kishën e
shën Mëhillit të Muzakinës., nga ipeshkvi i durrësit Pal Engjëlli, mik dhe
këshilltar i Kastriotit. Ishte rit i bukur e i përshpirtshëm: Kastrioti, dhe I
nipi Hamzai, zunë pwr krahu zonjwn mamicw dhe e përcollën në altar. Nisi
kungata që është vula e martesës, vendosja dhe shkëmbimi tri herë i krorave,
vendosja e unazave, bekimi dhe pastaj pyetja: ”Muzak Topia, bir i Andreas,
shërbëtor i Perëndisë, pranon me vullnet të lirë, të bashkohesh me martesë me
Mamicë Kastriotin dhe t’I qëndrosh besnik tërë jetën, në të mir e në të keq, në
gëzim e hidhërim, në sëmundje e shëndet?
-Pranoj
-Mamicë,
bijë e Gjonit, shërbëtore e Perëndisë, pranon me vullnet të lirë……..
-Pranoj.
Në emër të
atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë, u shpall burrë e grua. Atë që perëndia e
bashkoi, njeriu të mos e ndajë. Amen.
U kthyem për të festuar.
Tashmë vëmendja ishte dejtuar te Kastrioti dhe çifti martesor. Dasmën e hapi
Andrea, ati i Muzak Topisë.
-Miq bujarë! Mirë se
erdhët!E ndriçuat dhe i shtuat gëzimin kësaj dasme. Ua shpëblefshim në gëzime.
Të pimë dollinë për shëndetin, dhe mbarësinë
e çiftit,për miqësinë e pandarë me Gjergj kastriotin!
Me trashëgime u dëgjua
gjithandej.
Sheshi i kështjellës u
pushtua nga hareja: Ushtuan curlet, xamaret, bilbilat, çiftelitë, tupanat
mbanin ritmin, dajret fërfërinin si fllad.Pa u ngritën në valle trimat, që
hovnin fluturim si shqiponja dhe zbrisnin me lehtësi puple. Pastaj erdhi radha
e vashave, si flutura shumëngjyrëshe, me cape nazike, valëzime të duarve,
dredhje të shamive.
Në këtë dasmë kishte zbritur
gjithë arbëria.
Pas do kohe, kur dreka ishte
në të mbaruar, Kastrioti, Mamica dhe Muzaka, hipën kuajve dhe u larguan për një shëtitje për të parë pronat
e bregdetit të Topiajve.
Ne me tatën, shkuam për tu
prehur në dhomën tonë. Kur ende nuk kishim zënë vend mirë, ja behën njeri pas
tjetrit Lek Dukagjini dhe Lek Zaharia. Dukeshin si të dehur.Të dy i kërkuan
Tatës dorën time. Më kërkonin për nuse!
U shtanga.Tata i dëgjoj
qetësisht.
Të dy prisnin përjigje,
dukeshin të paduruar por edhe si të zënë në faj. Shihnin me hakërrim
njeri-tjetrin.
Pas një heshtjeje
torturuese, tata u përgjegj:
- Trima,më nderuat me
kërkesën tuaj. Të dy, nga ajka e fisnikërisë arbërore, jeni të denjë për dorën
e sime bije. Por, i takon asaj të vendosë për njerin prej jush ose për
asnjerin! Jerinë, bija ime, të dy princat të kërkojnë për nuse.
Tata ma la mua zgjedhjen.
Para meje të dy Lekët.Të dy
princër.Të hijshëm, shtathedhur, në lule të moshës .Kë të zgjedh e kë të lë?
Zaharia:Trim,fisnik, i
dashur, i qetë, i përmbajtur, ishte bërë qyshkur pjesë e ëndrrave të mija
vajzërore dhe ishte ndryrë në zemrën dhe shpirtin tim.
Dukagjini: Princ i pasur,
fisnik, trim, por inatçor i rrëmbyer e tinzar, kishte namin e keq që nuk linte
rast pa perdorur për të arriturat e tij të mbrapshta. Nuk do të doja kurrë të
lidhja jetën me një njeri të tillë.
Ata prisnin. Sytë e tyre më
zhbironin për të kuptuar se cila do të ishte zgjedhja ime.
- Ati im. Të jam mirënjohëse
që ma le mua zgjedhjen . Ndjehem në zor, se përgjigja është e vështirë për këto
kërkesa të papritura. I nderoj dhe vlerësoj të dy princat, por them të lidhim
miqësi me princin e Danjës që është edhe komshija ynë.
Për Dukagjinin: përgjigja
ime ishte si shkrepje rrufeje që ia bëri shkrumb dëshirat. Pamja e tij u
shfytyrua, dhe nga sytë flakërnë
shigjeta urrejtje. Doli me vrull përjashta.
Për Zaharinë: pëlqimi im
kishte hapur portat e parajsës dhe lumturisë. Nuk foli, por bëri kryq, si
falnderim për Zotin, vuri dorën në
zemër, për të na nderuar, u përul thellë
para meje e tim eti dhe doli.
Mbetëm një çast, si pas një
hutimi nga e papritura, por Tata, më rroku n’gushë e më përqafoi. Ky përqafim
ishte sa një mijë fjalë.
Pas një çasti, nga jashtë
erdhën zhurma dhe zallahi të bërtiturash.
Dolëm, por çtë shihnim: Të
dy Lekët i ishin turrur njeri tjetrit me tërbim. Ngjante si një dyluftim për
jetë a vdekje. Dukagjini ndjehej i fyer, nuk e kishte gëlltitur mospëlqimin tim
dhe i ishte turrur rivalit si ta kishte
ai fajin. Vringëllinin dhe shkrepëtinin shkëndija shpatat. Sulmonin,
tërhiqeshin dhe prapë sulmonin. Dukej që të dy ishin shpatëtarë të zotë. Për të
ndarë sherrin u futën Vrana Konti daja i
Zaharisë dhe trimi Vladan Jurici, nip I
Kastriotit. Por qe e kotë. Vrana Konti u plagos në krah dhe Jurici në kokë.U
tërhoqën dhe i lanë dyluftuesit të
shfrenin zemërimin.
Si të mos mjaftonte ky
dyluftim, shqytarët shoqërues të dy princave iu turrën shoshoqit me të njëjtën
egërsi dhe tërbim. Sheshi i festimit të dasmës u kthye në shesh beteje. Pati
të vrarë nga të dy anët.Sa? Nuk di t’a them.
I ndiqja me zemër të ngrirë
dhe e tromaksur. Fajsoja veten se shkaku i asaj grindjeje isha unë. Por më
tmerronte dhe ngrinte gjakun, frika se Zaharia mund të vritej.
Zaharia më trupmadh, i dha
një goditje të fortë Dukagjinit, e plagosi dhe e rrëzoi përtokë.Mund ta kishte
vrarë, por në çast ndërhynë sërish Vrana Konti dhe Jurici e i ndanë. Dukagjini
e pranoi mundjen, mori njerëzit e vet dhe u largua.
Sheshi i dasmës ishte mbushur
me kufoma.
Dasma u kthye në mort.
Kur Gjergji , Muzaka dhe
Mamica erdhën nga shëtitja dëmi ishte bërë dhe nuk mund të ndreqej.
Gjëma
Zadrimë,
pranverë 1445
U fejuam.Leka vinte shpesh
ndër ne. Më sillte dhurata. Rrinim bashkë, bisedonim. Ishin fjalë të thjeshta
që më pëlqente t’i dëgjoja. Që më donte dhe i pëlqente të rrinte me mua.Se e
priste me padurim ditën kur unë të zbrisja nuse në Danjë. Shiheshim sy më sy,
buzëqeshnim, shëtisnim në kopsht zënë dorë për dore. Duheshim.Bota, qielli,
dielli e yjit ishin tonat!Ndrinin e shkëlqenin për ne. Kur ai vinte, lumturia
më shfaqej si ylberi.
Në prill, Leka erdhi në
kullat tona, bashke me nje noter shkodran.
U lidh kontrata e martesës. Tata më jepte prikë tokat e Pultit dhe ato
rrëzë alpeve. Martesa u la për në vjeshtë të parë. E mjera, nuk i gëzohesha dot
kësaj dite dhe martesës që po afrohjej sido që e prisja me padurim. Ndihesha
fajtore. Fajtore pa faj. Kush ishte faji im? Bukuria dhe vajzëria. Thonë që jam
më e bukura vashë e Arbërisë. Por bukurinë e pamjes, se bëjmë vetë, është dhuratë e zotit që stolis me ‘të krijesat e
tij.Si e tillë ajo është një bekim. E lakmojnë të gjithë, por Lum kujt i jepet!
E jo mallkim! Ne kemi në dorë bukurinë e shpirtit, po atë pak dinë që ta shohin.
Bukuria ime u bë shkak i asaj grindjeje dhe dyluftimi të egër nga të dy palët
me aq shumë gjak! Luftuan për mua si të luftonin për pushtimin e një
kështjelle. Kur ata u ndanë, mos o Zot, vetja mu duk si plaçkë lufte e
fitimtarit!
Se di por kasha një
parandjenjë të keqe.
Atë ditë që u lidh kontrata
e martesës, Zaharia , me shpurën e vogël u kthye për në Danjë.
Në mbrëmje, tek ne erdhi një
lajmës për të kumtuar gjëmën e kobshme. Lek Zaharisë, i kishin zënë pusi në
pyllin e Kovinenit buzë Drinit dhe e kishin vrarë tok me trimat e tij.Tha që
për vrasjen flitej për vllezërit Dukagjini, Nikollën dhe Lekën. Por ishin vetëm
fjalë se askush si kishte parë.
E kobshme kjo gjëmë.Ra në
shpirtin tim si rrufe, ligështoi zemrën. U mpiva, mu pre fuqia. Për mua ,
gjithçka u nxi, dita u bë natë, dielli nuk ndrinte,lotët e mi rrodhën çurk. Më
dukej se edhe muret e kullës u nxinë dhe prej tyre rridhte pikëllim. Jeta ime u
fik. Sido që u përpoqën të më ngushëllonin dada Dila, Tata dhe famullitari frat
Ejlli, kjo hata nuk kishte ngushëllim. Kishin vrarë dashurinë time. E ç’më
duhej jeta! Ishte plagë që s’kishte shërim.
Të nesërmen, e veshur krejt
me të zeza, për jetën që mu nxi, tok me Tatën, që heret u nisëm për në Danjë.
Tata për kryeshëndosh dhe unë për ti lënë lamtumirë dashurisë sime.
Zonja Bozhë,plakë, nana e
Lekës, e përzishme, si e ngrirë dhe e përhumbur, na priti ftohtë. Nga sytë e
saj mu duk se dolën ca shigjeta të akullta mënije, s’kisha pare ndonjë here sy
me shikim aq të ftohtë, si të më fajësonte mua për vdekjen e të birit. U afrova
ta përqafoja, por ajo më zgjati dorën që t’ia puthja. Fjalët ishin të tepërta.
Me vdekjen e të dashurit,vdesin edhe fjalët.
Arkmorti ishte në kishë.
Rrethuar me qirinj dhe lule. U luta ta zbulonin që ta shihja për herë të
fundit. Dukej sikur flinte. E putha në ballin e ftohtë , lotët e mi rrodhën mbi
fytyrën e tij të zbehtë , ti merrte me vete si shenjë e dashurisë sime dhe i
thashë fjalë zemre.
U varros në varrezën
familjare brenda mureve të kishës nën
hijen e një qiparisi të moçëm. Bashkë me ‘tw, në atë varr të ftohtë, u varros
edhe dashuria ime.Në zemrën time, ka zenw vend dhembja, hidhërimi, dëshpërimi.
Zemra ime e gjorë dhe pafat.
Nuk qëndruam për drekën e
mortit. U kthyem në shtëpi.
Në ditët që erdhën, zura
shtratin. Ishte një lëngatë e gjatë. Mezi e mora veten. Isha zbehur, hequr e
dobësuar. S’më hynte në sy asgjë. Jetoja kot, pa të tashme e pa të ardhme.
Si të mos mjaftonin gjithë
sa ndodhën, në qershor, Lek Dukagjini pati pafytyrësinë dhe dërgoi shkesin tek
Tata , kërkoi dorën time. O Zot, ç’bëhet kështu? Të vrasësh rivalin dhe të
duash të martohesh me të fejuarën e tij! Tata e zboi me zemërim, dhe i tha ca
fjalë të rënda që t’ia përcillte zotrisë së tij.
Sa për vete, e vendosa. Nuk
do të martohesha kurrë. Isha sjellësja e fatkeqësive: e vdekjes së Lekës, zonja
Bozha, iku në Shkodër dhe ua dorëzoj
Danjën venedikasve. Për këtë shkak Kastrioti i shpalli luftë Venedikut.Do
derdhej shumw gjak, do të shkymeshin shumë jetë. Të gjitha për shkak tim.
Do t’i kushtohesha Zotit,
falesha pwrditë. Do vdisja virgjëreshë. Sido Tata, që më kishte fëmijë të vetëm dhe trashëgimtare të principatës, u
rrek të ma kthente mëndjen, i thashë se ishte
një vendim i pazbrapshëm. Në fund , sido i dëshpëruar, u pajtua me mua , e la në dorë time sesi do
të vendosja për jetën time. I jam falnderuse.
Një ditë të vjeshtës së
parë, kur ishte lënë martesa, me shoqërimin e frat Ejllit dhe letrat e
rekomandimit të ipeshkvit, axhës Pal Dushmani, morëm në Durrës velierën
veneciane, lundruam në dy dete dhe mbrritëm në Korsikë, në kuvendin e Motrave
Karmelitane, ku jam edhe sot.
Rektorja, madre Çeçilja, më
priti ngrohtë e me përzemërsi si motër
të besimit, jo rishtare, por si të njohur prej kohësh. E dinte që isha
princeshë arbërore.
Epilog
Në skelën e vogël në gjirin
e Shën Lorencos, pranë kuvendit të Motrave Karmelitane, kishte hedhur çengelin
një veljere ulqinake që vite nga brigjet e Adriatikut. Prisnin të vinte
ngarkesa. Në udhëzën që vinte nga Kuvendi
u shfaq një procession i përzishëm. Në krye ishin mbartësit e veshur me
te zeza, që mbanin mbi supe një arkmort, pas tyre percjellja nga një tubë murgeshash, gjith me zhgun të zi, që
murmurisnin lutje të përshpirtshme. Bartësit u afruan dhe ulën ngadal në
bankinë ngarkesën, si të kishin droje
mos zgjonin meitin. Murgeshat, thanë lutjet, bënë kryqin dhe u larguan
,ashtu si kishin ardhur, të dëshpëruara e të përzishme.
Detarët, e vendosën në
kuvertë arkmortin.
-Kapedan, as na thue, bre,
kush asht i ndrym në kët tabut?
-Princesha Jerina Dushmani,
e Zadrimës dhe Pultit. Trupi i saj, se shpirti ka fluturue me kohë në paradis.
E kishte lanë amanet për s’gjalli: kur të vdes, të më varrosni në Danjë, bri
Lek Zaharisë, dashunis së jetës teme! Dhe si thojnë: amanetin s’e tret as dheu!
Ngrini çengelin, hapni velat
se era asht e mbarë, nisemi, ta çojmë në vend amanetin e princeshës, që në të
ri të saj ishte ma e bukra femën e Arbërisë.
Tiranë, nëntor 2022-janar 2023.