Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kemi hyrë në një vit të ri me standarde minimale dhe pa asnjë ide e ideal të madh!
E shtune, 07.01.2023, 07:58 PM
Ndue Ukaj:
Kemi
hyrë në një vit të ri me standarde minimale dhe pa asnjë ide e ideal të madh.
Sepse,
mideja jonë me gjasë është helmuar dhe është tkurrë aq shumë sa nuk ka vend në
të për ide e as për ideale të mëdha.
Dhe
kjo është arsyeja e kësaj boshësie të frikshme nëpër të cilën po ecim; një
boshësi që ka sjellë një gjendje të rëndë apatie, mjegull mendore dhe
identitare dhe sot ngjajmë në një shoqëri të trullosur dhe të humbur në
mjegull, pa ide e pa vizione kah do të shkojë.
Dhe
më e keqja e krejt kësaj është se boshësia e ka goditë tërë organizmin shoqëror
duke u ulë kambëkryq në politikë, arsim, kulturë, media...kudo!
Dhe
sot jemi të tharë e pa ideale. Janë tharë idealet e lartësimit, ato estetike
janë minimale, shpresat për përparim janë tkurrë dhe përditë përtypim debate
shterpe sa për të mbajtë gjallë midenë tonë të helmuar dhe të zvogëluar për
ideale të larta.
Dhe
kjo është krye fatkeqësia e vendit tonë.
Dhe
në këtë gjendje pakkujt i shkon mendja të kërkojë vërtet ku janë rrënjët e
kësaj krize.
Thjesht,
ne kemi fituar liri fizike, jemi çliruar nga ideologjitë e mbrapshta, por nuk e
kemi fituar lirinë shpirtërore, prandaj mllefi, arroganca, verbëria, klanet
primitive, kanë vërshuar dhe ngulfatë secilën fushë të jetës.
Dhe
fajet për gjithë këtë degdisje nuk janë vetëm te “ata” siç na pëlqen të themi,
jemi të gjithë ne fajtorë të mëdhenj, të gjithë pa përjashtim, sidomos ata
qaramanët nëpër institucione të dijes që gjuajnë gurë e dru andej e këndej dhe
nuk shohin mjerimin ku janë katandisë vetë, janë pseudo debatet televizive që
promovojnë angarinë dhe arrogancën, janë lavdet për kulturën e ikonave të
rreme, liket sa për t’u dukur, pastaj shkollat që mbysin kreativitetin me libra
të shkruar zi e më zi, janë shfaqjet e turpit nëpër të ashtuquajtura spektakle
televizive.
Dhe
lista me siguri është e gjatë.
Thjesht,
shoqëria jonë lëngon dhe për këtë duhet kura e vërtetë.
E
historia njerëzore mëson - dhe ajo tregon me saktësi - se deri me sot asnjë shoqëri nuk është
ndërtuar në boshësi, por me ide të menduara mirë, solidare, të studiuara gjatë
dhe të shëndosha.
Dhe
me siguri, duke u besuar tek e mira dhe jo tek e keqja.
A
ka shoqëria jonë një ide a një ideal sublim?
Idealet
që kishim dikur, kur të rraskapitur nga jeta, rriheshim, burgoseshim e
vriteshim, sot nuk bëjnë punë. Janë pjesë e asaj që quhet histori.
Sot
na duhet një ide e ideal tjetër, që të zhvillohemi dhe të përparojmë si krejt
vendet perëndimore. Dhe në funksion të këtij ideali, nuk mjaftojnë kukurisjet,
shfajësimet, ankimet, por thjesht, duhet dije dhe dashuri vepruese për vendin
dhe të mirën e përbashkët. Duhet respekt për njeriun. Ky ideal te ne nuk
ekziston. Është amputuar.
Pra,
duker qartë: ne kemi hyrë në një vit të ri me standarde minimale dhe pa asnjë
ide e ideal të madh.
Thjesht,
argëtohemi duke sharë njëri-tjetrin, duke gjetë përherë fajtorin për të keqen
tonë diku tjetër, duke u treguar azganë primitivë më botën e lirë që na ka
dhënë gjithçka dhe duke e grithë secilin që nuk na pëlqen.
Ky
është pisllëku ku jetojmë e ushqehemi, ku rritemi e edukojmë breznitë e reja,
ky është mjedisi etik e estetik në të cilën gjallon shoqëria jonë.
Sa
e sa debate bëjmë për klimën, ajrin e ndotur, smogun dhe sa pak na shkon mendja
te idetë, te forca e tyre për ta ruajtë një shoqëri ose për ta shkatërruar.
Shoqëria
jonë është zhytë në mjerim të thellë dhe këtë e vëren përditë, kudo: në
arrogancën e madhe që manifestohet në trafik, ku shpesh ka pasoja fatale, në
vrasjet makabre të grave që janë bërë dukuri e frikshme në familjet tona, në
arkitekturën e shëmtuar që ka ngulfatë bukuritë e vendit tonë.
Me
këto standarde primitive - minimale dhe banale - ne veç sa do ta rëndojmë jetën
tonë, kurse ëndrrat për mirëqenie, paqe të brendshme, paqe shpirtërore dhe
përparim do të largohet përditë e më shumë prej nesh dhe në vitin tjetër, numri
i shqiptarëve që do të duan të ikin nga atdheu i tyre do të jetë edhe më i madh
se i vitit paraprak.
7 janar 2022