E premte, 29.03.2024, 05:04 AM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Këmisha e Gjergjit

E premte, 05.05.2023, 06:33 PM


Prend BUZHALA:

KËMISHA E GJERGJIT

(Çast lirik në ditëlindjen e Gjergj Kastriotit)

Ai na vjen sa herë Shpirtit tonë i mungon Atdheu.

O Zot, si i thonë asaj kohe kur Sytë nuk kanë mëmëdhe?

Çfarë shikimi na duhet sot për ta parë atë Kohë të Kastriotit?

Cilit kob i duhen lotët, cili fat i Arbrit bën gjumë

kur ti motër e rrëfen kallëzimin për Ujin e Bardhë,

për tamblin që rrjedh nga gjiri i nuses së re,

për shtatë liqenet e Lurës,

mbushur nga loti i nënave dhe motrave,

si nuk u dorëzuan e së fundmi mbyten në liqe,

në Grykë të Vajës, shkuan në Shpellë të Vashës,

te Fusha e Vajkalit apo te Kisha e Shën Kollit,

për të punuar siç thotë Kanuni i Skënderbeut:

për një martesë duhet të mbjellësh njëzet rrënjë ulliri.

Vjen në kohën tonë edhe një Barlet strukur nën kryqe të shembur

të na ligjërojë për Epirotasin e Të Gjitha Kohëve,

Një De Radë varur nëpër kangjele arbëreshe

për ta ringjallur Motin e Madh sa herë vijnë ngricat,

Një Naim për t'ia dhuruar Shqipërisë një Skënderbe të Ri.

Dhe kësaj kohe i mungon Ëndrra e Madhe si e Nanës së Gjergjit

për lemjen e nji Drangoni të madh,

për me e mbulue të tanë Shqipninë, Arbëninë e Ilirinë

deri aty ku bukës e ujit i thonë bukë e ujë,

ngrihet prej Guri në Has e në Dibër, në Krujë e në Epir.

ta shohë ëndërr Yllin e shkrepur prej qiellit që bie mbi djep

që bëhet foshnje e leme me këmishë

e me shenjë shpate nën krah,

për t'i fituar të gjitha luftërat, në të gjitha kohët,

dje e sot e nesër.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora