Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Në njërën dorë lopatën, në tjetrën votën

| E enjte, 04.05.2023, 06:58 PM |


NË NJËRËN DORË LOPATËN, NË TJETRËN VOTËN

(Pamftet zgjedhor 2023)

Nga Ndue Dedaj

Rrugëtimi i gjelbërt socialist drejt 14 majit, me lopata në duar nëpër lulishte, si simbolikë zgjedhore nuk është (mirë)kuptuar të paktën prej meje si qytetar. Duket si një lëvizje ekologjistësh, mjedisorësh, bujqësh, por zor se mund te jetë kredo e manaxhimit të punëve të komunitet nga ana e kryebashkiakëve, të cilët as nuk mbjellin, as nuk prashisin, as nuk korrin, as nuk lidhin, në funksion të detyrës, veçse në paçin rreth vilave familjare ndonjë kopësht.

Prifti i mirënjohur italian i Zadrimës, Dom Antonio Sharra, që derdhi Kumbonën e Paqes me gëzhojat e plumbave vrastar të 97 - ës, e vendosur para “Piramidës” në Tiranë, në makinën e tij mbante dhe një lopatë, me të cilën mbyllte gropat në rrugët e paasfalturara asokohe të famullisë së Blinishtit etj. Kjo është një lopatë që nuk të hiqet nga mandja dhe që nuk ka asgjë të përbashkët me lopatat e kësaj fushate zgjedhore të “priftërinjve” të politikës, që u shfaqen në parqet e metropolit në duar qeveritarësh të lartë, si dhe gjatë daljeve mëngëpërveshur të kryebashkiakut të Tiranës dhe atij të Kamzës.

Dihet që është veç mirë të mbjellësh pemë frutore, dekorative etj., qoftë dhe në fushatë elektorale, për sytë e botës dhe do të kishte njëfarë kuptimi, nëse të njëjtët aktorë do të na ishin shfaqur me lopata jo në bulevard, por në arat e Myzeqesë, Bregut të Bunës, Devollit apo Dropullit, duke bërë gjeste të tilla simbolike të mbjelljes së kulturave bujqësore, që do ta merrnim si një kthesë të politikës qeverisëse drejt prodhimit vendas, ku pushteti vendor do të kishte një rol tjetër nga ai që ka sot. Pra, nëse lopata elektorale do të na sjellë bereqet dhe punësim, ku me e gjetë! Mirëpo kryebashkiakët rikandidues dhe ata të rinj asgjë nuk na kanë thënë për shtimin e prodhimit vendas, sigurimin e tregut për të dhe punësimin. A ka dhe pushteti vendor politika ekonomike? Apo vetëm shërbime dhe këtu mbyllet kapitulli i tij. Ajo që publiku sheh rëndom në kryeqytet dhe kudo, janë policët bashkiakë që venë shërbes-shërbes dhe ua përmbysin tezgat me perime të freskëta fshatarëve që vijnë me furgona nga Shëngjergji deri te Pazari i Ri për të shitur pak tranguj, speca e mollatarë...

“Lopata e gjelbërt” do të ishte e nevojshme të shkonte dhe në Bërxullë, ku banorët protestojnë dhe ditëve të diela, duke deklaruar se do të bojkotojnë zgjedhjet e 14 majit, nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre për dëmshpërblimin sipas tregut të shpronësimeve për hapjen e rrugës Thumanë - Kashar. Përtej rastit, a mundet që ekipet elektorale të shumicës të venë kudo ku ka njerëz me halle dhe jo vetëm aty ku përgaritet më parë terreni me patronazhistë e gjer fëmijë, që kërcejnë valle dyshe me udhëheqësit, si dikur Enveri në takimet me popullin.

Ndërkohë që vazhdon sfiltata elektorale bimëmbjellëse në publik për të bërë vota dhe në këtë mënyrë, dihet që ka dhe një tjetër fushatë të “gjelbërt” gjithandej nëpër malet e Shqipërisë, që nuk është ndalur që nga Lazarati i djeshëm e që zhvillohet pa kamera dhe slogane, por shpesh nëpër vringëllimat e armëve të krimit. Bimët e kësaj fushatës tjetër, me apo pa lopatë, janë kaq të harlisshme, sa kanë mbirë gjer në vazot e luleve, serat sipër tarracave të pallateve, duke krijuar “shtëpi bari” me shumicë. Duam apo nuk duam, ky është realiteti jeshil i “padukshëm” dhe kësaj nuk mund t’i bien mohit as zotërinjtë e fushës së blertë elektorale. Politika ka në dorë me e ndalue aksionin e hashashizimit të vendit, por nuk dashur apo nuk ka mundur ta bëjë.

Prandaj, në të gjitha vështrimet që ta rrokësh, ku e ku kjo lopata elektorale dyzetditëshe me ato lopatat e zakonshme, që nuk i përdor më as ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve rurale, pasi në vend të tyre, që punonin përditë e ngapak, vete fadroma e bashkisë për të pastruar dherat e rënë nga shirat. Shkurt, lopata ka dalë jashtë përdorimit aty ku duhet dhe ka hyrë në “përdorim” politik, si një vegël me të cilën do të punojmë katër vitet e ardhshme, në dekadën e tretë të shekullit XXI, a thue se nuk ishte lopatë ajo me të cilën ngarkonin mineralin në karroca pirustët!? Vegla më e thjeshtë e njerëzimit, një copë hekur me një bisht druri! Në dy mijë vjet vetëm njëherë pati përbërë lajm, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur u modernizua duke u bërë lopatë vetëngarkuese e mineralit në miniera. Pa ia zvogëluar aspak vlerën, lopata është aq e brishtë për të qenë simbol i një fushate elektorale për ndryshim, në vendin e mbuluar nga ferrat dhe plehrat, pasi po të kishte qenë ajo në punë, mjedisi ynë do të ishte i pastër.

“Simfonia” e lopatave elektorale nuk të ngjit, pasi nuk premton, thjesht duket si një reminishencë e së shkuarës e “popullit punonjës”, që beson te veglat e punës dhe “vija e partisë” për krijimin e mirëqenies. Kështu e kemi nisur, me drapër e çekan dhe yllin e kuq në ballë. Pastaj fitoret duheshin mbrojtuar, ndaj doli parulla tjetër “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Sot janë kohë të tjera dhe lopata është vetëm një iluzion. Përballë saj autobusi elektoral i kandidatit të opozitës duket më i gjetur, pasi dihet se si është trafiku i Tiranës, nuk hyn dhe nuk del dot pa humbur orë të tëra në vendnumëro. Por dhe sinjali për një nënkalim në sheshin “Skënderbej”, ku kryeqyteti ynë nuk ka asnjë metër metro, duket si një yshtje për nga moderniteti. Përkundrazi, pozita e sheh modernitetin te kullat, pa i hedhur sytë asnjeherë se si është “nëntoka” e amortizuar apo e munguar e Tiranës. Kullëzimi  i qyteteve mund të ishte emblema e saj elektorale.

Eleganca e përformancës qeveritare, me lopata të hijshme në duar, duket pa asnjë lidhje me vinçat, fadromat dhe tritolin që kanë shembur investime të mëdha si “Prestig Resort” në Adriatik, a thua se objekti kishte mbirë brenda një natë dhe shteti nuk kishte qenë aty më parë. Kjo është një faturë për shqiptarët, votuesit e majtë dhe të djathtë, ashtu si disa fatura të tjera, për të cilat kandidatët e sotëm për kryetar bashkie mund të thonë nuk është puna jonë por e qeverisë, kur të vijnë zgjedhjet e përgjitshme, ia plasni asaj në fytyrë. Por nuk është kështu, janë dy pushtete që bashkëveprojnë për zhvillimin e vendit, nganjëherë dhe për mbrapsht. Si të mos mjaftojnë shembjet, që nga ajo e Teatrit, për të cilat duhet mbajtur përgjegjësi në radhë të parë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, shefi i mazhorancës, nga pozita e Kryeministrit, kapërcen kompetencat ligjore dhe vë veton, duke i paralajmëruar votuesit, se nëse nuk jeni me ne, nuk keni investime?! Qytetari me të drejtë shqetësohet: more a thua, përpos taksave lokale, që mbledhin bashkitë me “forcat e veta”, të tjerat i paska në dorë qeveria? Apo Kryeministri nuk do t’ia dijë për “kryepleqtë” e provincës, sipas motos së vjetër vetë shkruaj e vetë vulos!? Përndryshe, si mund t’i thuhet votuesit të Shqipërisë europiane, si të jetë një tribu, se votën tënde e kam unë në dorë, pasi nëse ti don ujë, drita, kanalizime, rrugë dhe shërbime të tjera, hidhe votën këndej nga ne!...

Së fundi, të gjitha gjerat mund t’i hajë politika në fushatë elektorale, por që pozita t’i bëjë gjyqin opozitës, ta marrë nëpër gojë, t’i hakërrehet, kjo më të vërtetë që është e pakuptimtë. Të ishte opozita kështu e ashtu, po. Të ishte ky e të mos ishte ai në krye të saj! Ti si pushtet duhet të japësh llogari për lekët e keqmenaxhuara, se opozita nuk firmos as buxhet, as tendera, as investime, edhe të dojë nuk mund të korruptohet! Ishte qesherake të dëgjoje kryebashkiakun e kryeqytetit, prej tetë vitesh, t’i kërkonte llogari opozitës, për punët e pabëra sipas tij gjatë mandatit 2011 - 2015, kur kishte qenë ajo në drejtimin e Bashkisë!?...

Kjo është tallavaja e përditshme e fushatës.