Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Visar Zhiti: Ilirjani, me librin në jetë, me jetën në libër

| E merkure, 03.05.2023, 08:56 PM |


ILIRJANI, ME LIBRIN NË JETË,

ME JETËN NË LIBËR…

- Vëllai dhe Kafka që na dha Edi -

Nga Visar Zhiti

Ishte kohë kafkiane vërtet dhe Ilirjani guxonte, pa bujë, por hapur, vuajti, po nuk iu nënshtrua vuajtjeve dhe padrejtësive, madje iu përgjigj dhe vrazhdë… thashë “kohë kafkiane” se lidhet dhe me Franz Kafkën e ndaluar, kemi një ndodhi tonën ashtu, që dhe e kam shkruar.

Ilirjani mikun më të mirë pati librat, nuk u nda asnjëhere prej tyre, e kam thënë, nxënës e gjimnazist, ishte i shkëlqyer në mësime, por nuk ia dhanë të drejtën të shkonte në universitet, “biografia” e trashëguar, ushtar e punëtor ferme

vazhdimisht blinte libra, edhe për të vëllanë, që ia çonte në burg, edhe kur u bë punonjës banke apo në Ministrinë e Finacave, sepse u diplomua pas rënies së diktaturës në Ekonomik, i pëlqente poezia, madje botoi  përmbledhjen “Zili do ta kisha dhe një murg”, po shkruante sentenca, etj, por më parë e futa personazh në librat e mi, në burgologjitë “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”.

Ndërkaq ishte i trallisur pas Kafkës. E kopjoi të gjithë librin e tij me tregime italisht me dorën e tij në dy a tre fletore të trasha. Thashë, e kam shkruar.

Ishte fundi i diktaturës, por nuk i dihej fundi. Ishim në Lushnjë, punëtorë, vëllai i madh, Shpëtimi, në fabrikën e plastmasit, Ilirjani në fermë, motra te familja e saj, pranë nesh, e papunë në këtë kohë, më duket, unë te tullat, në baltë, i porsa dalë nga burgu, kur nuk guxonte askush të më takohente nga shokët e miqtë e dikurshëm të letrave, luftë klase, përveç Bujar Xhaferrit, që më njohu dhe me piktorin-pedagog Edi Rama, kishte ardhur nga Tirana për të mbaruar një murale në Muzeun e qytetit, afreskë i shkëkqyer që, etj, etj, dhe në këtë kohë Edi Rama më jep fshehurazi tregimet italisht të Franz Kafka-s. Ishte një ëndërr jona, një makth më saktë, por i bukur. Librin nuk duhej ta mbanim më shumë se një javë, Edi s’e kishte të tijin. Po ç’t’i bënim Kafkës për kaq pak ditë dhe jo shqip? Punonim dhe në punëra të rënda, unë dhe me turne…

- Do ta kopjoj të gjithë librin, - tha Ilirjani. Dhe u sëmur. Kafkianërisht dhe mori raport mjeksor, disa ditë pushimi. U mbyll brenda në dhomë dhe shkruaj e shkruaj, ditën dhe natën dhe e mbaroi krej librin së kopjuari. Është dhe sot në shtëpinë e tij e unë e kisha të vështirë të blija vepra të Kafkës deri vonë, nuk doja të prishja magjinë e librit-vëlla të tij.

E kam shtjelluar këtë ndjesi dhe te romani im “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”.

M’u kujtuan të gjitha tani që shoh imazhin e Ilirjanit para muzeut të Kafka-s në Pragë… por po (ri)sjell dhe ca pjesëza nga burgologjitë, një triptik në nderim të dashurisë vëllazërore, sot në ditën e tij të lindjes…

TË NDIHMOSH MËSUESIN, NJË POET:

- Ty po ta tregoj të parit, sapo e shkrova, - më tha Faslli Haliti, me të cilin jo vetëm na qe forcuar miqësia, por na ishte bërë dhe e domosdoshme deri në mërzi. Më zgjati fletët e një poeme, “Dielli dhe rrëkerat”, - lexoje, - tha.

Fillim pasditeje dhe ai dukej sikur sapo kishte dalë gjallë nga një makth ose do të shkonte drejt tij.

E mbarova rrugës, duke ecur. Fletët më dridheshin.

- E guximshme dhe goditëse. Të shtang, - thashë.

- E kam shkruar nga pozitat e së mirës, - u ngazëllye Faslliu mësuesmërisht.

- E fortë, - thashë unë.

Dhe vërtet, për shkak të kësaj poeme filluan mbledhjet e zymta të Partisë me letrarët e Lushnjës, unë isha i ikur, student në Shkodër, kritika për nxirje të realitetit, por poema nuk është kundër socializmit dhe udhëheqësit të saj, drejton klasa punëtore te ne, ç’është ai shi që bie ashtu si në kapitalizëm?! Mos u ul, rri në këmbë, i tha sekretari i parë Faslliut në mbledhjen që zgjati nja 9 orë, deri pas mesnate.

Im vëlla, Ilirjani, e kishte marrë vesh më parë komplotin që po i kurdisej atij, ia tregoi Bujari, gjoja disa shokë të tij gjimnazistë ishin shqetësuar për atë poemë revizioniste dhe kishin shkruar një letër, të cilën, thoshin, e kishte përgatitur më parë ai kritiku i njohur... Ilirjani dhe Bujari shkojnë e lajmërojnë Faslliun, (punë me rrezik kjo, që ai të mund të mbrohej… shën. imi), që u alarmua dhe u nis vrik për në Tiranë, në Komitetin Qendror, kështu tregoi më pas, takoi Ramiz Alinë, i cili, për çudi, e priti mirë dhe e qetësoi, ndërkaq, me t’u kthyer, prapë mbledhje, poeti u dëbua në fshat, që të njohë jetën, të mësojë nga kooperativistët, të mblidhte dhe ai bar bashkë me ta, pleh kimik, organik, të prashiste.

Kur të merr malli të shkruash, ç’bën? E pyeti im atë, që e njihte këtë dhembje, të qenët i ndaluar, madje përgjithmonë.

Asgjë, lyej derën, iu përgjigj pikëllueshëm ai.

TAKIMI I PARË NË BURG:

Në një nga ditët e mëpastajme më morën nga qelia dhe më lanë vetëm në ajrosje. Aty te muri i madh. Do të më pushkatonin kështu, apo do të më nxirrnin në fotografi prapë për dosjen e dënimit? Dhe atëherë, kur më vunë pas murit, dyshova se mos aparati fotografik ishte ndonjë lloj arme. Prisja plumbin me atë “trak” të thatë e të shterpët që do të fiksonte fytyrën time të dënuar, një herë përballë e pastaj në profil.

Këtu ose më tej në mur, u hap një sportel dhe përtej pashë… tim vëlla. Ah, portreti i tij si në një kornizë të rëndë, gropë e ngritur lart. Edhe ai ashtu si unë, me një polic anash.

- O-o-o-o-o! - u mahnita. - Ti, Ilirjan?

- Bo-bo, sa qenke fryrë, si të kanë bërë… shëndoshur, - e ktheu fjalën me dëshpërim im vëlla. - Si je?

- Ja, më ka fryrë asgjëja, dergjja. Pushim këtu. Më dënuan 10 vjet. Po ju si jeni?

- Na ka forcuar të gjithëve halli yt. Sëmundjet e mamasë, zemra e saj, tensioni i babait kaluan në dorë të dytë. Çdo e keqe ka të mirën e vet, - buzëqeshi për mua hidhur. - Si e kalove këtë kohë?

- Flisni për gjëra të tjera, - ndërhyri polici i tij.

- Kaloi, - thashë shpejt e shpejt, - gjallë.

- Jo biseda të tilla, ju thamë, - tani ndërhyri polici im. - Do ta ndërpresim takimin. Na vjen keq.

Im vëlla po çapëlente sytë për të më parë sa më tepër e të mbushej me mua, ashtu si unë me të. Atyre u mungoja veç unë, mua më mungonin të gjithë. Përveçse vëllezër, ishim edhe shokë dhe gjithmonë flisnim kundër regjimit, shumë më tepër se me miqtë e ngushtë, të përbashkët. Por tani goditja ishte humnerore.

- Të kam sjellë dhe libra, por... Gjakftohtësia...

- Takimi mbaroi, - thanë policët, që përsëriteshin një andej dhe tjetri në këtë anë të murit si në një pasqyrë barbare. S’mundëm të shtrëngonim duart vëlla me vëlla para se të mbyllej ajo zgavër magjike në mur. Tragjedia ime ishte e vërtetë. Unë e kisha humbur botën dhe njerëzit e mi do të më shfaqeshin pas vrimave dhe hekurave gjithnjë e më pak…

DASMA LARG E VËLLAIT,

- këndon Sherif Merdani -

Rende për në depon e ushqimeve, nxore pakon e madhe të llokumeve nga thesi yt, e ruaje për këtë ditë, e diel dasme, e shqeve me duart e harbuara, i dhe një rojës së burgosur të depos, pa i thënë asgjë, dhe e mbajte frymën te Valeri. “Dua një këngë, - i the i ngashëryer, (Sot po martohet im vëlla…) - merre dhe një llokume tjetër.” “Shkojmë te Sherifi?” I dhe llokumen e urimit. Po këto të tjerat? T’i hamë të gjitha. Ashtu kokë më kokë të tre, pas murit para shkallëve të korridorit të zyrave të riedukimit.

- Ejani, - tha këngëtari, - futemi në atë që gjoja është dhoma e kulturës. M’i kanë lënë mua çelësat, ngaqë di t’i bie fizarmonikës, - dhe, me të mbyllur derën, i hodhi rripat e atij instrumenti krahëve. Sikur dyfishoi krahërorin e vet. Zbrazi frymë. Se si t’u duk, si në një torturë. Fluturoi lehtë gishtat nëpër tastierë, tinguj, një melodi, kaq e ëmbël… muaj mjalti… kështu kishe lexuar nëpër libra, të porsamartuarit shkojnë e mbyllen në një dhomë hoteli, shohin shiun nga xhamat, pyllin, veturat, çifte kuajsh e s’dalin fare, bëjnë dashuri natë e ditë. Në diktatura s’lejohet. Zëri i këngëtarit të rrëqethi. Ajrin e shndërroi në cicërima gjithë flatrime zogjsh, që s’dihet se si ikën. Po i këndonte dashurisë, zëri forcohej, malli bashkë me të, por jo me tone të larta, jo, jo, nuk duhej të dëgjohej jashtë, një ngjirje mahnitëse sikur zëri të qe fërkuar në kurrize dritash në botën e tejme, me qytete të gjallësh. […]. Këngëtari kishte anuar kokën e rëndë mbi fizarmonikë, e ngriti dhe buzëqeshi. Nisi të këndonte anglisht këngën e vet, atë që kishte kompozuar me mend në qelitë e Buu-uh- rrr-bbrrr-e-e-l-i-i-t-t, “When I am dead, my dear!”. “Është poezi e Kristina Rosetit”, - tha shpejt dhe zëri i tij nisi të ndizte qirinj, flakët e të cilëve, nga shkaku i lotëve, ngjanin si brerore të rubinta.

[…] Shfryu fizarmonika ose ai, a të dy bashkë një brengë, aq të madhe tani, teksa Sherifi e la mbi tryezën e pluhurosur. Buzëqeshi dhembshëm. “S’mund të bëja dot më shumë, kaq mundesha”, - dukej sikur thoshte. “Po ti bëre shumë, falemnderit, më dhe këngën, atë që s’duhej të mungonte tek unë sot. Të jam mirënjohës përgjithmonë.”

...

Kush e solli atë letër nga toka dhe iku? Nga nëntoka, nga ferri i saj. O Zot, ç’letër e mrekullueshme, pikërisht tani, me vulën e burgut. Po pse tani? Ta kishte lënë për pas dasme, meqë nuk e solli dot para saj. Ta ketë bërë me qëllim postieri?! “Ç’do të thotë burg, të lutem, thuama”, - pyeti një re e vogël puplore. “Herë tjetër, - iu përgjigjën, - po shko dhe mbaji fustanin nuses nga pas.”

Ngashërime, po qanin, jo me zë, jo, mosni, është dasmë. Letra… nuk e lexonin dot, sa prekëse. Leko, Frisko, u thoni të pushojnë, se juve ju dëgjojnë ata… Zonjë, je mamja e tre djemve dhe e një çupe, secilit i takon gëzimi i vet që është i të gjithëve. Jemi dëshpëruar bashkë, kur ishte për t’u dëshpëruar, të gëzohemi bashkë tani që duhet të gëzohemi. Është dhe porosia e tij, e ka shkruar në letër…