E enjte, 28.03.2024, 07:51 PM (GMT)

Speciale » Alia

Shtëpia Botuese “Streha”, ka botuar monografinë “Andronika dhe Gjoni II Kastrioti”, të autorit Lutfi Alia

E marte, 02.05.2023, 06:55 PM


Lexuesit që e dëshirojnë këtë libër mund të telefonojnë në numërin 068 202 6582.

Andronika Arianit Komnena, vajza e Gjergj Arianitit dhe e Marie Muzakës, në vitin 1451 u martua me Gjergj Kastriotin. Gjatë 17 viteve jetesë bashkëshortore me Gjergj Kastriotin, Andronika u shqua si zonja e parë e Arberisë, si nënë shembullore, si zonjë fisnike trime, që kishte fituar admirimin dhe respektin e mbarë arbërorëve. Gjergji dhe Andronika kishin një djalë Gjonin II, lindur më 26 prill 1454.

Vdekja e papritur e Gjergj Kastriotit më 17 janar 1468, e tronditi Andronikën, djalin Gjonin II, të afërmit dhe mbarë popullin arbëror. Në shkurt 1468, Andronika i kërkoi mbretit Ferrante I i Napolit, ta ndihmonte të transferohej në Itali, në feudet e tyre, që Ferrante I ia kishte dhuruar Gjergj Kastriotit në vitin 1464. Nga marsi i vitit 1468 deri në shtator 1477, Andronika me Gjonin jetuan në Napoli, ndërsa pas martesës të Ferrante I me Xhiovana III Aragona, Andronika ishte dama shoqëruese e mbretëreshës. Periudhën e adoleshencës Gjoni II e kaloi në Napoli, ku frekuentoi shkollat më të mira të qytetit. Në vitin 1472 u martua me Erina Brankoviç. Pas martesës Gjoni II dhe Erina shkuan në feudet e Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo. Në vitin 1481 Gjoni II organizoi kryengritjen për çlirimin e Arbërisë nga pushtuesit osmanë, por nuk mundi të përballonte forcat e shumta turke dhe u detyrua të kthehet në trojet e veta në Pulja. Në vitin 1485, mbreti Ferrante I i dha Gjonit II feudet e SanPietro në Galatina, në shkëmbim me feudet Monte Sant’Angelo e San Giovanni Rotondo.

Në korrik të vitit 1502, Andronika shoqëroi Xhiovanën IV në Valencia, dhe jetuan së bashku në rezidencën e mbretit Ferdinandi II të Spanjës. Në oborrin mbretëror të Napolit dhe të Valencias, Andronika u prezantua zonjë fisnike me kulturë, me dinjitet dhe me autoritet, duke fituar adhurimin dhe nderimin e të dy kurorave mbretërore. Në letrat dhe dokumenta të kohës, Andronikën e cilësojnë e madhërishmja madama Andronica Castriota; madama Donika, gruaja e Skenderbeut; Zonja e shkëlqyer Andronika, ndërsa sekretarët e mbretit, në letrat që i dërgonin i drejtohen me emërin Skenderbega, ashtu si shumë historianë dhe kronistë e quajnë Skanderbega, çka shpreh vlerësime të personalitetit të Andronikës si bashkëshorte e denjë e Gjergj Kastriotit. Gjoni II vdiq në vitin 1505 në Kanoza të Puljas dhe e varrosën në kishën Shen Maria delle Grazie në Galatina, ku ndodhen dhe varret e pjestarëve te tjerë të familjes Kastrioti.

Andronika ndërroi jetë në Valencia më 15 shtator 1506 në moshën 78 vjeçare dhe e varrosën në kriptën e kapellës Sant’Angelo në Manastirin Shen Triniteti i Valencia – Spanjë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora