E premte, 19.04.2024, 02:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Syrja Etemi: Letra e një adoleshenti të ngujuar

E hene, 01.05.2023, 07:47 PM


29 prill, 2001

LETRA E NJË ADOLESHENTI TË NGUJUAR

Nga Syrja Etemi

Në ditarin e sotëm do të prezentoj një letër mjaft interesante  të një ish nxënësi të shkollës sonë, që më vizitoi në vendin tim të punës dhe ma dhuroi shkrimin për ta redaktuar dhe për ta publikuar kur do të krijohen kushte më të mira. Në kërkesën time për ta përfshi në ditar(osje) që ia tregova për aq sa kam shkruar deri më tani, ai u dakordua, por pa shënuar emrin dhe mbiemrin e tij.

“Duhet të jemi të pikëlluar për shkak të kësaj zezone.  Edhe unë si i ri që jam e ndjej (ndoshta edhe më shumë) këtë gjendje traumatike. Shumë njerëz të vendbanimit tim janë të stresuar, të sëmurë, shumë kanë vdekur e do të vdesin… Shumica syresh, sipas mëhallave e lagjeve, janë mbështetur në njëri – tjetrin në mënyrë për t’i shpëtuar rrezikut që vjen nga toka e qielli. Janë bashkuar dhe gjejnë kulm apo strehim më të sigurt, si: shtëpi më të forta e me podrume, sallone të mëdha (për 40-50 vetë), ndër të cilat edhe shtëpia e familjes time. Megjithatë, në shtëpinë tonë është kthyer një lloj “gëzimi”. Babi dhe mami, gjyshi, gjyshja, kushërinjtë e kushërirat,  flasin më me përdëllesë e me diskurse këshillëdhënëse, kanë kujdes më të theksuar edhe ndaj neve si fëmijë. Madje kemi bërë lojra. Nuk ka më dalje nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Nuk ka më dalje nëpër kafeteri dhe nëpër shitore. Nuk ka më grindje. Sikur po zgjohemi nga një ëndërr herë të ankthshme e të zhurmshme, e besa edhe mikluese e të ngrohta, sikur gjithçka është e do të kalojë në qetësi. Për babin nuk ka më rëndësi nëse do të shkojë në Zvicër, Gjermani apo Danimarkë, është i kënaqur me atë që ka, por me rëndësi është të shmangemi e të shpëtojmë nga ndonjë sulm i befasishëm nga qielli apo nga toka, sidomos nga ana jugore ku janë stacionuar forcat paramilitare, policore dhe ushtarake të këtij shteti të mallkuar.  Mamit më nuk i intereson se çfarë kanë bërë, apo çfarë kanë veshur yjet e estradës; të komentojë me kushërirat  telenovelat latine - të orëve të natës; nuk mund të dëgjojmë as muhabete dasmash e restonesh ku ushton muzika tallava e “protagonistëve” të destinuar e trajnuar mirë e që ndërtuan pallate ekstravagande.

Nuk do ta teproj nëse them se, kjo situatë ndikoi pozitivisht edhe në shprehjen e kujdesit më të madh edhe ndaj të moshuarve. U blejmë gjëra nëpër shitore. U qasemi më afër për të na treguar mesele e përralla. Jemi bërë më interaktiv brenda hapësirave të shtëpisë. Sikur jemi bërë njerëz më të mirë. A duheshka të na vijnë këto ditë të mbrapshta, që më në fund, të solidarzohemi, të “zbutemi”  e  të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin?”

Nga kjo klithmë rinore, unë nxora këtë përfundim: Njeriu ka nevojë për imunitet fizik, por Neve, gjithësesi, veç kësaj domosdoshmërie biologjike, na duhet të krijojmë edhe një imunitet më të konsiliduar psikologjik, mental e social.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora