E enjte, 28.03.2024, 06:12 PM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Gjurmëve të qytetit të Damastionit në trevat e Dardanisë qendrore

E diele, 30.04.2023, 07:00 PM


Gjurmëve të qytetit të Damastionit në trevat e Dardanisë qendrore

Nga Qazim Namani: Dr. Arkeologji/Trashëgimi Kulturore

Damastioni ishte qendër e madhe xehëtare me rëndësi në Dardani, ku që nga shekulli i IV p.e.re, preheshin monedha prej argjendi. Në simbolet e përdorura mbi monedha është çekani i minatorit, që dëshmon se qyteti ishte qendër e një treve të pasur me miniera të arit dhe argjendit.

Damastioni është njëri nga qytet e rëndësishme ilire i cili ende nuk është zbuluar se në cilën treve ilire ishte ngritur. Bazuar nga burimet antike ky qytet ishte bërë i njohur për përpunimin e arit dhe argjendit.

Minierat për rreth, dhe përpunimi i metaleve fisnike në këtë qytet kishin një rol mjaft të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, të jetës sociale e kulturore të asaj treve.

Gjurmët e vendndodhjes së këtij qyteti ende nuk janë të përcaktuara qartë, lidhur me këtë çështje janë ngritur shumë hipoteza, por nga mungesa e hulumtimeve në terren, nuk është vërtetuar, ku kanë ekzistuar gjithë ato miniera, dhe ku ka lulëzuar ky qytetërim.

Hipotezat e ngritura deri më tani dallojnë shumë mes veti, duke e kërkuar në disa qytete dhe vendbanime të ndryshme nëpër trevat e Ilirisë dhe Dardanisë antike.

Shumë studiues për këtë qytet dhanë mendime, duke e kërkuar nga viset jugore të Shqipërisë, në Maqedoninë e sotme, në Kosovë dhe në Serbinë e sotme.

Nga burimet e më hershme mësojmë se në këtë qytet përveç përpunimit të metaleve fisnike, u prenë edhe monedha me emër të qytetit dhe çekanin e minatorit, të cilat sot hasen në shume vendbanime të Gadishullit Ballkanik.

Nëse bazohemi në shkrimet e studiuesve antik, por edhe në mendimet e studiuesve tanë nga Kosova si: Zef Mirditës, Edi Shukriut etj, të cilët mendojnë se qytetin ilir Demastionin duhet kërkuar në Dardani, e pikërisht në lokalitetet e përpunimit të metaleve në rrethinën e Artanës, dhe bazuar në gjurmët arkeologjike dhe minerare, mundë të konstatohet se kjo trevë, pa tjetër duhet të ketë qenë qendër primare për ekonominë dardane.

Përveç shumë lokaliteteve  tjera arkeologjike, monedha të Damastionit janë gjetur edhe në Kështjellen e Veletinit afër Janjevës.[1]

Rëndësia e këtij territori të Dardanisë dëshmohet edhe nga ekzistimi i shumë kështjellave dhe gradinave pranë galeriveve minerare që sot i hasim në terren.

Mbarimi i kulturës së bronzit që në malësinë e Galabit, dëshmohet me nekropolet e zbuluara në fshatin Bërnicë të poshtme, Grashticë e Keqekollë, afër Prishtinës, filloj një kulturë e re ajo e hekurit.

Mbi fshatin Bërnicë, ngrihet kështjella e Siçevës, në Grashticë është fortifikata dhe vendbanimi antik i shtrirë ne disa hektarë. Në fshatin Keqekollë, ekziston një fortifikat që mendohet të jëtë Kështjella e Kekollës.[2] Qytetrimi dardanë në këtë trevë dëshmohet me një numër të madh të fortifikimeve dhe monumenteve të zbuluara.

Në periudhën e hekurit, në këto treva jetonin dardanët, të cilët ishin bartës të qytetrimit të ri, duke dëshmuar kontinuitet qytetrimi që nga parahistoria.[3]

Kjo periudhë e qytetrimit dardanë dëshmohet me vendbanimet e fortifikuara (qytezat), të cilat sot i gjejmë në tërë territorin e Kosovës së sotme e më gjërë.

Vendbanimet e tipit të fortifikatave në territorin e Kosovës, na shfaqen që nga mbarimi i periudhës së neolitit.[4] Kultura materiale e zbuluar në fshatin Damarocë, pranë lumit Morava Jugore, dhe në fshatin Vlashnje afër Prizrenit, i përkasin grupit: Iodertaro-humusor.[5] Supozohet se këto fortifikime të ngritura në epokat e hershme të historisë, kanë vijuar zhvillimin e tyre gjatë tërë epokës së bronzit, në mënyrë që në epoken e hekurit të bëhen si vëndbanime dominuese në zonat për rreth ku shtriheshin.[6]

Në trevëne burimit të Moravës Jugore, mund ta kërkojmë qendrën kryesore të qytetrimit në këtë zonë, dhe se zbulimet e kulturës materiale të epokës së hekurit, në këto anë ju përkasin dardanëve.[7]

Duhet theksuar se xeheroret e Kosovës janë shfrytëzuar që nga periudhat e hershme të metaleve, dhe kjo dëshmohet në tërë territorin e Kosovës.

Xehetaria si degë e rëndësishme ekonomike gjatë Mbretërisë së Dardanisë gjatë shekullit IV-III para erës sonë, ishte zhvilluar edhe jashtë kufijve verilindor të Kosovës së sotme. Minierat në rrethinë e Leskocit, Medvegjës, Vrajës, Bujanocit, Preshevës dhe Kumnovës, ishin degë kryesore të ekonomisë që ndikuan në zhvillimin e qyteteve në këto anë, gjatë periudhës helenistike, në antikitetin e vonë dhe mesjetës.

Emil Cershkov: gjatë hulumtimeve në terren ka shkruar se, në territorin mes Gjilanit dhe Bujanocit janë ruajtur gjurmët e xehetarisë së vjetër antike e mesjetare, të cilat me vështirësi dallohen, sepse gropat dhe galeritë janë shembur që moti dhe mezi mundë të shihen në terren.[8]

Për minierat e kësaj treve kemi të dhëna edhe nga autorët antik. Shkrimtari romak Straboni, i cili jetoi ne shekullin e parë para erës sonë, në librin e tij VII, ka shkruar se, dardan janë dhe Galabrët tek të cilët …..(mungesë në test), është një qytet i vjetër …. këta pra banojnë në thellësi të vendit.[9]

Është një fakt se Straboni e dinte për atë qytet, dhe e gjeti të udhës ta citonte me epitetin Arhaia e kjo tregon se nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë fortesë të zakonshme.[10]

Dardanët kanë qenë të organizuar në jetën politike, ekonomike dhe sociale prandaj si duket ky polis Arhaia ka qenë qendër e rëndësishme e fisit dardan Galabroi.[11]

Edi Shukriu, për ekzistimin e qyteteve në Dardani shkruan: Sipas burimeve antike në Dardani kishte qytete, kështu në shek. I p.e.re, autori antik Tit Livi bënë dallim midis vendbanimeve, duke i quajtur disa prej tyre me nacionin urbus, përderisa Straboni përmend një qytet të vjetër tek Galabrët dardan, pra një qytet që në shekullin e I p.e.re ishte i vjetër.[12]

Hatat që tregojnë shtrirjen e fisit të lashtë dardan Galabri

Dardanët kishin zhvilluar njësi minerare të ashtuquajtura fines, njësi këto që posedonin njësine administrative të quajtur vicus metallic.[13]

Monedha të prera dhe të prodhuara në qytetin e Damastionit, përveç Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, janë gjetur edhe në shumë lokacione të tjera, si: tetradrahma në Kulinë (ndërmjet Nishit dhe Leskovcit).[14]

Autori Petar Popovi? paraqet tri monedha të zbuluara ne Kërshevice, ndër të cilat një e prerë në Damastion kurse dy në Pelagia.[15]

Banja Luka. Siç thamë më lart, monedhat e Damastionit u zbuluan në Dalmaci, Bosnje dhe Hercegovinë. Në Shqipëri, përveç Shkodrës, monedhat e Damastionit u zbuluan në zonën e Elbasanit.

Sipas Imhoof-Blumer, monedhat e Damastionit u gjetën, afër Stobit, Shkupit, Vranjës, Kumanovës dhe Karatovës perëndimore. Paraqitja e monedhave Damastion u dëshmua në Janjevë, Prizren, Gjakovë dhe Pejë. Krahas lumit Morava në veri-lindje nga Vranja dhe Kumanova, konkretisht në Kulinë, afër Leskovcit në vitin 1923 u zbulua një grumbull i madh me monedha Damastion. Duke shkuar më tutje në lindje, gjenden 11 monedha të Damasionit në Muzeun Kombëtar të Sofjes në Bullgari. Të gjitha ato 11 monedha janë zbuluar në territorin e Bullgarisë. Edhe në Rumani u zbuluan monedhat e Damastionit. Sa i përket Shqipërisë në Shkodër u zbuluan 3 monedha të Damastionit. Në Dalmaci në Sinj, rreth 25 km afër Splitit, u zbuluan 30 monedha, në Risan (Rhizoni i lashtë), në Bocche di Cattarro, u zbulua një grumbull me monedha të Damastionit. Në disa monedha të Damastionit është shfaqur çekiçi i minatorit, i cili dëshmon se qyteti ishte qendra e një rajoni të pasur me minerale argjendi. Përderisa monedhat e Damastionit janë kryesisht monedha ari dhe argjendi, atëherë lirisht mund të pohojmë se Damastioni gjendej afër minierave të arit dhe argjendit, gjë që dëshmohet nga gjurmët e minierave që gjenden edhe sot në miniera të ndryshme, lumenj edhe të rajonit të Kosovës.[16]

Rreth ubikimit të qytetit të Damastionit, në mungesë të materialit tjetër të shkruar arkeologjik, janë shprehur disa mendime të kundërta, lokalizimi i këtij qyteti është përcaktuar në sajë të monedhave të gjetura që janë prerë në shek. IV-III p.e.re. Sipas tipit, stilit dhe emrit të monedhës, Imhoof-Blumers dhe GaebleresZeitshrift fur numismatic I “ 1874,99 ss dhe “Zeitshrift fur numismatic 37 “ 1927 pag 245 ss, kanë menduar se ky qytet duhet të jetë diku afër Peonisë, madje Dyestoi sipas Gaeblerit, Dinastet do të jenë Peon. Më vonë Imhoof-Blumes e lypin diku në jug të Shqipërisë te Antigoneja respektivisht te vendi Dames nja 10 km në veri të Tepelenës, te lumi Vjosa. Philipson është i mendimit se Damastioni mund të identifikohet me Gjirokastrën e sotme.

Karl Paçi po ashtu mendon se duhet të gjendet në jug të Shqipërisë. V. Tomashek këtë qytet e lypë diku në trevën e Pirustëve, respektivisht në Mirditë, ku ka qenë i njohur aktiviteti i xehetarisë. Të njejtin mendim por më preciz e ka edhe R.L.Beau Mond, sipas të cilit Damastioni duhet të lypet diku në Mirditë ose në Dukagjin.

Megjithatë duhet theksuar, që me sa dihet deri me tani, në Shqipëri janë gjetur vetëm tri copa monedha të Damastionit, gjë që është e pa kuptueshme të pranohet hipoteza e ubikimit të këtij vendbanimi, kudo qoftë në Shqipëri.

Vetë fakti se lokalizimi i këtij vendbanimi ka nxitur interes të madh, dhe mendimet për shtrirjen e tij, prej një vendi në një vend tjetër, tregon jo vetëm rëndësinë por dhe vështirësinë e kësaj qasje. Kështu Konstantin Jeriqeku mendon se ubikimi i tij duhet të lypet diku në veri të Dibrës. Mendimeve të K. Jeriqekut, ju afrohet dhe A. Majeri i cili këtë e lyp në veri të qytetit të Ohrit.[17]

Me gjithë mendimet e kundërta rreth ubikimit të këtij qyteti duke ndjekur metodën e rrahur deri më tani, bazuar në gjurmët e eksploatimit të xeheve dhe fortifikimeve, mendojmë se Damastionin duhet ta lypim në trevën qendrore të Dardanisë, respektivisht në trevën e sotme të Kosovës, Serbisë jugore dhe Maqedonisë perëndimore.

Në vitin 1961 në jug-perëndim të Janjevës në vendin e quajtur “toka e bardhë” janë zbuluar mbeturinat e një vendbanimi antik, dhe me qenë se kjo trevë me Artanën (Bovo Brdo)[18], dhe minierat e Kishnicës janë të njohura si vende të pasura me minerale.

Është me rëndësi të dihet, se në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të Damastionit, kurse si Straboni ashtu edhe Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit të cilat gjendeshin në afërsi të Damastionit. Pikërisht këto të dhëna e bëjnë ta lypim këtë qytet në afërsi të Kishnicës respektivisht Janjevës apo të Prishtinës shkruan Zef Mirdita.[19] Nga ky shkrim shihet se Zef Mirditës i kanë munduar hulumtimet në terren, në fshatrat tjera të kësaj treve.

Mendoj se mendimi i Zef Mirdites për ubikimin e Demastionit në pjesën qendrore të Kosovës, e pikërisht në malet e Galabit, është i qëlluar, duke u bazuar te gjurmët xehetarie të cekura më lartë në rrethinën e Janjevës, Artanës dhe të Prishtinës. Është me rëndësi të shtohet edhe fakti se trevat veri-lindore dhe jugë-perëndimore të Artanës janë shumë të pasur me lokalitete xehetarie, dhe gjurmë të lashta antikiteti për të cilat nuk është shkruar nga autorët bash kohor, pasi nuk janë bërë hulumtime të duhura në këto treva.[20]

M. Suici mendon se ky polis ishte qendër e një bashkësie territoriale. Identifikimin dhe ubikimin e kësaj qendre e ka dhënë edhe Ivan Mikulcici duke e lokalizuar me kalanë e Shkupit, e që me rezervë këtë mendim e merr edhe Fanula Papazoglu.[21]

Mendojmë se Ivan Mikulcici dhe studiuesit tjerë të cekur më lartë, për ubikimin e këtij qyteti kanë ndjekur rrugën e gabuar, sepse duhet besuar se fisi i njohur dardan, Galabroi ka jetuar në territorin e Galabit të sotëm, pra në thellësi të Dardanisë antike, kurse qyteti i Shkupit nuk shtrihet në territorin e malësisë së Galabit, e as në pjesën qendrore të Dardanisë antike dhe kjo bie ndesh me të dhënat e Strabonit.

Bazuar në rezultatet e terrenit mendojmë se në të ardhmen këtë qytet duhet kërkuar në rrethinën e Artanës e pikërisht në Malësinë e Galabit.

Në bazë të burimeve të mbledhura nga terreni, del se edhe ana veriore e Prishtinës, nuk ka qenë mbrapa për nga zhvillimi i xehetarisë, krahasuar me anën përendimore, ku mund ti cekim gjurmët xehëtare dhe fortifikimet në fshatrat: Samaderxhë, Barilevë, Lupçë të ulët, Besi Tenezhdoll, Majac ( Kështjella dhe Gradina), Popovë, Patok, Kacanoll, Llapashticë, Pakashticë, Zhiti, Marincë, Murgullë, Bollostenë etj.

Gjatë hulumtimeve në terren në malësinë e Galabit, kemi hasur në mjaftë toponime që në njëfarë mënyre lidhen me minierat e argjendit, arit dhe qytetin e parë dardan Aria.

Është me rëndësi të ceket se lugu i “Gjytetit të Rimit” në fshatin Prapashticë sot quhet lugu i Arushës, ku tek banorët e kësaj ane nuk mbahet në mendje të jetë parë ndonjëherë ari në këtë lokalitet, kësaj duhet shtuar se në anën jug-perëndimore të këtij lokaliteti fillon territori i fshatit Keqekollë ku kroi i këtij fshati quhet Kroi i Kikollit (Kroi i Gjytetit).

Në këtë fshat është zbuluar një kështjellë që mendohet të jete Kështjella e Kekollës, e cila gjendet në listën e rindërtimeve nga perandori Justinian.[22]

Në fshatin Keqekollë rreth 1km në anën jugore nga kroi i qytetit, një hyrje e galerisë nga popullata quhet “Shpella e Argjentit”. Në këtë fshatë janë regjistruar gjashtë vende, ku ishin tubuar skoriet (zgjyra e metaleve), nga përpunimi i xeheve. Sasia e grumbulluar e skorieve në Keqekollë, Ballaban, Barainë, Herticë, Prapashticë, Dabishec, Hajkobillë, Kremenatë, Strezoc, Bugjenicë, Gjyrishec, Kronidel, Krilevë, Marec dhe fshatrave në rrethinën e Janjevës e Gjilanit, është bartur dhe dërguar në shkritoren e Trepçës në vitet pesëdhjeta të shekullit XX.

Në Prapashticë ekzistojnë gërmadha të vendbanimit të lashtë, themelet e disa kishave, zgjyrë xehesh, varreza me trup vendosje dhe tumulare, kurse në hyrje të këtij lokaliteti një luginë quhet “Lugut të Arushës” ku është evidentuar rruga që ka ekzistuar që në kohët e lashta.

Në anën jug-lindore në fshatin Marec jo larg këtij lokaliteti gjendet lokaliteti arkeologjik i quajtur gradinë. Një mikrotoponim i ngjashëm e gjejmë edhe në fshatin Mramur, me emrin “Fusha e Arushës”. Në këtë fshat janë gjetur gjurmët e një qytetërimi antik, që vetëm e përforcon mendimin se qyteti Aria duhet kërkuar në vargun e mikrotoponimeve të ruajtura për “Gjytete (Qytete)”, në këtë trevë, që dëshmojnë një zhvillim të pa kontestueshëm në lashtësi, duke filluar prej Gjytetit të Istrinës (Grashticës), pikërisht lokalitetit arkeologjik që shtrihet dhe në territorin e fshatit Mramur.

Një fortesë e rindërtuar në Dardani nga mbreti Justinian quhej ARIA, që mendojmë se duhet ubikuarë me ndonjërën nga kalatë që ngritën mbi Gradinën e fshatit Siarinë.

Në fshatrat rreth Siarinës, pothuaj se në çdo fshat edhe sot vërehen gjurmët e përpunimit të metaleve, dhe gjatë rrjedhës së ujit në këto anë, kudo hasen skorie të mbetura nga përpunimi i metaleve. Në këtë zonë është e njohur miniera në fshatin Lece.

Pranë Gradinës së Siarinës në fshatin Sfircë, janë ruajtur toponimet “Birat e Arisë”, në fshatin Zajçec edhe sot ruhet toponimi “Bashqja e Arisë”, mikrotoponime këto që e përforcojnë mendimin tonë. Në fshatin Marec, është gradina, lokalitet ky i rrethuar me shumë fortifikime dhe miniera. Pranë kësaj gradine ka sasi të madhe të zgjyrës.

Në fshatin Gjyrishec, Velegllavë në kufi me fshatin Marocë, një vend shkrirje e mineraleve quhet “Shpella e Argjendit”, në këtë vend vërehen gjurmët e një galerie.

Pranë gradinës së Siarinës, një kështjellë sot quhet “Quka e Dukatit”, që mendojmë se emrin dukat (ari)[23], kjo kështjellë e mori pas pushtimit Osman, duke lënë të kuptohet se më parë është quajtur “Quka e Arit”.

Fshati Siarinë është lokalitet i njohur arkeologjik dhe i vetmi vendbanim i lashtësisë që karakterizohet me gejzerin me ujë shërues. Gradishta e këtij fshati që nga kohët e antikitetit dëshmon për një vendbanim të lashtë, që e kishte edhe banjën shëruese, prandaj deri më sot janë ruajtur emërtimet e fshatrave ‘’Banja e Vjetër’’ dhe ‘’Romabaja’’. Të dyja këto fshatra, duke i përfshirë edhe fshatrat përreth Siarinës, janë të njohura si vendbanime minerare të antikitetit.[24]

Nga shumë harta të botuara gjatë shekullit XIX, dëshmohet se malet e rrethinës së Artanës (Novo Brdës), janë quajtur Malet e Argjendit

Vërehet se edhe në përshkrimet e Ptolomeut për katër qytete urbane në Dardani Aribantioni është i renditur në relacionin rrugorë mes Naissusit (Nishi i sotëm), dhe Ulpianës pranë Prishtinës, çka i përgjigjet lokalitetit “Quka e Dukatit”.

Mita Rakiqi, në librin e tij “Iz Nove Serbije”, Malësinë e Galabit, nganjëherë e quante edhe Gulab i cili thekson se në bjeshkët e Galabit, duke e pasur parasysh trevën e Jabllanicës, jetonte elementi shqiptarë, ose siç ai e quante elementi arnaut.[25] Prania e dardanëve në rrethinën e Medvegjës është vërtetuar me gërmimet arkeologjike në tumat e kësaj treve, që kronologjikisht janë të kohës së mbarimit të periudhës së bronzit. M. V. Garashanin thotë se rajonin e Lebanit të Leskocit e kanë banuar pa dyshim dardanët.[26]  Në vitin 1858 disa fshatra të “Pustarekës” dhe të “Jabllanicës” i ka vizituar edhe Johann Georg Von Hahn. Hahni duke u bazuar në shënimet e Strabonit, thotë se në viset e Galabit ishte një qytet shumë i rëndësishëm antik, ai Artanën e quajti “E ëma e të gjitha qyteteve”. Hahni në Malësinë e Galabit qëndroi disa ditë, dhe vizitoi shumë fshatra.[27] Në bazë të këtyre të dhënave mundë të pohojmë se Hahni duke u bazuar në shënimet e Strabonit është nisur në kërkim të qytetit Arhaia (Aria) dhe Damastionin.

Mendojmë se në kërkim të Damastionit, nuk duhet anashkaluar fortifikimet dhe në fshatrat e pasura me minerale në “Mailin e Zi” të Shkupit, në fshatrat e Komunës së Kumanovës, Preshevës, Gjilanit e Vitisë. Në këto fshatra janë zbuluar gjurmë të eksploatimit të mineraleve. Në këtë zonë një numër i fortifikatave kanë dëshmuar për gjurmë të qytetërimit të hershëm. Në fshatin Llojan, Likovë janë gjurmët e minierave të vjetra. Në Vllanishtë afër Kështjellës së Brecës, janë gjurmët e një miniere. Në Dumanoc, ka gjurmë të qytetrimit, ky fshat shtrihet në mes tre fortifikimeve, Likovës, Patlishanit dhe e Brecës. Llojani po ashtu është afër me Keshtjellen e Stanecit në komunën e Preshevës. Në Rahavicë të Preshëvës janë zbuluar monedha të shekullit të katër para erës sonë. Në këto male në territorin e Kosovës gjenden disa fortifikime si: Kështjella e Pogragjës, Zhegrës, Vërbocit, Binçës Gërnçarit etj. Pranë këtyre kështjellave në rrjedhat e ujit hasen mbetje të zgjyrës nga përpunimi i metaleve.

Bazuar në numrin e madh të fortifikimeve të identifikuara dhe atyre që janë bërë gërmime arkeologjike deri me tani, mund të supozojmë se në trevën e Mbretërisë së Dardanisë, të ketë pasur disa dhjetëra qytete, e të cilat për kah zhvillimi kulturor e urban nuk qëndronin prapa qyteteve të zhvilluar të kohës në Greqinë e sotme, Turqi, Shqipëri, Maqedoni, Bullgari e Rumuni.

Kohëve të fundit, në lindje të Bujanocit, përkatësisht në kështjellën e Kërshevicës gërmimet arkeologjike, kanë dëshmuar material mjaftë të pasur arkeologjikë, andaj në bazë të zbulimeve shumë arkeologë këtë qytetërim e lidhen me qendrën e Damastionit. Përveç arkitekturës dhe themeleve të zbuluara të kësaj kështjelle, atje është gjetur edhe një monedhë e Damastionit, qeramikë dhe enë luksoze të kohës.[28]

Qyteti antik mes Bujanocit dhe Vranjës, ku u zbuluan mbetjet e një vendbanimi urban të shekullit të IV para Krishtit. Njihet në literaturën arkeologjike që nga viti 1966 dhe është hulumtuar që nga viti 2001 e deri në vitin 2011. Sipas rezultateve të deritanishme, vendbanimi mbulonte rreth pesë hektarë dhe ndodhej në një vend dominues pranë rrugës së rëndësishme që lidh Evropën Qendrore me Greqinë përmes luginës Moravio-Vardar.

Monedha e Damastionit dhe enë të zbuluara në Kështjellën e Kërshevicës.4[29]

Popullsia gjatë asaj kohe përdori të gjitha arritjet moderne të mënyrës së jetesës. Ata jetonin sipas parimeve që ishin përcaktuar tashmë në qytetet greke në Egje dhe Jon.[30]

Pas fillimit të gërmimeve në vitin 2001, arkeologët serbë, për këtë qytet dardan, dhanë opinionet e tyre duke u munduar ta nxjerrin si qytetërime grekë, maqedonas e keltë. Këto pretendime të tyre, binin ndeshë edhe me të dhënat e autorëve antik të cilët Damastionin e quajtën qytet ilirë.

Nuk ka dyshim se në atë periudhë, në mes të poliseve të Mesdheut dhe dardanëve kishte shkëmbime të mallrave, andaj gjurmë të kulturës helenistike janë hasur në tërë territorin e Kosovës së sotme. Emil Çerskov, ndër të tjera shkruan se në kështjellen e Tenezhdollit, në mes të Prishtinës dhe Podujevës, dhe në Gumnishtëne arit (Zlatno gumno), në lindje të kështjellës së Artanës (Novo Bërdës), janë zbuluar gjurmë të kulturës material nga periudha helenistike.[31]Kjo në e vënë aspak në dyshim se qytetërimi në kështjellën e Kërshevicës afër Bujanocit, të jetë qytetërim që ka lulëzuar në kohën e mbretërisë së Dardanisë.

Gjithnjë e më shumë ka dëshmi se qyteti ka shumë të ngjarë të jetë Damastioni i lashtë, tha. Nenad Radojçiq, këshilltar i Muzeut Kombëtar në Beograd. Sipas tij, një nga zbulimet më të mëdha që dëshmon për aftësinë e ndërtuesve të tij, është një cisternë me fuçi dhe qemer të harkuar që supozohet se është përdorur për furnizim me ujë. Qyteti kishte të paktën tre mijë banorë dhe vendbanim që i mbulonte katër ose pesë hektarë. Ai deklaroi se aty jetonte një popullsi autoktone që nuk mund të quhej barbare, por një popullsi me një kulturë dhe mënyrë jetese aristokrate, tha Radojçiq.[32]

Këshilltari në Muzeun Kombëtar në Vranjë, Goran Mitroviq, tha se banorët e këtij qyteti, jetonin sipas parimeve dhe standardeve që ishin përcaktuar tashmë në qytetet greke në Egje dhe Jon. Aty jetonte një popullsi shumë e pasur dhe që kishte një arsye pse ata ndërtuan një vendbanim të fortifikuar në atë vend që dominon zonën e pellgun e Vranjës.[33]

Sipas rezultateve të deritanishme, vendbanimi mbulonte rreth pesë hektarë dhe ndodhej në një vend dominues, pranë rrugës së rëndësishme që e lidhë Evropën Qendrore me Greqinë përmes luginës Moravës dhe të Vardarit. Ka gjithnjë e më shumë arsye për të supozuar se Damastion ndodhej në luginën e Moravës Jugore, në vendin e Kalesë në Kërshevicë, por vetëm gërmimet e mëtejshme do të japin përgjigjen përfundimtare pohojnë arkeologët.[34]

Bazuar në zbulimet arkeologjike të deri tanishme në Dardani dhe rezultate, por edhe numrin e madh të fortifikimeve dhe gradinave të evidentuara, vërehet qartë se qytetërimi dardan nuk qëndronte mbrapa qytetërimit mesdhetar. Po ashtu zbulimet arkeologjike në territorin e Bullgarisë dhe të Rumunisë, dëshmojnë bindshëm se dardanët, dakët dhe traket, kishin qytetërim shumë të avancuar, andaj nuk qëndrojnë hipotezat se këta popuj ishin mbrapa qytetërimit me poliset greke.

Përkundër rezultateve arkeologjike në Kështjellën e Kërshevicës afër Bujanocit, është vertetuar se Kërshevica si kështjellë, është njëra ndër fortifikimet e zhvilluara të asaj periudhe, por bazuar në numrin e madh të fortifikimeve në veriperëndim të kësaj kështjelle, pozitës gjeografike dhe strategjike të fortifikimeve tjera, mendojmë se Damastionin duhet kërkuar në pjesën më të thellë të maleve në Malësinë e Galabit.

Shumë studiues dhe arkeologë tjerë, e kanë shprehur mendimin e tyre, se qyteti i Damastionit, duhet të ketë qenë Artana (Novo Brda) e sotme, duke u bazuar në disa gjetje arkeologjike në lokalitetin Gumnishtë, rreth 3 km në lindje të Kështjellës së Novo Brdës.

Mendojmë se ka plotë arsye të mendojmë se Damastionin, duhet kërkuar në ndonjë lokalitet tjetër.

Damastioni nuk është lokaliteti arkeologjikë në Gumnishtë, pranë Artanës, sepse zbulimet arkeologjike që janë bërë në këtë lokalitet, nuk kanë dhënë dëshmi të mjaftueshme se kemi të bëjmë me një qytetërim të zhvilluar në këtë lokalitet në krahasim me lokalitetet tjera arkeologjike për rreth.

Kur bëhet fjalë për lulëzimin e Damastionit, në periudhën e Mbretërisë së Dardane, shekullin IV-III para erës sonë, qytetërim më të zhvilluar se Novo Brda, dëshmojnë dhjetëra fortifikime dhe lokalitete arkeologjike në këtë rajon. Mendojmë se Kështjella e Novo Brdës dhe ajo e Cassovës, rreth 10 km në verilindje të Prishtinës, filluan të zhvillohen pas dyndjeve barbare që ndodhën në antikitetin e vonë, dhe shkatërrimin e qytetërimit në Justiniana Primë afër Medvegjës, Justiniana Secondës (Ulpianës afër Prishtinës) dhe Vendenisit afër Podujevës së sotme.

Një rrugë që e lidhte qytetin e Nishit me Shkupin, kalonte nëpër një vijë fortifikimesh e lokaliteteve arkeologjike në Malësinë e Gollakut (Galabit), e cila degëzohej në trevat e burimit të Moravës së Jugut, duke u bashkuar në afërsi të vendbanimit antik Statio Vectigalis, në fshatin Runjevë, me rrugën që vinte nga drejtimi i Ulpianës dhe qonte në qytetin e Shkupit.[35]

Duke i pasur për bazë gjurmët e xehetarisë në anën jugore, të Artanës, duke filluar që nga kështjella e Veletonit, Vogoçincës, Vërbicës, Gadimës, Gadishit, Kishnopoles (Fusha e Kishës), Terpezës, dhe kështjellat tjera në fshatrat e komunës së Gjilani, Vitisë, Preshevës e Kumanovës, nuk përjashtohet mundësia që ky qytet të kërkohet edhe në këtë zonë.

Gjurmët e minierave në rrethinën e Medvegjës së sotme, vendet e cekura më lartë në anën veri-lindore të Janjevës dhe Prishtinës, si dhe gjetjen e monedhave të Damastionit në rrethinën e Artanës, kemi arsye të plotë që ky qytet Ilir të kërkohet në Kosovën e sotme, pikërisht në fshatin Domarocë, që shtrihet rreth 15 km në lindje të Artanës (Novo Brdës).

Duke mos i lënë anash fshatrat tjera të cekura më lartë, për ta zbuluar vendndodhjen e qytetit të Damastionit vëmendja e arkeologëve duhet të përqendrohet në vijën e rrjedhës së lumit Morava Jugore, e pikërisht në fshatin Domarocë.

Në fshatin Domarocë janë dy gradina, të cilat kanë distancë mes veti më pak se 100m, ku njëra prej tyre sot njihet si Gradeci i Topanicës. Këto gradina janë ngritur pranë tarracave të lumenjve, Morava e Kamenicës dhe Hodonocit.

Duke qenë pranë, lumenjve, tokave pjellore dhe të rrethuara prej kodrinave të pasura me minerale, kanë krijuar parakushte për tu zhvilluar si vendbanim i hershëm.

Fotot e dy gradinave në fshatin Domarocë që sot njohen: Foto 1. Gradeci i Topanicës dhe Foto 2. Gradina e Domarocit

Hulumtimet arkeologjike dhe gjetjet e rastit që janë zbuluar deri me tani, kanë dëshmuar se ndërtimi i gradinave në trevën e Dardanisë, daton që nga koha e neolitit. Emil Cerskov, në mesin e gradinave në Kosovën e sotme e përmend edhe Gradinën e Domarocit, i cili shkruan se bënë pjesë në grupin e atyre që ka vijimësi kulturore, të Bubanj-Humit, Hallshtatit, dhe ato të më vonshme.[36]

Pozita gjeografike e fshatit Domarocë, mes Kështjellave, minierave, tokës pjellore dhe lumenjve

Këto dy gradina pranë njëra tjetrës, gjenden në një pikë strategjike, ku pranë tyre në një distancë prej rreth 200m bashkohen, dy degët e burimit të Lumit Morava, ajo që vjen prej Malit të Zit ë Shkupit (Morava e Binçës), dhe ajo që vjen prej Malësisë së Galabit (Morava e Kamenicës).

Fartifikimet në anën veri-perëndimore rreth Gradinës dhe Gradecit (Kështjellës), në fshatrat Domaroc e Topanicë

Siç shihet nga harta e paraqitur më lartë, vetëm në anën veriperëndimore, në drejtim të Artanës (Novo Bërdës) dhe Kamenicës, në një distancë, prej rreth 15 km, gradinën e Domarocit e rrethojnë më shumë se dhjetëra fortifikata. Sistem i ngjashëm i fortifikimeve rreth Domarocit është edhe në anën jugore e lindore, andaj duke u bazuar edhe në gjetjet arkeologjike që i ka përshkruar Cerskovi, kemi shumë arsye që vëmendjen ta përqendrojmë në këtë lokalitet arkeologjikë.

Domaroci, si vendbanim shtrihet në distancë prej rreth 15km, në lindje të kështjellës së Artanës (Novo Brdës), rreth 5 km në jugë të Kulinës së Kamenicës, rreth 3 km në perëndim të Kështjellës së Konçulit, dhe rreth 5 km në verilindje të Kështjellës së Pogragjës, lokalitete këto, që kanë dhënë dëshmi për një qytetërim të zhvilluar në këtë zone, këto gradina mund të kenë qenë qendër që i bashkon fortifikimet tjera për rreth.

Duke ju bërë një vështrim gradinave dhe gjurmëve arkeologjike, onomastike, gjeografike e strategjike mendojmë se Gradinat në fshatin Domoroc, ofrojnë më shumë argumente për të menduar se pikërisht këtu ishte Damastioni si qendër e minierave në Malësinë e Galabit dhe Malit të Zi të Shkupit. Kjo e dhënë dëshmohet edhe nga disa harta të publikuara gjatë shekullit XIX, në të cilat vërehet qartë se këto, quheshin Damantza, që në aspektin etimologjikë i përafrohet shumë emrit të Damastionit si dhe gradinave në fshatin Domarocë, (shih fotot).

Në hartat e publikuara nga disa gjeografë gjatë shekullit XIX, malet në verilindje të Prishtinës dhe Artanës (Novo Brdës ), i gjejmë të shënuara edhe si malet Domantza-Domacza, që lënë hapësirë të supozojmë se kemi të bëjmë me qytetin ilir Damastion

Përfundim:

Si përfundim mund të themi se qytetin ilirë Damastionin duhet kërkuar në territorin e Dardanisë qendrore, e pikërisht në dy gradinat e fshatit Domarocë.

Gjurmët arkeologjike kanë dëshmuar se kemi të bëjmë me një vendbanim të hershëm, me kulturë material që nga periudha e neolitit, bronzit, hekurit e antikitetit.

Pozita gjeografike, dëshmitë arkeologjike, e minerare, numri i madh i fortifikimeve dhe galerive të minierave për rreth, burimet etimologjike dhe së fundmi edhe ato hartografike e përforcojnë mendimin se gradinat e Domarocit duhet të jenë qendra minerare ne Dardaninë qendrore.

Këto dy gradina, të ngritura pranë lumenjve, dhe tokave pjellore, në të dy degëzimet e burimit të Moravës Jugore, si dhe përpunimi I metaleve në atë zonë, janë parakushte që plotësohen tërësisht, për të menduar se kemi të bëjmë me qytetin e Damastionit.



[1] Edi Shukriu: “Kosova Antike”, Prishtinë 2004, faqe 69

[2] Qazim Namani: Arkivi i Kosovës, “Vjetari XXIX-XXX”, Lashtësia Iliro-shqiptare në Malësinë e

  Galabit, Prishtinë, 2003, faqe 47

[3] Bashkësia e institucioneve shkencore të Kosovës: “Studime Libri 26”, Emil Cerskov: “Romakët në

  Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica, e përkthyar nga Gani Luboteni, Prishtinë, 1973, faqe 13

[4] Po aty, faqe 13

[5] Po aty, faqe 13

[6] Po aty, faqe 13

[7] Po aty, faqe 15

[8] Emil Qershkov: “Romakët në Kosovë dhe municipiumi D.D te Soçanica”,  Prishtinë 1973 faqe 51-52. 

[9] Ilirët dhe Iliria te autorët antik”,  Prishtinë 1979 faqe155.

[10] Fanula Papazoglu: “Srjednoballkanska Plemena u predrimsko doba”, Sarajevë 1969 faqe.367.

[11] Zef Mirdita: “Studime Dardane” Prishtinë 1979 faqe 97,

[12] Edi Shukriu: “Arkivi i Kosovës”,  “Vjetari XXVII-XXVIII”, “Gradina e Gushicës dhe municipiumi

  Labutza”, Prishtinë 2002, faqe 23.

[13] Slobodan Du?ani?: “Roman mining in Illyricum”, Historical Aspects, faqe, 257.

[14] Margaret Thompson, Otto Morkholm, Colin M. Kraay: “An Inventory of Greek Coin Hoards”.,Neë York 1973, faqe, 59-64.

[15] Petar Popovi?: “Numismatic finds of th 4th – 3rd centuries BC from Kale at Krševica (southeastern Serbia)”,  “Arheološki vestnik 58”, 2007, faqe, 156 - 416

[16] Margaret Thompson, Otto Morkholm, Colin M. Kraay: “An Inventory of Greek Coin Hoards”.,Neë York 1973, faqe, 59-64.

[17] Z. Mirdita: “Studime Dardane”, Prishtinë 1979, faqe 104

[18] Emërtimi në gjuhën shqipe dhe sllave për këtë kështjellë.

[19] Po aty fq.106

[20] Qazim Namani: Arkivi i Kosovës, “Vjetari XXIX-XXX”, Lashtësia Iliro-shqiptare në Malësinë e

  Galabit, Prishtinë, 2003, faqe 47

[21] Zef Mirdita: “Studime Dardane”, Prishtinë 1979 faqe 97.

[22] Qazim Namani: Qazim Namani: Arkivi i Kosovës, “Vjetari XXIX-XXX”, Lashtësia Iliro-shqiptare në

   Malësinë e    Galabit, Prishtinë, 2003, faqe 58

[23] Dukat, emërtim për arin në gjuhën turke.

[24]Qazim Namani: “Punim i doktoratës”,  ‘’Trashëgimia Kulturore dhe Historike e Kosovës gjatë shekujve

XIX,XX,XXI”, Tiranë, 2016, pp. 165

[25] Mita Rakic, Mita Rakic: “Iz Nove Serbije”, Leskoc 1987, faqe 17,

[26] Zef Mirdita: “Studime Dardane”, Prishtnë, 1979, faqe 37.

[27] Sabit Uka: Materiale nga sesioni shkencor i  mbajtur në Prishtinë me 7-8 dhjetor 1989, Prishtinë 1990, fq

   385-386.

[31] Bashkësia e institucioneve shkencore të Kosovës: “Studime Libri 26”, Emil Cerskov: “Romakët në

   Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica, e përkthyar nga Gani Luboteni, Prishtinë, 1973, faqe 17

[35] Bashkësia e institucioneve shkencore të Kosovës: “Studime Libri 26”, Emil Cerskov: “Romakët në

   Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica, e përkthyar nga Gani Luboteni, Prishtinë, 1973, faqe 51

[36] Emil Cerskov: “Kosovo i Metohija u rimsko doba”, Beograd 1969, faqe 15



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Shqiptarët dhe hebrenjtë në Kosovë gjatë sundimit serbë 1912-1945 Qazim Namani: Prania dhe regjistrimet e komunitetit hebre në Kosovën e sotme nëpër shekuj Qazim Namani: Historiku i shkurtër dhe trashëgimia kulturore në qytetin e Pejës Qazim Namani: Roli i Vojsllav Tankosi?it në pushtimin e Kosovës gjatë luftërave ballkanike 1912 Qazim Namani: Presionet e pushtuesve për ndryshimin e kostumeve popullore shqiptare Qazim Namani: Ndryshimi i veshjes brenda një fisi dhe familje shqiptare pas krizës lindore 1879/1880 Qazim Namani: Veshja kombëtare e popullit tonë dëshmi e vlerave më të larta të artit evropian Qazim Namani: Gjurmët historike dhe ruajtja e traditës së krishterë në veshjen e Medvegjës Qazim Namani: Dëshmi e artit tradicional parahistorik dhe atij dardan Qazim Namani: Simbolet e kultit te veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës Qazim Namani: Hebrenjtë në Kosovë mes dy luftërave botërore 1918-1941 Qazim Namani: Çetnikët serbë, ndjekës të popullatës hebraike në Serbi dhe Kosovë, shqiptarët rrezikuan për mbrojtjen e tyre Qazim Namani: Shpëtimi i hebrenjve nga popullata shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore në Malësinë e Galabit Qazim Namani: Kisha e familjes Boletini nuk është serbe Qazim Namani: Historia e qytetit të Prishtinës dhe kultura materiale Qazim Namani: Serbizimi i familjes Gjaka në fshatin Shillovë të Gjilanit Qazim Namani: Raportet e Mustafa Pashë Bushatliut me Rusinë sipas historiografisë serbe Qazim Namani & Emin Sallahu: Oxhaku në shtëpinë e fortifikuar të Fazli Bllatës Qazim Namani: Falsifikimet e hartës së atlasit të V. M. Coronelli-t të botuar më 1689 në Venedik Qazim Namani: Gjurmë të mbishkrimeve në gurë në territorin e Dardanisë Qëndrore

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora