Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Armiku i Tiranës

| E hene, 29.12.2008, 05:29 AM |


Bahri Myftari

Djaj të lumtur

ARMIKU  I TIRANËS

 Nuk guxonte ta shihte t’ëmën në sy, por, sapo shmangte përballjen me të, nuk rreshkte duke e parë përgjatë lëvizjeve të zakonshme që bënte ajo nëpër shtëpi, në oborr e deri te pusi. Ishte i bindur se këtë gjendje të rëndë më tepër se ajo, madje më tepër se  vetë ai, kurrkush tjetër nuk e vuante.
 “Pjerin Pali është kriminel, është vrasës! Të dënohet armiku i Partisë, armiku i popullit!...”, kështu e denonconin atë nga mëngjesi deri në mbrëmje në tubimet e mbledhjet që organizoheshin në shkolla, në zyra, nëpër lagje e ara.
 Ditë më parë Pjerin Pali i kishte prerë rrugën “Demit”, njeriut të gjithëpushtetshëm të asaj krahine, ndaj edhe ia kishin ngjitur këtë nofkë. Pra, burimi i kësaj nofke  nuk ishin as muskujt, as forca e tij se, drejt me thënë, ky jabanxhi, nga thellësitë e Jugut, nuk ishte më tepër se pesëdhjetë kile. Mirëpo, nga autoriteti i frikshëm, falë pushtetit, atij i priste sëpata në të dy krahët.
           - Pjerin Pali, hiqmu sysh!, - e pati kërcënuar Demi, - largohu, tët motër nuk ta mora me zor, ia pati qejfi pa erdhi...
  Kishte zëra që thoshin se Angjelina i shkonte vetë në zyrë atij dhe i kolovitej në prehër për orë të tëra, por kishte të tjerë, që betoheshin me nder e me familje se ai, “Demi”, i bënte presion vajzës. Nëse ajo nuk do të pranonte qejfet e shfrenuara të tij, ai do ta largonte prej zyrës së llogarisë dhe do ta degdiste në brigadën e shpyllëzimit. Puna në atë brigadë ishte një ferr i vërtetë për burrat e jo më për një vajzë të brishtë, që ende nuk i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat...
 - Më dëgjo me vëmendje Pjerin Pali, largohu me të mirë! E kam marrë vesh pse ti dhe jot ëmë nuk doni të ma jepni Angjelinën: është punë feje, vjen erë të keqe kjo... është punë zoti, por zoti po të ishte ashtu siç beson ti dhe nëna jote, nuk e bënte bythën njëqind copë, jo mysliman, jo katolik e marëzira të tjera sa të duash...
 - I pafé, i pafé, ja çfarë je ti, një satana, një i pafé! , - iu hakërrua Pjerin Pali. 
 “Demi” ia dha  një të qeshure si blegërimë keci e tërë kënaqësi, madje, i krekosur, iu kthye Pjerin Palit si të kishte përballë një kalama e jo një njëzetepesëvjeçar tërë shëndet.
 - Pjerin, - vazhdoi në të tijën ai, - po, i pafé jam. Komunistët nuk kanë fe dhe, për këtë, jam krenar. Veçse, nëse nuk kam fe, kjo nuk do të thotë se nuk e kam atë veglën që i duhet sat motre!...
 Pa e lëshuar ende fjalën e fundit ai, Pjerin Pali s’e mbajti dot veten, iu hodh përsipër dhe me thikën, që sapo e nxori, e goditi “Demin” dy herë në shpatull. Askush nuk e dëgjoi, askush nuk pa gjë, mirëpo ja që nuk ishte kështu... pasi, ndërkohë, prej anës tjetër të rrugës, me sa kuptohej e fshehur, doli Angjelina, qe ia dha një të gërthiture ngjethëse. Pjerin Pali tentoi ta merrte të motrën me vete, por ajo e shtyu me neveri e, sakaq, u këput e ra mbi trupin e të plagosurit...
 Po mbushej java që Pjerin Pali fshihej, herë në vende të sigurta rreth shtëpisë dhe herë anës lumit që shërbente për kilometra të tërë si vijë kufiri midis vendit të tij dhe atij fqinj. Atje ndihej më i sigurt. E njihte mirë atë buzë lumi. Prej muajsh punonte atje për një digë në shërbim të një kanali vaditës. Edhe nga pala tjetër, po për një vepër të tillë punohej. Të dy grupet ishin aq pranë sa lehtësisht mund t’i jepnin dorën shoqi-shoqit, veçse kjo nuk ndodhte kurrë, me përjashtime të rralla, tepër të rralla, në varësi të humorit të qeverive të të dy vendeve.
            Përgjatë ditëve, që kishte qëndruar i fshehur, në shtëpinë e tij ishin bërë kontrolle të herëpashershme  prej forcave të policisë e prej atyre të kufirit. Të mërzitur nga  dështimi e moskryerja e detyrës, ata i suleshin nënës plakë, madje njëri syresh arriti deri aty sa ta qëllonte.
 Atë ditë, kur, nëpërmjet një altoparlanti çjerrës, Pjerin Pali denoncohej e akuzohej se na qenkësh arratisur, se ishte armik, nuk mundi të  duronte më gjatë. Në mes të natës doli prej vendit ku fshihej dhe, pa u vënë re, hyri në shtëpi. Shenja ku kishin goditur nënën, dallohej se ishte e freskët. Kur ia pa, ai u ligështua si kurrë në jetën e vet. E përqafoi t’ ëmën si atëherë kur ishte fëmijë, duke mos mundur të ndalonte lotët që i rrodhën  poshtë faqeve.
 Nëna merrte frymë me zor, diçka belbëzonte. Nuk kuptohej se çfarë thoshte, por emri i Angjelinës tingëllonte qartazi. Me siguri e nëmte, e mallkonte. Angjelina, prej çastit që pati ndodhur grindja, zënka, goditja me thikë dhe që pat bërtitur si e marrë duke tronditur gjithë atë zonë,  nuk pati shkelur më në shtëpi. Në lagje thuhej se ishte nisur për në kryeqytet, ku do të dekorohej nga vetë ministri për guximin që kishte treguar duke rënë në dashuri me një burrë të fesë tjetër.
 - Nënë, nuk dua, nuk dua të bie në dorë të tyre, - tha Pjerini...- E kam frikë burgun e tyre...
 - Nuk po ta zë në gojë burgun... se ç’ është burgu i tyre, nëna e di fort mirë, - iu përgjigj ajo duke psherëtirë gjatë. Një të afërt të saj, muaj më parë, e kishin sjellë të vdekur nga burgu.
 Po atë natë, një natë plot shi dhe me erë, mu aty, te vahu ku punonte për ndërtimin e digës, Pjerin Pali kaloi kufirin. Kështu, tanimë, arratisja nuk ishte më shpifje, nuk ishte më trillim policie... Në të djathtë të lumit ishte vendroja e ushtarit të shtetit fqinj. Largësia nuk ishte më tepër se dhjetë hapa, mirëpo për shkak të motit të keq, të natës e të  shiut që nuk donte të pushonte, ata nuk e shihnin njëri-tjetrin. Pjerini nuk kishte kujt t’i rruhej, prandaj qetë- qetë, pa u fshehur, madje pa iu “fshehur” as shiut, po shkonte drejt vendrojës së ushtarit të huaj. Kishte vetëm një dëshirë: luste që radhën e shërbimit ta kishte ai ushtari i gjatë që, vërtet, të habiste me gjatësinë e tij dhe, po kaq, edhe me sjelljen. Shpesh ai hipte mbi një sop, këtej vendrojes dhe, vend e pa vend, zinte e shahej me ushtarin përtej kufirit. Pjerin Pali që, deri diku e njihte gjuhën e ushtarit të gjatë, dhe domosdo e kuptonte fjalorin e rëndomtë të sharjeve, kur shihte e dëgjonte së të dy ushtarët po e kalonin masën, i pati qëlluar të ndërpriste punën aty mbi digë dhe të ndërhynte. Shpesh kishte arritur dhe t’i qetësonte.
  Dhe ja, tanimë, dëshira e vetme e tij, pasi kishte lënë tokën e vet, atdheun e tij, pasi kishte lënë vetëm, fillikat, nënën, e vetmja dëshirë ishte të takohej me ushtarin e gjatë. Fati qe më të. Ushtari i gjatë e ndaloi te gardhi. Këmbyen dy-tri fjalë dhe, sakaq ai u telefonoi, me sa dukej eprorëve të vet, të cilët mbërritën për dy minuta me një makinë ushtarake. E futën në një dhomë me një ndriçim të mekur kandili dhe për dy ditë radhazi, me përjashtim të një dore që zgjatej te sporteli për t’i prurë ndonjë vakt ushqimi, nuk pa kurrgjë tjetër.
 Më pas, Pjerin Palin e çuan në komandë. Dy burra, njëri ushtarak, me gradë kapiten dhe tjetri civil, me kokë të vogël sa një grusht, mbushur përplot me thinja, e pyetën për orë të tëra. Nisën me pyetje që nga vitet e fëmijërisë, për aktin e kryer, për marrëdhëniet e “Demit” me Angjelinën, për qytezën, për krahinën e deri te puna që bënte atje, te lumi. E linin për do kohë të lirë dhe ia nisnin përsëri nga e para. Shpesh herë e pyesnin po për të njëjtat gjëra. Nuk mund të thuhet saktësisht se për sa herë u përsërit ky veprim, veç në njërin syresh, Pjerin Pali u tregua shumë i vëmendshëm dhe mundi të dëgjojë qartazi bisedën midis kapitenit dhe thinjoshit. I pari po i thoshte të dytit që ta kthenin të arratisurin për andej nga kishte ardhur.
 - Po ta bëjmë këtë veprim, po e kthyem këtë djall ti, zoti kapiten, e di fort mirë se çfarë e pret qyqarin, - ia ktheu thinjoshi.
 - Nuk është ndonjë padrejtësi e madhe, -foli kapiteni, i cili shtoi – andej nga vjen ky, si njerëzit, si gjithë vendi, në një burg të madh janë.
 Thinjoshi qeshi, mbylli dosjen dhe tha:
 - Veproni si ta shihni më të arsyeshme, zoti kapiten!
 Paraditen e fundit të javës, ushtari gjatë, sikundër pohoi vetë, ishte urdhëruar që ta shëtiste Pjerinin brenda repartit për disa orë.
 - U çudita, - i tha ushtari, - ti nuk kishe deklaruar që di gjuhën tonë?
 - Të dish ca fjalë, aq më keq, ca fjalë që i takojnë sharjeve, nuk do të thotë se e di gjuhën, -iu përgjigj Pjerin Pali.
 Ushtari e vështroi me bisht të syrit dhe po me mëdyshje vazhdoi në të tijën:
 - Nesër mund të të nisin për në komandën qendrore, mund të të kthejnë matanë, mund të të kthejnë për në vendin tënd.
 - Nëse ndodh kjo, nëse më kthejnë... nëse më kthejnë, burrash ma jep ti plumbin!
 Ushtari vuri buzën në gaz, duke këmbëngulur se çka tha ishte  thjesht një mendim i tij, e nuk kishte të bënte fare me shefat e tij.
 Duke shëtitur, ashtu si pa u ndierë, ishin afruar te këndi i  lojrave. Ngaqë po bënte si në ditë pranvere, ishin nxjerrë tavolinat jashtë dhe grupe-grupe kush luante shah, kush dam apo me lojëra të tjera me zare. Te radha e parë kapiteni po luante shah me një nënoficer. Aty qëndruan edhe Pjerin Pali me ushtarin e gjatë, duke përcjellë tërë vëmendje lojën e atyre të dyve.
 - Ky, armiku i Tiranës, - tha kapiteni për Pjerin Palin, - nisur prej shikimit që hedh mbi kutinë e shahut, duket që nuk është lojtar koti, duket si profesionist!
 Dhe kapiteni nuk gabohej.  Pjerin Pali nja pesë vite më parë pati qenë fitues i olimpiadës së shkollave të mesme të kryeqytetit. Kapiteni që, pa diskutim, ishte kampioni i të gjithë “uniformave”, e ngriti partnerin e deriatëhershëm, madje duke e fyer, dhe me një fodullëk të hapur ftoi të luante Pjerin Palin, ose “armikun e Tiranës”, siç e thirri përsëri atë.
 Loja filloi. I pari e bëri lëvizjen kapiteni. Lëvizja ishte e zakonshme, ajo e siciliane, lëvizja e mbretit. Pjerini, që gati iu përgjigj pa menduar, po mbretin lëvizi. Por, pas kësaj, nuk e përsëriti më atë lëvizje të shpejtë. Përkundrazi, vonesa ishte taktika e tij. Me siguri  kjo ishte një taktikë lodhëse që i imponohej kundërshtarit dhe që, mrekullisht, e dha  rezultatin shpejt. Në lëvizjen e nëntë kapiteni protestoi ndaj kësaj mënyrë të zhvillimit të lojës, por nuk pati kohë të ndreqte gjë. Pjerini ishte i dhënë i tëri pas lojës dhe, tanimë, i rrëmbyer prej saj, të jepte përshtypjen se e kishte kaluar kufirin shtetëror vetëm e vetëm për atë ndeshje shahu. Tamam në këtë moment ai thirri:
 - Shah, shah mbretit!
 Kapiteni dhe  të tjerët, që po e ndiqnin lojën, u befasuan. Për askënd prej tyre nuk kishte shah. Mbreti ishte i mbrojtur. Figurat e tjera qark tij ishin në  vendin e duhur. Atëherë ku ishte “shahu”?!
 Dreqi ta marrë! - tha kapiteni me gjysmë zëri dhe, si kampion që ishte, e kuptoi para të tjerëve se tashmë nuk i shpëtonte dot “mat”-it, prandaj hoqi dorë nga vazhdimi i lojës. Të gjithë morën frymë lirshëm. Atëherë kapiteni i kërkoi Pjerinit një ndeshje tjetër. Por edhe dy lojërat që pasuan patën të njëjtin fat.   
   Kapiteni po dridhej prej humbjes. Miti i kampionit dhe lavdia që e mbulonte ishin lëkundur keqas. Pjerin Pali me lojën e tij i kishte dhënë repartit një gjallëri të frikshme. Ai, që po e përjetonte më rendë këtë gjendje, domosdo, ishte vetë kapiteni. Ishte një gjendje e padurueshme që vazhdoi gjatë. Jo më kot, po atë ditë, bile në orët e vona të natës, ai e kërkoi Pjerin Palin, të cilin ia sollën aty me të shpejtë. Tani ndeshja do të kishte për dëshmitar vetëm nënoficerin. Filloi loja e parë, më pas e dyta, që përfunduan “remi”. Në lojën e dytë, kapiteni thuajse ishte pranë fitores, por  një lëvizje e gabuar e “tore”-s ia hoqi gëzimin. Dhe ashtu si herët e tjera gabimet ua adresonte  lëvizjeve, zhurmave të rastësishme, apo si në rastin konkret, kakarisjes së nënoficerit, faktorë jo të favorshëm për të.
 Gjatë lojës së tretë, Pjerini pati një mobilizim të dyfishtë. Me përjashtim të hapjes së parë, që u bë e shpejtë, dhe disa lëvizjeve të tjera, në të pestën e në vazhdim u vu re se loja po ecte sipas një plani të përcaktuar. Filloi t’i peshonte mirë lëvizjet dhe nga kohëzgjatja midis tyre, e futi kapitenin në një gjendje nervoze, ku e ku më të rëndë se paradite. Nënoficeri, ndonëse jashtë kësaj “beteje”, ngaqë e parandjeu humbjen e eprorit të vet, me një gjest banal e lëvizi kalin nga “g3” në “g4”. Kapiteni e mirëkuptoi për këtë lëvizje, megjithatë nuk i shpëtoi humbjes. Kështu, loja u mbyll!...
 Të nesërmen kapiteni nuk u pa nëpër repart. A thua  rënia e autoritetit si kampion pati lëkundur edhe autoritetin e të qenit ushtarak?! Ndoshta, ndaj ishte përpjekur të gjente qetësi diku gjetkë!
 Mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe në mbrëmjen e po asaj dite ai u kthye më i zhurmshëm e më prepotent. Gjithçka që rrethonte e mori vesh ardhjen e tij. Pasi urdhëroi tërë arrogancë nënoficerin, ky i fundit, me po atë stil shkoi dhe e shkundi prej përgjumjes Pjerin Palin. Kështu, nuk vonoi shumë dhe të dy lojtarët u gjendën pranë kutisë së shahut. Kapiteni, që po tregohej i befasishëm, luante me një qetësi të frikshme e cila shkonte deri në fyerje të kundërshtarit. Dhe, vërtet, Pjerin Pali nuk po ndihej mirë. Për gjatë këtij triumfi, kapiteni, i ndihmuar edhe prej grimasave foshnjore të nënoficerit, po e lëshonte gojën së tepërmi, duke  e thirrur Pjerinin me epitetin e njohur, armiku i Tiranës, e më tej se ishte një copë fshatar, malok, murator! Pjerin Pali nuk donte t’i peshonte fyerjet, ndaj edhe u sforcua.
 - Armiku i Tiranës, armiku i Tiranës! – kumbonte zëri i  kapitenit, ndërsa në ballin e gjerë të Pjerin Palit bulëzonte djersë. Gjithsesi nuk mbaroi me kaq, pasi dy ushtarakët vazhdonin të dialogonin gjatë me plot sharje. Pjerini arriti të kuptonte se kapiteni e donte fitoren  e asaj finaleje, sepse ishte në nder të tij dhe të gjithë repartit se ishte... Ai lëvizi “kalin” dhe, papritur, në një moment fare të panevojshëm i këputi Pjerin Palit një të sharë nga nëna, duke bërë edhe një deklaratë që  kundërshtarit të tij i dogji deri në rresht.
          - Nëse armiku i Tiranës do të dalë fitues, - i tha edhe nënoficerit,do ta kthej andej nga ka ardhur e le të shkojë në djall!
           Pjerin Pali u hoq sikur nuk e kuptoi kapitenin, por, sidoqoftë, nuk e kishte më kujdesin e mëparshëm për lojën. Në të kundërt, kapiteni po e merrte revanshin lehtësisht. Ndoshta prej kënaqësisë ai nuk po e kontrollonte më veten; lëvizjet, thuajse të gjitha, po i bënte si të ishte fitues dhe, njëherësh villte pa pushim lumë sharjesh  nga raca, profesioni e nga nëna për kundërshtarin. 
 Pjerin Pali ishte gati të kapitullonte... ishte gati ta pranonte në çast humbjen. Kthimi nga kish ardhur, gjë që mund ta priste nga kapiteni , gjë për të cilën ai i ishte betuar edhe nënoficerit, e tmerronte. Ta kthente? Nuk ishte një fjalë goje. Ku ta kthente? A e dinte zotëria e tij, kapiteni se... Ndaj ishte gati të ngrihej, të ngrihej e të deklaronte: “jam tepër i kënaqur... ti, kapiten, je vërtet një kapiten i madh... nuk mund të vazhdoj dot më, e pranoj humbjen!
 Ndërkaq, si për të zezën e tij, kapiteni, i ndihmuar edhe nga nënoficeri, nuk po përmbahej. Të sharat e fyerjet s’po kishin fund, madje tani, çuditërisht, jo vetëm në gjuhën e tij, por edhe në shqip. Por ama të sharat në gjuhën tënde, kur t’i bëjnë në vend të huaj, paskëshin qenë lemeria vetë! Këto të sharat  i adresoheshin Angjelinës. Zënia me gojë e emrit të së motrës, mbushur plot me fyerje e banalitete, e tronditën Pjerin Palin, fytyra e të cilit tanimë, më tepër se portretit të një shahisti të vëmendshëm, i ngjante atij të një boksieri të egërsuar. Dhe, sakaq, njëra dorë e tij, e bërë grusht, peshoi mbi tavolinë, ndërsa tjetra, në formë turjele, po lëvizte drejt figurave të shahut. I skuqur deri tek e bardha e syve, me ballin që i kullonte djersë, bëri një kombinim të hatashëm të “kalit” me “oficerin” dhe diçka tjetër që askush nuk e kuptoi, duke thirrur dy- tri herë:
 - “Mat”, “mat!”
 Kapiteni me nënoficerin shqyen sytë. I pari mundi disi më shpejt se i dyti ta shihte humbjen realisht, aty mbi fushën e “betejës”. Pasi u dha figurave një të shtyrë me duar e këmbë, po shfrynte me gojë e me hundë. Pastaj tërhoqi për dore nënoficerin dhe  të dy, së bashku, u larguan.
 ... Po kalonte mesi i natës, por ai, Pjerin Pali, më kot kërkonte qetësi. Nuk bëhej fjalë për gjumë. Përkundrazi, donte të lehtësohej nga dhimbja e kokës që po ia çante më dysh.
 “Ç’do të bënte kapiteni pas humbjes, pas asaj harbutërie?! Si do t’i shkonte filli kësaj pune?!“ Këto pyetje e torturonin Pjerin Palin, kur hapet dera e izolimit dhe ai... shumë shpejt u gjend hipur në një makinë ushtarake. Në krah të tij qëndronte ushtari i gjatë, ndërsa përpara dalloi nënoficerin, dëshmitarin e “betejës” së djeshme, ndaj dhe, shoferin e kishte zëvendësuar një  njëri i policisë. Nuk po orientohej se për nga po shkonin e ku do të përfundonte udhëtimi i sapo nisur. Mos vallë... mos po e kthenin?!
 “Vetëm kthim të mos ketë... jo!”, belbëzonte Pjerini. Një çast ishte ky. Krejt papritur iu shfaq shiriti i zi i lumit. Po, ishte lumi, vija ndarëse e kufirit mes dy shteteve. Nuk e mbante vendi, nisi të nervozohej e të lëvizte. Këto ranë në sy të ushtarakëve, të cilët nxituan dhe i vunë prangat në duar. Pas disa minutash, makina ndaloi pikërisht aty, pranë lumit, ku ngrihej diga. Përsëri u përball me ushtarakë... veçse kësaj radhe ishte e qartë se ata ishin ushtarakë nga vendi i tij...
            - Po më kthejnë, - thoshte si me vete dhe, më tepër se i  hidhte hapat, po zvarritej. Të dy grupet e ushtarakëve, përfaqësues të shteteve përkatëse, as nuk folën e as nuk u përshëndetën. Firmosën mbi një dosje dhe i ndërruan prangat Pjerin Palit. Ata që sollën ia hoqën, ndërsa ata që e morën ia shtrënguan edhe më fort...
 Kaloi një muaj pas kthimit dhe nisi gjyqi ... një gjyq, që u zhvillua në vendlindjen e Pjerinit dhe ku nuk u zunë në gojë kode, nene apo ligje, por disa slogane politike të dëgjuara me bollëk nga i pandehuri si: tradhti, arratisje, diskreditim i Partisë, mohim i atdheut. Për këto akuza i dhanë dënimin maksimal.
 Në sallën popullore ku u zhvillua gjyqi, me përjashtim të nënës që ishte mbledhur këmbë e duar aty te këndi, nuk pa kurrkënd tjetër. Në të dalë, dy policët që e kishin vënë në mes, e lejuan të falej kokë më kokë me t’ ëmën. E puthi në të dy sytë dhe i pëshpëriti në vesh për të motrën, Angjelinën.
 - Më pyet pse, pse jam akoma gjallë? – belbëzoi ajo.
 Vitet shkonin dhe... Pjerin Palit i kishte mbetur të bënte edhe gjysmën e dënimit. Por, ja që dita e lirimit erdhi më shpejt... pasi ranë një e nga një shtetet diktatoriale të Evropës Lindore, si gjithmonë në fund, i erdhi radha edhe diktaturës në vendin e tij. Atëherë Pjerin Pali e pa veten të lirë.
      U nis për në shtëpi ku gjeti t’ ëmën, ashtu të kërrusur dhimbshëm. Mësoi se Angjelina jetonte në kryeqytet dhe i shoqi, “Demi”, na ishte vënë kundër pushtetit të djeshëm, ku dhe ai shiu sa e si deshi. Veç tani ishte bërë i madh e merrej me politikë të madhe. I dëgjohej emri e i dukej surrati gati çdo mbrëmje në televizion. Pjerinin nuk e mbante vendi, me ankth priste sa të shkonte në kryeqytet.
 Pa ardhur fundi i muajit iu dha mundësia të nisej, ashtu siç ishte nën trysninë e ngjarjeve të fund vitit ’90. Ndërsa kujtonte arratisjen dhe kohën e burgimit i dukej se i kishin ndodhur një shekull më parë. Kështu, shumë shpejt pa edhe “Demin”, jo rastësisht, por në një mbledhje që partia e vet, me një emër qetësues, po zhvillonte në sallën e Pallatit të Kulturës. Tubuesit, qindra njerëz, bërtisnin e çirreshin. Kërkonin liri, kërkonin demokraci, sikundër edhe thërrisnin, apo  kërkonin gjak, zjarr e luftë?! Sepse, ata, vërtet, të futnin frikën!  
       Në presidium ngjitet “Demi”. Ai pesëdhjetë kilëshi i shëmtuar shëmbëllente me një skifter gjigand e agresiv. Pasi e shau dhe fyeu pushtetin e përmbysur se, me gjasë, sipas tij, nuk po donte të jepte shpirt, përsëri shau e fyeu duke përmendur edhe shumë emra që patën qenë në krye të atij sistemi. Jo vetëm me fjalë, por edhe me gjeste e bëri komunizmin leckë. E demaskoi, e mallkoi aq rëndë, sa e bëri Pjerin Palin të shkonte larg, të kujtonte vitet e burgut, të kujtonte dy miqtë e tij antikomunistë të dënuar me burg të përjetshëm!
 “Ata të dënuar me burgim të përjetshëm...,” nisi të mendonte. Meditim nuk zgjati shumë. U hodh përpjetë i tronditur, i shokuar, kur dëgjoi “Demin”, dikur të pafe, të thoshte:
 - Zoti e bekoftë vendin tonë!

Dërgoi për Zemra Shqiptare z. Kastriot Frashëri - Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare