E enjte, 28.03.2024, 11:08 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXVII)

E marte, 30.12.2008, 03:15 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXVII

Të nxitun nga zhurma e shoferit, në prakun e derës dolën tue vrapue nana e motra. Pa thanë asnji fjalë u hodhën në krahët e mi. Ula në shesh leckat, hapa krahët e përqafova dy krijesat ma të dashtuna që nuk pushojshin lotët, e strukeshin si dy zogj të trembun, në gjoksin tim. Putha kokët e nanës e motrës pa përmbajtë lotët, e kalova disa çaste në atë gjendje emocionale të papërshkrueshme, por në lumtuni të plotë. Isha jashtëzakonisht i prekun nga kjo shfaqje dashunie të pafund, që nuk kisha njohë për dhjetë vjet. Nana plakë nuk më lëshonte ma. Motra ngrinte kokën e me sy të përlotun më shikonte sikur nuk i besonte vetes se unë isha aty, pranë saj, në prag të shtëpisë që kisha lanë shumë vjet ma parë. Mandej, tue më përkëdhelë lehtësisht dorën: “Eja brenda”, më tha, “duhet të jeshë i lodhun”. Ndërkaq komshinjtë u afruen. Disa më uruen lirimin, të tjerët që nuk i njifsha, më shikojshin me kureshtje. Kur hyna në shtëpi, motra më njoftoi se banojshin në nji dhomë përdhese dhe se pjesa tjetër e shtëpisë ishte e zanun nga qiraxhinj të vendosun aty nga “qeveria”. Ishte shprehja e parë që më përgatiti për të tjera lajme të pakandshme. Nuk u trondita! Jetojsha plotësisht në detin e gëzimit që më mbuloi me kthimin në familje, e takimin me familjarët. Njihsha mirë vuejtjet e tyne; natyrisht, ishte edhe pjesa tjetër, ajo kur njerëzit vuejnë në heshtje, e në errësinë. Por as nana, as motra, as unë nuk dëshirojshim me fillue tregimet e jetës në shtypje. Përbuzje e mjerim që kishim kalue. Në dhomën ku hyna nuk kishte orendi. Vetëm tre krevate, nji tryezë, disa karrika, e “minderi” nji divan ku kalojshin ditën. U ula, e përsëri filloi vala e përqafimeve dhe e lotëve që rrjedhshin pa pushim, kësaj radhe larg syve të botës. Të tre ishim të lirë me u çlirue nga emocionet, të lirë me derdhë lotë pa frikë. Ishim vetëm; tre fatzez të kapun në rrjetin gjithëpushtues, të nji situate që nuk lejonte shpresën e nji dite ma të mirë. Të paktën, tashti ishim bashkë, e së bashku do të lundrojshim ujnat e turbullta të jetës nën komunizëm që na priste. Së bashku, vuejtja ndjehet ma pak! Nga shikimi i tyne kuptova qartë se gjendja ime fizike i kishte tronditë. Me lëkurën e nxime nga puna në diell, me rrobe të shkyeme e plot baltë, dhe me leckat e grumbullueme në nji strajce, nuk kisha mundësi me mshehë këtë mjerim. U përpoqa me folë e me buzëqeshë vazhdimisht. Ata u kënaqën. Fillova me pyetë për të tjerët. Më treguen se vllau ishte në shërbim ushtarak, se motrat ishin “mirë të gjitha”, e me këtë u sigurova se nga familja nuk kishte të burgosun të tjerë, e se vllau i arratisun, jetonte...
Pa kalue shumë kohë, diktova në gjestet e tyne të kontrollueme diçka serioze që i trazonte. E mora nanën pranë vetes, i hodha krahun mbi shpatulla, e me za të ulët e pyeta: “Më thuej nanë, a ke ndonji lajm të keq me më dhanë? Më fol haptas të lutem... më thuej çka të mundon përbrenda...!” Ajo u mendue pak, e uli kokën. Edhe motra uli sytë. Mandej me nji za që dridhej, nana më tha:
 “Nuk kemi bukë...nuk kemi triska...e motra nuk gjen punë...!”
Në fillim, nuk kuptova. Atëherë, motra spjegoi se buka jepej me triskë vetëm për ata që punojshin, dhe se asaj i kishin refuzue çdo lloj pune që nuk ishte punë fizike, kryesisht në ndërtim...
Tregimi i motrës më gjeti të papërgatitun për nji gjendje kaq të padrejtë e të dhimbshme. Menjiherë, mendja më shkoi te puna ime në kamp, e sidomos ngarkim-shkarkimi i çimentos. Ideja që motra e re do të detyrohej me punue me kazëm, me mbajtë gurë e tulla në kantiere pune, brenda ose jashtë qytetit, më tronditi aq shumë, sa mbeta pa gojë...! Ata kishin ulë kokën. Unë isha i heshtun. Vetëm pak minuta mbas gëzimit të lirimit nga burgu e bashkimit me familje, u gjeta në nji gjendje pa rrugëdalje, e kërcënuese. Tre të persekutueme nga nji regjim i pashpirt, rrijshim kokë me kokë, të uritun, të frikësuem, e të izoluem. Nuk gjejsha shprehje që ngushëllonte, as fjalë që jepte kurajo për këto dy qenie të shkreta. Natyrisht, nuk kisha “andrrue” nji gjendje normale në familjen time të përndjekun kamba kambës; megjithatë, edhe dyshimi ma i thellë nuk kishte krijue idenë e nji gjendjeje kaq shtypëse e poshtnuese. Pak nga pak, fillova me marrë veten nga kjo përvojë që më shtypi si makina gurin, e që brenda pak minutash, më hapi horizontin e botës që më priste përjashta, tashti që isha “qytetar i lirë”.
- Si keni jetue? – pyeta me kujdes nanën.
- Unë e marr racionin e bukës, sepse kam djalin në ushtri, - përgjegji, e shtoi me za të ulët, - kur kam të holla me e ble.
Motra kishte ngulë sytë në dysheme e nuk fliste, por kuptova se ajo vuente nga nji ndjenjë faji, pse nuk punonte e nuk siguronte bukën për vete e për nanën.
- Po kur nuk keni bukë? – vazhdova unë me kambënguljen e atij që gërvisht plagën që nxjerr gjak.
- Flejmë të urituna, - shtoi nana. – Nganjiherë motrat na sjellin nga nji bukë...
M’u kujtue se kisha akoma nji mijë lekët që mora nji ditë ma parë.
- Kam unë të holla, - thashë. – Bleni bukën për sonte. Nesër do të kërkoj punë...Dalëngadalë,
do të rregullohemi...
Ata nuk folën. U ngrita në kambë, nxora prej xhepit të hollat, ia dhashë nanës, e përqafova përsëri tue i dhanë kurajo e sigurinë se, me punën time do të jetojshim “si të tjerët”. Ajo më përqafoi, pa folë. Mbas pastrimit e ndërrimit të rrobeve, u ula përsëri në minder, e pa folë shikojsha këto dy krijesa të mjerueme që shkojshin e vijshin, tue u përpjekë me përgatitë nji gjellë për mue. E pabesueshme! Të hollat e mia të fitueme në atë skëterrë, po shpenzoheshin me prue nji rreze dritë në shtëpinë e zymtë. Të ulun njeni pranë tjetrit, shijuem së bashku darkën e parë në familje, mbas dhjetë vjet ndamje të detyrueshme. Nana nuk u besonte syve, e mbante nji dorë mbi dorën time, pa folë. Motra përpiqej me mbajtë bisedën të gjallë. Unë përgjigjesha me dëshirë, e bana çdo gja të mundshme, mos me tregue skena të jetës në burg e kamp. Ma vonë, filluen vizitat e motrave e kushërinjve. Të tjerët nga frika nuk erdhën fare. Mbas përshëndetjeve fillestare, të gjithë shfaqnin çudinë e tyne për gjendjen time “të mirë” shëndetsore e unë përgjigjesha se isha i lumtun që të gjithë ishin shëndosh e mirë, e të rritun. Ata buzëqeshnin. Por të gjithë ishin të vetëdijshëm për këtë farsë që luhej, dhe e vetmja që lejohej në rrethana të këtilla. Me ngrysjen e natës, në shtratin e pastër të shtruem për mue, e me rrobet e lamë që vesha ndjeva veten nji “tjetër njeri” në nji “tjetër botë” që kisha harrue për nji kohë të gjatë. Përqafova nanën e motrën, ju urova natën e mirë, e me gëzimin e nji fëmije mbulova kokën me çarçafin e bardhë që mbante erë...sapuni! Erë sapuni! Ah, erë sapuni! Nji kënaqësi e papërshkrueshme më mbuloi, fillova me marrë frymë me fuqi e me mbushë mushkënitë me këtë erë që kisha harrue për vjete të gjata. Pastërtia, nji “luks” i pamundun në burgje e kampe, kthehej përsëri në jetën time. Isha jashtëzakonisht i kënaqun. Më dukej se e kaluemja po fillonte me u shkri nga përvoja e re në gjiun e familjes, e çuditërisht nga pastrimi që më siguronte “sapuni”, nji antidotë e pisllëkut të imponuem nga rrethanat. Edhe nji konfort kaq i thjeshtë si pastrimi me sapun fitoi përpjestime jashtë mase mbas nji humbje të gjatë. Me gjithë thjeshtësinë e ngjarjes, u mbusha me gëzim. Në këtë gjendje shpirtnore rashë në krahët e nji gjumi të thellë, pa asnji shqetësim për të nesërmen plot të paprituna...!

U ngrita herët me kujdesin e gjetjes së punës. I veshun thjeshtësisht, i urova ditën e mirë nanës e motrës me nji përqafim të ngrohtë, e u drejtova kah Zyra e Punës. Djaloshi i ri nuk më njohu kur i dhashë emnin. Por mbas pyetjes: “Ku ke punue ma parë?” e përgjegjes sime: “Dje jam lirue prej burgut,” ai, pa u mendue shumë, me urdhënoi: “Në Ndërmarrjen e Ndërtimit”. Mora nji copë letër, ku vërtetohej se kërkojsha punë, e pa fjalë tjetër u largova. Në “ndërmarrje” kishte nji tjetër “zyrë pune” që drejtohej nga nji harbut, gojëndytë, arrogant, e sadist nga Peshkopia. Porsa mori “letrën”, më shikoi me dy sy që tregojshin qartë urrejtjen e tij për nji “armik të popullit”, shqiptoi nën za disa fjalë të ndyta, e m’u drejtue si “beu arxhiut”: “Shko në stadium...Aty do të punosh në turnin e parë!” U largova pa folë. I kënaqun që gjeta nji punë që donte të thotë bukë me triska për vete e për familjen, eca me hapa të shpejtë, me fillue punën sa ma parë. Në stadium, gjeta “përgjegjsin” që më njifte mirë – nji ish-futbollist, - i dorëzova autorizimin e punës, e kur më pyeti se çfarë profesioni kisha, i përgjegja thjeshtë: “Punëtor krahu!” Ai më shikoi pa folë, por me nji qëndrim që më vrau përbrenda. I veshun me rrobe të vjetra e këpucë që nuk ishin të miat, i nximë nga dielli përvëlues i verës, i hollë me trup e flokët e qethun shkurt, ai që më njihte si student, tregoi nji përbuzje që nuk dijsha si me spjegue. Heshtjen që mbretnonte, e theva unë: “Jam gati të baj çdo punë krahu!” i thashë. “Kam nevojë për triskën e bukës...dje jam lirue nga burgu.” Ai më ndërpreu: “E di, e di,” më tha, “nuk më intereson cili je...këtu do të punosh si të tjerët...” E mbasi u mendue pak, shtoi: “Do të pastrosh pistën e vrapimit nga barnat e këqia...Mos përdor kazmën se prishen gurët e pistës...puno me dorë...Fillo këtu e vazhdo përpara...”
- Po,” përgjegja. E i shqetësuem për triskën, e pyeta: “Kur mund të marr triskën?”
- Në orën e drekës...Eja në zyrë, të jap vërtetimin...” përgjegji.
Fillova punën në gjunj sepse do të shkuleshin me dorë rrajet e barit në pistë. Ishte e pamundun, por unë nuk kundërshtova. Punova me kokë ulun. Në drekë, shkova në zyrë, mora vërtetimin e u drejtova kah shtëpia, i dorëzova letrën nanës tue i tregue se kishim të drejtë për dy racione, e u ktheva në punë pa drekë, nga frika e vonesës që ditën e parë. Vazhdova punën deri në orën pesë mbasdreke. Ajo që më bani përshtypje ishte mungesa e punëtorëve tjerë në stadium. Unë isha i vetmi që punojsha nën diellin pjekës të korrikut, i gjunjëzuem e në nji punë të pamend. Herë mbas here “përgjegjsi” kontrollonte punën e bame, e grumbujt e barit të mbledhun, shfrynte, e pa me folë fare, largohej. Kuptova se isha i survejuem. Kjo punë zgjati pesë ditë, pa asnji rezultat; bari nuk pastrohej me dorë, e unë nuk kisha guxim me vue në dukje absurditetin e kësaj veprimtarie. Punojsha për bukën e gojës e isha i gatshëm me punue për atë copë bukë edhe në skëterrë...! Ditën e dielltë, u befasova nga numri i madh i vizitorëve që më urojshin daljen nga burgu. Shumica ishin shokë të liruem para meje. Disa ishin të rij që dëshirojshin me më njohë, e qartësisht solidarizoheshin me qëndrimin tim antiqeveritar, pa e thanë publikisht. Kjo masë të rijsh më ringjalli entuziazmin e viteve të rinisë, e forcoi edhe ma shumë besimin tim në kauzën që mbrojsha. Shprehja e heshtun e solidaritetit në mes të shtypunve e të përndjekunve, e gjallë, e fortë, dinamike e thellësisht njerëzore më bani të ndjehem kryenaltë. Zjarri i lirisë ishte i ndezun e ushqehej me besnikëri në zemrat e kësaj rinie rebele! Gjatë përcjelljes te dera e shtëpisë simbas zakonit njeni prej të rijve më dorëzoi nji zarf të vogël. “E ke nga Lili!” më tha. Unë nuk përgjegja. U ktheva i tronditun nga kujtimet e së kaluemes që më kishin dhanë nji mijë orë lumturie, e shkaktue dhimbje nga nji sjellje fyese njikohësisht. “Lili” thashë me vete, “çka dëshiron sot nga unë?” Hapa letrën menjiherë, e kuptova se ndjenjat e dashunisë sime të thellë për atë krijesë që adhurova gjatë viteve të rinisë ishin akoma të forta. Nuk u zhgënjeva! Mbas dhjetë vjet fyemjesh e vuejtjesh, Lili ishte personi i parë që më drejtohej me pasion e që më çmonte si “njeri”. “Nuk do të harroj kurrë,” shkruente ajo, “sa i mirë ke qenë, sa i sjellshëm, e sa i ndryshëm nga të tjerët...” Kuptova se Lili nuk ishte e lumtun! Javën e dytë më caktuen punën në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike. Me përvojën e gjatë në kanalet e Maliqit, Bedenit e Myzeqesë kjo punë më erdhi relativisht e lehtë, e “norma” ishte ma e vogël se në kampe. Kjo më lejonte me e tejkalue e me sigurue të ardhuna ma të mira. Në kanalet e reja, punojshin vetëm “elementët anmiq”, “kulakë” e ish-të burgosun politikë si unë. Vuejtjet e randa më kishin mësue me qenë i kujdesshëm e me folë sa ma pak, e aspak “politike”. Gjatë këtyne ditëve forcova bindjen se nga nji burg i vogël isha transferue në nji burg të madh: frika me folë me shokët, puna e caktueme që duhej krye, kontrolli i pandërpremë nga elementët e “Sigurimit” që qarkullojshin vazhdimisht për rreth nesh, e nga “anëtarët e partisë” që, në mes nesh, drejtojshin punimet, si dhe shkëputja nga bota, sepse të lodhun nga puna nuk mbetej fuqi me vizitue të tjerët, ishin marramendëse. Brenda pak ditëve u transformova në nji robot pune që lëvizte krahët si nji mekanizëm, plotësonte normën, kthehej në shtëpi i lodhun, pastrohej, hante darkën në heshtje, e shkonte në krevat me fjetë nji gjumë pa andrra...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora