E merkure, 30.09.2020, 11:02 AM (GMT+1)

Plus » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXVI)

E hene, 29.12.2008, 04:13 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXVI

1 korrik 1956. – Ishte dita e parë jashtë telave me gjemba të kampit të punës së detyrueshme. I ulun buzë pemës së madhe, shikojsha me lotë në sy kampin e rrethuem ku vuejshin afër dy mijë shokë, pa mund me u shkëputë nga ata. Po afrohej mbramja. Nxora copën e bukës nga strajca, e fillova me ngranë. Nuk shkonte poshtë. Nji ngashërim i papërmbajtun më zinte grykën. Ende nuk besojsha se isha jashtë kampit, larg shokëve dhjetëvjeçare, pa roje mbi kokë, e sidomos larg duerve te rreshter Ismailit. Buzëqesha! Ku do të ishte qeni? Çfarë do të mendonte nesër, kur nuk do të më shihte në vendin e punës, përsëri me rrobet e shkyeme tue ngarkue çakull për betonierën? Nji mendim i këtillë, më bani të qeshem me za. Sa absurde ishte jeta! Isha nji leckë në duert e nji maniaku që kënaqte sadizmin e tij me vuejtjet tona. Kush ishte ai? Nji zot i vetëdeklaruem, pa ligje me e përmbajtë, pa rregulla morale me e drejtue. Megjithatë, jo i lirë! E unë? Askush e asgja për atë! I poshtnuem deri në nji pikë të këtillë, vazhdojsha me jetue edhe me frikën e shkatërrimit tim fizik, nga nji çekan i pamend që kërcënonte të binte mbi kokë, në çdo kohë, në çdo vend, pa asnji arsye...! Megjithatë, në vetvete, isha i lirë! Ndigjova hapat që afroheshin. Ktheva kokën nga frika, e pashë nji plakë me strajca mbi supe që afrohej me mundim. U ngrita në kambë, e ofrova ndihmë. Ajo pranoi. Mandej, të dy së bashku u afruem pranë pemës, lëshuem në shesh ngarkesat, e u ulëm. “Më kthe roja, ... tashti më duhet të flej këtu, përjashta, e të pres deri nesër mbas dreke të shoh djalin...” I shpjegova se isha lirue atë ditë, e më duhej të pres deri në mëngjes. Pa më pyetë emnin, menjiherë filloi: “E njef djalin tim, Jusufin? Si është? Lodhet? Si është me shëndet? Ka rrobe? Më thuaj, të lutem, si është...” Kur më tregoi emnin e djalit, nji shok i ngushtë i imi, unë e përqafova. “Ndigjo moj nanë,” i thashë, “jam shoku i tij. Kemi punue së bashku, kemi kalue shumë kohë së bashku...Ashtë mirë me shëndet, ashtë i forte, ka kurajo, nuk mërzitet...e shpeshherë të kujton, sepse zotrote jeton e vetmuar...”
-Po!-përgjegji. – Kam nji djalë e nji vajzë në Itali...këtë e zuri belaja këtu në Shqipëri... Ç’të bëjmë? E ke nënën? E di nëna që je liruar sot? Oh, sa do të gëzohet e mjera nënë, kur të të shohë! Shyqyr o bir që dole nga burgu e je akoma mirë me shëndet...” Më shikonte pa ndërpremje sikur dëshironte të shihte në mue, fëtyrën e djalit të vet. Mandej, me nji gjest prindor, më mori kokën, e vuni në gji e filloi të më fërkojë me dashuni. Unë nuk lëviza, derisa lotët e saj me njomën flokët. U ngrita, e përqafova përsëri si nanën time, e sigurova që djali i saj ishte mirë, e fillova të tregoj ngjarje që kisha ndigjue nga i biri. “Po, po” më thonte. “Më kujtohet. Po, ashtu ka qenë!” Bisedimi vazhdoi për orë të tana me këtë nanë, që zëvendësoi loken time atë natën e parë nën hijen e diellit që perëndonte, e yjet që e ndoqën gjithë natën. Nuk kisha ma uri, e ajo nuk dëshironte me ngranë. I tregova jetën e kampit, e sidomos ngjarje që kishin të bajnë me djalin e saj. Ishte e djegun nga dëshira me ditë ma sa shumë për atë krijesë që adhuronte. Ma në fund, lodhja na këputi të dyve. Mbështetëm kokët në pemë, e u përpoqëm me fjetë. Plaka e lodhun fjeti pa vështirësi, por unë shihsha dritat rreth kampit e u kredha në mendime. Pothuej çdo skenë e jetës së kampit filloi të dalë parasysh me fuqi. Ishte e besueshme që për dhjetë vjet të gjata kisha kalue rininë time në kondita të këtilla, i burgosun, i torturuem, i detyruem me jetue e punue në kampet komuniste si skllavët e piramidave? Nji nevojë e thellë, kambëngulëse, më detyronte me kërkue arsye e justifikim, ose të paktën nji shpjegim për këtë katastrofë që kishte molisë, e më kishte pru në prak të shkatërrimit fizik, e rrezikut të vdekjes morale...! Nën bukurinë e yjeve që ndritshin në qiellin e asaj nate korriku, nuk kuptojsha si ishte e mundu ëe njeriu të binte aq poshtë sa të trajtonte tjetrin ma keq se nji kafshë e zgjebosun; si ishte e mundun që shqiptari të trajtonte vllaun shqiptar, ma keq se trajtimi i fashistëve dhe nazistëve gjatë pushtimit të vendit tonë!” “I hueji” ashtu si e kishim konceptue na për vjetë me rradhë, shtypës i egër e hakmarrës, zbehej para realitetit të krijuem nga tirania komuniste, nji regjim pa asnji respekt për qytetarët e vendit, e që njihte vetëm obsesionin për nji pushtet absolut, të pakontestuem, të pakontrolluem, e i vendosun ta mbroje atë me dhunë, padrejtësi, e propagandë gënjeshtare, nji regjim që e dëshironte me kambëngulje “të keqen”, shkakonte me ndërgjegje vuejtjen e pameritueme, e ushqente atë me urrejtje të ngjallun në mendjet e zemrat e hakmarrësve, të indoktrinueme deri në çmenduni. Shokët e mi në kampin para meje. Më dukeshin tashti si mishi për top, ushqimi i lugatëve mishngranës, viktima të damkosuna me vdekë nga uria, puna e randë, e tortura...! Koka më ziente nga nji mijë mendime që më mundojshin, sepse nuk gjejsha përgjegje. Mbas të gjitha sa kisha pa e dëshmue gjatë qëndrimit në burg, a mund të thojsha se vetëm ata që kanë kompromentue parimet morale të nji shoqnie të qytetnueme – që pretendojnë të përfaqësojnë! – kanë mundësi me dalë të gjallë nga burgu? Shpeshherë, gjatë këtyne dhjetë vjetëve, kam qenë dëshmitar i ngjarjeve që definitivisht imponojshin ndërhymjen, marrjen e nji qëndrimi, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Pse nuk u revoltova, megjithëse revoltimi ishte sinonim me vdekjen? Atëherë, mbijetesa paraqitej si rezultat i kompromisit me ndërgjegjen tonë, nji jetë amorale (në qoftë se jo imorale!); e si rrjedhim, e padenjë për cilido që pretendon me jetue për mbrojtjen e këtyne parimeve...Kur fillon fusha e heroizmit civil, e ku mbaron? Mbijetova kampin e vdekjes! Sot jam jashtë telave me gjemba që më coptuen pamjen e lirë për dhjetë vjet të gjata. Si do të justifikojsha jetën time të ardhshme çdo ditë, çdo orë, çdo minutë? Cili duhet të isha unë nesër, që nga çasti kur i burgosuni i djeshëm vdiste zyrtarisht? Kisha hye në burg i ri e pa eksperiencë, po dilsha nga burgu i pjekun e i dëshpruem! Nji e panjohun e madhe, ma e madhe se unë, më ballafaqonte! Kur ndigjova bilbilin e rojeve për zgjimin e të burgosunve të kampit, kuptova se nata kishte kalue pa gjumë. Së shpejti, nji ditë e re do të zbardhej mbi tokën time të martirizueme, me viktima të reja në njiqind burgjet e kampet e shfarosjes që mbulojshin atdheun tim ato ditë. Plaka u ngrit nga gjumi e nuk e zinte vendi nga dëshira për takim. Rreth orës shtatë të mëngjesit, kolonat e gjata të burgosunve dolën nga kampi në drejtim të sektorit të punës. Plaka u trondit nga numri i madh i fatzezve, e më shikoi me habi. Unë i hodha krahun. Mandej, të dy u drejtueme kah zyrat e kampit. Nji orë ma vonë, e pashë që ishte ulë mbi nji bllok betoni e priste kthimin e brigadave nga puna, e takimin e dëshiruem me djalin. I urova ditën e mirë e lirimin e shpejtë të djalit, e u largova. Ajo më ndoqi me lotë në sy. Në zyrën e oficerit që më dha “Dëftesën e Lirimit” më treguen se, gjatë dhjetë vjetëve punë, kisha grumbullue nji shpërblim prej 1200 lekë.
- A mund t’i marr sot? – pyeta pa të keq.
- Sigurisht! – më tha ai. – Janë paratë tuaja. Pushteti i popullit paguan për punën që ke bërë...
Mora të hollat e u largova. Me hapa të shpejtë ndoqa rrugën që, nga kampi, dilte në rrugën kryesore Tirane-Shkodër. Pak minuta ma vonë, nji kamion i hapët u afrue. Bana shenj me dorë. U ndal.
- Ka vend deri në Shkodër? – pyeta.
- Jo në Shkodër, - më tha shoferi, - hyp të shpie gjer në Mamuras.
- Falemnderit! – pergjegja, kerceva nga gezimi e zuna vend prane shoferit.
Pa e pyetë më tregoi se vinte nga Korça, e se puna që bante nuk ishte e lehtë. “Orë të gjata punë”, më tha, e vazhdoi:
- Tani sa je liruar nga burgu? – Qartazi, dukja ime e rrobet tregojshin se vijsha nga kampi.
- Po! – i thashë. – Sot jam lirue.
Unë e shikova në sy, e me nji buzëqeshje të lehtë: “Dhjetë” i thashë.
Ai u trondit. “Dhjetë vjet? Po ti dukesh i ri, ” e nuk foli ma gjatë. Në Mamuras kamioni u
ndal.
- Këtu duhet të zbresësh, - më njoftoi. – Prit për një taksi që të shpie në Shkodër.
Autobusi ka kaluar, e duhet të presësh gjatë...
- Sa të kam borxh?
- Asgjë, mo vëlla! Si të marr para nga ti... – E tue më zgjatë dorën, shtoi: “Më vret Zoti...rrugë
e mbarë!”
Ambëlsia e shoferit korçar, më preku në zemër. I mësuem me shamje e poshtnime për vjet të gjata, sjellja e këtij njeriu të thjeshtë, ditën e parë jashtë burgut, sikur më ktheu besimin tek ana e mirë e qenieve njerëzore, sikur shkriu akullin e cinizmit që kisha grumbullue për dhjetë vjet me rradhë. Në nji ndërtesë para meje qëndronte i ngritun nalt portreti i madh i diktatorit të vogël Enver Hoxha. Ballafaqimi me këtë satrap aziatik që shijonte plotësisht rolin e tij, më ngjalli të gjithë urrejtjen për njeriun e veprën e tij shkatërrimtare. Ai ishte njeriu i vogël që vrau mizorisht nji moment të madh të historisë kombëtare. Ai ishte krimineli që mbyti në djep ditët frymëzuese të lavdisë së luftës heroike kundër pushtuesve të huej, me vrasjet masive, burgjet e internimet e pa fund. Ai ishte aventurieri që shoi me plumb e tortura mesjetare entuziazmin e nji rinie të zharitun për heroizëm në luftën për liri, e nji shoqni ma të mirë shqiptare. Ai ishte i shituni tek djalli që mashtroi shpresat e aspiratat e nji populli mbarë për liri, pavarësi e demokratizim, me nënshtrimin e turpshëm ndaj të huejve që na përbuzën! Nji taksi u ndal para meje.
- Shkodër? – pyeti.
- Po, - përgjegja.
- Ke para të paguesh?
- Sa kushton bileta?
- Dyqind lekë.
- Mirë! – thirra i kënaqun që kisha mjaft të holla për udhëtim.
Gjatë rrugës kuptova se shoferi, nji djalë i ri. Vinte nga lagja ime. Koha e gjatë në burg kishte ba të vetën; nji brezni e re, e panjohun për mue ishte rritë në qytetin tim. Kalimi i vjetëve me kishte shkëputë nga shoqënia e qytetit. U ndjeva gjysëm i huej, e krijova idenë e parë të vështirësisë së integrimit tim në nji trup shoqënor që ishte, në nji përqindje të madhe, i panjohun për mue. Trafiku ishte i lehtë e vetura fluturonte. Në hymje të qytetit, doli madhështore silueta e kështjellit të Rozafës. Nji lumë kujtimesh më mbuloi, e malli për Rozafën time më pruni lotët në sy. Shoferi më shikoi e pyeti:
- Sa vjet ke kalue në burg?
-Dhjetë! – përgjegja. Ai nuk foli fare.
Kur arritëm në rrugën që çon drejt shtëpisë sime, u trondita nga gjendja e mjerueshme e lagjes, dhe e shtëpive përreth: të vjetrueme, të papërkujdesuna sikur kishin mbetë shkretë, si “shtëpitë pa burra”. Në këtë gjendje shpirtnore zbrita nga makina, pagova shoferin që i biente klaksonit pa pushim, vuna leckat mbi supe e u drejtova kah dera dyqindvjeçare, tradicionale, e shtëpisë së të parëve të mi, aty ku banonte familja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora