E premte, 19.04.2024, 11:38 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Berisha VI)

E hene, 29.12.2008, 03:58 PM


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

Kapitulli i dytë - Sali Berisha

Berisha :”Gazeta asht e koalicionit !”

Ditën e parë të fushatës na mblodhi të gjithë kryetarëve të partive të koalicionit të djathtë.Ishte Berisha, Mediu, Pollo, Starova, Karamelo, Alimadhi dhe unë. Genc Pollo nuk i besonte aspak Saliut. E njihte më mirë se unë nga afër dhe ma bënte më shenjë se po na mashtron.

Për mua, të gjitha partitë janë njëlloj aleate. Nuk do të ketë diferencim- e nisi Saliu- Por krahas aktiviteteve të përbashkëta, në mënyrë që të shfrytëzojmë sa më shumë kohë televizive, asht mirë të bani mitingje edhe me militantët tuaj.-foli Berisha. Fushata kishte filluar ethshëm. Gjergj Lezhja ishte kordinatori i PD-së për mitingjet dhe partitë aleate. Plani i mitingjeve hartohej vetëm nga Saliu dhe nuk pranonte asnjë sugjerim. Pas një mitingu tim në Lushnje në ditët e para më bie telefoni. Ishte ora 23.00. Isha i lodhur dhe për pak sa më zinte gjumi.

-Nikollë ! A takohemi pak për një kafe tek zyra ime ?-foli edhe ai me një zë të lodhur. U vesha dhe shkova tek selia blu. Tek dera e selisë takova Besnik Mustafajn. Prej vitesh Besniku ishte treguar dashamirës ndaj meje e gazetës “Koha Jonë”.

Duhet me ardh me mua në mitingje, Nikollë ! Nesër jemi në Shkodër. Duhet të jesh patjetër se atje të duan.- dhe me porositi një kafe. Dukej i lodhur ende pa filluar fushata, por nuk e jepte veten. Kur fliste në mitingje i gjithë trupi i elektrizohej. Shndërrohej në një Sali tjetër. Ai sikur kishte lindur vetëm për mitingje dhe ushqimi i tij ishin po mitingjet !

- Doktor ! Ok.. Nesër jam në Shkodër. Por kam një shqetsim. Dua të mos ketë më vonë sherr për këtë punë- vazhdova unë duke pirë kafenë që erdhi nga sekretarja e tij.

-Ma thuaj ! Si asht puna?-pyeti ai me kureshtje se cfarë do të thoja.

-Koalicioni me Ju, doktor është vetëm në nivel partiak- thashë dhe ai po më shikonte se ku flinte “lepuri”.

-Po ne kemi firmosur ! Si asht puna?-nxitoi ai me dyshimin se mos kishte ndonjë reagim timin për pabesinë që treguan me dy emrat e zonës së lirë që ishin të PDK. Ndeza një cigare pa lejen e tij , pasi zakonisht nuk lejon njeri të pijë duhan në zyrë.-Mos ke ba llafe me Fatmir Mediun ?- pyeti papritur duke patur merak që të mos i cahej koalicioni.

-Jo, jo ! Por duke qenë me ju në koalicion për të rrëzuar Nano, njëkohësisht unë jam edhe botues i gazetës “Koha Jonë” dhe nuk dua që ajo të kthehet në gazetë koalicioni, pra të humbi pavarësinë e saj

Aaa ! Këtë hall ke ?! Gazeta asht e lirë. Nesër Nikollë në Shkodër- tha si për ta mbyllur bisedën.

-Ok, më mirë ti ndajmë gjërat që në fillim, ndaj ta thashë, pasi nga selia e PD kanë marrë kryeredaktorin e gazetës dhe i kanë thënë se duhet të botohet fjala e plotë e Saliut- dhe e pashë drejt e në sy. Ai u ngrit në këmbë dhe përsëriti- Gazeta asht e lirë dhe nuk mund të jetë pronë e partive të koalicionit.

Kaq ishte biseda atë mesnatë. Nuk zgjati shumë dhe në Librazhd Fatos Nano kishte goditur keq Saliun dhe gazeta doli me fjalët e kryeministrit. Ishte thjesht lajm . Unë akoma nuk e kisha lexuar . Isha rrugës për një miting në Elbasan.

-Alo !- ishte telefoni i Saliut.-Nikollë ! Nuk mundesh ti ma ba kshtu ! Nuk të lejoj !- bërtiste në telefon- Gazeta asht e jona dhe jo e Nanos ! – dhe më mbylli telefonin. Në fillim u turbullova se nuk dija se c’kishte shkruar gazeta. Nuk kisha kohë të shihja kalamajtë . I lija në gjumë dhe i gjëja prapë në gjumë. Nisesha herët dhe ktheheshim cdo natë në ora një të natës nga mitingjet. E jo më të lexoja gazetën para se të dilte ! Ndalova në hyrje të qytetit të Elbasanit dhe blemë një gazetë “Koha Jonë”. E lexova. Nuk kishte asgje jo profesionale. Ishte një deklaratë e Fatos Nanos kundër Berishës e kjo ishte normale në situatë zgjedhjesh. Natyrisht që gazeta botonte lajmet e ditës dhe lajm dite ishte ajo deklaratë. Profesionalisht ishte korrekt gazeta në pasqyrimin e aktivitetit të Nanos.

- Alo ! Doktor . E lexova dhe nuk ka asgjë që ka shkelur rregullat e informimit. E kemi mbyllë njëherë këtë bisedë- thashë dhe mbylla telefonin që të ishim një me një. Ktheva makinën dhe nuk shkova fare në mitigun e Saliut. Mendova se duhej të kuptonte se nuk isha një Lesi tjetër, por ai që kishte njohur ndër vite.

Në darkë vonë me merr në telefon dhe më thotë të pijmë një kafe në Sheraton hotel. E kishte harruar zënkën e mengjëzit. Të paktën kështu dukej. Kishim mitingje të tjera dhe, duhet pranuar duke e lenë larg modestinë, i duhesha PD-së përballë elektoratit, pasi vija nga një supër duel me kryeministrin Nano, të cilin e kisha fituar.

Në Sarandë fitova armiqësinë e Mediut

Nga selia e PD-së, me anë të Gjergji Lezhja, na lajmëruan se plani për rradhën e mitingjeve ishte ndërruar. Do të kalohej mënjëherë kah Jugu i vendit, në një tur tre ditor Sarandë, Delvinë, Livadhja , Ksamil dhe Gjirokastër. E kisha marrë dhe unë, si Saliu, me shumë zjarr punën e mitingjeve! Arian Starova me ngacmonte duke më pyetur se , përse i luaja dorë e këmbë kur flisja para turmave. Ariani është civil dhe dashamirës. Nuk vuante nga mania për tu dukur apo u gjendur afër Saliut në mitingje, sic bënte Mediu. Në fushatë kishim probleme vetëm me Fatmir Mediun e PR. Ai nuk linte njeri t’i ofrohej Berishes. Dukej sikur e kishte pronë private Saliun. Bëhej agresiv nëse unë, Pollo, Starova i ofroheshim një metër më afër se sa donte Fatmiri. Në të vertetë për këtë dekor ishte i interesuar edhe vetë Berisha. Protokolli, që merrte urdhëra të rreptë prej Saliut nuk lejonte që të dilnin në podiumin e mitingut kandidatët tanë që kërkonin vota në proporcional, pra për partinë, pasi për emrin e kandidatit ishin të përbashkët. Në të vertetë bashkërisht kishim vendosur, para fushatës, se kandidatët në proporcional nuk do të dilnin në podium me ne. Vetëm ata kandidatë që kandidonin direkt në mazhoritar. Por Mediu nuk pyeste. Urdhëri i tij ishte si vetë Saliu ! Nganjëherë Pollo, Starova dhe unë pyesinin me shaka se “ ka ardh sot Saliu i dytë?!”. Në cdo miting, përditë e me shumë, kryetari i PD-së po shkelte marrëveshjen. Bënte thirrje të hapur, kur ne ishim në podium, që “Votoni në proporcional Partinë Republikane !”. A thua ne nuk ishim aty ?! Duke parë se mund të na e punonte edhe në Sarandë vendosa ti nisja një mesazh me telefon, pasi ishim udhës duke ecur me shpejtësi të madhe.Natyrisht që i kërkova të mos bënte të njëjtën lojë në Sarandë. Nuk vonoj dhe mbërriti mesazhi i Saliut . “Asht e fundit Nikollë ! Nuk baj ma thirrje për PR !”- e mbyllte doktori mesazhin. Sakaq ia përcolla Pollos dhe Starovës se Saliu do të jetë korrekt tani e pas me partitë tona. “ Të paska mashtruar !- ma ktheu Pollo. Ej bela !- thashë si me vete. Në Sarandë arritëm vonë. Unë shkova tek hotel Butrinti, ndërsa doktori nja 50 metra më sipër ndaloi tek një mik i tij. Të nesermen shkuam për miting në Livadhja e më pas në Ksamil. Mbeta vetëm me Berishën. Më thotë doktori :” Nikollë ! Ke ditën tane !”. Sapo dola para mikrofonit plasi turma :” Lesi ! Lesi!”. Nuk po kuptoja se c’po ndodhte në të djathtën time. Fillova fjalën, ngrita zërin me punën e helikopterit të familjes kryeministrore dhe kur turma u ofrua tek kembët e mija të podiumit sa nuk po përpinte duke thirrur “ Lesi ! Lesi !”. Ktheva kokën për të parë Saliun. Ai ishte bërë xhind e plot inat. E kuptova se po i bëja varrin vetes në mes të zgjedhjeve, pasi inati i tij mund të më kthehej kundër . Nuk kisha kohë. Më punoj mendja për një djallëzi në cast: “ Kam sjellë këtu para jush kryeministrin e ardhshëm zotin Berisha …. “. Dhe nuk mbaj mend më se c’thashë. Turma plasi “ Berisha , Berisha !” . Saliu u bë shend e verë dhe qeshte. Me erdhi afër , me vuri dorën në sup dhe më mori fjalën , ende pa e mbaruar unë. Dhe vazhdoi :” Lesi është simbol i pavarësisë dhe i luftës kundër pazareve të Fatos Nanos….” . Turma prapë ” Lesi ! Berisha !”, por e kapa fillin e turmës në delir. U bëra shenjë për nga Saliu. Vazhduan “ Berisha !...” . Pas mitingut me thotë në vesh : “Nikollë ! Do të flasësh dhe tani në Delvinë . Ishe mirë “. Vrapuam me morinë e makinave që nxirrnin pluhur nga udha e u gjendëm në Delvinë. Aty kishte ardhur dhe Mediu. Ndryshoi plani. Dicka i tha në vesh doktorit dhe u hoq emri im për të pershendetur. Folën të gjithë kryetarët e partive të tjera. Unë vetëm kqyrja turmën. Papritur thirrën nga turma “ Të flasë Lesi !”. Saliu shikoi nga unë. Mediu uli kokën. Dyshonin se mos kisha futur ndonjë mes turmës për thirrur emrin tim . Si dreqi dyshoi Saliu. Por turma e mori para podiumin. Ishte punë sekondash dhe duhej manovruar. Ndërkohë më thotë ” Fol , Nikollë !” . Me shumë se në Ksamil bërtiste turma. U kënaq dhe kur po zbrisnim nga podiumi me kap për krahu . “ Do të flasësh dhe në Sarandë “. Mediu dëgjoi dhe iku para Saliut me makinë duke nxjerrë pluhur aqsa Benzi i kryetarit te PD-se u mbulua e nuk shihej rruga. Inati i Mediut kishte kapercyer cdo sens mase kundrejt Saliut. Pas ofro 20 minutash autokolone arritem në qytetin e Sarandës ku do të bëhej mitingu kundër Nanos. Aty kandidonte kryeministri Nano. Para pak muajsh, Berisha më kishte marrë në telefonin e Spartak Ngjeles që nga selia blu duke më uruar si kandidati i krejt opozitës përballë Fatosit. Pra unë dhe Fatos Nano do të kandidodim përballë. Sec ndodhi më vonë nuk arrita ta mësoj të vertetën, por më zëvëndësuan me emrin e Besnik Aliajt. Atë natë kur ma komunikoi kandidimin tim në zonën e Sarandës fillova të hartojë një plan për fushatën. Përpilova një plan ku të mblidhja të dhënat për popullsinë, raportet fetare, papunësinë, biznesin, turizmin,etj . Dhe si për ta acaruar Nanon do të merrja të njëjtin hotel ku do të flinte ai dhe shpura e tij. Dhe shtabin elektoral do të ngrija 10 metra nga shtabi i tij dhe përballë.Hartova një plan që ta gozhdoja në Sarandë e të mos lija shumë të dilte nëpër Shqipëri. Por… nuk deshi fati të ndesheshim në të njëjtën zonë ! Hymë në stadiumin e qytetit ku turma bërtiste kundër Nanos. U hap mitingu. Mediu ishte afër Saliut. Ishin disa të rinjë dhe ne , të tjerët e partive aleate.

E ka fjalën kryetari i PDK , deputeti Lesi !- ngriti zërin ai që drejtonte mitingun. Dola shkujdesshëm. Pashë nga Mediu. Ktheva shikimin direkt nga populli. Duhej të flisja më mirë se kudo atë ditë. Ishim në zonën elektorale të kryeministrit. Duhej ta dërmoja fare.

-Të nderuar sarandiotë ! Ka disa ditë që brigjeve të Sarandës po vijnë dy anije të mëdha. Njëra nga ato, është anije e vjetër , e shkatërruar, anije pirate. Që nxjerr tym si rrangallë me një kapiten me syze . Ajo po fundoset. Kjo është anija e Fatos Nanos dhe Xhoanës !-thashë dhe mora frymë për pjesën tjetër të fjalimit. Prapë “Berisha- Lesi ! – Kurse anija tjetër është e jona, e cila do të drejtoj vendin në katër vitet e ardhshme- vazhdova dhe disa fjalë të tjera.Turma kishte marrë zjarr.

- Të lumtë ! Por e hengre përfundimisht këtë rradhë !- më tha në vesh Arian Starova- Mediu u bë keq kur flisje ti- vazhdoi Ariani.- Pas zgjedhjeve mbaj tepsinë bosh se si zor të ta japin gjë ty . Kanë frikë prej teje – dhe më rrahu supet- Ty do të ndodhë si atij që mbane verë e pinte uji, pasi verën e pinte beu . U kthyem në Gjirokastër dhe pas Sarandës për 5 ditë nuk më morën më në mitingje.

Saliu : Bisedo me Edi Ramën dhe Blushin

Fushata elektorale e korrik 2005 sa vinte e merrte përmasa më të frikshme për mazhorancën.. Saliu më thirri një ditë në Hotel Rogner. Më tha që të takoja Ben Blushin, të cilin e kishte shumë frikë, por që i hante meraku shumë për ta dëgjuar, pasi mendonte se ishte njëriu kryesor në PS, pas Nanos. Blushi kishte dhënë prova zgjuarsie dhe vizionari në të majtën shqiptare. Përvec kësaj Beni kishte plot miqë në mediat kryesore të vendit.

Nikollë ! Takoje Edin dhe Benin. Na duhet Edi që të rrëzojmë Fatosin- më tha. Dhe akoma nuk po dilte në temë. Picërronte sytë dhe shikonte rrotull.

- Mirë Edin që është kundër Nanos, por Benin pse ?- pyeta jo pa dinakëri. Benin e kisha mik të vjetër. Kishim punuar bashkë në gazetën “Koha Jonë” ndër vitet 1996-1997 , kohë kur Berisha po bëhej gjithnjë e më i egër në përdorimin e pushtetit. Saliu gaboi shumë rëndë me piramidat dhe me drejtimin e Shtetit. Sot isha me atë , pasi ishte e keqja më e vogël përballë Nanos që ishte kthyer në klikë. Paksa edhe mendoja se Berisha mund të ndryshonte nga pësimet që kishte marrë për disa vite rrjesht. Sic e kam thënë diku “ mes dy të këqijave për momentin, zgjodha të keqen më të vogël, që ishte Saliu”.

- Po Blushi e verdallos Edin . Edi të mos dalë në tribuna me Fatosin dhe e lemë të qetë kur të vijmë në pushtet- e mbaroi idenë.

Nuk të besojnë ty !- e ndërpreva.

-Duro !- e mori prapë fjalën dhe fërkoi kokën, a thua se Edin e kishte mbi kokë , ashtu dymetrosh.- Ai nuk don të fitojë Fatosi. Po fitoi ai e fut në burg . E di unë këtë punë- dhe qeshi . E mora vesh c’donte. I bëra një telefon Edit. Lamë takim në katin e pestë, në taracën që sheh nga ish-vila e Enver Hoxhës në Hotel Grand. Ka një pamje të bukur për të pirë kafe e për të biseduar.

- C’thotë Sali bej ?- e nisi me ironi kryebashkiaku. Nuk e duronte fare emrin e tij.

- Saliu të do shumë !-iu përgjigja duke qeshur- më ka dërguar për një bashkëpunim…

-“Cfarë bashkëpunimi ore ! Me atë kafshë ?!! Pupu !- thoshte dhe fërkoi tullën e tij.

- E kam seriozisht. Mos dil me Fatosin në tribuna dhe kur të vijë Saliu në pushtet nuk do të prekë – thashë dhe po ndiqja se si djersët i mbuluan ballin.

- Ore je në vete ti ?! Unë mik me Saliun ?! Jeni cmenduar të gjithë ! Këtej nga ne ka lajthitur Tosi, kurse tek ju është cmendur më shumë Saliu .Mjerë ky vend në dorë të kujt ka rënë !

- Do apo nuk do ti , ne kur të vijmë në pushtet do të shkurtojmë për gjysëm !- fola ashpër, por e qeshura sa nuk po më plaste sheshit .Më vinte mua për të qeshur për rolin që kisha marrë për pajtuar Edin dhe Saliun. Por isha i vendosur të përdorja cdo mjet apo kompromis vetëm e vetëm të rrëzoja nga pushteti Fatos Nanon.

- Kë të shkurtoni ore ?! Mua ?! Me rruani trapin bashkë me Saliun ! – u nxeh Edi.

- Edhe atë do ta shkurtojmë ! – fola seriozisht, por nga brenda vetes me vinte për të qeshur me të madhe.

- Ore edhe po të due me dalë në tribunat e PS-së nuk më lejon Fatosi. Është bërë xheloz nga unë. Thotë se do ti fitojë vetem zgjedhjet – përqeshi Edi. U ndamë. I thashë Saliut se Edit duket e mori dozën e ilacit gjumëndjellës. Dhe si për ta masakruar e merrja cdo mengjez Edin. I thoja “ Ke të fala nga Saliu !”.Edi nuk doli asnjëherë në tribunat e PS-së. Nuk vonoi shumë dhe sapo erdhëm nga mitingu i parë në Vlorë me kap vecmas doktori.

- Ti e ke mik Ben Blushin .

- Po, dihet.- ia ktheva

-Dicka po harton kundër nesh. Mendja e tij është diabolike dhe kam informacion se po harton plan për të bashkuar Ramën, Metën dhe Fatosin bashkë këto ditë. Na shkatërron- foli plot mërzitje. E dinte se Blushi ishte i paaritshëm në kampin e majtë. Një siklet e kaploi aqsa më tha se ke dorë të lirë të më ujdisësh një takim të fshehtë me Blushin. I dija se ishte mision i dështuar që në fillim.- Merre tash në telefon Benin- tha dhe nuk i pritej deri të nesërmen. Nxora telefonin dhe po mendoja si e cfarë t’i thoja atij. Natyrisht që ishim miqë , por politikisht, për momentin ishim në kampe të kundërta.

-Ckemi Ben ?- dhe mbeta pa ditur si ta sillja muhabetin- Foli këtij mikut !

-Cilit mik ? Saliut ?!- foli gjithë ironi, a thua se dinte me telepati se isha me Saliun.

- Don me të përshendet doktori or burrë –nxitova, duke e ditur se Beni do të mbyllte telefonin kur flitej per doktorin. Megjithëse nganjëherë i pëlqente të “kruhej” me të në debate televizive.- Foli doktorit- ndërhyra dhe po bëhesha gati t’ia kaloja Berishës që mezi priste t’i fliste.

- Ik ore , pirdhu me gjithë atë koqe !- më tha.

- Ca thotë !-insistoi Saliu.

-Po të lavdëron !- nxitova të sqaroja, pasi edhe unë u turbullova nga fjalori i Benit.

- Mirë, mirë ! Bëji të fala nga unë- u gëzua Saliu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora