E marte, 23.04.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Masakra e harruar dhe studenti i Sorbonës

E hene, 12.12.2022, 08:54 PM


Masakra e harruar dhe studenti i Sorbonës

Nga Blerim Latifi

Po kaloja sot nëpër fshatrat e Klinës. Kur hyra në rrugën kryesore të Gjurgjevikut, nga larg e pashë një përmendore të ngritur buzë rrugës. Thash me vete: duhet të jetë e ndonjë dëshmori të luftës së fundit. Kur iu afruam i thash vëllaut tim të ndalonte makinën. Doja të shihja nga afër se ne kujtim të kujt ishte ngritur ajo përmendore. Nuk doli ajo që mendoja. Përmendorja kujtonte në ngjarje të ndodhur 80 vjet para luftës së UÇK- së. Në atë vend, në vjeshtën e vonë të vitit 1918, ushtria serbe kishte ekzekutuar 22 anëtarë të familjes së Isuf Dushit. Askush nuk ishte kursyer, nga plaku 85 vjeçar, deri tek foshnjat tri vjeçare. Mbishkrimi në pllakë tregonte se eshtrat e të masakruarve qëndronin të varrosura në atë vend. Ndonëse binte shi, nuk mund të largohesha pa i lexuar emrat e tyre në pllakë. Qëndrova në heshtje para saj për pak minuta. Bashkë me pamjen e zymtë dimërore të natyrës rreth e rrotull, trishtimit tim për atë vend tragjik, peshën ia shtonte edhe një fakt tjetër që më erdhi në mendje në ato momente: sa e sa krime të tilla kanë ndodhur anë e kënd Kosovës nga viti 1912 dhe kujtesa për to tanimë pothuajse është zhdukur. Harrimi i krimeve, siç ka thënë dikush, është falje e heshtur e kriminelëve.

E preka pllakën e ftohtë në shenjë nderimi për atë familje të shuar mizorisht nga pushtuesit serbë dhe hyra në makinë. U nisëm rrugës përpjetë për të dalë tek Rrasat e Gllarevës. Jo larg nga vendi ku ishte masakruar familja Dushi, në oborrin e një shkolle ndodhej një pllakë tjetër. Në të ishte gdhendur portreti i Ymer Berishës, nacionalistit shqiptar të lindur në këtë fshat, në vitin 1912. E pyeta vëllaun tim në e kishte dëgjuar më parë këtë emër. Jo, më tha shkurt.

Ymer Berisha, me siguri, ka qenë njeriu më i shkolluar në Kosovën e atyre viteve. Pasi kishte mbaruar studimet për histori e gjeografi në Firence të Italisë, kishte vazhduar për filologji në Sorbonë, Paris. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore ishte kthyer në Shqipëri për t'u angazhuar në grupet nacionaliste. Për një kohë kishte dhënë mësim në gjimnazin "Sami Frashëri" të Prishtinës. Mbase ky gjimnaz, në krejt historinë e tij, nuk ka pasur kurrë një mësimdhënës më të kualifikuar se Ymer Berishën.

Ai ishte ndër intelektualët e paktë shqiptarë të asaj kohe që mendonte për një front antifashist mbi bazën e lidhjeve me aleatët perëndimorë. I vetmuar në vizionin e tij, ai e kishte të qartë dështimin, por nuk pranoi të dorëzohej. Kur komunistët e morën pushtetin, studenti i Sorbonës mbeti maleve në përpjekje për të organizuar një rezistencë antikomuniste, derisa ra në një pritë të organizuar nga OZNA dhe argatët e saj shqipfolës. Do të duhej të vinte fundi i Shekullit XX që vizioni i tij politik të bëhej realitet.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: Trashëgimia e Milosheviqit nuk jeton vetëm në politikën aktuale serbe, por edhe fushat e tjera të jetës, përfshirë sportin Blerim Latifi: Një histori nga Drama e Madhe e Nëntorit 1912 Blerim Latifi: Aktet solemne të shpalljes së pavarësisë së një kombi gjithmonë bartin një ngarkesë të madhe simbolike Blerim Latifi: Pse ky obsesion medial, në dukje i çmendur, me Vuçiqin? Blerim Latifi: Dy shënime Blerim Latifi: Pranoni paligjshmërinë e Serbisë brenda territorit tuaj! Blerim Latifi: Përvjetorët e mëdhenj të kombit - Ushtria Çlirimtare e Kosovës Blerim Latifi: Si shpjegohet ikja masive e njerëzve nga Shqipëria? Blerim Latifi: Parulla ma e përgjakshme në historinë e Kosovës të Shekullit XX Blerim Latifi: Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është fundi i një farse të madhe Blerim Latifi: Dhuna është variabël e varur nga pushteti Blerim Latifi: Të besosh në fatin e mirë, nuk do të thotë edhe ta sigurosh atë Blerim Latifi: Ringjallja e natyrës Blerim Latifi: 110 vjet më parë, Prishtina do të përjetonte një nga ditët më tragjike në historinë e saj Blerim Latifi: Te kulla e Ali Fazlisë Blerim Latifi: Pasqyra ma objektive e rënies intelektuale e kulturore Blerim Latifi: Gratë iraniane kanë ngritur zërin kundër shtypjes fetare Blerim Latifi: Paradokse shqiptare Blerim Latifi: 'Krejt mendimi perëndimor është veç një fusnotë e Platonit' Blerim Latifi: Shkatërrimi i shëndetësisë publike

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora