E enjte, 16.07.2020, 06:47 PM (GMT+1)

Komente

Augustin Paloka: Serbia dhe Kosova duhet të hyjnë në BE në të njëjtën kohë

E hene, 29.12.2008, 05:43 PM


Augustin Paloka
Augustin Paloka
Serbia dhe Kosova duhet të hyjnë në BE në të njëjtën kohë

Shkruar nga Augustin Paloka    
 
Shikim nga Brukseli

Bllokada që Sllovenia ia bëri procesit të hyrjes së Kroacisë në BE duhet të jetë vërejtje serioze për Bashkimin Evropian se nuk mund të lejojë anëtarësimin e Serbisë para Kosovës. Nëse Sllovenia, e vetmuar dhe pa mbështetjen e askujt, mund të bllokojë Kroacinë sot, atëherë mund të parashihet se Serbia nuk do të pajtohej kurrë me anëtarësimin e Kosovës. Në fakt, shembulli slloven dëshmon ndoshta se vendet e Ballkanit, pas Kroacisë, duhet të hyjnë në BE në paket

Dy rrena të mëdha janë në procesin e anëtarësimit të një shteti në Bashkimin Evropian. Rrena e parë është kur liderët e shtetit kandidat thonë se „reformat i bëjnë jo për shkak të presionit nga BE-ja, por për shkak se është në interes të qytetarëve“. Rrena tjetër është kur liderët e BE-së thonë se „shpejtësia e anëtarësimit në BE varet vetëm nga përparim i vendit kandidat në përmbushjen e kritereve“. Shembulli i Kroacisë, vendi më i avancuar kandidat, dëshmon se këto dy thënie që aq shpesh dëgjohen janë të pasinqerta dhe të pavërteta. Kroacia ka bërë shumë reforma por pothuajse të gjitha i ka bërë në minutat e fundit para se të skadojnë afatet e caktuara nga Bashkimi Evropian. Kështu ka qenë me bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, me hapjen e tregut të patundshmërisë për qytetarët e BE-së, me kthimin e refugjatëve dhe me planin e veprimit për luftë kundër korrupsionit. Kështu është edhe sot kur Kroacia, pothuajse në minutën e fundit, ka vendosur të bëjë ristrukturimin e industrisë së ndërtimit të anijeve. Ristrukturimi i kësaj industrie humbjeprurëse pret hiç më pak se 17 vjet. Po të ishte e vërtetë se ristrukturimi bëhet për shkak se kjo është në interes të qytetarëve të Kroacisë, pse atëherë po bëhet tash, kur Komisioni Evropian ka dhënë afat të prerë, e nuk është bërë para dy apo katër vjetësh.

Në anën tjetër, kemi shembullin e humbjes së kredibilitetit të Bashkimit Evropian. Mu në momentin kur Kroacia ka ardhur në fazën vendimtare të negociatave, kur është caktuar edhe data indikative për përmbylljen e tyre në fund të vitit 2009, kur Komisioni Evropian dhe 26 shtete anëtare kanë konstatuar se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kushtet për të hapur dhe mbyllur gjithsej 15 kapituj, ka ndodhur bllokada e procesit negociator. Dhe, këtë bllokadë e ka bërë Sllovenia e cila për veprimin e saj nuk ka siguruar mbështetjen e askujt në BE. Pra i tërë tregimi se „shpejtësia e anëtarësimit varet nga vetë rezultati i vendit kandidat në reforma“ bie në ujë për shkak se në shembullin e Kroacisë bllokada ka ardhur si dëshirë politike e vetëm një vendi anëtar, i cili nuk ka nevojë të ketë ndonjë arsye bindëse për veprimin e vet.

E gjithë kjo dëshmon se procesi i anëtarësimit të një vendi në BE është, para së gjithash, proces politik e pastaj, kur ekziston dëshira politike, edhe pjesa teknike e procesit i nënshtrohet vullnetit politik.

Sllovenia ka bllokuar Kroacinë për shkak se, sipas vlerësimit të Lubjanës, Kroacia në dokumentet që ia ka dorëzuar Komisionit Evropian ka prejudikuar kufirin në det dhe në tokë që dëmton interesat e Sllovenisë. Këtij argumenti të Sllovenisë nuk i ka besuar askush në BE, as Komisioni Evropian e as 26 vende anëtare, të cilat mendojnë se „problemet e tilla janë bilaterale dhe duhet të zgjidhen pa i sjellë ato probleme në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE“. Por Sllovenia, që deri tash ka qenë e dalluar mes shteteve të reja anëtare për korrektësi dhe angazhim për Ballkanin Perëndimor, tash është bërë shteti më problematik i cili vë në dyshim tërë angazhimin e BE-së në Ballkan. Sllovenia kështu ka dëshmuar atë që në BE janë munduar me vite ta mohonin, se interesat egoiste të shteteve anëtare janë më të rëndësishme sesa rezultatet që mund t’i bënte një shtet në përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Dhe ka dëshmuar se ky proces i anëtarësimit në BE është politik, para së gjithash. Ka dëshmuar se vendi i cili është në BE „ka gjithmonë të drejtë“ në krahasim me vendin kandidat, edhe atëherë kur një vend anëtar i BE-së është i vetmuar në qëndrim.

Ky bllokim që Sllovenia i ka bërë Kroacisë javën e shkuar ka vënë në hall tërë BE-në, por edhe ka rritur frikën. „Nëse sllovenët ua bëjnë këtë kroatëve, atëherë mund ta paramendoni se çfarë do t’u bëjnë kroatët serbëve apo serbët kosovarëve, nëse para tyre hyjnë në BE“, thoshte një diplomat i BE-së, duke shprehur frustrimin me sjelljen e Sllovenisë kësaj radhe. Dhe vërtet, kur të merret parasysh se Sllovenia dhe Kroacia së bashku janë shkëputur nga ish-Jugosllavia, se asnjëherë nuk kanë pasur konflikt mes vete, se e kanë të njëjtën fe, se e kanë të kaluarën të përbashkët dhe se problemet e tyre nuk janë aspak të ndryshme nga problemet që shumë shtete anëtare të BE-së kanë ende mes vete, atëherë vërtet fitohet përshtypja se, nëse Sllovenia arrin të bllokojë Kroacinë, atëherë integrimi i vendeve të Ballkanit në BE do të bëhet vetëm një ide e mirë e parealizueshme.

Bllokada që Sllovenia ia bëri procesit të hyrjes së Kroacisë në BE duhet të jetë vërejtje serioze për Bashkimin Evropian se nuk mund të lejojë anëtarësimin e Serbisë para Kosovës. Nëse Sllovenia, e vetmuar dhe pa mbështetjen e  askujt, mund të bllokojë Kroacinë sot, atëherë mund të parashihet se Serbia nuk do të pajtohej kurrë me anëtarësimin e Kosovës. Presidenti i Serbisë edhe publikisht ka thënë se „Serbia duhet të hyjë në BE për të parandaluar anëtarësimin e  Kosovës“. Komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn, është përgjigjur se „një vend nuk bëhet anëtar i BE-së për të parandaluar anëtarësimin e një vendi tjetër“. Por rasti i Sllovenisë dëshmon të kundërtën, sepse BE-ja, ku vendimet për zgjerim merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare, nuk ka asnjë mundësi ligjore të parandalojë një shtet anëtar që pa asnjë arsye ta bllokoj anëtarësimin e një vendi tjetër.  Në fakt, shembulli slloven dëshmon ndoshta se vendet e Ballkanit, pas Kroacisë, duhet të hyjnë në BE në paket. Dallimi mes tyre edhe ashtu nuk është aq i madh, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, viktima më të mëdha të luftës që kanë mbetur shumë prapa në çdo aspekt dhe, po të kërkohen kriteret që kërkohen nga Kroacia sot, nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së së paku para vitit 2020. Dhe nëse Serbia hyn para Kosovës në BE, me qëndrimin se „kurë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës“, atëherë perspektiva evropiane e Kosovës do të mbetet vetëm një ëndërr e mirë e Prishtinës dhe Brukselit. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora