E enjte, 28.03.2024, 12:47 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Intervistë me Frank Shkrelin mbi rolin dhe influencën e komunitetit shqiptar në Amerikë

E enjte, 08.12.2022, 07:59 PM


NË MBYLLJE TË 100-VJETORIT TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE

INTERVISTË ME FRANK SHKRELIN MBI ROLIN DHE INFLUENCËN E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË AMERIKË, NË MBËSHTETJE TË KOSOVËS GJATË VITEVE

1.Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka luajtur një rol vendimtar në çlirimin e Kosovës. Mendoni se ky rol është vlerësuar sa duhet nga politika në Kosovë?

FSH – Është e drejtë të thuhet se diaspora shqiptare në Amerikë ka luajtur një rol të rëndësishëm, për të mos thënë jetik ose siç thoni ju, vendimtar në çlirimin e Kosovës.  Duhet theksuar se ky rol i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara ishte një vazhdimësi e një tradite të jetuar dhe të vepruar, të lënë si amanet dhe shembull nga të parët e këtij komuniteti, Imzot Fan Noli dhe Faik Konica me bashkpuntorët e tyre, që në fillim të shekullit të kaluar.  Breza të ndryshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan e kanë vazhduar këtë traditë, bazuar në rrethanat në të cilat jetonin dhe në mundësitë e organizimit që kishin gjatë shekullit të kaluar e deri në fund të shekullit 20-të kur edhe njëherë Kombi shqiptar lëshoi kushtrimin për shpëtim, kësaj radhe për shpëtimin e gjysmës tjetër të Kombit shqiptar – Kosovës – që ishte në prak të zhdukjes nga harta e Europës, pasi diktatori terrorist serb Millosheviç kishte vendosur që ta spastronte Kosovën nga shqiptarët autoktonë, duke mos kursyer mjetet më shtazarake për realizimin e qëllimeve të tija diabolike.  Roli i komunitetit shqiptaro-amerikan, përveç ndihmës materiale direkte për shqiptarët e Kosovës, ishte i pazevendsueshëm në sensibilizimin e Amerikës për krimet serbe në Kosovë, e sidomos të përfaqsuesve të saj politikë në Washington, për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve të Kosovës.  Në të vërtetë, në mungesë të një përfaqësie zyrtare nga Kosova, komuniteti shqiptaro-amerikan ishte si të thuash “zëri zyrtar” i shqiptarëve të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, sidomos në Washington.  Përpjekjet e këtij komuniteti në mbështetje të Kosovës kundër agresionit serb, bindën më në fund Washingtonin zyrtar se kishte ardhur koha që aleanca ushtarake NATO, të ndërhynte me sulme ajrore kundër Serbisë, për të shpëtuar jetën e qindra mijëra shqiptarëve. Më në fund, për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj nëse është vlerësuar ky rol nga politika në Kosovë, është vështirë të thuhet. Besoj se me fjalë është vlerësuar, por jo me vepra. Besoj se përsa i përket komunitetit shqiptaro-amerikan,  vlerësimi më i mirë për rolin që ka luajtur komuniteti shqiptaro-amerikan, për lirinë e Kosovës – do të ishte bashkpunimi i forcave të ndryshme politike dhe funksionimi normal i institucioneve të shtetit të Kosovës, për të mirën e vendit.

2-Sa i rëndësishëm ishte lobimi që diaspora bëri me kongresistë, senatorë dhe presidentin Klinton për të mbështetur kauzën e popullit të Kosovës dhe UÇK-në për çlirimin e saj nga ushtria serbe?

FSH –Besoj se lobimi i individëve dhe i komunitetit në përgjithësi ishte i pazëvendsueshëm në sigurimin e lirisë dhe më në fund të pavarësisë së Kosovës.  E vërteta është se pa aktivizimin e komunitetit shqiptar në Amerikë, Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin të sensibilizuara mbi krimet që ushtria dhe policia serbe po ndërmirrnin në Kosovë në atë kohë. Ishin një numër kongresmenësh dhe senatorësh, nga të dy partitë kryesore politike të Amerikës, të cilët komuniteti shqiptar në Amerikë kishte kontaktuar gjatë një periudhe disa vjeçare.  Në të vërtetë ishte një gjë tepër gjeniale, politikisht, që shqiptarët e Amerikës kishin vendosur, që për kauzën e Kosovës, të siguronin mbështetjen e të dy partive kryesore amerikane në Kongres, megjithëse secili kishte bindjet e tija politike, por kur erdhi çështja e Kosovës, ata ishin të një mendimi.  Ishin këta një numër i madh, një listë e gjatë për të përmendur të gjithë, republikanë dhe demokratë, të cilët bashkpunuan, në mbrojtje të Kosovës, me shqiptarët e Amerikës. Komuniteti shqiptaro-amerikan, me ndihmën e ligjvensëve amerikanë, siguroi më në fund edhe mbështetjen e degës ekzekutive të SHBA-së më në krye Presidentin Bill Klinton, i cili me aftësinë e tij politike dhe diplomatike, bindi më në fund edhe aleatët perëndimorë në NATO, se kishte ardhur koha për ndërhyrje ushtarake, për t’i shkuar në ndihmë Kosovës dhe UÇK-së.

3-Si u arrit të penetrohej deri në nivelet më të larta të politikës amerikane nga ana e diasporës në mbështetje të popullit të Kosovës?

FSH – Komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë viteve 90-të, megjithëse në numër tepër i vogël, në krahasim me grupe tjera etnike në Amerikë, arrijti të njihej si komuniteti më me influencë lobiste në Washington, pas Izraelit. Kjo ndodhi ndërsa individë dhe grupe me influencë në komunitet, nga shtete të ndryshme ku jetonin shqiptarët anë e mbanë Amerikës, kishin rënë në kontakt me përfaqsuesit e tyre politikë në Washington, senatorë dhe kongresistë për të sensibilizuar politikën amerikane mbi gjëndjen e mjeruar në Kosovë. Përveç kontakteve të shpeshta me kongresistët, individë të caktuar të komunitetit kishin bërë kontakte dhe kishin vendosur lidhje edhe në nivelet më të larta të Stejt Departmentit dhe departamenteve të tjera diplomatike dhe ushtarake të Amerikës. Ishte kjo një periudhë që përfaqsuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan i kishin dyertë e hapura në entet më të larta të qeverisë amerikane, përfshirë Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë.  Komuniteti i filloi kontaktet me kongresistët së pari, e pastaj me ndihmën e Kongresit dhe të Senatit, penetruan edhe në nivelet më të larta të qeverisë federale të Amerikës. Ndodhte shpesh që individë të caktuar të komunitetit shkonin së bashku me kongresistë ose senatorë të shtetit ku jetonin, për tu takuar me përfaqsues të qeverisë federale, për të qarë hallet e Kosovës.  Arsyeja e penetrimit të lobistëve shqiptarë në nivelet më të larta të qeverisë amerikane, kishte të bënte gjithashtu me respektin që ata kishin për individë dhe grupe të komunitetit shqiptarë, sepse ata kurrë nuk i ekzagjeronin punët, por i paraqisnin ashtu siç po ndodhnin në Kosovë. Kishin fituar, pra besimin e zyrtarëve më të lartë amerikanë, se ata ishin të saktë, e si rjedhim, të besueshëm për ato që thonin. E kjo ishte me shumë rëndësi.

4-Sa e vështirë ka qenë për diasporën shqiptare që të prishte atë status të favorizuar që ish-Jugosllavia kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ndryshuar plotësisht qëndrimin për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e kombësive të tjera në ish-Jugosllavi, kryesisht asaj shqiptare?

FSH— Në të vërtetë nuk ishte një gjë e lehtë. Jugosllavia e asaj kohe gëzonte status të veçantë në Washington dhe ndonëse kishte një regjim komunist, konsideorhej si një “komunizëm me fëtyrë njerëzore”. Por këtij vlerësimi i doli boja shumë shpejt dhe ishte pikërisht komuniteti shqiptaro-amerikan ai i cili bindi Washingtonin se të drejtat e njeriut, e sidomos të drejtat e shqiptarëve po shkeleshin pa asnjë ndëshkim, nga askush. Ndoshta rasti i parë shkeljes së të drejtave të njeriut që u hapi sytë amerikanëve ishte “rasti Ivezaj”, i cili qe dënuar me shtatë vjetë burg nga Jugosllavia – gjatë një vizite në vendlindje -- për pjesëmarrje në demonstrata anti-jugosllave në Detroit, por i cili u lirua pastaj me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara. Më kujtohet si të ishte sot, pasi isha duke raportua për Zërin e Amerikës, zhvillimet në sesjonin e Komisionit për punët e Jashtme të Kongresit, ku komuniteti shqiptar i Detroitit, me ndihmën e mikut të Z. Ekrem Bardha, Kongresistit William Broomfield kishte kërkua që të shqyrtohej në Kongres arrestimi i Pjetër Ivezajt.

Aty, ndoshta për herë të parë, u pa influenca e komunitetit shqiptar, në ekspozimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarve në ish-Jugosllavi.  Më kujtohet kur William Broomfieled u ngrit nga karriga gjatë sesjonit dhe vajti për t’i telefonuar “live” ambasadorit amerikan në Beograd duke i kërkuar atij shpjegime dhe lirimin e menjëhershëm të Pjetër Ivezajt.   Ashtu edhe ndodhi. Ivezaj u lirua nga burgjet jugosllave dhe rasti i tij shënoi fillimin e venitjes së statusit të Jugosllavisë si shtet i favorizuar në Washington, fal komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit dhe mikut të shqiptarëve Kongresisti William Broomfield, i cili organizoi seancën dëgjimore në Kongres. Si asnjë herë më parë, arrestimi i Pjetër Ivezajt dhe ndërhyrja e kongresistit Broomfield për lirimin e tij, bëri që Kongresi amerikan të këthente sytë dhe të fokusohej nga çështja shqiptare në ish-Jugosllavi. Ndonëse për shumë vjetë kisha jetuar në Washington dhe ndiqja punimet e Kongresit, nuk kisha parë ndonjë ndërhyrje më të shpejtë, nga ana e Kongresit amerikan për fatin e një individi të vetëm – një malësori nga Malësia e Madhe. Kjo ndoshta ishte prova më e mirë e fillimit të ushtrimit të influencës së komunitetit shqiptaro-amerikan në institucionet më të larta të shtetit amerikan.

5-Mendoni se do të mjaftonte vetëm lufta heroike e UÇK-së që çlirimi i Kosovës të bëhej i mundshëm?

FSH –Unë nuk jam i mendimit se vetëm lufta heroike e UÇK-së do të sillte çlirimin e Kosovës, megjithë patriotizmin, trimërinë dhe sakrificat e mëdha të saj.  Besoj se lufta do të vazhdonte shumë më gjatë, me humbje shumë më të mëdha në radhët e saj dhe në popullsinë civile shqiptare -- me pasoja të pa parashikueshme për Kosovën. Unë jam i bindur se më në fund ishin dy rrugë paralel që duheshin ndjekur dhe që u ndoqën: njëra qe lufta heroike e UÇK-së dhe rruga tjetër, ajo diplomatike për të siguruar mbështetjen, fillimisht, të Amerikës dhe nepërmjet Amerikës, mbështetjen e botës perëndimore, për një ndërhyrje ushtarake në Kosovë.  Pa këto dy rrugë, që duheshin të ndjekeshin, njëkohsisht, pra pa luftën në terren nga UÇK-ja dhe pa përpjekjet diplomatike të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në kryeqytetet perëndimore, përfshirë vizitat e tija të shpeshta në Washington -- nuk besoj se do të kishim sot një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Ishin këto dy karta që nevojiteshin dhe që u luajtën në të njëjtën kohë.  Në këtë përfundim, kanë ardhur edhe vërjetës dhe analistë të tjerë shqiptarë dhe të huaj.

6-Cilët kanë qenë sipas jush momentet apo episodet që ndikuan në Departamentin e Shtetit por dhe në Kongres që do të ndryshonin qëndrimin amerikan për UÇK-në nga një “organizatë terroriste” në një ushtri çlirimitare të cilën do ta mbështesnin më pas fuqimisht?

FSH – Natyrisht se propaganda e flliqtë a Sllobodan Millosheviçit e konsideronte UÇK-në si organizatë “terroriste”, por shumë shtete europiane nuk e kosnderonin të tillë dhe është në të vërtetë një pikëpyetje nëse Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar UÇK-në si të tillë. Është e vërtetë se Përfaqsuesi amerikan për Ballkanin Robert Gelbard ishte shprehur në atë kohë se UÇK-ja ishte një organizatë “terroriste” dhe kjo deklaratë e tij bëri shumë bujë në Washington. Duket se Gelbardi ishte nxituar me deklaratën e tij. Ishte viti 1998 kur ai e bëri këtë deklaratë dhe në atë kohë më duket se UÇK-ja nuk figuronte në listën e grupeve terroriste të Departamentit të Shtetit. Si rrjedhim, Gelbard ndryshoi karakterizimin e tij ndaj UÇK-së duke thënë se, ligjërisht, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë venë atë në listen e grupeve terroriste.  Ai pat  thënë gjithashtu se qeveria amerikane kishte kontaktuar me përfaqsues të UÇK-së për të parë nëse ishte e mundur që të zhvillonin bisedime me Beogradin.

Besoj se një moment që i tregoi botës se Washishngtoni nuk e konsideronte UÇK-ën organizatë “terroriste” ishte vizita e Ambasadorit Riçard Holbrooke në Kosovë, gjatë së cilës ai u takua me përfaqsues të UÇK-së – fotografia e famëshme e tij ulur afër një ushtari të UÇK-së.  Një moment tjetër, natyrisht ishte bashkpunimi i UÇK-së me aleancën e NATO-s gjatë sulmeve ajrore kundër Serbisë, ndërkohë që NATO i cilësoi ushtarët e UÇK--ës si luftëtarë të lirisë.  Ndërkaq, një episod tjetër që tregon se edhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara kishte ligjvënës që nuk e konsideronin UCK-në si të tillë, pasi kishin bërë thirje për armatimin e UÇK-ës, përfshirë kongresmenin republikan Dana Rohrabacher, i cili pat bërë thirrje që Amerika të mbështeste UÇK-ën me armë për tu ndihmuar atyre të siguronin lirinë nga Serbia. Por mbi të gjitha, ishte edhe lobimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, kryesisht nepërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe anëtarëve të tij që kanë bindur zyrtarët amerikanë dhe Kongresin se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste.

7-Pse u krijua Këshilli Shqiptaro-Amerikan dhe cili ishte roli dhe kontributi i tij në çështjen e Kosovës?

FSH -- Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,(KKSHA/ NAAC) u krijua nga nevoja e madhe për një organizatë të till lobiste. Unë megjithse nuk kam qenë në fillimin e aktivitetit dhe të themelimit por më kanë thënë se ishte ideja e mikut të shqiptarve Kongresistit nga Michigani, Broomfield dhe mbështetej nga ambasadori i parë në Shqipëri, Bill Rajerson. Ndër nismëtarët e parë ishte edhe autori i librit, “E Vërteta-Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, Z Ekrem Bardha si mik i kongresistit Broomfield, me disa aktivistë tjerë të dalluar të komunitetit nga New Yorku, përfshir Profesorin e nderuar Sami Repishti, i cili ka shërbyer si Drejtori i parë i KKSHA-së. Me themelimin e kësaj organizate, ishte hera e parë që komuniteti shqiptaro-amerikan përfaqësohej nga një ent dhe jo nga indidvidë të posaçëm, para zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë edhe Shtëpinë e Bardhë.  KKSHA, i cili në përbërje u krijua si një organizatë jo-qeveritare, prej vitesh ka zhvilluar aktivitetin në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara në Washington për të mbrojtur çështjet mbarë shqiptare në Kongres dhe pranë qeverisë amerikane, sidomos çështjen e Kosovës.  Fillimisht, roli i komunitetit shqiptar, ishte sensibilizimi, në mënyrë të organizuar, i Washintonit zyrtar mbi çështjen e Kosovës, para dhe gjatë luftës e deri tek përpjekjet për të siguruar pavarësinë e saj.  Pastaj ka zhvilluar aktivitetin e tij gjatë viteve për të nxitur dhe promovuar paqën dhe proceset demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë por edhe më gjërë në Ballkan, përmes mbështetjes së politikave demokratike, respektit për të drejtat e njeriut, si dhe përmes programeve të zhvillimit dhe edukimit. KKSHA me ndihmën e aktivistëve më të shquar të komunitetit, historikisht e ka dhënë kontributin e vazhdueshëm për çështjet shqiptare, ndërkohë që ka marrë pjesë edhe në Konferencën e Rambujesë. Ka luajtur një rol të rëndësishëm në Marrëveshjen e Ohrit, në përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, të drejtat e njeriut për shqiptarët në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit, e tjera.  Unë kam pasë nderin të shërbej si Drejtor Ekzekutiv KKSHA-s para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe më duhet të them se kemi punuar më shumë në mbështetje të Kosovës, në krahasim me Shqipërinë, pasi si shtet i ri, Kosova – fillimisht, pa ambasadë në Washington -- kishte më shumë nevojë për mbështetje nga KKSHA-ja dhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan në përgjithësi.  Pas luftës në Kosovë, KKSHA ka organizuar edhe programe për të promovuar zhvillimin ekonomik, trajnime për rininë dhe për femërat, por edhe aktivitete të tjera.

8-Cili ishte, sipas jush, roli i presidentit amerikan Bill Klinton në mbështetje të popullit kosovar dhe sa ishte ai i ndikuar nga faktori shqiptar, i Këshillit Shqiptaro-Amerikan?

FSH: Nuk besoj se është një ekzagjerim të thuhet se Presidenti Klinton ishte fillimi dhe mbarimi i përpjekjeve diplomatike dhe ushtarake, të cilat më në fund çuan në çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe dhe nga terrori që Millosheviqi ushtronte pa mëshirë mbi popullësinë shqiptare. Unë kam qenë dëshmitar, të pakën në dy raste ku është diskutuar çështja e Kosovës para se të urdhëronte sulmet ajrore kundër Serbisë. E them me plot bindje se pa marrë parasyshë se çfarë është thenë e shkruar në atë kohë se gjoja ai vendosi të sulmonte Serbinë për të larguar vëmendjen nga problemet e tija personale, unë mund të them se ai e kishte me gjithë zemër shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës me të gjitha mjetet e nevojshme që kishte në dispozicion, përfshirë ndërhyrjen ushtarake.  Ai i ndoqi  mundësitë diplomatike deri në minutën e fundit për të mënjanuar sulmet, por ishte i bindur se më në fund nuk do të kishte rrugëdalje tjetër përveç sulmeve ajrore, për ta larguar Serbinë  nga Kosova.  Është e dokumemtuar edhe me fotografi se anëtarë të KKSHA-së dhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit janë takuar me Presidentin Klinton dhe me zyrtarë të lartë amerikanë për të biseduar mbi Kosovën. Faktori shqiptar në përgjithsi dhe KKSHA-ja në veçanti ka luajtur rolin kryesor në Washington gjatë periudhës para se të fillonin sulmet ajrore të NATO-s. Presidenti Klinton vet dhe historianë të diplomacisë e vlerësojnë ndërhyrjen ushtarake të NATO-s me në krye me Shtetet e Bashkuara për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga terrori serb, si arritjen kryesore diplomatiko-ushtarake të mandatit të tij.

Gjatë një vizite në Prishtinë në nëntor, 1999, Presidenti Klinton u tha shqiptarëve të Kosovës se, “Ne e fituam luftën, por vetëm ju mund ta fitoni paqën. Kosova është në duarë tuaja dhe bashkësia ndërkombëtare do të qëndrojë pranë jush, por jeni ju ata që duhet të udhëhiqni.” Mirëpo, duke ndjekur situatën politike sot në Kosovë, shpresoj dhe lutem që klasa politike e  zgjedhur për    “udhëhequr” -- me veprimet e tyre të pa përgjegjëshme -- të mos zhgënjejnë, jo vetëm komunitetin shqiptaro-amerikan i cili ka luajtur një rol jetik në shpëtimin e Kosovës, por edhe Presidentin Klinton, miqtë e shumtë të Kosovës në Kongres dhe popullin amerikan, i cili ju gjetë afër Kosovës në momentet më të vështira të historisë së saj.

-----------------------------

*Kjo intervistë është bërë 2/24/2016, me kërkesë të Z. Ekrem Bardha, me qëllim për tu përfshir në librin e botuar kohët e fundit të autorit Bardha me titull: “E vërteta -Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora”. Pasi intervista është botuar pjesërisht në librin e Z. Bardha –gjë që kuptohet – po e ribotoj të plotë, pasi mund të jetë gjithnjë aktuale për gjëndjen e sotëme. E falënderoj Z. Bardha që intervistën time e ka përfshir (ndonëse të shkurtuar) në librin e tij shumë informativ mbi rolin dhe influencën e komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë viteve, për zgjidhjen e çeshtjes madhore të Kosovës dhe për rivendosjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, pas shembjes së Murit të Berlinit.

Autori duke paraqitur miqët e nderit në darkën e dekorimit të Senatorit Dole dhe Dr. Biberaj nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Ameirkan, (KKSHA) Nju Jork, 2005

Në vitin 2005, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan KKSHA/NAAC) nderoi për punën e tyre në mbështetje të kauzave të shqiptarëve, sidomos të çeshtjes së Kosovës–Senatorin dhe mikun e madh të Shqiptarëve, Z. Bob Dole dhe Dr. Elez Biberaj, aktualisht Drejtor i Euro-Azisë në Zërin e Amerikës.

Nga albumi i akrivave të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan --Foto nga disa prej aktiviteteve të organizatës lobiste shqiptaro-amerikane, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, për vitin 2005 – si shembëll!

Foto nga disa prej aktiviteteve të organizatës lobiste shqiptaro-amerikane, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, për vitin 2005 – si shembëll i veprimtarisë së komunitetit shqiotaro-amerikan gjatë viteve!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora