E merkure, 01.02.2023, 06:54 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Letra e Nënës

E enjte, 08.12.2022, 07:56 PM


Sejdi BERISHA:

LETRA E NËNËS...

(Letër apo këngë përjetësie)


1.

Po e nis ta shkruaj këtë letër

Aty tek ajo kaçuba që prej viti ne vit po rritët

Aty ku varri im është i stolisur

Me emrin dhe mbiemrin tim

Edhe me vitin e lindjes

Edhe me senën kur ika për në amshim

2.

Edhe këtu

Shumë më ka marrë malli

Për shumëçka dhe për gjithçka

Pra

Po e nis prej aty ku ty të linda

Aty ku nuk ishim në shtëpinë tonë

Andaj sa shkrumb kisha

Që kur dole në dritë

Nuk mund e shijove

Aromën e shtëpisë sonë

As atë madhështinë e saj

3.

Ajo

E kishte një histori të dhembjeve

Edhe të krenarisë e vuajtjeve

E kishte të fshehur

Edhe rrugëtimin e babait tënd

Edhe dashurinë dhe shkrumbin tim

Të fshehur dhe të mbështjellë

Në shtatë fish myshemo

4.

Ti

Ndoshta nuk e din se për çfarë

Por sot do t’i radhisë disa

Nga ato plagët e mia për të rritur të lumtur

Se tek daja yt nuk ishte çerdhja jote

Sepse shtëpinë na kishin grabitur hienat

Edhe tokën tonë stërgjyshore

Për atë edhe stinët e verës ishin të ftohta

5.

Dhe interesant

U rrite si molla në rremb

Por ti asnjëherë nuk ke treguar

Se zemrën e ke të lënduar

Se shpirtin e ke të rënduar

Se në shtëpi të huaj gjithçka të mungonte

6.

Ti mendon se unë nuk e di

Çdo vit të ngarkohej me ëndrra

Çdo stinë sikur të bëhej hije

E lojërat fëmijërore të ngjanin

Si plagë jete

7.

Po po e di unë

Se asnjëherë nuk ke dashur

Zemrën të ma lëndosh

Dhe as babën të mos e rëndosh

Me fëmijërinë tënde të etur

8.

Dhe kur erdhi koha

Që të largohemi nga shtëpia ku u linde

Atëherë shpirti t’u ngarkua edhe me një barrë

Se aty ku pike nga zemra ime

Në tokë u krijua një shenjë

Që askush nuk mund ta sqarojë

Edhe tash kur kalon andejpari

Diçka të tërheq si gjiri i nënës

9.

Ani

Se edhe unë jam lindur në atë shtëpi

Që kurrë nuk e pashë fytyrën e sime nënë

Dhe ta shijoj dashurinë e saj

Edhe tash prej këtu ku po e shkruaj këtë letër

Biri im

Fytyra e nënës sime

Ka qenë ajo e sime motër

Asaj madhështores që ma zëvendësoi nënën

Por prapë edhe sot që jam kështu

Më mungon dora e nënës

Aroma dhe përkëdhelja e saj prej engjëlli

Dhe këtë rrugëtim jete

As unë dhe askush nuk mund ta përshkruajë

Ai është mbyllur përjetësisht në shpirtin tim

Dhe dje sot dhe nesër

Përgjithmonë ngelet e padukshme

Fotografia e nënës sime-e gjyshes sate

Që kurrë nuk e përqafova bile njëherë

Pra, kështu ishte biri im

10.

Kështu u rrita unë

U rrite edhe ti

Andaj me peshë malli

Ngrohtësinë e shpirtit ty ta dhurova

Edhe në vegjëli

Edhe në rini

Edhe në moshën kur u bëre burrë

Por shumë gjëra kurrë nuk t’i kam treguar

Vetëm që ty të ta ruaja atë freskinë rinore

Edhe ashtu të lënduar dhe të përvëluar

Por të gjitha këto të kalitën

Të bënë njeri të madh

Njeri që e do tokën dhe qiellin

11.

Duke e shkruar këtë letër

Tek ajo kaçuba ku përjetësisht pushoj

Do djersë ballin ma kanë kapluar

Edhe ato eshtrat të cilat

E di se ti i lexon fije e për pe

Sepse i ke shkruar do libra

Që shpirtin ma kanë bërë mal

Por edhe më ke bërë krenare

Me atë hijeshinë e këngës dhe të lotit

E di se deri këtu ke ardhur

I stolisur me ngrohtësinë e nënës

Me shpresat e pathyeshme të babait

Me dashurinë e motrave tuaja

Që u bëre pjesë e mendjes dhe e ëndrrave të tyre

12.

Në këtë moment

M’u kujtua edhe mosha e rinisë sate

Kishe dëshirë të madhe që babait tënd

Të ia plotësoje dëshirën dhe amanetin

Që të bëhesh zoti i vetes

Dhe ndershmëria për lumturinë e njerëzve

E cila ndoshta edhe tash u mungon

E kishe ëndërr të veçantë shkollimin

Që ta ngulfatën gjatë rritës sate

Kur ishe në gjimnaz

13.

Uh...

Po pedant kishe dëshirë të shkoje në mësim

As opingat nuk të pengonin

Në ato këmbët e tua

Që bashkë me rritën tënde

Dikur do ta shëtisin botën

14.

A të kujtohet kur t’i thura ato opingat

Që ishin me penj prej qenari

Ama bardh si bora ishin

Dhe me gëzim të nesërmen shkove në shkollë

Me ato opinga me penj që shndrisnin si shpirti yt

E që të gjithë shokët e shkollës ta kishin lakmi

15.

Edhe një çantë-janxhik

Motrat ta kishin thurur

Për librat dhe fletoret

Dukej më i mirë se çantat e nxënësve të tjerë

16.

Më kujtohet edhe një takim me ty

Atje në krye të arës

Që ishe duke e ruajtur presën e ujit

Që misri të ujitet

Të jetë sa më i bereqetshëm

Të pashë ulur por me lot në sy

E di se ishe i ri dhe kishe shumë ëndrra

Por kush di t’i shpjegojë

Ata lotët e tu tek ara

Ku babai yt ishte duke e ujitur djersën e vetë

Kafshatën e gojës së familjes

Ndoshta koincidencë

Por edhe ai duke ujitur arën

Lotët i shkonin rrëke

Ndoshta pse nuk ishte ara jonë

17.

Birim im

Këta lot deri sot askush nuk i ka ditur

As nuk ka mundur t’i shpjegojë

Ishin zjarr si vullkan

Dhe të tillë le të ngelin

18.

Biri im

Ishe i ri shtalb

Kur të pashë atëherë

Se si një vashe flokun ia ledhatoje

U tremba dhe e tëra dridhesha

Nuk e di përse

Ndoshta për krenarinë time

Ndoshta për ardhmërinë tënde

Dhe tash ke shumë fëmijë

Edhe nipa e mbesa

Nuk e di a u ke shpjeguar diçka për mua

Edhe për plisin plot djersë të babait

Por për këtë jam e sigurt

Nuk dyshoj në shpirtin tënd të madh

19.

Në kujtohet edhe rrëfimi yt

Për gjarprin me lara

Në ato lluga plot moçale

Që t’i kishte zgurdulluar sytë

Edhe atëherë jam trembur

Sepse ishe drita e syve të mi

Por ishe larguar duke kënduar

Si rinia që di të këndojë

Biri im

Edhe këtu ka shumë gjarpinj

Ruaju kur ta vizitosh këtë kaçubën këtu

20.

Po e lë të mangët këtë letër

Se nuk përfundohet dot

Ngase sipër meje rëndojnë shumë kujtime

Edhe shumë plagë dhembje e lumturi

21.

Por dua që në shikimin tënd

Në atë bebëzën e syrit valë

T’i zbukuroj të gjitha stinët

E në duart e tua ta lë dritën e shpirtit

Që gjithmonë rrugët e njerëzimit t’i ndriçojë

Sepse ashtu gjithmonë ke dashur

Ashtu edhe sot përplasesh me këtë madhështi

22.

Unë nuk dua që të të bezdis me dhembjet e mia

Por jam e lumtur që u bëre njeri

Ashtu siç kam ëndërruar unë

Se siç thash janë edhe do plagë

Që letra nuk i zë dot

Janë të rënda dhe me peshë malli e krenarie

23.

Tash dua t’i shkruaj edhe dy-tri fjalë

Për atë momentin para ikjes sime

Ishte histori që nuk shkruhet

Por mbahet brenda thellë në zemër e shpirt

Andaj

Ti je historia ime

Ti je pavdekësia ime

Dhe kështu pushoj e qetë pranë kësaj kaçube

Të cilën shpesh e kaplon vapa

Por shpesh edhe fresku i stinëve

Që m’i detyrojnë lotët e lotëve

24.

Kaq unë pata

E di se edhe ti tash ke moshë

Por biri im

Vazhdo ta shkruash edhe ndonjë varg

Edhe ndonjë shkrim zemre

Për jetën tonë

Edhe për shkrumbin tim

Sepse vargjet e tua

Edhe këtu pranë kësaj kaçube

I lexoj dhe i përjetoj

Që dhembin deri në Ka të Zi

Por që përjetësisht më mbajnë

Si pemën që vetëm lulëzon

25.

Edhe diçka

Tek kjo kaçuba kur do kuvendojmë së bashku

Në atë gurin e mermerit

Freskojeni me ngjyra lulesh

Emrin dhe mbiemrin tim

Edhe ditën e lindjes sime...

(©S. B.)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora