Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Tema e dashurisë në krijimtarinë e shkrimtarit Enver Kushi

| E merkure, 07.12.2022, 08:55 PM |


TEMA E DASHURISË NË KRIJIMTARINË E SHKRIMTARIT ENVER KUSHI

Nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Vite më parë, në mos gabohem më 2010, mbajta këmbët te ura e Lanës per te pare librat e shumtë që bukinisti, kishte shtrire mbi parvazin e urës. Më zuri syri një libër me një titull jo të zakonshëm:”Viti zero”. Autori, Enver Kushi. E kisha dëgjuar por nuk kasha pasur rast ta njihja. E mora. Leximi ishte një befasi. E rilexova.  Romani shtjellonte ngjarje të vioteve 1991-92. Roman i veçantë,   e tejet i ndryshëm,si nga stili, forma dhe përmbajtaj diçka “Sui generis”, që më bëri të mendoj dhe ta mbaj mend gjatë. Shkrova një ese, që e publikova në gazetën Republika. Më pas erdhi njohja me shkrimtarin. I kërkova gjithë librat. Pas një shqyrtimi të vemendshëm,pashë se krijimtarija e tij ishte e veçantë për temat që trajtonte, në mënyrën e të shkruarit, bukurinë e fjalës dhe elegancën e gjuhës, mjetet e figurshme të shprehjes, filozofinë dhe qëndrimin për ngjarjet, jetën dhe njerëzit, për kompozicionin e zhdervjellët dhe nderthurjen e lëndës, mesazhin që transmeton, pleksjen e reales me irealen, fantastikes me surealen, groteskut dhe absurdes, toksores me qielloren dhe kozmiken, bukurinë e gjuhës dhe metaforve,tipizimin e personazheve etj. Përshtypjet e mia i përmblodha në esenë”Ëndrrat e ngrira të Enver kushit”, që u botua si libër më vete në vitin 2012.

Megjithëse i angazhuar në veprimtari të tjera, Enver Kushi, ka vijuar të shkruajë e publikojë. Novela zonja nga Parga,botuar më 2020, ishte sukses dhe u prit mjaft mirë nga lexuesit dhe opinion letrar. Në nëntor, shtëpia botuese”One designs” hodhi në qarkullim novelën “Jonada”, që i kushtohet dashurisë fatkeqe të dy të rinjve. Kjo u bë edhe nxitje për hartimin e kësaj trajtese, për temën e dashurisë në krijimtarinë e këtij autori.

1

Dashuria. Të duash e të të duan. Të dhurosh e të marrësh dashuri. Kjo ndjenjë zbukuron dhe fisnikëron jetën, andaj është temë e pëlqyer për shkrimtarët, pa përmendur poetët që e kanë kryetemë. Për shkrimtarin Enver Kushi, dashuria është diçka sublime, nga ndjenjat më të bukura, që e shoqëron njeriun tërë jetën, deri sa përcillet me lot në banesën e fundit. Pa dashurinë njerëzore, bota do të ishte si pa dritën e diellit, apo ajrin jetëdhënës. Ai beson në ekzistencën e dashurisë së vërtetë, ashtu siç ne e përjetojmë në letërsinë e madhe, që e jep magjinë e kësaj ndjenje , si një nga gjërat e mrekullueshme të njeriut.

Në krijimet e Enver Kushit, tregimet dhe novelat që i kushtohen kësaj ndjenje njerëzore të mahnitshme, të madhërishme e fisnike, janë të pakta, por të veçanta, plot magji e mbresëlënëse. Gjithësej katër:”Kur lulëzon bliri”, “Germadhat e shpirtit” ,“Jonada” Dhe “Zonja nga Parga”. Çaste dashurore ka edhe në romanin “Koha  zero”. Tregimi i parë që i takon periudhës së hershme të krijimtarisë, gjëndet në vëllimin me tregime ”Porta e madhe”, i dyti në përmbledhjen “Ëndërrat e ngrira” i treti në vëllimin “Apokalips 6”. Megjithëse me tpologji dhe teknika të ndryshme thurjeje, në to vërehet një dukuri e përbashkët: ndërsa dashuria është një ndjenjë e fortë, thellësisht shpirtërore e fisnikëruese, që fal edhe tronditje, ngazëllim e lumturi, ndryshe nga formula e përrallave tona”U martuan dhe u trashëguan”, nuk përfundon me fund të lumtur. Në të katër rastet, bie në sy qëndrimi i ndryshëm i autorit.

2

Në tregimin ”Kur lulëzon bliri”, autori mban një qëndrim të qetë, disi soditës, si ta thuash, nuk merr pjesë ideoemocionalisht në rrëfim. Në këtë tregim, Leta dhe Genti, duhen me një dashuri të qetë, të përmbajtur, pa oh e ah, hove e dalldisje. Leta e përjeton si një shqetsim të ëmbël dhe në buzë i mbetet kënga”Bie, po s’dua të fle” do që ta ketë gjithë kohën para syve të dashurin. Mendojnë të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët. “Isha e lumtur edhe Genti po kështu” pohon Leta. Jeta pati një të papritur mizore për ta. Në kupën e gëzimit hodhi një pikë helmi. Genti sëmuret dhe vdes. Në jetë ndodh edhe kështu. Leta e përjeton thellë humbjen, por gjen ngushëllim te jeta që valon rreth saj. Vdekjen që i ndan të dashurit, pa i lënë ti gëzohën dashurisë së tyre rinore, autori, megjithëse e paraqet me gjithë dhimbjen dhe tronditjen shpirtërore, që ajo shkakton, nuk e sheh si nje vuajtje pafund për ata që mbeten në jetë. Le    kuptohet vazhdimësinë e jetës, e cila do të ketë sërish një të nesërme. Do të kalojë koha, do të ndërrohen stinët, do të vijnë pranvera të tjera, blirët do të lulojnë sërish. Nuk ka pesimizëm e dëshpërim të pafund.  Duket se vajza do të presë që në zemrën e saj të trokasë sërish dashuria. E tillë është jeta, ajo na është dhënë për tu jetuar dhe duhet jetuar.

3

Në novelën “Gërmadhat e shpirtit”, shkrimtari denoncon ashpërsisht me zemërim dhe forcë artistike, ata faktorë që shkatërrojnë një dashuri të ndjerë, romantike e besnike dhe pohon fuqinë dhe triumfin e dashurisë edhe mbi vdekjen. Kjo, është një baladë moderne, e ndërlikuar, plot mistere, në të cilën malli I dashurisë, një dashurie të vjetër romantike, që ka mbetur e gjallë edhe pas një ndarjeje tejet të gjatë  nga vendosja e komunizmit dhe izolimit të shqipërisë, ështyë grryes e i papërballueshëm. Përmbajtja e novelës i jepet lexuesit që në hapje me këto vargje baladeske:

Në thëntë në ç’balonë hipi

Mbi dy-tri dhoga meiti

Unë e prita ai nuk zbriti

Sikur qielli e përpiti…

Gërmadhë shpirti seç m’u bë

Fluturova dhe unë me të.

Subjekti i kësaj dashurie, është një princ, nga një familje princore e veriut të vendit, që jeton ditët e pleqërisë si emigrant politik në Romë. Princi për ironi të kohës dhe gjëndjes së tij, ruan dinjitetin, krenarinë e kastës dhe gjithë manierat e oborrësisë princore. I shoqëruar nga adjutant i tij, niset fluturim për në Shqipëri, ku ka lënë para gjysmë shekulli, të dashurën e zemrës, Angjelinën. Të dy pas bisedave telefonike, në pritje të takimit, i kap një dalldi e jashtëzakonshme. U ringjallen ndjenjat dhe kujtimet e rinisë, flasin fraza dashurore frëngjisht, si për të pohuar aristokratizmin e tyre dhe recitojnë vargje poetike të ndjera të Rembosë, të mësuara në rininë e tyre. Nën mbulesën e hirit të viteve, nis e shndrit prushi i zjarrit të dashurisë rinore që koha nuk e ka shuar. Harrojnë kush janë, megjithëse e dinë dhe e ndjejnë që tashmë të plakur, të lodhur nga jeta dhe pritja e gjatë, të sëmurë, janë kthyer në gërmadha. Vetëm dashuria ka mbetur e re. Gjat fluturimit për në Tiranë, nëpërmjet disa ndërhyrjeve rastësore, siç ishte gabimisht biseda në celular me një agjenci varrimesh, autori na përgatit që të ndjejmë një të keqe të madhe që pritet të ndodhë. Ishte viti 1997 Aeroplani nuk ulet në aeroportin e Rinasit për shkak të trazirave dhe kthehet për në Romë.

Rrethanat fatale I traumatizojnë dy personazhet, goditja është vdekjesjellëse dhe ndërpret mundësinë e takimit përsëgjalli. Atëhere takohen shpirtërat e tyre. Shpirti i Angjelinës kthehet në një re që e ndjek prapa aeroplanin. Princi e sheh nga iluminatori. Zëri i saj i flet. Princi ngrin, vdes. Shpirti i princit fluturon për tu bashkuar me atë të Angjelinës. Ata takohen dhe lodrojnë në qiell!

Dashuria e vërtetë është më e fortë së vdekja. Atë që se arrijnë të gjallët, e realizojnë shpirtrat, që në këtë rast, janë forma më e lartë e shprehjes së fuqisë së ndjenjave njerëzore. I gjithë rrëfimi të mban pezull, ngjall ankth dhe padurim për të arritur fundin. I gjithë tregimi ka si sfond një shi pa fund, peizazhe të trishtuara tokësore e qiellore, mjegull, zymtësi, erë dhe re. Ato metafora përdoren aq mjeshtërisht, sa nuk janë thjesht sfondi i skenografisë ku zhvillohen ngjarjet. Mund të themi se shndrrohen në ca personazhe jofrymorë, mitikë, me funksione të caktuara, si veshje e jashtme fantastike, brenda të cilave zhvillohet veprimi, po kaq i mistershëm e i pabesueshëm.

Edhe kur nuk përjetohet si lumturi, por edhe si tragjedi, e madhe dhe e pavdekshme është forca e dashurisë së vërtetë!

4

Novela Jonada, për mendimin tim, është më e arrira, në krijimtarinë e Enver Kushit për temën e dashurisë. Mund të them me bindje se ajo është nga më të bukurat dhe artistikisht nga më të realizuarat e novelave klushtuar dashurisë, në letërsinë shqipe të pas viteve 90-të. Kur e kam lexuar jam mrekulluar dhe më ka ngjallur një tronditje të brendshme dhe një ngashërim të vetvetishëm, që zor se e kam përjetuar herë tjetër. Ada dhe joni, dy të rinj që duhen, ndjehen mirë dhe të lumtur me njer-tjetrin…..Adës në kulmin e moshës, I ndodhj një fatkeqësi: ajo paralizohet. Në fillim nga këmbët e më von edhe krahët. Jeta e saj mbërthehet në karrocën me rrota të invalidëve dhe bota për të është ajo që duket nga dritaret e spitalit apo të shtëpisë. Botë e ngushtë: një vatër qiell, ca rreze dielli, një pemë që çel e rrëzon gjethet sipas stinëve. E kufizuar bota e jashtëme, por e gjerë dhe e pafund ajo e brendshme, në shpirtin dhe dëshirën për jetë. Joni, i dashuri që punonte në det, vijon ta dojë po me atë përkushtim si ditën e parë, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Nuk është mëshirë, por vijim i po asaj ndjenje të fotrtë dashurie, si ditën e parë të njohjes. Kujdeset për të, e miklon, i plotëson dëshirat dhe në çdo rast me fjalën balsam i shpreh ndjenjat dhe përkushtimin e tij tejet njerëzor. Përshkrimi i jetës dhe botës së kufizuar të një invalideje, është bërë me shumë lirizëm, aty ka shumë dashuri dhe dhimbje njerëzore, përkushtim të pafundmë, humanizëm, etje për jetë, shpresë për më mirë dhe mbi të gjitha ngrohtësi ndjenjash. Është një dramë njerëzore.

Edhe pse me dhimbje, por pa pikë egoizmi, Ada e çliron Jonin nga lidhja e tyre dhe i kërkon që ai të martohet. Ashtu bëhet, por Joni nuk e harron, nuk e braktis, mbetet po ai i pari, i dashuruari që përdëllehet për fatin dhe ditët e saj të zymta. Kështu deri në mbyllje, kur Jonada, vajza e Jonit, e thërret Adën që jashtë. Ada bën të ngrihet dhe duket sikur ngrihet nga kjo thirrje e zërit fëminor, vazhdimit të jetës që vjen nga një fëmijë, që fati se deshi të ishte i saj. Dhe joni, i shtangur nga mreklullia, jep lajmin me zë të fortë: Jonada u ngrit, Jonada u ngrit! Është forca e dashurisë, e dashurisë për jetë që triumfon.

Në mbyllje dua të sjell vlerësimin e Prof. Agim Vincës pas leximit të kësaj novele:

I dashur mik Enver,

Ta lexova novelën. E bukur dhe e trishtueshme. Një rrëfim sa tronditës aq dhe mbresëlënës. Një fatkeqësi që se mposht shpirtin njerëzor. Dashurinë. Një gjetje interesante:Joni+ Ada= Jonada. Fundi simbolik të shtyn të mendosh. Rrëfimi qëndron pezull mes ëndrrës dhe realitetit. Triumfi i së mirës në një botë të egër!

Rrëfimi na vjen në formën e ditarit të Adës. Është një novelë e mrekullueshme, që jo vetëm të ngazëllen e të emocionon, por bën që lexuesi të përjetojë bashkë me herionën fisnikërinë e dashurisë, etjen për jetën, dhimbjen për goditjen e fatit dhe shpresën se nesër do të jetë më mirë.

Lexojeni këtë novelë dhe do të ndjeni dhe prekni nga afër botën e madhe të Adës dhe Jonit, jeta e të cilëve kalon nëpër tallaze, por pa prekur fisnikërinë e dashurisë.

Tiranë, dhjetor 2022.