Mendime
Ermal Mulosmani: Poshtërimi fizik si kulmim i kulturës së poshtërimit
E merkure, 07.12.2022, 08:57 PM
Poshtërimi fizik si kulmim i kulturës së poshtërimit
Nga
Ermal Mulosmani
Do
e nis këtë shkrim me një episod në dukje të parëndësishëm të para disa javëve.
Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, në një konferencë që po zhvillohej në
Jeruzalem për luftën kundër anti-semitizmit, e gjeti me vend ta fillonte
diskutimin e tij me fjalët:
“Gjyshja
ime ishte katolike. Ajo nuk shkoi kurrë në universitet, por më besoni se kishte
një mençuri të pakrahasueshme me të gjithë shkencëtarët që unë njoh në
Shqipëri.”
Kjo
frazë mori titujt e portaleve dhe ekraneve.
Ndjehej një admirim i fshehtë prej gazetarëve dhe editorialistëve, iu
dukej nënqeshja nëpër rreshta. “Është mjeshtër qerratai, nuk ke ç’i thua” –
mund të lexoje nëntekstin e shkrimeve. Askush nuk e gjeti me vend të ankohej,
asnjë shkencëtar, asnjë akademik a shkrimtar, gazetar jo e jo. Përkundrazi, titujt
e mediave me “gjyshen superinteligjente”, për më tepër autodidakte të
Kryeministrit, synonin të jepnin
destinin e tij për udhëheqje, trashëgiminë inteligjente të genit e, si
rastësisht edhe origjinën katolike të Kryeministrit.
Izraelitët
e pranishëm u gajasën. Ata nuk kishin pasur rastin kurrë të dëgjonin fjalë të
tilla poshtëruese për elitën shkencore të një vendi nga vetë Kryeministri i
atij vendi! Pse të mos qeshnin? Poshtërimi po u bëhej shkencëtarëve shqiptarë,
ata izraelitë ishin në zenit të dijes. Atyre u heq kapelen Kryeministri ynë!
Në
fakt, poshtërimi i shkencëtarëve nuk është se filloi me atë deklaratë. Vetë
emërimi i Skënder Gjinushit, Ministrit
të diktaturës, si Kryetar i tyre ishte fillimi i poshtërimit. Krahasimi inferior i të gjithë shkencëtarëve
me gjyshen ishte vetëm përçmimi i radhës.
******
Poshtërimi
i individëve apo grupimeve të caktuara shqiptare nuk është një farë hobi i
Kryeministrit që i del në sipërfaqe herë pas here. Jooo, absolutisht jo.
Poshtërimi individual apo kolektiv por gjithmonë publik, i grupeve të caktuara,
është cilësia më e spikatur e Kryeministrit të Shqipërisë, është domosdoshmëri
jetike e tij! Poshtërimi intelektual, poshtërimi kulturor apo poshtërimi
politik janë format më të shpeshta që e kemi ndeshur gjatë këtyre 10 vjetëve.
*********
Para
20 viteve, në kohën kur bëhej beteja e
parë për Teatrin Kombëtar dhe teatrorët shqiptarë patën një bisedë me Kryetarin
e atëhershëm të Bashkisë Tiranë, Edi Rama, u zhvillua pak a shumë ky debat:
Luftar
Paja (aktor i njohur): “Ti nuk mund ta shembësh Teatrin pasi ai është monument
kulture”
Rama:
“Epo bëjini edhe brekët e Violeta Manushit monument kulture!”
Vini
re. Në vlerësimin e Kryeministrit të ardhshëm e gjithë trashëgimia kulturore 40
vjeçare e Teatrit Kombëtar barazohet me brekët e një ish aktoreje komedie. Pak
a shumë si krahasimi i shkencëtarëve me gjyshen gjeni-katolike të
Kryeministrit. Herët apo mënyrat e shfaqjes së sipëranitetit kulturor dhe
intelektual të Kryeministrit janë të panumërta. Më kujton Kadarenë kur i
përshkruan tipa të tillë:
“Me
një nënqeshje qesëndisëse, me një kinse sipërani, që pas mendjes së tyre e jep
veçimi prej kombit që i ka pjellë”.
Dëshira
për poshtërim e Edi Ramës është po aq e papërmbajtur sa ajo për pushtet. unë
besoj se e dyta buron prej së parës. Edi Rama e don pushtetin si mënyrën më
efikase për të plotësuar pasionin e tij më të madh, poshtërimin! Sa më i madh
pushteti aq më i madh poshtërimi! Dhe më e pakontrolluar dëshira për poshtërim.
Ja për shembull, në muajin Shtator 2021, pra pak pasi kishte fituar zgjedhjet e
treta parlamentare, në një takim me gazetarë, do të deklaronte:
“Jam
i vetëdijshëm se pa dashje dhe kam kaluar kufirin kam krijuar shqetësime për
ju. Do bëj çmos që marrëdhëniet tona të jenë fantastike dhe unë të jem në
dispozicionin tuaj sa më i urtë dhe i butë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë do jetë
gabimi im.
Pra,
megjithëse premton, ndoshta me sinqeritet, se do të jetë një Ramë tjetër, jo
një poshtërues kronik e i pakontrolluar, pa kaluar as dy-tre muaj nuk lë gjë pa
thënë për gazetarë që bëjnë pyetje. E bën në mënyrë të përsëritur dhe duke
cituar, edhe këtu, të shumëditurën enciklopedike, gjyshen e tij. Gazetarët
përjashtohen nga konferencat e tij dhe çohen për riedukim, një formë e njohur
komuniste e ndëshkimit. Premtimi ka shumë mundësi të ketë qenë i sinqertë por e
ka të pamundur. Ai është një poshtërues patologjik.
Nuk
po zgjatem këtu me ligjërimet politike në Parlament dhe degdisjet e
kundërshtarit; një shkulm i papërmbajtur sharjesh e përtalljesh me mjete
stilistikore të admirueshme por po aq poshtëruese, pa kufizim kohe a etike,
morali a tolerance, bie mbi më përfaqësuesit e pakicës, edhe ashtu të dërrmuar
nga përçarjet dhe lufta mes veti!
Për
tetë vjet rresht, në Facebookun e vet u mor me qytetarët që qeveris, duke i
përtallur e përbuzur, etiketuar e qesëndisur, duke i lënë të tmerruar e pa
fjalë! U dha tapitë e shtëpive zaptuesve që pranuan talljen si haraç.
Edi
Rama padyshim është shembulli pashoq i përtallësit publik të shtetasve të vet, Kryemujshari
që nuk njeh kurrfarë skrupujsh moralë a etikë. Ai është fenomen botëror, unikal
në këtë drejtim.
Por
nga i vjen gjithë ky guxim, kjo kurajo për të poshtëruar popullin e vet dhe për
t’i kërkuar votën gjithnjë e më me sukses?!
Për
këtë shpjegimin e ka dhënë vetë Rama në një nga shkrimet e veta të publikuara
në vitin 1996-97, kur thotë:
“Propaganda
e shfrenuar komuniste u mbështet fuqimisht tek dobësitë e karakterit të
shqiptarit dhe tek burimet e pashtershme të traditës së tij që ushqen Barbarinë,
Totalitarizmin, Autoritarizmin apo thënë me një fjalë të vetme, Nënshtrimin
ndaj Babës, duke frymëzuar kësisoj një servilizëm të përmasave të mëdha që nuk
kufizohet vetëm brenda mureve të klanit familjar, por që kthehet në Apoteozë të
Nënshtrimit kur është fjala për t’iu bindur të gjitha atyre forcave udhëheqëse
autoktone apo të huaja.”
Pra,
vetëdija e dobësive të karakterit të
shqiptarit të cilat me një fjalë të vetme mëshirohen me Nënshtrimin ndaj Babës,
servilizmin e përmasave të mëdha që kthehet në Apoteozë të Nënshtrimit kur
bëhet fjalë për Udhëheqësin – kjo është shtysa kryesore e poshtërimit publik që
Edi Rama u bën shqiptarëve! E thotë vetë, e bardhë mbi të zezë! Atëherë e
theksonte si ves, sot e sheh si virtyt për të ngopur etjen e tij të pashuar për
Poshtërim!
*******
Gradualisht,
kjo kulturë e gjithanshme poshtëruese kryeministrore, do të sillte edhe
poshtërimin fizik. Këtu duhen parë rrënjët e goditjes së Sali Berishës nga një
person me probleme psikotike. Edi Rama nuk e ka përballuar joshjen e një
grushti dërrmues në fytyrën e plakur të një kundërshtari të mundur. Ai nuk mund
të kënaqej vetëm me poshtërimin politik, intelektual apo atë kulturor. Duhej
edhe poshtërimi fizik i tij, duheshin pamjet dramatike të shembjes së tij për
të përmbushur egot perverse të Kryeministrit. Ai grusht është rrjedhojë logjike
e gjithë kulturës ramiste të poshtërimit. Të gjithë ata që thonë se Rama ishte
i painteresuar për të ndodhur ajo ngjarje janë ose naivë, ose të porositur!
Edi
Rama jetonte për atë moment, dita e djeshme ishte klimaks i dyfishtë politik i
tij. Sigurisht, do të gjendej një person me kartelë mjekësore, sigurisht do të
ishte fanatik i vëllazërisë myslimane, mundësisht do të kishte ndonjë lidhje me
Gërdecin apo 11 Janarin. Ky ishte identikit i mrekullueshëm për atentator dhe
moment politik brilant për tu kryer. Do
ishte mire që atentatori të ishte edhe i vdekur nga bodiguardët e Saliut, ky do
të ishte skenar perfekt…
Por
ka vetëm një gabim.
“Poshtërimi
–thotë Kadareja – është pararendësi i racizmit, bën pjesë në shenjat e sigurta
që paralajmërojnë përgatitjen e një zezone. Populli i shenjuar për keq pret me
ankth stuhinë e së keqes.”
Sali
Berisha sot ka mbas vetes të paktën 300 mijë votues. Të cilët u goditën nga
grushti që ra në fytyrën e liderit të tyre, u poshtëruan fizikisht pas
poshtërimit moral, politik, intelektual. Për 10 vjet me radhë. Sot shumë prej
tyre janë zhvendosur në Perëndim, në Angli, me gomone a me ç’të mundin. Atyre
ju ka mbërritë thika në palcë, varfëria ua ka zënë derën dhe padurimi po shkon
në pikën kritike. Mjafton një fjalë e keqe a një sjellje brutale dhe arrijmë
atje ku thotë Kadareja:
“Poshtërimi
sjell dy të këqija madhore. E para, e çon popullin viktimë drejt katastrofës. E
dyta, e egërson viktimën duke ia shtrajtuar karakterin gjer në atë shkallë sa
ta shtyjë drejt shkërbimit të xhelatit të vet.”
Për
ta penguar këtë ka vetëm një zgjidhje. Toleranca, zemërgjerësia, falja,
bashkëpunimi, dora e zgjatur. Krejt e kundërta e poshtërimit. Ky është një vend
i vogël për kaq shumë urrejtje. Tani topi është në këmbët e Edi Ramës. Duhet të
veprojë shpejt dhe të ulë gjakrat.
https://www.facebook.com/ermal.mulosmani