E merkure, 01.02.2023, 06:58 PM (GMT)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Lamtumirë Rifat Buzuku

E merkure, 07.12.2022, 07:56 PM


NGA KËNDI IM I PIKËLLIMIT (Lamtumirë Rifat Buzuku)

Për familjen e ngushtë dhe të gjerë Buzuku, erdhi një valë pikëllimi për shuarjen e familjarit të çmueshëm të tyre, gazetarit Rifat Buzuku. Ky njoftim ishte goditje edhe për mua!

Rifati i kapërcente caqet tona individuale dhe, interesimet e tija për vendlindjen, për Gjilanin dhe Kosovën, kapin dhe përmasën kombëtare.

U pikëllova për ikjen e Rifatit, i cili në fillim të verës sivjetme, më pat premtuar se do të vinte në Gjilan dhe do të takoheshim, sikurse herave të mëparshme dhe, të shkëmbenim pikëpamje, pikë-afrime e pikë-mospajtime për gjithçka ngërthen fati ynë, fati i popullit tonë. Kishin kaluar vite, që nuk u pamë me Rifatin, ngase kultivuam afri të gjatë e të ndërsjellë... E rëndë ishte tragjedia e djalit të Rifatit në Vjenë!... Prej atëherë e kam pasur një qasje me takt të butë e të dhimbshëm ndaj të ndjerit. Disa herë para mbërritjes  në Aeroportin "Adem Jashari" të Kosovës, Rifati më çonte fjalë për ta pritur në këtë aeroport dhe, të çmalleshim bashkë, por edhe me prani familjarësh mes nesh. Kam shumë kujtime për Rifatin dhe,  në të gjitha ato kujtime tash shtrihet pikëllimi im. Kishim mirëkuptim edhe për ndonjë mospajtim, por asnjëherë nuk e harruam njëri-tjetrin... Asnjëherë nuk shkëputej shpirtërisht nga Gjilani e Kosova, nëse ishte shkëputur fizikisht. Brengosej për rrjedhat në Kosovë, kur sipas tij, nuk rridhnin të mbara. Notat për mbarëvajtjen e shtet-ndërtimit tonë i kishte kritike, por të sinqerta.

Ai në Vjenë ishte një lloj strehe për shumë figura të artit e të politikës, para shpërthimit të Luftës së UÇK-s, edhe në periudhën e paqes. Madje, i ndjeri u përpoq të ndërmjetësonte për vënie kontaktesh me figura diplomatike të shtetit të Austrisë  me veprimtarë të Kosovës, për përkrahjen  ndaj çështjes legjitime të Pavarësimit të shqiptarëve nga pushtimi i gjatë dhe gjakatarë i Serbisë. Rifati nuk ishte emër i panjohur në qarqet e mërgatës në Austri. Ai punoi në njërën nga radiot e Vjenës. Karrierën e daljes nga anonimiteti e kishte nisur si boksier i Klubit të Boksit në Gjilan, për ta vijuar në gazetarinë e Kosovës pastaj përfundimisht në Vjenë.

E posaçme ka qenë qasja e Rifat Buzukut për vendlindjen e tij, për Gallapin, për atë malësi të virgjër dhe bujarinë e saj; për atë natyrë të pastër, por dhe për përjetimet e një fëmijërie të varfër, ndonëse shumë të dashur. Përherë kujtimet e mbanin pezull për këtë natyrë tashmë të shpopulluar.

Gjilan, më 6 dhjetor 2022

Mehmetali Rexhepi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora