E premte, 29.03.2024, 11:56 AM (GMT)

Mendime

Artan Lame: Shqipni tavolinash

E hene, 29.12.2008, 12:02 PM


Shqipni tavolinash

Nga Artan Lame

KRISHTLINDJE

MATRIX është një emision kulturor debati në "Canale 5". Kësaj jave, me rastin e Krishtlindjeve, ishin mbledhur të diskutonin për jetën e Krishtit. Kardinalë me veshjet e purpurta të ulur nëpër sallonet e shkëlqyera të Vatikanit, profesorë të shquar, që kanë një jetë që studiojnë bëmat e Birit të Zotit, analistë e studiues me jaka të hekurosura e xhaketa të ngrira që flisnin për vuajtjet dhe domethënien e tyre. Përpiqeshin të gjithë që, me të vetën, t‘i transmetonin grigjës së dëgjonjësve mesazhin e shenjtë. Përballë tyre në sallë, radhë dëgjonjësish të veshur mirë, të ushqyer mirë, sahatë të shtrenjtë që shkëlqenin, bizhuteri, kravata mëndafshi, faqe të parfumuara.

Papritur kuptova që të dy palët lodheshin më kot. Profesorët që shpjegonin dhe njerëzit që dëgjonin. Nuk munden as ta shpjegojnë e as ta kuptojnë më Krishtin njerëzit e qytetërimeve të zhvilluara. Njeriu i Evropës së Bashkuar të shekullit XXI, nuk mund të kuptojë dot hallin e njeriut të shtypur të shekullit të parë.

Duhet të jesh baba i papunë, buzë trotuareve të Tiranës, që të kërkosh ndihmën e Krishtit. Duhet të jesh nënë që nuk u mbush barkun me bukë fëmijëve. Duhet të jesh fëmijë që rri zbathur në shi e vapë tek Ura e Lanës duke ngrënë edhe pështyma në fytyrë. Duhet të jesh femër e përdhunuar, e shtyrë dhe e flakur në rrugë. Duhet të jesh fshatar fytyrë‘rreshkur me misër pa kokrra nëpër duar që dridhen. Duhet të jesh qytetar me shtëpi të shëmbur me themel nga babëzia e më të fortëve. Duhet të jesh të gjitha këto që të kesh nevojë për Krisht dhe që ta kuptosh Krishtin. Duhet të lidhesh me zinxhirë si këta minatorët e kësaj fotografisë këtu për një pension kacidhesh. Këta burra, që zinxhirët iu gërryejnë mishin po jo dinjitetin, nuk kanë nevojë për Matrix-in për të kuptuar Krishtin.

Dhe në fund, më e rëndësishmja, duhet të jesh i pafuqishëm për të ndryshuar botën, që të kesh nevojë për Krisht. Shoqëritë me votë, me institucione, gjykata, rregulla e ligje, nuk kanë më nevojë për Krisht, vendin e tij e zënë institucionet. Shoqëritë ku me votën tallen, ku gjykatësit blihen dhe administrata shitet, ku ligjet bëhen për të mos u zbatuar dhe rregullat për t‘u shkelur, këto shoqëri nxjerrin nga thellësia e tyre nevojën për Krisht.

Studjonjësit bien dakord tek thonë se një nga arsyet e themelit për lindjen dhe përhapjen e menjëhershme të krishterimit, qe edhe momenti historik. Masat e njerëzve të nënshtruar, mes varfërisë skamjes dhe dhunës së shtetit romak, turma të vojturish që nuk shikonin më asnjë shpresë shpëtimi përreth tyre në jetën tokësore, u dhanë shpejt pas ëndrrës së një shpëtimi hyjnor dhe pas shpresës së hakmarrjes në botën e përtejme. Të vojturit, të uriturit, do të shkonin në parajsë, ndërsa të liqtë, shtypësit, kusarët, bark‘nginjurit, do treteshin në ferr. Edhe unë vetë në këto shkrime, sa e sa herë, për krime të tilla të shtetit a të më të fortëve, kur kam humbur shpresën në drejtësinë tokësore, i jam drejtuar Zotit në qiell, duke ja lënë drejtësisë së Tij shpresën e hakmarrjes. Mos vallë edhe ne shqiptarët po kthehemi aq pas në kohë, sa t‘u ngjajmë të drobiturve të dymijë vjetëve të shkuar.


100

Sefte u kërkoj ndjesë për çdo lexoni në poshtë, por e keqja të bëka keq e më keq. Numri i fundit i këtij viti, është edhe numri 100 i kësaj rubrike. 100 javë pa ndërprerje, dy vite të plota, që them fjalën time. Luks i madh ky i imi, që jo kushdo e ka. Aso kohe, numri 001 hapej me mungesën e dritave. Edhe numri 099 i kushtohej i gjithi punës së mungesës së dritave. Nuk e bëj këtë se kam ndonjë inat të veçantë, po thjesht se puna e të shkrojturit, që kur ka dalë kompjuteri, nuk bëhet dot pa korrent. Me një llaf, korrenti është për mua mjet pune njëlloj si mistria për muratorin, çekiçi për këpucarin, apo beli për bujkun. Hiqu këtyre mistrinë, çekiçin e belin dhe do shohësh kur të qahen deri në kupë të qiellit. Kështu edhe zanati im i të shkrojturit.

Nejse, të kthehem atje ku e nisa. Meqë dy ankesat më të mëdha të shqiptarisë sot, janë për ujë e drita dhe, meqë për dritat kam shkrojtur boll, po merrem sot me ujin. Muaj më parë, në shtëpinë e një shokut më vjen të shkoj në banjë. Teksa dal, zbraz galexhantin dhe në çast dëgjoj gruan e mikut tim të më thërrasë, gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht:

-Uaa, po pse çdo radhë e zbrazni ju?

-Pse ju si e keni? - i kthehem me habi.

-Ne? - ma kthen - Ne e kemi tre sh.. një m... Pra, vetëm pasi shkojnë tre veta që urinojnë dhe një që bën të madhen, e zbrazim galexhantin. Përndryshe depozita lart në tarracë zbrazet tak-fak.

Qesha fort me këtë hall të shokut tim, pa menduar se mund të më vinte radha dhe mua një ditë.

Pranë pallatit tonë u ngrit një pallat i bukur me 14 kate, nga të cilët 6 pa leje. Pasojat e këtij pallati, ishin mbi dhe nën tokësore. Mbitokësore, pasi i zuri diellin gjysmës së lagjes dhe, nëntokësore, pasi la pa ujë gjysmën tjetër. Te kjo gjysma tjetër është edhe pallati im, kështu që prej ditës që pallati i ri u mbush me banorë, edhe pallati ynë e ka ujin me një orar që sa vjen e shkurtohet. Pardje, i ulur në tavolinën time prej druri të skalitur, tek po shkruaja një artikull për qëndresën e Skënderbeut ndaj turqve, nga banja dëgjoj të thirrurën e time shoqeje: "Taniii, do shkosh edhe ti në banjë, se çova vajzën?". E shkreta Mirelë, kishte çuar vajzën në banjë dhe, si nikoqire e mirë, i dhimbsej të zbrazte galexhantin për aq pak gjë që kish bërë çupka. Lashë Skënderbenë mënjanë, lashë edhe turqit që s‘ja ulën dot kryet asnjëherë dhe kokulur u nisa drejt banjës. Duhej ta bëja me zor.

Shteti arriti edhe një sukses tjetër ndaj meje. Ja doli të më detyrojë të shkoj në banjë me orar. Deri më sot këtë detyrim shteti ja kish dalë t‘ua impononte njerëzve vetëm në burg. Vetëm atje, prapa hekurave dhe me polic te dera, të dënuarit detyrohen të shkojnë në banjë sipas një orari të caktuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora