Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Xhevat Kallajxhi - Abraham Linkolni: Mos u trembni nga e vërteta

| E hene, 05.12.2022, 09:00 PM |


XHEVAT KALLAJXHI: ABRAHAM LINKOLNI:

MOS U TREMBNI NGA E VËRTETA

“Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të gjithëve…”

Nga Frank Shkreli

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, në bashkëpunim me Teqen Bektashiane Shqiptare në Amerikë, me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, promovuan librin, “Lincoln”, të ish-Editorit të Diellit dhe të ish-redaktorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Xhevat Kallajxhi. Promovimi u bë më 3 Dhjetor 2022, ditën e Shtunë, në Selinë Qendrore të Vatrës, në Nju Jork.

__________________________

Përshëndetjet e mia më të përzemërta miqëve e dashamirësve të Xhevat Kallajxhiut, ish-redaktorit të Gazetës Dielli, i cili për një kohë të gjatë – i vetëm, pa asnjë ndihmë prej askujt – mbajti gjallë gazetën Dielli.  Por u përshëndes dhe falënderoj Vatrën që së bashku me Teqenë Bektashiane Shqiptare të Amerikës, kujtoni sot edhe një ish-bashkpuntor dhe koleg timin me të cilin kam punuar në Zërin e Amerikës.

E quaj me fat njohjen dhe mundësinë që kam punuar tek Zëri i Amerikës me Xhevatin. Ai ishte një koleg si të tjerët në atë zyrë, por për mua, Xhevati ishte diçka më tepër, ishte mësuesi dhe këshilltari im – sa i përkiste gjuhës shqipe por edhe gazetarisë. Ndonëse me një ndryshim të madh moshe, kjo nuk na pengonte që të komunikonin, por edhe t’i shihnim dhe t’i gjykonim punët me të njëjtin qendrim.

Unë kam shkruar edhe herë të tjera për Xhevatin duke theksuar respektin dhe mirënjohjen që kam gjithnjë për këtë burrë të madh të gazetarisë shqiptare dhe të Kombit, prandaj po përqëndrohem pak a shumë në subjektin specifik për të cilin jemi mbledhur sot për të biseduar – duke falënderuar nga zemra Vatrën -- që më ftoi t’i bashkohem këtij kujtimi të mikut tim dhe të shumë shqiptaro-amerikanëve të brezit të kaluar por edhe të tanishëm -- pa dallim feje as krahine, të ndjerit Xhevat Kallajxhi.

Xhevati ishte patriot i madh, njeri i penës dhe adhurues dhe mbrojtës i të vërtetës. Ai mishëronte, si rradhë kush, atdhedashurinë e tij me gazetarinë, duke përdorur gazetarinë në mbrojtje të Atdheut, të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor.  Xhevati i përkiste atij brezi antikomunist, si një veteran i vërtetë i luftës së ftohtë kundër komunizmit ndërkombëtar por edhe të atij regjimi komunist të Enver Hoxhës dhe krimeve të tija anë e mbanë Shqipërisë por sidomos në Gjirokastrën e tij të dashur ku kishte lindur e ku drejtonte para Luftës së dytë Botërore gazetën e njohur të asaj kohe, “Demokracia”.

Xhevati përveçse ishte një patriot shqiptar, ishte edhe mirënjohës i madh ndaj Amerikës, ku ai kishte gjetur strehim dhe liri, si shumë prej nesh, dekada më parë e deri në ditët e sotëme.  Dua të përmend në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane se ndjenjat e Xhevatit për lirinë dhe demokracinë amerikane ishin të sinqerta dhe dashuria e tij për Amerikën ishte madhe.  Vlerat amerikane të lirisë e demokracisë e të drejtave të njeriut, Xhevati i mbronte shpesh dhe kudo, në shkrimet e tija dhe në biseda private e takime publike. Xhevati mbronte dhe ekspozonte të vërtetën në lidhje me krimet e Enver Hoxhës në emër dhe në mbrojtje të komunizmit ndërkombëtar, në punën e tij tek Zeri i Amerikës dhe në faqet e gazetës Dielli.

Dëshiroj ta pasqyroj këtë pretendim me këtë fakt, se sa i përkushtuar ishte Xhevat Kallajxhiu ndaj përhapjes së të vërtetës – në Zërin e Amerikës dhe gazetën Dielli.  Xhevati kishte dalur në pension nga Zëri i Amerikës në fillim të 70-ave, por pasi nuk kishim staf të mjaftueshëm, drejtori i atëhershëm i VOA-s shqip, Jozef Paskali e kishte ftuar Xhevatin të këthehej e të punonte gjysëm dite për Zërin e Amerikës pasi nevoja ishte e madhe se mungonte personeli i kualifikuar. Kështuqë Xhevati vinte çdo ditë, punonte katër orë për të cilat paguhej nga qeveria, por qëndronte në zyrë 8 orë sepse detyrohej të priste kolegët e tjerë për tu këthyer në shtëpi, me të cilët kishte ardhur në punë në mengjes, se nuk kishte makinë që të këthehej vet në shtëpi. Ashtuqë nga mesdita e deri në ora 5 pas dreke, gjysmën e ditës pra tek Zeri iAmerikës, ai e përdorte për të përgatitur materialin për gazetën Dielli, pasi ishte, njëkohësisht edhe redaktor i Diellit gjatë asaj periudhe, por siç dihet pa asnjë shpërblim.

Ky, pra ishte Xhevat Kallajxhi, nuk pushonte kurrë, punonte për Amerikën e lirë e demokratike dhe për Kombin e vet të robëruar nga komunizmi – me pagesë e pa pagesë – me një kontribut voluminoz në fushën e publicistikës dhe librave madje edhe poezive.

Nga kjo veprimtari dua të veçoj tre libra të Xhevatit që tregojnë lidhjet e tija të ngushta me Shqipërinë e shqiptarët dhe me Amerikën. Libri “Skenderbeu”, libri për Presidentin Xhon Kennedy dhe vepra për të cilën jemi mbledhur sot këtu, libri Linkoln. Nuk është e rastit që Xhevati ka zgjedhur, pikërisht, këta dy ish-presidentë të Amerikës që t’ia paraqsite lexuesit shqiptarë në atë kohë dhe sot. Si adhurues i lirisë dhe i demokracisë amerikane, por edhe si nacionalist dhe demorkat i përkushtuar, me këto libra, Xhevati tregon edhe respektin e tij për vlerat e këtyre dy udhëheqësve historikë të Amerikës, kampionë të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, jo vetëm për Amerikën – ku sot e kësaj dite konsiderohen nga amerikanët si presidentët më të mirë të këtij vendi, por të admiruar edhe anë e mbanë botës.

Ja pra, jemi këtu për të folur edhe për veprën e prpmovuar sot të Xhevatit, libri Linkoln. Presidenti Linkoln.  Për të gjithë kohërat, Presidenti Linkoln bën thirrje, jo vetëm Amerikës, pore dhe mbarë botës -- që të ri-dedikohemi punës së pakryer që mbetet për tu bërë – duke bashkuar të gjitha forcat, për të siguruar se “qeveria e popullit, nga populli e për popullin” do të vazhdojë së funksionuari, anë e mbanë botës.

Sipas Xhevat Kallajxhiut, “Lincolni mbrojti gjithnjë, në jetën e tij, me vetëmohim kauzën e lirisë. Foli për të me vendosmëri dhe besim të thellë. Ai që flet për liri në një mënyrë të tillë, flet për të gjitha kohët dhe për të gjithë njerëzimin. Ai tha në një rast këto: “Përpjekja për liri duhet të vazhdojë gjithnjë. Kauza e lirisë nuk duhet të marrë fund në mbarimin e një viti ose në mbarimin e një shekulli. Në të drejtën e tyre për të jetuar të lirë e të lumtur, të gjitha racat janë të barabarta. Zemra njerëzore është me ne... Perëndia është me ne... Gjithë njerëzimi duhet të jetë i lirë”. Këto dhe shumë fjalë të tjera të skalitura të Lincolnit drejtuar ndërgjegjes së njerëzimit, frymëzojnë kurdoherë shpirtrat e miliona vetëve për të luftuar me guxim çdo formë të tiranisë”, shkruan ndër të tjera autori.

Presidenti Linkoln udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile midis shteteve të veriut e shteteve të jugut, (Prill 12, 1861 –Maj 26, 1865), e që ishte kriza më serioze në historinë e Amerikës. Presidenti Linkoln i dha fund skllavërisë dhe luftës civile dhe në të njëjtën kohë ruajti bashkimin e vendit dhe i tregoi botës se demokracia mund dhe duhet të përbëjë një formë qeverisje të përhershme. Me një rast kur foli për demokraci, ai pat thënë se, “Unë nuk dua të jem as skllav e as pronar skllevërish”. Kjo deklaratë pasqyron qëndrimin e Linkolnit, jo vetëm karshi skllavërisë fizike, por edhe ndaj asaj politike dhe shpirtërore. “Kjo shpreh idenë time të demokracisë. Çdo gjë tjetër ndryshe nga kjo, nuk është demokraci”, ka thënë ai. Dhe me një rast tjetër, ai është shprehur se, “Duke u dhënë lirinë atyre që janë skllevër, ne sigurojmë edhe lirinë e atyre që janë të lirë”.

Gjatë inaugurimit të tij të dytë si president, Linkolni ka ri-theksuar qëndrimin e vet kundër skllavërisë duke thënë; “Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të gjithëve…”. Këto fjalë të Linkolnit, sipas Xhevat Kallajxhiut, autor i librit mbi jetën e Presidentit Linkoln – “nxorën në dritë edhe një njeri të zhveshur nga pasionet politike, një njeri të lirë në trup e në shpirt, vëllain e të gjithëve, i cili si president, qëndroi mbi partitë dhe grupet e interesit dhe që foli si një përfaqësues i vërtetë i gjithë kombit. Prandaj në ditët tona”, ka shkruar Xhevati në librin e tij kushtuar Linkolnit, “Kur urrejtja, smira dhe hakmarrja, duket se janë të vetmet ndjenja që e shtyjnë njeriun të veprojë, figura dhe jeta e këtij amerikani të madh shëndrit magjishëm”, ka shkruar autori.

Përsëri sipas Xhevatit, “për Linkolnin përdoret gjithnjë nofka “i ndershmi Abe” (Abraham), të cilën ai e fitoi prej drejtësisë dhe ndershmërisë së tij. Në librin e tij, Kallajxhiu vë në dukje gjithashtu se Linkolni, “kurrë nuk përdori mashtrimin si mjet për të arritur qëllimet e veta dhe nuk tradhtoi kurrë idealet, në funksion të përfitimit politik. Në librin e tij për jetën e Presidentit Linkoln, Xhevati thotë se Linkolni gjatë gjithë jetës, mbrojti të varfëritë e të nëpërkëmburit dhe me kurajo e vendosmëri mbrojti dhe vuri kushtet për, “respektimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga raca, gjuha apo feja”.

Këtë libër Xhevati ia kishte kushtuar: “Teqesë Bektashiane Shqiptare në Detroit, e para në Shtetet e Bashkuara, për kujtim dhe nderim të veprimtarisë së ndritur kombëtare që zhvilloi në Shqipëri dhe të shërbimit të shquar njerëzor që bën në Amerikë, këtë vepër modeste ia kushtoj me admirim”. Xhevat Kallajxhi.

Libri “Linkoln”, në të vërtetë, kishte bërë bujë në diasporën shqiptare të asaj kohe – jo vetëm në Amerikë por edhe në Evropë. Revista Shejzat e Ernest Koliqit (Viti 6, nr. 5-6, vitit 1962) ka botuar një artikull vlerësues të shkrimtarit e albanologut të njohur të asaj kohe dhe sot, Karl Gurakuqit, i cili në shkrimin e tij për librin “Linkolni”, Kallajxhiut shkruante: “Veçanërisht, lipset t’ia dijmë për nder Xhevat Kallajxhiut që na lëshoi në dorë një libër nga i cili mund të nxjerrim njoftime të mjafta mbi një ndër fytyrat ma të ndritura të historisë amerikane, por edhe ndër ma të rrallat e botës, sikurse është Abraham Linkolni”.  Gurakuqi vazhdon vlerësimin e tij të librit, Linkolni, duke thenë se, “Faqet e librit të Kallajxhiu na japin një panoramë të virtyteve që e kanë stolisë këtë bir të Amerikës demokrate, virtyte që i shohim, sidomos, kur populli e zgjodhi si president të Republikës së hyllëzueme. Në të vërejmë burrin e urtë të shtetit, aty shohim zotësinë e tij të qeverisjes. Prekim me dorë aftësinë për të tërhjekur turmat popullore, pse dijti me u dalë zot të dobëvet dhe të mjeruemve. Mësojmë se Linkolni vet kishte besim në Perendinë e në provaninë e Tij, pa dashjen e të cilit kurrgja nuk ndodh mbi tokë. “Kâ nji Perendi”, janë fjalët e Lincoln-it dhe, “Ai e urren  padrejtësinë,  mëninë e skllavëninë..” ka shkruar Karl Gurakuqi në revistën “Shejzat” të vitit 1962 duke vlerësuar librin e Xhevat Kallajxhiut.

Ata që u mohojnë lirinë të tjervet nuk e meritojnë lirinë për vete dhe drejtësija e Zotit nuk do t’i lejojë të sundojnë për të gjatë kohë.  “Prej faqeve të monografisë së Kallajxhiu del në dritë se parimet e Lincolnit në qeverisjen e vendit kanë qenë liria, drejtësia e demokracia, për të cilat sot më fort se kurrë kâ nevojë bota për të gjetë peshimin e vet të tronditur nga sistemet diktatoriale absolute.  Libri i Xhevat Kallajxhiut lexohet me ândje si nji roman, si nji histori pâ pretendime të mëdha, vazhdon Gurakuqi. “Gjuha e përdorun âshtë ajo shqipja e thjeshtë, e pastër, e rrjedhëshme, që na tingllon në veshë prej shumë kohësh.  Kallajxhiu nuk âsht i panjoftun në qarqet intelektuale shqiptare: cilido prej nesh emënin e Xhevatit e kâ ndigjue tash e parë. Duke lexuar librin e tij na del Xhevati i viteve kür ai me shkrimet e veta të urta e të matuna, zbukuronte faqet e fletores “Demokratija”, të Gjinokastrës, i së cilës ishte drejtor.  Ndoshta Xhevat Kallajxhiu do të na gëzojë  me  ndonji  botim tjetër, pse, si po ndigjojmë, kâ shumë shënime mbi ngjarjet e kohës që i paraprînë katastrofës së vjetit 1944”, ka shkruar ndër të tjera, në revistën Shejzat e Ernest Koliqit,  Karl Gurakuqi në vlerësimin e tij të librit “Linkolni”, të autorit  Xhevat Kallajxhi.

Po i përfundoj këto fjalë modeste për një burrë të madh – me vlerësimet e një personaliteti gjithashtu të madh të letrave shqipe, siç është Karl Gurakuqi, para pothuaj 65-viteve dhe me fjalët e autorit të librit Linkoln, Xhevat Kallajxhiu, i cili citon Linkolnin të ketë thenë: “Me besim të thellë ndaj Zotit dhe me ndërgjegje të pastër ndaj veprës së Tij njerëzore, Linkolni deklaroi një herë se, “Do ta mbronte të vërtetën dhe të drejtën deri në vdekje”. Dhe e mbrojti. Nuk u ndal dhe nuk u tremb kurrë.  Linkolni e kishte theksuar qartë se shoqëritë lartësohen vetëm duke u njohur të gjithë pjesëtarëve të drejtat e barabarta.” Ky është mesazhi i Linkolnit sot edhe për shqiptarët kudo,që përcillet nepëmjet librit “Linkolni”, të autorit Xhevat Kallajxhi: Mos u trembni nga e vërteta!

Falënderimet e mia të gjithë juve për durimin dhe vëmendjen!

Xhevat Kallajxhi, autor e gazetar – ish-Redaktor në Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe -- Kryeredaktor i gazetës më të vjetër në ekzistencë, gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra – dhe drejtor i gazetës “Demokracia” në Gjirokastër, para Luftës së Dytë Botërore.

Udhëheqsi i Qendrës Bektashiane, Shqiptaro-Amerikane në Detroit të Shteteve të Bashkuara, i Nderuari Eliton Baba Pashaj duke folur në Vatër, 3 Dhjetor, 2022

Autori me të udhëheqsin bektashian në Amerikë, të Përndershmin Eliton Baba Pashaj në Vatër duke kujtuar shqiptarin e madh Xhevat Kallajxhiun dhe Presidentin Abraham Lincoln, ndër më të mëdhejt e Shteteve të Bashkuara -- në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare

Autori në Vatër, duke kujtuar bashkpunimin me Xhevat Kallajxhiun në Zërin e Amerikës  (3 Dhjetor, 2022)