Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qemal Sakajeva: E babëzitur për heronj

| E hene, 29.12.2008, 05:08 PM |


E babëzitur për heronj

Nga Qemal Sakajeva

Pak ditë më parë, media të disa vendeve të ish - Jugosllavisë, me burim nga Serbia, bënë me dije që, ministri i jashtëm serb, u kërcënoka me atentat vdekjeprurës. Vrasës të tij parathuhen, të jenë ata, që ky i ka cilësuar “terroristë”.
Qeveria e kryeministrit Mirko Cvetkoviç, ministër të jashtëm ka Vukun ( Jeremiç). Edhe një tjetër paraardhës i tij, quhej, poashtu, Vuk (Drashkoviç). Përkimi mes tyre nuk është thjeshtë prej emrit. As edhe për nga detyra e njëjtë. As, se, që të dy, janë ashpërsisht kundër pavarësisë së Kosovës. As nga që, të dy, janë vetëshpallur, me zë të ngritur, si perëndimorë. Vuku i parë u mundua të pranohej i tillë, edhe pse shërbeu ministër i Millosheviçit. Studiuesi serb Milan St. Protiç, në librin e tij, “Revolucioni i ndërprerë”, shkruan që, “Vuk Drashkoviç përbrenda nuk i përkiti asnjëherë botës perëndimore, në çdo pikëpamje”. Vuku i dytë, siç kanë njoftuar mediat, krenohet se ka studiuar në Oksford. Por, këto nuk i thonë të gjitha. Edhe Millosheviç pati punuar e jetuar gjatë në SHBA, fliste rrjedhshëm në anglisht, megjithëkëtë u bë ai që u bë.
Siç dihet, ish-ministri i jashtëm Vuk Drashkoviç, pati një aksident automobilistik më 4 tetor 1999, prej të cilit mundi të shpëtonte gjallë. Përpjekja e dytë për ta vrarë ishte në vitin 2000, në shtëpinë e vet të pushimit në bregdetin e Malit të Zi, në Budva. Përveç opozitarin dhe të nështruarin  ndaj Millopsheviç, me aksidentin e ndodhur, ai bëri dhe heronin,  e i shkonte mendja se ishte Mesia serbe. Kurse, Vuk Jeremiçin po e heroizojnë mediat, që në fillesën e tij në politikë, aspak bindëse për çfarë përsërit nëpër kancelaritë e botës, kundër Kosovës. Ai thjeshtë po heroizohet me një atentat të hamendësuar, i stërholluar në një letër të 5 dhjetorit, e titulluar “Fshehtësi zyrtare”, që UDB-ja e dikurshme ose BIA e sotme, ia dorëzoi kreut të policisë së shtetit, Milorad Veljeviç, me të cilën kërkohej që, për ministrin e jashtëm serb, të merren masat e duhura të sigurisë,  për jashtë vendit, sepse kërcënohet me vdekje nga “terroristë”.
Shërbimet sekrete serbe, me gjasa, fabrikojnë mundësinë e atentatit, ndaj njeriut që nuk ka arsye t’i bëhet kurrfarë atentati, (ai vetëm thotë çfarë i thonë të thotë), që ta paraqesin Vukun përpara homologëve të tij në Perëndim, si një yll në ngritje në politikën e jashtme të Serbisë, i cili udhëton për tek ata, i ruajtur rreptësisht, për shkak të ideve. Për  baraspeshim të çështjes, njoftohet se, nën siguri ai duhet të vihet edhe brenda Serbisë.
Vuk Jeremiçin nuk e cenon kush në vendin e tij, sepse deklaratat i ka qartësisht nacionaliste. Jashtë shtetit te vet, ca më pak nënkuptohen shqiptarët si rrezikuesit e tij.
Sepse, shqiptarët kanë dhënë prova që nuk i zgjidhin problemet e tyre me terrorizëm. Ata nuk ranë në atë kurth serb, as edhe kur provokoheshin qëllimshëm nga Beogradi, për t’u nxitur në akte terroriste. Ishte Serbia që dha shembullin e pashoq, të terrorizmit shtetëror.
Sepse, shqiptarët nuk dëgjojnë më asgjë të re, më armiqësore, nga sa kanë shqiptuar pa ndërprerë zyrtarët e lartë serbë. Politika e Beogradit e preku kulmin e së keqes ndaj shqiptarëve, por Kosova nuk zgjodhi aktet terroriste për të përballuar Serbinë.
Sepse, shqiptarët e kryen çështjen e vështirë të tyre, me durim e vetëpërmbajtje të jashtëzakonshme. Dalja zot e zgjidhjeve të arritura, sot nuk ka nevojë për asnjë mjet luftarak.
Sepse, shqiptarët e kanë shtetin e vet. Ata dinë të mos bëhen rrezikues të mbrojtjes së tij, edhe pse Republika e Kosovës ka përballë sjelljen agresive të Serbisë, politikë të cilën e
përsërit Vuku rretherrotull rruzullit tokësor.
Sepse, Kosova u mbështet dhe u mbrojtë nga bota demokratike, në kulmin më kritik të mbijetesës. Perëndimi e çmoi vetëpërmbajtjen e shqiptarëve dhe druajti nëse ata vërtetë nuk do të tundoheshin drejt dhunës, nxitur nga barbaria serbe dhe mosshqiptimi serb i ndjesës. Kjo është kapërcyer mrekullisht. Problem i bashkësisë ndërkombëtare nuk është bërë sjellja e shqiptarëve ndaj serbëve, por politika e Serbisë dhe keqpërdorimi që ajo i bën pakicës së saj në Kosovë. Edhe sëvoni, Vuk Jeremiç përsëriti thëniet e nacionalizmit serb: “Për Kosovën  e sakrifikojmë Europën”.
Vukun nuk e trazon askush, as në Serbi dhe as jashtë saj. Ngritja e kësaj alibie heroizmi është politikë tipike serbe për përjashtë dhe nevojë protagonizmi e serbizmit përbrenda, me çdo mjet e rrethanë. Atje vijojnë t’i numërojnë e nderojnë për heronj edhe kriminelët. Kryetari i këshillit kombëtar për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, Rasim Ljajiç, kur u pyet për kapjen e Ratko Mlladiç, me një shpërfillje të qartë, tha që, “nuk mund të merremi edhe me Mlladiç edhe me BE-në” dhe  se “ nuk e dimë se ku ndodhet ai”.
Breht ka shkruar: “ Vendi që nuk ka nevojë për heronj është i bekuar”. Por, Serbia është e babëzitur për heronj.

G. 55