E shtune, 20.04.2024, 02:57 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kujtoni bubrrecat!

E diele, 04.12.2022, 08:56 PM


KUJTONI  B U B R R E C A T !

Nga Fritz RADOVANI

Bubrrecat ose milingonat përcaktohen kështu në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe: “Milingona – zool. Kandërr e vogël me ngjyrë të zezë që rron me shumicë nëpër drurë, në fole të bëra në dhe etj.; mizë dheu, mizë përdhese, thnegël...” (fq. 1138).

Kishe me thanë se asht ndër insektet ma të njohuna dhe të përhapuna. Porsa njeriu fillon me kenë i pavarun në jetë me lojnat e tija të fëminisë, mbas mizave njihet me bubrrecat e vogla, që shpesh sulmojnë raftet e bukës dhe të ushqimeve në shtëpijat tona. Në dukje të parë nuk janë aspak të frikëshme, madje shpesh i largon me frymë ose i shkundë për mos me i mbytë, mbasi ke njëfarë dhimbje kur i sheh aq të vogla gjithënjë tue punue. Grumbullohen shumë mbas sheqerit dhe produkteve të tjera të ambla. Kur ishim të vogjel iu hidhnim një dromcë bukë në tokë dhe vrojtonim sesi mblidheshin, e rrethonin dhe organizonin mënyren si me e bajtë dhe me e çue në folenë e tyne. Janë shumë të ndishme ndaj ndryshimëve të motit. Ka raste që bubrrecat të tregojnë se koha do të ndryshojë, moti do të keqësohet...

Ato rreshtohën në një mënyrë aq të çuditëshme sa të duket, se mënyra sesi një palë ecin me ushqim në gojë tue e bajtë me e çue në fole dhe, në kahun e kundërt pala tjetër vrapon me shkue tek grumbulli me marrë edhe ate çka ka mbetë aty; mënyra sesi vehen përdy, të ban me mendue se ai veprim nuk asht instinkt, se ata e bajnë me aq kujdes sa gati-gati me tu dukë se edhe ruhën mos me hasë për shoqet e veta të ngarkueme. Një kujdes i posaçem!

Mënyra sesi ato rreshtohen në një varg të pafund... më ka ba me mendue krejt ndryshe nga njohja e parë si fëmijë me to...

Mund të tham pandrojtje, se bubrreca asht insekti ma i urrejtun prej meje!!

E sidomos mbas “Rilindjes komuniste” t’ Edi Ramoviçit nuk i shof me sy! Nuk dij a e kuptojnë Shtetet Europjane se shka do të sjellin “Rilindja komuniste” në Shqipni?!

Ajo më kujton rradhët e pafund të njerëzve në të gjitha sheshet, qoshet e skutat e jetës në krejtë vendët komuniste... E kush ishte ma keq se Shqipnia atëherë e sot?

Ato rradhë njerëzish “të pranguem” që fillonin nga Shqipnia deri në Vendet Baltike dhe, nga Berlini deri në kampet e t’internuemve në Vladivostok...

Ajo më kujton tribunat e nalta të diktatorëve me gjokse të mbylluna hermetikisht nga dekoratat, tue shikue me perçmim miljona njerëz si milingonat, që brohoritshin në gjithë kampin socialist per 1 Maji nën valvitjet e flamujve të kuq...të proletariatit...

Ajo më kujton rradhët e bukës kollomoqe si tullë, deri në vitët 1953 – 54.

Ajo më kujton “triskat”, rracionet, sasinë minimale për jetesë, deklaratat e kryetarve të lagjeve për me i përfitiue këto “triska”, pra, nënshkrimet e atyne fudullve spijun për me tërhjekë një copë letër, që ishte “privilegji” i Pushtetit Popullor Demokratik, për katerqind gram bukë kollomoqi, e cila, duhej edhe ajo me u pague me pare...

Ajo më kujton njerëzit e depersonalizuem ndër rradha, tue veshtrue kush “fshanë”?...

Ajo më kujton pleq e plaka të mbështjellun me zhele, gra të shpupurishuna flokësh dhe fëmijë të zbathun në pikën e acarit të dimnit, tue iu rrah fëtyren, mollzat e faqeve e duert e skuquna tue iu ra përthonjësh, nga të ftohtit e veriut apo edhe murrlani i pashpirtë i Cukalit t’ Shkodres...

Ajo më kujton rradhët e pafund të rracioneve të druve e të qymyrit në borën e madhe.

Ajo më kujton rradhët e vume me gurë mbas mesnate, për një shishe qumësht...

Ajo më kujton rradhët e pafund për një kilo djathë në javë për familje...

Ajo më kujton Nanat Shqiptare tue ble 100 gr. burro në javë, për 5 – 6 fëmijë...

Ajo më kujton rradhët e një kilo mishit për familje në javë...

Ajo më kujton rradhët për një kilo domate, një kilo patate, fasule apo spinak...

Ajo më kujton gëzimin se mujta me marrë një kilo gjuca pa u mbarue koshi...

Ajo më kujton ankthin e bidonave të vojit gurit, kur shkapeteshin...se u mbarue...

Ajo më kujton mijra të internuem, rreshtue për një kafshatë bukë ndër ferma...

Ajo më kujton kilon e mollave e të portogalave që gëzonte fëmijët për vitin e ri...

Ajo më kujton rradhët e njerëzve fatzez me sofratasa tek dyert e Sigurimit të Shtetit...

Ajo më kujton rradhët e njerëzve të përlotun tue pritë “takimin” tek Burgu i Madh...

Ajo më kujton “apelet” ndër ngrica, n’oborr të burgut të Burrelit...

Ajo më kujton policët katila, tue na thanë: “Mos sillni më, është i ngordhur në Zallin e Kirit.., shko po deshe, sa nuk është qelbur!...”.

Ajo më kujton Nanat tona, tue iu dridhë buza e tue na tregue: “E kanë pushkatue sot!”

Ajo më kujton gjyshën... tue pritë në dritare: “Kur po i vjen djali!?...”

E, çka nuk më kujton ti... O bubrrecë e zezë si futa e Malësisë!...

Ti më kujton shpellat, ti më kujton Shqipet.., ti më kujton orlat që kanë ndi erë gjaku!

Ti më kujton rreshtat e pafund të Atyne Burrave, që mbyllen jetën ndër galeritë tueja të Spaçit, Qafë Barit, Rrubikut, ndër këneta të Maliqit, Bedenit, Levan Fierit... ndër kryporet e Vlonës apo brigjet e Sarandës, ndër Kodrat e Tepelenës apo barakat e akullta të Vloçishtit e të Ballshit, ndër aeroportet e Tiranës apo kanalët e Taravicës...e ku nuk kishe fole ti?... Ti më kujtonte mija e mija Nana e Motrat tona veshun zi...

E sa herë ndigjoj fjalen “Rilindje komuniste”, mendoj per fatzezët Shqiptarë!

E pra, ti o bubrrecë, jé krejtë e pafaj...E di...

Por, edhe mue, më asht ba instinkt me i mendue të gjitha këto... kur të shoh ty!

E këte po mendoj edhe sot që Shqipnia neser pret të gjithë Perfaqsuesit e BE...

Edhe këtu, në Melbourne... Mendja më shkon tek Ju o opozitarë!

Ju uroj me gjithë Shpirtë vetem Fitore! Rrnoftë Shqipnia Europjane!

Malbourne, 4 Nandor 2022.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora