E enjte, 28.03.2024, 12:51 PM (GMT)

Kulturë

Syrja Etemi: Shkupi dardan në dritëhijet e dokumenteve të kohës së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene

E shtune, 03.12.2022, 07:24 PM


SHKUPI DARDAN NË DRITËHIJET E DOKUMENTEVE TË KOHËS SË MBRETËRISË SERBO-KROATO-SLLOVENE

Shkruan: Syrja Etemi

Në disponim të  atyre pak burimeve  të shkruara në gjuhën shqipe për kryeqendrën e Republikës së Maqedonisë së Veriut - Shkupin, në cilësinë e pasionantit të “mësueses së jetës”, në këto ditë torturuese të karantinës, do të pretendoj të shkëpus pak  kohë e t’u qasem shkrimeve të autorëve të huaj në lidhje me të kaluarën  e këtij qyteti sa të zëshëm, po aq edhe të mbuluar me aureolën e vagëllimtë e pështjellues. Kësaj radhe do të vë në spikamë disa dëshmi materiale e të shkruara, që kanë të bëjnë kryesisht me Shkupin tonë të “hazdisur”, përkatësisht në kryeqendrën e lashtë dhe të re që kundërmon aromë dardane. Ajo që më ka rënë në dorë dhe që më ka lënë mbresa në përshkrimin dhe prezentimin e të dhënave për këtë qytet, janë burimet që dalin nga literatura serbo-kroato-sllovene që, për lajtmotiv kanë Shkupin. E, unë në këtë rast do t’i azhurnoj e ezauroj dy prej tyre:   “NARODNA ENCIKLOPEDIJA” – Srpsko – hrvatsko - slovena?ka, 1925  dhe “TURSKI SPOMENICI U SKOPLJU” - GLIšA ELEZOVI?,1925. Me këtë rast nuk do të lëshohem në vlerësimet  dhe kualifikimet se, a janë ato shkrime të vërteta apo jo, a i nënshtrohen metodologjisë dhe vërtetësisë së saktë shkencore apo jo, por do të pretendoj që lexuesit shqiptar t’i ofroj materiale të cilat mendoj se do të jenë me interes, sepse, që në fillim  iu përmbajtja primesës: “Detyrë imja është ta them të vërtetën e, jo t’i detyroj të tjerët të besojnë në të.” E, në këtë rast e vërteta është se shkrimet e eksploruara janë origjinale e të akceptueshme, ndërsa për përmbajtjen dhe vërtetësinë gjykoni vet…

Në shkrimin e parë enciklopedik, kështu shkruajnë shkrimtarët:

“SHKUPI, kryeqendër e Serbisë Jugore, seli e qarkut të Shkupit, gjendet në veriperëndim të rajonit të Fushës së Shkupit, dhe është i shtrirë në brigjet e Vardarit aty ku bashkohen Treska dhe Lepenci. Numëron 9.130 shtëpi me 69.269 banorë. SH. ka kryesisht pozitë të rëndësishme gjeografike. Gjendet në mes të qarkut dhe në vet Gadishullin Ballkanik, në arterien kryesore transballkanike dhe vardaro-moravase, me të cilën këtu kryqëzohen edhe shumë rrugë tjera dytësore. Shtrihet në një tokë shumë të gjërë e pjellore, që bën  bereqet të bollshëm  edhe për vendbanimet dhe rajonet përreth tij. Për këtë, Sh. me këtë pozitë dhe pasuri mbetet një qendër e madhe kulturore, bujqësore dhe politike.

SH. paraqitet në epokën e parë historike  të Siujdhesës Ballkanike si kryeqendër e fisit ilir të Dardanëve. Është quajtur: S c u p i , sipas të cilit ka mbetur edhe emri i sotëm i sllavizuar; por edhe nga emri i lashtë dardan i këtij qyteti, që fare pak ka ndryshuar. Sh k u p, dëgjohet edhe sot tek Arbanasët…”

Pra, kjo paraqitje e fakteve për Shkupin si kryeqendër e fisit ilir të Dardanëve e kështu me radhë, deri te realiteti apodiktiv se theksimi i tij nga shqiptarët me emërtimin shqip:  Sh k u p - është mjaft indikative, fakte këto të cilët i anashkalon dhe shtrembëron historiografia sllavo-maqedonase  edhe pas eksplorimit të dekadës së parë dhe të dytë të këtij shekulli, ku historianët tanë shqiptarë - vazalë të pushtetarëve ku participojnë edhe partitë tona politike, vazhdojnë gjumin dhe kllapinë e thellë, mu ashtu si kanë qejf dhe i drogojnë padronët e tyre.

Të vazhdojmë më tutje shfletimin e enciklopedisë:

“Në fund të shekullit para Krishtit, bëhet kryeqytet i Provincës romake Dardania. Me romanizimin e popullatës rezidente, shumica e qytetarëve të Sh. kanë qenë veteranë të luftës. Shkupi dardan dhe romak është shtrirë në pjesën më të madhe të qytetit të sotëm, në fushën ndërmjet fshatit Bardhoc dhe Zlokuçan aty ku Lepenci derdhet në Vardar. Kështu në Shkupin e përparuar romak gati deri në themel të shkatërruar nga tërmeti i vitit 518 pas Krishtit, sot akoma mund të gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër-dhe me një mihje të vogël, sidomos në Fushën e gjërë të Bardhocit, mund të zbulohen. Deri më tani këtu janë zbuluar dhe eksploruar disa ndërtime romake dhe në muzeun e Shkupit janë ekspozuar disa sarkofagë dhe gurë arkitektonikë.

Në vendin e Sh. antik, perandori bizantin Justiniani I (527-565) ngriti Sh. e ri,  të cilin e ka locuar në anën e majtë të brigjeve  të lumit Vardar në pjesën më të madhe të Seravës, ku gjindet edhe sot. Justiniani e ngriti Sh. deri në kulminacionin e qytetit perandorak duke e quajtur atë Justiniana Prima II. Në të e vendosi selinë e vetadministrimit arqipeskopal me të njëjtin emër, e në të cilin ka përfshi edhe pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik.

Justiniana si kompleks arqitektonik, është  i gjallë dhe me pozitë të volitshme ushtarake, gjithashtu - me ujësjellësin e përkryer urban, i murosur me një stil të admirueshëm bizantin, me rathë ornamental të tullave dhe gurëzve të radhitur në muret që përshkojnë tërthorë  Ultësirën e Thatë, në veriperëndim nga qyteti, mbas kazermës së sotme ushtarake, dhe që përbëhet nga 55 abazhure lustrues të shtyllave të larta, që mbajnë edhe kanalin e ujësjellësit që në mbarë Sh. e sjellin ujin që nga bjeshkët e largëta të Malit të Zi. Shkupin Justinian përshkruesit historikë e paraqesin si qytet të madh perandorak  e të shëndritshëm, kurse pak më vonë me ndryshimet që pësoi,  emri i bukur i tij sikur zuri të zbehet.

Sllovenët filluan të paraqiten nën muret e Sh. aty kah fundi i shekullit 6 (gjashtë). Kështu ata filluan të plaçkisnin, dhe pas shumë atakimeve  dhe luftërave të shumta gati njëshekullore, në fund të shekullit 7 (shtatë) pushtohet dhe në të u vendosën përfundimisht. Pas një periudhe të bujshme prej tri shekujsh Sh. krejt nga fillimi i shekullit 9 u zhvillua në paqë, si një seli e re bizantine në Povardarje. Nga kjo periudhë e fundit e administrimit bizantin në Sh. slloven i rëndësishëm është manastiri Shën Pantelejmoni në fshatin Nerez, në Malin Vodno pas Sh., i ngritur në vitin 1164 si varosh i një shenjtori nga familja perandorake bizantine e Komnenëve.

Më vonë Sh. pas pak kohe i bashkangjitet shtetit serb të Rashkës në kohën e Stefan Nemanjës (1189), ai madje pas një shekulli përfundimisht i bashkangjitet Sërbisë së Vjetër - në fillim të qeverisjes së mbretit Milutin (1282 deri 1321). Sh. që atëherë shumë shpejtë bëhet kryeqytet i shtetit serb. Mbreti Milutin ndërtoi shumë manastire: Shën Mëria Trinia, Shën Gjergj Shpejti, Shën Konstantini dhe Shën Jovani. Sidomos është i njohur manastiri i Milutinit, Shën Gjergj i Shpejti, i cili gjendet në Seravë, në malin Verpin karshi qytetit. Ka qenë i mbushulluar dhe pasuruar nga mbreti dhe rrethina e Sh. dhe ka shërbyer edhe për fqinjët e rrethinës. Sh. në këtë kohë shndërrohet edhe në një kryqendër të gjallë tregtare, ku panairin (vasharin) e tij e vizitonin tregtarë  vendasë, por edhe të huaj si: Serb, madje edhe grekë, Shqiptarë, Vllehë, bullgarë dhe latinë (Raguzianë apo Dubrovnikasë (S.E.), Dallmatinasë, Mleqiçë). Në Sh. gjendej edhe oborri i mbretit Stefan Deçani (1321-1331).

Sidoqoftë, përparimin më të vrullshëm Sh. e arrin në kohën e Car Dushanit (1331-1355). Në fronin e tij “ në qytetin e shndritshëm dhe mbretëror Sh.”, me aktin (16/4) 1346  u kurorëzua vet mbreti Dushan si mbret i parë serb, përderisa paraprakisht, në të njëjtin vit në Kuvendin shtetëror në Sh. arqipeshkvia serbe shpallet për patriarkanë. Këtë vit Dushani në Shkup i pasuroi edhe manastiret në Malin e Shenjtë apo Sv. Gora (Hilandar, Esfigmen, Vatoped etj.). Një vit më vonë në Sh. u themelua mitropoliti “ i fronit të parë Shën Trinia të qytetit të përshkënditur Sh. në vend të mitropolisë së vjetër.” Car Dushani ka patur oborrin e tij” nën Sh.”, edhe atë në anën  pas shpine të qytetit të Sh. - në Çahri”, madje në anën lindore të kështjellës, në bregun ku janë xhamija e Sulltan Muratit dhe Sahatkulla. Në kuvendin shtetëror në Sh. që u mbajt në maj të vitit 1349 u soll Zakoniku i Dushanit, vepër e rëndësishme e rregullimit të brendshëm shtetëror të mesjetës. Në Sh. kanë patur fronin edhe  mbreti Urosh (1355-1371) si dhe mbreti Vuk Brankoviç (1377) e më vonë edhe Kraleviç Marko. Përkrah shumë manastireve në rrethin e Sh., e veçanërisht në Malin e Zi, këtu më të njohur janë ato të Mrnjaçeviçës: Manastiri i Markut, Shën Dhimitri në Sushicë dhe manastiri Andreash:  Shën Andria i Pari andej Matkës - në Treskë.

Përderisa në faqet e kësaj enciklopedie stisen të dhëna që glorifikojnë historinë e “kohës së artë” të Shkupit e që ekskluzivisht  më tepër i atribuohen asaj që ka të bëjë me protagonistët sllavë, në vazhdim do të shpalosim disa shënime tjera nga autorë tjerë që shkruajnë e flasin për Shkupin, sidomos ato që kanë të bëjnë me ngjarje e ndodhi që  i përkasin  periudhës osmane, e ku në veçanti jepen dëshmi mjaft indikative, sidomos  për arqitekturën e stilit osman të Shkupit, me ç’rast do të veçoja këtu disa shënime të autorit, Dr. Gliša Elezovi?   në librin: “Turski spomenici u Skoplju” që flasin drejtpërdrejtë për një monument kulti mjaft provokativ e mbresëlënës, si që është Burmali Xhamia.

Ky pasus është i përkthyer nga Dr. Gliša Elezovi?   në librin: “Turski spomenici u Skoplju”.

Ja përkthimi në gjuhën serbo-kroate:

Në pamundësi të sigurimit të përkthimit direkt nga origjinali, punë e së cilës mbetet të bëhet nga specialistët e orientalistikës, do të mundohem që t’i qëndroj besnik përkthimit nga gjuha që përmenda më lartë:

“Kjo xhami, për hir të Zotit  që krijoi gjithësinë e që mëshiron  dhe  falë mëkatet, ndërtohet nga  Mehmet beu, prijatar i luftëtarëve për fe, të cilët nënshtruan mushrishët (të pafetë) dhe (qafirët) devijuesit e fesë.

O, Zot i madhërishëm që je ndër mëshiruesit më mëshirues, Ti neve na mëshiro! Të falëmnderojmë që na mundësove ta  përfundojmë këtë bina në muajin zilhixhe të vitit nëntëqind të hixhrit!” (D.m.th. muaji korrik i vitit 1495).



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora