Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Rugova i priu kohës

| E premte, 02.12.2022, 08:14 PM |


Rugova i priu kohës

Nga Gani Mehmetaj

Ibrahim Rugova nuk ishte figurë rastësore. Nuk ishte as meteor, që ndriçon me farfuri e shuhet në heshtje. Personaliteti i tij u krijua në një kohë të gjatë. Student i Prishtinës, specializant i Parisit, shkolla franceze e shquante me risitë e qasjes letrare, me frymën perëndimore, e kundërta e shkollës jugosllave që ishte një përzierje mes zhdanovizmit sovjetik dhe diktaturës së socializmit “vetëqeverisës”- socializëm tinëzar që të shtypte në heshtje.

Ishte i pazakontë interesimi i Rugovës për Pjetër Bogdanin, kolosin e letërsisë shqipe dhe prijës i kryengritjes më të madhe shqiptare kundër Perandorisë Osmane, pas Gjergj Kastriotit.

Koha e nxori në sipërfaqe, por Rugova nuk priti, i priu kohës. U shqua me angazhimin, guximin, largpamësinë dhe maturinë, që nuk i kishin prijësit e tjerë para tij.

Djalë jetim nga i ati, Ukë Rugova - që ia pushkatuan partizanët serbë, sepse ishte në krahun e nacionalistëve, - ai u rrit në ambientin e nderë të terrorit, vrasjeve të pas Luftës së Dytë Botërore, dëbimit të shqiptarëve në Turqi dhe ndjekjeve të UDB-së. Shkollimin e kreu në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar në Parisin e Roland Barthes.