Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Përvjetori i lindjes së Dardanit dhe Europianit të Madh - Dr.Ibrahim Rugovës

| E premte, 02.12.2022, 08:53 PM |


Përvjetori i lindjes së Dardanit dhe Europianit të Madh - Dr.Ibrahim Rugovës

Nga Gjon Keka

Dr. Ibrahim Rugova ishte njeri-lider transformues, krijues dhe hartues i peizazhit të përgjithshëm politik të vendit, gjë që i hapi rrugë mendimit, vlerësimeve pozitive dhe ndryshimeve të dobishme në rrugën e ndërtimit të shtetit dhe institucioneve të saj të ligjshme, si dhe të njohura ndërkombëtarisht, por edhe të mbështetura nga demokracitë dhe ekonomitë e vendeve moderne më të zhvilluara e me ndikim të madh në botë.

Në sajë të gjithë kësaj, duhen vënë në pah disa nga vlerat e tij tejet lartësuese të një politikani të shkëlqyer: durimi, aftësia dhe lidhshmëria rrënjësore me paraardhësit tanë të vërtetë si dhe me kulturën shpirtërore e materiale të kombit shqiptar. Presidenti Rugova ishte një njeri-lider brilant, me parime të larta,elokuent, i durueshëm dhe mobilizues i përkrahësve të tij, por edhe i popullit, nëpërmjet kujdesit dhe bashkëveprimit në përpjekjet e gjata të proceseve historike të popullit të Kosovës, deri në çlirimin e saj e në pavarësi.

Me anë të kësaj ai tregoi se ishte një ndërmjetës shumë i aftë mes vullnetit të popullit dhe komunikimit apo çuarjes së çështjes së Kosovës nëpër kanale diplomatike ndërkombëtare dhe vendimmarrëse. Durimi i presidentit Rugova ishte themeli moral i personalitetit të tij dhe i karakterit prej njeriu-lideri të lindur, ndërsa në rrafshin politik durimi ishte arma më e fuqishme për ta çuar para drejtësinë e të vërtetën, duke lëvizur në drejtim pozitiv të ardhmërisë së popullit të Kosovës, si dhe proceseve të drejta të historisë, në përgjithësi të kombit shqiptar, nëpërmjet faktorizimit të tij në Gadishullin Ilirik.

Kështu, aspirata, thirrja, misioni, durimi dhe vizioni i presidentit e lidershipit Rugova u mishëruan dhe u bënë dora ndihmëtare e historisë gjatë përpjekjeve të vazhdueshme të popullit për liri, demokraci dhe pavarësi. Një lidership i vërtetë me të gjitha cilësitë dhe virtytet e tjera të domosdoshme duhet të ketë edhe këto dy cilësi e virtyte themelore të politikës, durimin dhe këmbënguljen, në rrethana të përgjegjësisë historike dhe vendimmarrëse të kombit të tij.

Një lider vizionar dhe një Dardan i Madh sikur ishte presidenti historik Rugova janë të rrallë, që gërshetojnë në veten e tyre shpirtin atdhetar e themeltar dhe shpirtin europian.