E shtune, 20.04.2024, 04:42 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Kumtesë me rastin e 50 - vjetorit të ndërrimit jetë të Mustafa Merlika Krujës

E hene, 29.12.2008, 11:00 PM


Mustafa Merlika Kruja
KUMTESË ME RASTIN E 50 – VJETORIT TË NDËRRIMIT JETË TË

MUSTAFA MERLIKA KRUJES

(1887 – 1958)

Shkruar nga: Mërgim Korça

Nuk ka as më të voglin dyshim që e ndjej veten tejet të emocionuar të flas para jush, të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi, me rastin e përkujtimit të njerës prej figurave nga më madhoret që ka nxjerrë vëndi ynë, të ndjerit Atdhetarit të skajshëm, gjuhëtarit të pashoq si edhe politikanit shumë largpamës, (por fatkeqësisht aq të pakuptuar edhe deri më sot), të nderuarit Mustafa Merlika Kruja.

U detyrova t’a theksoja faktin se si politikan, ai edhe sot e kësaj dite vazhdon edhe ësht’i pakuptuar, sepse propaganda komuniste e P.K.Sh.-së, e pastaj gjatë gjithë periudhës 47-vjeçare të diktaturës së egër komuniste historianët e saj, mbijetuan duke e thurur Historin’ e Shqipërisë sipas diktatit të Enver Hoxhës, ku me zhdukje dokumentash, ku me shtrembërime faktesh e pastaj dëndur edhe më dëndur me paraqitje konsideratash krejt të pathemelta lidhur me të vërtetat historike ! Dhe po ata historianë që Historin’e shkruar të Shqipërisë edhe veprat e tyre i korrigjonin dora, dorës, sapo dilnin tradhëtarë e komplotistë imagjinarë të rinj që dënoheshin nga Enver Hoxha, edhe sot e kësaj dite duan që konsideratat e tyre rreth historisë kaluar, të bëjnë ligjin ! Por sot tekstet e tyre dëshmojnë mungesë karakteri të autorëve e janë edhe akt-akuza ndaj fajeve të tyre !

E pra në këto çaste më duket sikur Mustafa Merlika Kruja bën të pamundurën që t’ju a transmetojë juve, të pranishmëve në këtë sallë, mesazhin – lutje të tijin që nga amëshimi duke pohuar se "... në këtë botë nuk ka njeri të pa gabime ... po ju lutem për hir të së vërtetës, qëmtoni e thellojini kërkimet në arkiva, biblioteka si edhe dëshmitarë akoma të gjallë e hidhuni dritë të vërtetave, fakteve ... kundërvijuani këto historianëve që suksesin e tyre shkencor e ndërtuan mbi shtrembërimet e politizuara historike ... Ju lutem, bëjeni për hir të së vërtetës, për hir të drejtësisë !

Kjo plejadë historianësh, të mëkuar nga mësuesi i tyre Andrey Vyshinsky që e konsideronte sukses të politikës sovjetike : "Më së pari duhen mbledhur faktet e këta pastaj i paraqesim dhe i shfytyrojmë si të duam", këtë parim e zbatuan me fanatizëm e duan të vazhdojn’e të spekullojnë me të edhe sot !

Rikthehemi tashti tek Mustafa Kruja emri i të cilit, që nga fundi i vitit 1944 e deri kur u shkërmoq sistemi diktatorial i Shqipërisë, u trumbetua nga historianët e paprincip si sinonim me fashist, tradhëtar i Atdheut e kriminel, njeri i kompromisit edhe kuizling. Por nga ana tjetër asnjë vlerë, qoft’edhe një e vetme e Tija, ajo kurrë nuk i u vu në dukje, qoft’edhe shkarazi.

Kurse sot, së paku arsyetimi edhe fjala e lirë nuk na ndalohen dot, lidhur me gjykimin e veprimtarísë një personaliteti. Në këtë drejtim duhen ruajtur kriteret e pashkelshëm që historia na i mëson, ndër të cilët :

a- Qëmtimi si edhe paraqitja e të gjitha fakteve që njihen rreth personit ose personave veprimtaría e të cilëve merret në shqyrtim, por kurrsesi ato të mos shfytyrohen.

b- Nuk ndërtohet dot analizë pa përcaktuar pika referimi krahasuese.

c- Nxjerrja e përfundimeve të jetë skajshëm e drejtpeshuar lidhur me periudhën kohore që merret në shqyrtim.

Mbështetur në këto kritere themelore, për aq sa na e lejojnë kufijt’e kësaj kumtese, mundohemi të saktësojmë :

- E akuzojnë Mustafa Krujën si fashist. Nuk ka rëndësi në se qe vërtet fashist Ai, apo jo. Dakord, e pranojmë. Enver Hoxha qe komunist. E pranojm’edhe këtë.

- E akuzojnë Mustafa Krujën tradhëtar të Atdheut e kriminel bazuar në dy momente:

a- Se u bë K/ministër duke qenë Shqipëria e pushtuar nga Italia.

b- Sepse ka pohuar botërisht " Ma mirë një Shqipni gjysëm e pavarun, por me Kosovën se sa një Shqipni krejt e pavarun por pa Kosovën".

Kurse cilësori kriminel qe një atribut për efekt propagandistik, ësht’e qartë.

Lidhur me pikën e parë shqyrtojmë dy dokumenta :

- Ministri i jashtëm i italisë Galeazzo Ciano në ditarin e tij shkruan me 10 nëntor 1941, (botim i Rizzoli-t – tetor 1990, fq.556), "... Kruja në vëndin e Vërlacit. Kjo nënkupton një vazhdim lëshimesh drejtë ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare." Në këtë kontekst duhet patur parasysh fakti që Mustafa Kruja dha dorëheqjen se u vra Qazim Koculi, (Heroi i Luftës së Vlorës (1920-tës), nga dorë veglash të italianëve !

- Gazetari italian i dëgjuar Indro Montanelli, i cili e kishte intervistuar Mustafa Krujën, pohon në gazetën "Corriere della Sera" të datës 21 maj 1942 duke sjellur bindjen politike të Mustafa Krujës si vijon : "Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e Italisë sepse do të binim pré e fqinjëve tanë më të fortë se ne".

- Sa i takon problemit "Kosovë" i lidhur ky me pavarësínë e Shqipërisë, edhe për këtë moment historik do të bazohemi në fakte e të dhëna. Historia përsëritet, kjo dihet. Në mbledhjen e bërë në Arqipeshkvin’e Durrësit në muajin tetor 1912 është emblematik pozicionimi diametralisht i kundërtë në mes Salih Gjukës (anëtarit të delegacionit kosovar) si edhe Dom Nikoll Kaçorrit, ndihmës Kryearqipeshkvit të Durrësit, ndonëse të dy atdhetarë nga më të flakëtit. Salih Gjuka kërkonte mbështetjen e Austro – Hungarisë. E kundërshton Dom Nikolli. Ky mendonte se më mirë katër vilajetet të ruanin autonomin’e tyre nën protektoratin e Portës Madhe e me që Perandoria Osmane po perëndonte, automatikisht themelohej Shqipëria !

Kjo përvojë e fituar nga Mustafa Kruja i pranishëm në atë mbledhje i a pasuroi edhe pjekurinë politike e duke qenë Europa në prag lufte, Ai pranoi të formonte një qeveri të përbërë prej atdhetarësh të shquar e të sprovuar, e që mbi të gjitha ishin edhe anti-italianë, që punët në Shqipërinë Etnike, (Shqipëria e bashkuar me Kosovën), t’i lidhnin e t’i zgjidhnin shqiptarët e sa më pak t’u lihej hapësirë italianëve !

Po qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj Kosovës ? Lidhur me këtë problem u referohemi katër dokumentave historikë.

- Në muajin korrik 1946 u mbajt mbledhja e Kuvëndit të Sërbisë ku u miratua aneksimi i Kosovës Jugosllavisë Federale. Po P.K.Sh. si veproi ? Heshti dhe e harroi mbledhjen si edhe vendimet e Bujanit !

- Në muajin gusht 1946, vetëm një muaj mbas aneksimit Të Kosovës, gjatë punimeve të Konferencës Paqës, mbasi Enver Hoxha mbajti fjalimin në emër të Delegacionit Shqiptar, e pyetën lidhur me aneksimin e Kosovës. Ai u përgjegj : "Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavi"! (Enver Hoxha, fjalimi origjinal në Konferencën e Paqës, Paris, A.Q.Sh.).

- Më 15 dhjetor 1946 në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror Enver Hoxha ka thënë : "... Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli ç’bëtë me Kosovën ... ne do t’u a shpjegojmë, kush nuk na kupton, ne do t’i luftojmë"! (Proces verbali mbledhjes gjëndet në dokumentat e ish Arkivit të K.Q. të P.P.Sh.-së).

- Ish shifranti i K.Q. të P.K.Shqiptare, zoti Islam Kadeshi, ka dëshmuar: "Në pranverën e vitit 1945 erdhi një shifër nga komisari i Divizionit të Veriut Ramiz Alia nga Mali i Zi me anën e të cilit ai njoftonte : -- Sot herët në mëngjes një turmë e madhe disa mijëra shqiptarë të Kosovës, pasi u grumbulluan në mes dy kodrave në një luginë, u pushkatuan dhe u likuiduan të gjithë.-- Telegramin e deshifruar e çova në zyrën e Koçi Xoxes. Atje ishte Enver Hoxha ..." !

Vlerësimi i qëndrimeve të Mustafa Krujës ndaj problemit kosovar, është materializuar me faktin që kur Kosova ishte në pragun e shpalljes së pavarësisë, udhëheqësit e saj nuk u stepën se mos komprometoheshin, por njerës prej rrugëve kryesore të Prishtinës, pikërisht asaj para Parlamentit, i a vunë emrin Mustafa Kruja !

Sa i takon Enver Hoxhës, kriminelit që edhe sot e gëzon titullin "Hero i Popullit", ç’ti zemë në gojë ? Gjenocidin ndaj Klerikëve si edhe intelektualëve, apo Plenumin e 5-të e të 6-të të vitit 1974, apo të 7-in e vitit 1975 që i asgjësuan tërë udhëheqësit e luftës e në vazhdim të ushtrisë B.Ballukun me shokë e pastaj edhe ata të ekonomisë si A.Këllezin etj.? Kush qe krimineli i cili për 40 vite u rrethua me bashkëpunëtorë kriminelë, armiq e tradhëtarë e pastaj i vetëm mbeti hero ?

Cilësori "njeri i kompromisit" që Enver Hoxha me shpurën e historianëve të tij i a veshën Mustafa Krujës, në vazhdim mbeti si sinonim shitje interesash kombëtare.

Po Enver Hoxha në fushën e kompromiseve ç’bëri ? Më 23 dhjetor 1947 takohet me Titon e kapitullon totalisht. Në mbledhjen e Byrosë Politike më 5 janar 1948 shprehet integralisht : "Çështja e partisë zgjidhet kur të gjitha çështjet të shtrohen në baza federative, d.m.th. Sekretari i Përgjithshëm nuk jam unë por Mareshali Tito. Ne jemi parti si partitë e republikave të tjera, me sekretarët e saj, me vijën e njëjtë me të tjerat"!

Mbas shkërmoqjes së komunizmit në Shqipëri, kur u fillua politika e përpjekjeve për anëtarësim në B.E. si edhe në NATO, që të gjitha qeveritë u përpoqën në këtë drejtim e me sa duket qeveria aktuale do t’a ketë fatin e arritjes këtij objektivi. Tashti doemos gjykimi rreth kësaj arritje :

-- Enver Hoxha, që nga jet’e përtejme : Tradhëti kombëtare !

-- E vërteta historike : Asnjë risí politike por, as më pak e as më shumë, ndjekje e politikës Mustafa Krujës për hir të interesave kombëtare !

-- Historianët, (dikur me Enverin duke e sharë NATO-n me rrënj’e me degë), e sot këmbëngulës të jenë énde gjykatës : si të pa parime që janë, vazhdojnë të jenë konformistë edhe sot me më të fortin, me cilëndo qeveri qoftë !

Sa i takon akuzës kundra Mustafa Krujës si kuisling, ndërsa Vidkun Quislingu nënshkroi deportimin e 1300 hebrenjëve në kampet e asgjësimit, Mustafa Kruja i solli nga Kosova dhe u a shpëtoi jetët 320 familjeve hebreje ! Ky pozicionim i Mustafa Krujës përshkruhet në kujtimet e Jacomonit në faqet 288 – 289 të librit të tij La politica dell’Italia in Albania, (botuar nga Cappelli Editore më 31 maj 1965). Në vazhdim, sot e kësaj dite e me të drejtë, ne shqiptarët mburremi për shpëtimin e tyre, (pa e ditur atë që historianët e dijnë por nuk e thonë), se qe Mustafa Kruja që i shpëtoi ata hebrenj !

Sot fluturimthi i vumë në ballancë akuzat që Enver Hoxha me partin’e tij si edhe historianët po të tijtë i drejtonin Mustafa Krujës, por duke vendosur në anën tjetër të peshores qëndrimet edhe të vetë Enver Hoxhës. E përgjithëshmja, skajshmërisht evidente : Mustafa Kruja prirej nga interesat kombëtare, ndërsa Enver Hoxha nga ato personalet, duke i shkelur kombëtaret ! Parë kësisoji, historia e shkruar nga historianë të rinj brezash të ardhshëm, të shkolluar në shkollat demokratike perëndimore, do t’i trajtojë si politikanët e gjithashtu edhe historianët. Të dyja palët shikuar nga veprat që kanë lënë nga pas e jo më të ritushuara e kaluar mes filtrash të herëpashershëm !

Parimisht personaliteti i Mustafa Krujës me të Enver Hoxhës nuk kanë si të krahasohen. Por duke qëndruar në fushën e akuzave keqdashëse si edhe çpifëse ndaj M.Krujës, e bëmë paralelizmin mes tyre. Kurse sa i takon fushës kulturës ësht’e pamundur të bëhet krahasim me emërues të përbashkët sepse sipërfaqëshmëría e kulturës si edhe injoranca e Enver Hoxhës ishin tipike të një demagogu, ndonëse duhet pranuar se si i tillë ai kish vlera jo të zakonëshme. Nga ana tjetër ai ishte një aventurier dhe oportunist i gatshëm në çdo situatë. Ai problemet kulturore i përballonte me syrin politik dhe luftën e kllasave. Ç’ndërtoi Enver Hoxha? Njeriun e ri socialist të cilin e mëkoi me urrejtje klasore ! Ky qe suksesi i tij më i madh!

Mustafa Krujën edhe në fushën e kulturës, përgjatë diktaturës, historianët dallkaukë e kishin zhytur në llavën e zjarrtë të Ferrit ! I vetmi që pati shtyllë kurrizore dhe n’ato rrethana i referohej Shpend Bardhit (pseudonimi i Mustafa Krujës – M.K.) lidhur me probleme etimologjishë gjuhësore, ishte profesor Eqrem Çabej ! E përgjatë kësaj hullíje, sot së rishmi vjen një studjuese gjuhëtare e re, zonja Ledi Shamku Shkreli, e cila sa më shumë njihet me veprën gjuhësore të Mustafa Krujës arrin në pohimin madhor duke e quajtur atë prekursorin e Derridá-s me një dhjetëvjeçar avancë, i cili nga bota njihet si pararojë në studimin e filozofisë së gramatologjisë moderne.

Ja pra pse ësht’e trishtë situata : Bota, edhe në mos paçin personalitete, mbledhin thërrime mbas thërrimesh dhe i krijojnë heronjt’e tyre. Kurse historianët tanë akoma sot, për të mbrojtur veten si të inkriminuar me botime pseudoveprash mbushur me paragjykimet komuniste të së kaluarës, vazhdojn’e mohojnë një kollos si Mustafa Kruja ! Dhe unë pyes : Deri kur do të lejohen ata të vazhdojn’e t’a fyejnë vëndin tonë ?



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora