E premte, 03.02.2023, 10:50 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Shqipnia asht si oborri i Pilatit

E merkure, 30.11.2022, 07:58 PM


SHQIPNIA ASHT

SI  OBORRI  I  PILATIT

Nga Fritz RADOVANI

Si sot na ushton ndër veshë zani i përbindshit të Shtetit Shqiptar, thirrjet e virrmat e fjalimit programatik të 6 Shkurtit 1967, të pasueme me brohoritje e duartrokitje nga turma e kriminelëve gjakatarë, komunistë e spijunë të Sigurimit të Shtetit, në shpalljen ma të turpëshme të Shekullit XX, në Atdheun e Skenderbeut, Dedë Gjo’Lulit, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit e Nanë Terezës, mu në zemër t’Evropës: “Shqipëria është Shtet ateist” (Art. 37 e 55 i Kushtetutës së Re: “Shteti nuk njeh më asnjë fe.”).

Asnjë nga pushtuesit e huaj me shekuj të tanë, nuk kanë kërkue me zhburrnue Malët dhe me çveshë nga morali fushat, ashtu si vëproi për gjysëm shekulli okupacioni komunist e terrorist në Shqipni. “Të djegim me zjarr...” ligjët e zakonet e një Populli, nga Vermoshi e deri në Himarë e Konispol, të djersitim me gjak shtyllat e Butrintit plak, apo të përdhosim me turp e marre lavdinë e Apolonisë e Krujës heroike, e të mos kursejmë asgja për me  formue “ate njeriun e rinj”, arritja ma e shëmtueme e njeriut të depersonalizuem nga tiparët fisnike, burrnore e bujare të Shqiptarit: Këta ishin e janë edhe sot pikësynimi i atij “Revulucioni Ideologjik Kultural”.

“Kryqëzonje, kryqëzonje...!”, ishte thirrja e diktatorëve ma të mënershëm të historisë sonë kombëtare! Vritni, vritni, burgosni, interrnoni, terrorizoni, frikësoni, përdhunoni, çnderoni, spijunoni, shpifni, servijoni, mashtroni, propagandoni, poshtnoni, zhdukni, torturoni e masakroni deri në vdekje dhe, “nëse ju mbetë kush në tortura, nuk do të mbani asnjë përgjegjësi penale.”, kështu, udhëzonte Gjykata e Lartë Ushtarake e Republikës së Shqipnisë komuniste me një shkresë të veçantë, që i dërgon hetuesve të Klerit Katolik Shqiptar në 1967. (Dosja Nr. 2291, Arkivi Min.Mbrendshme).

Dyertë e Kishave e të Xhamive mbulohën nga “Fletë Rrufe”. Mbyllet edhe Kathedralia njëqind e sa vjeçare e Shkodres. Përdhunohën dhe varrezat e Kishave dhe tretën në lumin Drinazë eshtnat e klerikëve atdhetarë të varrosun. Shkatërrohën me kulm e thëmel Kisha Monumentale e Shek. XIII e Vaut të Dejës, ajo e Zojës Këshillit të Mirë pranë Kalasë “Rozafat”, Xhamija e Parrucës, Kisha e Jezuitëve etj. Plaçkitën Kisha e Xhamija dhe përvetësohën edhe ata pak libra e vepra arti të mbetuna nga vjedhjet e maparëshme, fillue që nga viti 1945 nga baballarët e hajdutve të sotem.

“Duhej luftue e zhdukë pamëshirë Kleri Katolik Shqiptar”, i cili mbas vitit 1944, ishte i vetmi që ka luajtë rolin e opozitës demokratike kundrejt dhunuesve të të drejtave dhe lirive njerëzore.

Arestohet i pari At Gegë Luma (ashtusi në janar të vitit 1945) e, mbas Tij, Don Mark Hasi, At Pjetër Mëshkalla, Don Frano Illija etj. Terrori dhe ankthi mbizotnojnë kudo, por ato mbledhje që organizohën ndër lagjet e qytetit e zyrat e kooperativave të fshatrave, janë mjeti ma i mënerëshëm për me prangue e skllavnue një popull të tanë e të pafajshëm.

Qendrimi heroik i Atyne Martirëve që kanë mbajtë ndër këto mbledhje, mund të thohët pa ndrojtje, se i ngriti Ata në piedestalin e Heronjve të Kombit dhe të Kishës Katolike Shqiptare. As nuk u trembën, as nuk u tronditën, as nuk u thyen, por fituen Lavdinë e meritueme e të përjetëshme:

At Pjetër Mëshkalla, At Gëgë Luma, At Frano Kiri, At Mark Harapi, Imzot Ernesto Çoba, Don Mark Hasi, At Gjergj Vata, Don Ndue Soku, Don Injac Gjoka, Don Marin Shkurti, Don Mikel Beltoja, Don Frano Illija, Don Shtjefen Kurti, Don Nikoll Mazrreku, Don Ndoc Ndoja, Don Pjetër Gruda, Don Nikoll Gjini, At Filip Mazrreku, Don Pashko Muzhani, etj. etj.

Ata u ndodhën para bishave t’egra me kokë njeriu si: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Feqor Shehu, Nevzat Haznedari, Koço Josifi, Ali Xhunga, Aranit Çela, Dhimitër Andoni, Elham Xhika, Xheudet Miloti, Iljaz Haxhi, Ilo Papa, Shyqyri Qoku, Shkelzen Bajraktari, Dhimitër Shkodrani, Jake Tefiku, Lefter Goga, Shuajp Panariti, Faik Minarolli etj. etj. për të cilët “dyert” e Nurembergut e të Hagës janë të kyçuna, se nuk ka asnjë kod penal që mund të lajnë atë që kanë ba këto kobra katile, tue u zhytë deri në fyt në gjakun e viktimave të pafajshme.

Nuk do të përshkruej imtësi rreth luftës kundër qytetnimit evropjan, as kundër elementit katolik në veçansi, mbasi kur të lexoni këte letër që po botoj besoj se, asht e mjaftueshme me kuptue çka bahej në Shkoder, para dhe mbas vitëve 1967, tue fillue nga Nandorii 1944:

Kryetarit të Këshillit të Ministrave

Mehmet Shehu

Tiranë

Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjës, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët ti këthehën; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.

Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e ti marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.

Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht.

Po për këte të Shek. XX-të?

Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët:

“Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.

Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime

Mehmet Shehu                                                 Pjetër Meshkalla

në Kryeministri – Tiranë                    meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

5 Prillë 1967.

I nderuem lexues! Kjo letër i drejtohej kryekatilit Republikes së Shqipnisë.

Me të drejtë Prof. Arshi Pipa, shkruan për At Mëshkallen:

Bir’ i rrebtë i një Nanës së ashpër!”.

“Revolucioni Kultural” në Shqipni, solli si pasojë, që nga 200 e pakë Klerikë Katolik, që ishin në vitin 1944, 67  u pushkatuen dhe u mbyten në hetuesi. 65 vuejtën gati 9 shekuj ndër burgje e kampe shfarosje. Gjithësejt provuen ferrin komunist 131 Meshtarë, dhe mbas 1985 në Shkoder u vrane 183 vetë.

Bijt’ e atyne kriminelave barbar sot qeverisin Shqipninë!

Kujtesa sot po detyron shpopullimin e Atdheut vorfnuem e të plaçkitun!

Ky asht “çlirimi” i Shqipnisë me 29 Nandor, n’ Oborrin e Pilatit Shqiptar!

E paturpësisht me 29 Nandor 2022, grupi i Ambasadorve të huej shkon me perkujtue “diten e robnisë komuniste të popullit Shqiptar në vorreza?...”

Melbourne, 30 Nandor 2022.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora